Muslim99Muslim99
← Tafsir library

10. Yunus

Jonas · Meccan · 109 ayahs

سُورَةُ يُونُسَ

Reading Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di

Ayahs 11–20 of 109

11

۞ وَلَوْ يُعَجِّلُ ٱللَّهُ لِلنَّاسِ ٱلشَّرَّ ٱسْتِعْجَالَهُم بِٱلْخَيْرِ لَقُضِىَ إِلَيْهِمْ أَجَلُهُمْ ۖ فَنَذَرُ ٱلَّذِينَ لَا يَرْجُونَ لِقَآءَنَا فِى طُغْيَٰنِهِمْ يَعْمَهُونَ

Sikur Perëndia, t’ua shpejtonte të keqen njerëzve, ashtu siç e dëshirojnë ata shpejt të mirën, ata me të vërtetë, do të zhdukeshin. E, Ne, megjithatë, ata që nuk shpresojnë takimin Tonë – i lëmë që të bredhin andej e këndej në humbjet e tyre.

Sikur Allahu t’ua shpejtonte njerëzve pranimin e kërkesës për të keqen, ashtu siç pranon shpejtimin e kërkesës për të mirën, atyre do t’u përfundonte afati. -Kjo tregon për mëshirën dhe kujdesin e Allahut të Madhëruar për robërit e Tij. Nëse Ai do t'ua përshpejtonte ndëshkimin për ligësitë që bëjnë, ashtu sikurse ua përshpejton shpërblimin kur bëjnë punë të mira, do të merrte fund çështja e tyre dhe ata do të shfaroseshin nga ndëshkimi. Allahu i Madhëruar i afatizon ata, por kurrsesi nuk i harron apo braktis. Ai fal shumë e shumë prej hakut të Tij të shkelur prej tyre. Nëse do t’i merrte në përgjegjësi e ndëshkonte për të gjitha padrejtësitë e tyre, nuk do të linte asnjë në faqen e dheut.Në këtë fjalë të Zotit përfshihet edhe rasti kur njerëzit mund të zemërohen dhe mallkojnë nga zemërimi familjen dhe fëmijët. Nëse këto lutje të këqija do të pranoheshin prej Allahut ashtu sikurse Ai pranon dhe realizon lutjet e mira, atëherë njerëzit do të shkatërroheshin. Por Allahu i Lartësuar është i Dashur, i Urtë dhe nuk nxitohet të ndëshkojë gabimtarët.Por ata që nuk janë të bindur për takimin Tonë, Ne i lëmë të enden në shfrenimin e tyre. -Këta nuk besojnë në jetën e përjetshme dhe në ringjallje, prandaj dhe nuk përgatiten për të. Ata nuk kanë frikë llogarinë e drejtë para Zotit, prandaj nuk bëjnë ndonjë vepër që t’i shpëtojë nga ndëshkimi i Tij. Të tillë njerëz, i Urti i lë në shfrenimin e tyre për të kaluar kufijtë. Ata zhyten në të kotën, për hir të së cilës kanë braktisur të vërtetën dhe kanë shkelur kufijtë e Zotit. Allahu i lë ata, sikurse thotë: "jea'mehun", domethënë, të çoroditur, të pavendosur dhe të turbullt në vendimet e tyre. Ata nuk arrijnë ta gjejnë rrugën e drejtë dhe nuk u jepet sukses që të kuptojnë argumentet dhe faktet më të drejta dhe të vërteta. Ky është ndëshkimi i tyre dhe i çdokujt që zhytet në padrejtësi dhe që shpërfill e mohon argumentet dhe shpalljet e Zotit.I Madhëruari thotë: "Nëse Allahu do t’i dënonte njerëzit sipas veprave (të këqija) të tyre, nuk do të linte mbi faqen e dheut asnjë gjallesë. Por, Ai i lë ata deri në afatin e caktuar. Por kur të vijë afati i tyre, (le ta dinë se) Allahu Shikon gjithçka nga robërit e vet." [Fatir 45]

12

وَإِذَا مَسَّ ٱلْإِنسَٰنَ ٱلضُّرُّ دَعَانَا لِجَنۢبِهِۦٓ أَوْ قَاعِدًا أَوْ قَآئِمًۭا فَلَمَّا كَشَفْنَا عَنْهُ ضُرَّهُۥ مَرَّ كَأَن لَّمْ يَدْعُنَآ إِلَىٰ ضُرٍّۢ مَّسَّهُۥ ۚ كَذَٰلِكَ زُيِّنَ لِلْمُسْرِفِينَ مَا كَانُوا۟ يَعْمَلُونَ

E, kur njeriun ta gjejë e keqja, atëherë Na lutet: shtrirë, ose ulur, ose në këmbë (në çdo mënyrë). E, posa Na t’ia largojmë të keqen atij, vazhdon – thuajse nuk Na është lutur për fatkeqësinë që e ka goditur. Kështu plangësprishësve (batakqinjëve) iu zbukurohet ajo që punojnë.

E kur njeriut i bie një e keqe, ai na lutet qoftë shtrirë, ulur ose në këmbë, -Ky ajet na tregon rreth natyrës njerëzore dhe prirjeve të saj. Kur njeriu sprovohet me ndonjë fatkeqësi, sëmundje ose vështirësi, ai përpiqet shumë në lutje e përgjërim në të gjitha gjendjet e në çdo çast, për të larguar fatkeqësinë ose sprovën. Ai lutet kur është në këmbë, ulur apo dhe shtrirë, dhe përgjërohet e tregohet këmbëngulës në lutjen për ta larguar fatkeqësinë dhe që Allahu i Madhëruar ta çlirojë.e, kur Ne ia largojmë të keqen atij, ai vazhdon sikur të mos na ishte lutur fare për të keqen që e kishte goditur. -Ai kthehet përsëri atje ku ishte, duke i kthyer shpinën Zotit të tij, a thua se nuk ka përjetuar asnjëherë ndonjë fatkeqësi, nga e cila Zoti e shpëtoi. E çfarë padrejtësie e mosmirënjohje mund të jetë më e madhe sesa kjo? Kërkon nga Zoti përmbushjen e kërkesave të veta, dhe kur Ai ia plotëson, as nuk i hedh sytë për të drejtat e Zotit. A thua se nuk ka asnjë detyrim ndaj Zotit të tij. Ky është një veprim i nxituar dhe i zbukuruar nga shejtani i mallkuar, sepse çdo natyrë e pastër dhe mendje e shëndoshë e konsideron mosmirënjohjen ndaj bamirësit si diçka të shëmtuar dhe të ulët. Prandaj i Madhëruari thotë:Kështu keqbërësve u duket mirë ajo që veprojnë. -Allahu i Madhëruar i ka quajtur të tillë njerëz "musrifinë" - tejkalues të kufijve të Tij. Këtyre kriminelëve u është zbukuruar rruga e shfrenimit dhe mosmirënjohjes, edhe pse natyra e pastër dhe mendja e shëndoshë e refuzon atë.

13

وَلَقَدْ أَهْلَكْنَا ٱلْقُرُونَ مِن قَبْلِكُمْ لَمَّا ظَلَمُوا۟ ۙ وَجَآءَتْهُمْ رُسُلُهُم بِٱلْبَيِّنَٰتِ وَمَا كَانُوا۟ لِيُؤْمِنُوا۟ ۚ كَذَٰلِكَ نَجْزِى ٱلْقَوْمَ ٱلْمُجْرِمِينَ

Na i kemi zhdukur madje – shumë popuj para jush, përse kanë bërë zullum. Dhe pejgamberët e tyre, u kanë sjellë atyre dokumente të qarta, por ata nuk kanë besuar. Kështu Na i dënojmë njerëzit e këqinj.

Ne kemi shkatërruar shumë breza para jush, kur ata bënin padrejtësi. Edhe pse të dërguarit u erdhën me argumente të qarta, ata nuk besonin. Kështu i dënojmë Ne popujt që bëjnë padrejtësi. -Allahu i Madhëruar na njofton se Ai i shkatërroi popujt e shkuar, për shkak të padrejtësive dhe kufrit të tyre, pasi u erdhën të qarta argumentet e Tij përmes profetëve dhe shpalljeve të Tij. Atyre iu bë e qartë e vërteta e Zotit, e cila u përforcua me mrekulli të pamohueshme dhuruar profetëve, por ata përsëri nuk u nënshtruan për ta adhuruar Zotin dhe për të jetuar sipas Shpalljes së Tij. Ata nuk pranuan të besonin shpalljen e Zotit, prandaj mbi ta u bë i pashmangshëm dënimi i merituar për çdo kriminel që merr guximin të shpërfillë dhe të shkelë kufijtë e Zotit. Ky është ligji i Zotit, i zbatueshëm për të gjithë popujt.

14

ثُمَّ جَعَلْنَٰكُمْ خَلَٰٓئِفَ فِى ٱلْأَرْضِ مِنۢ بَعْدِهِمْ لِنَنظُرَ كَيْفَ تَعْمَلُونَ

Pastaj u kemi bërë juve pas tyre – zëvendës në Tokë, për të parë se si do të veproni.

Pastaj Ne ju bëmë ju, pas atyre, zëvendësues në Tokë, për të parë se si do të veproni. -Nëse dini të merrni mësim dhe përvojë nga ata që e pësuan para jush dhe nënshtroheni për të pasuar shpalljet e Zotit, ju keni premtim të mirë. Bëni kujdes dhe pasoni me besnikëri profetët e Zotit dhe shpalljet e Tij, që të fitoni e shpëtoni në dynja dhe në ahiret! Por nëse e harroni vetveten dhe zhyteni në padrejtësi e përmbushje të epsheve e të shfrenimit tuaj, ashtu si popujt që shkuan, edhe ju do të pësoni atë që pësuan ata. Allahu i Lartësuar jua tërhoqi vërejtjen dhe ju kërcënoi, prandaj ju nuk keni justifikim për të vazhduar në kotësinë dhe në padrejtësitë tuaja.

15

وَإِذَا تُتْلَىٰ عَلَيْهِمْ ءَايَاتُنَا بَيِّنَٰتٍۢ ۙ قَالَ ٱلَّذِينَ لَا يَرْجُونَ لِقَآءَنَا ٱئْتِ بِقُرْءَانٍ غَيْرِ هَٰذَآ أَوْ بَدِّلْهُ ۚ قُلْ مَا يَكُونُ لِىٓ أَنْ أُبَدِّلَهُۥ مِن تِلْقَآئِ نَفْسِىٓ ۖ إِنْ أَتَّبِعُ إِلَّا مَا يُوحَىٰٓ إِلَىَّ ۖ إِنِّىٓ أَخَافُ إِنْ عَصَيْتُ رَبِّى عَذَابَ يَوْمٍ عَظِيمٍۢ

E, kur t’ju lexohen ajetet Tona, të qarta, atëherë thonë ata, që nuk shpresojnë se do të dalin para Nesh: “Na sjell ti ndonjë Kur’an tjetër ose ndërroje atë!” Thuaj (o Muhammed): “Është e pamundur ta ndërroj unë atë – nga ana ime. Unë shkoj vetëm pas asaj që më është shpallë. Unë druaj – nëse i kundërshtoj Zotit tim – dënimit të Ditës së Madhe”.

Kur u lexohen ajetet Tona të qarta, ata që nuk besojnë takimin Tonë(ringjalljen), thonë: “Sillna një Kur'an tjetër, ose ndryshoje këtë!”. -Në këto ajete, i Lartësuari na tregon inatin dhe kokëfortësinë e paturpshme të atyre që e mohuan Profetin e Tij, Muhamedin a.s. Ata, kur u lexohen ajetet kuranore, aq të qarta dhe madhështore, sqaruese të së vërtetës dhe të padiskutueshme në vërtetësinë e tyre, i kthejnë shpinën dhe refuzojnë të pranojnë këtë shpallje. Me kokëfortësinë dhe paturpësinë e tyre të tejskajshme, i drejtohen Profetit dhe i thonë: “Sillna një Kur'an tjetër, ose ndryshoje këtë!”. Allahu i shëmtoftë dhe i poshtëroftë! Sa të ulët dhe të padrejtë tregohen me Allahun e Madhërishëm dhe Fjalën e Tij, të pakrahasueshme në madhështinë e saj. Kjo është forma më e poshtër dhe e ulët e refuzimit të Shpalljes së Zotit. Allahu i Madhëruar e urdhëron Profetin e Tij që t'u thotë atyre:Thuaj: “Mua nuk më takon që ta ndryshoj atë nga mendja ime. Unë pasoj veçse atë që më shpallet." -Nuk ka mundësi as të mendohet dhe është e patolerueshme për mua si Profet, që ta tjetërsoj nga vetja ime Shpalljen e Zotit. Unë jam thjesht një i dërguar, që transmetoj me besnikëri mesazhin e Zotit. Unë nuk kam në dorë asnjë çështje. Unë thjesht pasoj atë që më shpallet nga Zoti im. Unë nuk kam asnjë të drejtë tjetër veçse përcjelljes me saktësi e besnikëri të Shpalljes së Zotit tim. Unë jam veçse një rob i urdhëruar dhe i nënshtruar ndaj Zotit tim.Unë i frikësohem dënimit të një Dite të madhe nëse kundërshtoj Zotin tim. -Këto janë fjalët e më të mirit të krijesave dhe edukata e tij në lidhje me urdhëresat e Zotit dhe Shpalljen e Tij. Atëherë, çfarë mendon se do të bëhet me ata mendjelehtë të humbur e të mbushur me injorancë e padrejtësi, me kokëfortësi e arrogancë, mosrespekt e paturpësi, në lidhje me Zotin e gjithësisë?! A nuk i frikësohen ata ndëshkimit të Ditës së madhe?

16

قُل لَّوْ شَآءَ ٱللَّهُ مَا تَلَوْتُهُۥ عَلَيْكُمْ وَلَآ أَدْرَىٰكُم بِهِۦ ۖ فَقَدْ لَبِثْتُ فِيكُمْ عُمُرًۭا مِّن قَبْلِهِۦٓ ۚ أَفَلَا تَعْقِلُونَ

Thuaj: “Sikur të kishte dashur Perëndia, unë nuk do t’jua mësoja dhe as që do të bënte Ai që ta mësoni ju atë. Unë kam jetuar një kohë (të gjatë) në mesin tuaj – para Pejgamberllëkut, a nuk po mendoni?”

Thuaj: “Sikur të kishte dashur Allahu, unë nuk do t’ua kisha lexuar juve atë(Kur'anin), e as nuk do të kishit mësuar gjë për të." -Nëse pretendojnë se, me këtë kërkesë, ata synojnë dhe dëshirojnë që t'u qartësohet e vërteta, ata janë mashtrues dhe trillues të paskrupullt, sepse shenjat dhe Shpallja e Allahut janë të mjaftueshme për të kuptuar dhe gjetur të vërtetën. Shenjat dhe mrekullitë që Zoti u dhuroi profetëve janë mëse të mjaftueshme për të kuptuar dhe gjetur të vërtetën. Shenjat dhe mrekullitë që Zoti u dhuroi profetëve janë mëse të mjaftueshme që njerëzit të besojnë se ata flasin në emër të Zotit dhe ndihmohen prej Tij. Është Allahu i Madhërueshëm që i mbështet profetët e Tij me shenja dhe mrekulli, ashtu sikurse Ai dëshiron me urtësinë hyjnore dhe mëshirën e Tij për robërit."Unë kam jetuar një periudhë (të gjatë) në mesin tuaj para tij." -Për një kohë të gjatë, para se t'jua lexoja këtë Kur'an dhe para se ju të dinit për të, unë kam jetuar mes jush dhe nuk kam pasur asnjë njohuri rreth shpalljeve të Zotit, apo të më ketë shkuar ndërmend që t'ju flas për to. Nëse asnjëherë nuk ju kam folur për shpalljet e Zotit gjatë gjithë jetës sime mes jush, si është e mundur që t'ju flas dhe kumtoj ato tani?! Unë kam jetuar një kohë të gjatë mes jush dhe ju më njihni mirë se kush jam unë. Tek ju unë njihem si umij- që nuk di shkrim e lexim, unë nuk kam studjuar dhe mësuar prej askujt asgjë. Atëherë si mund t'ju sjell juve një libër të tillë madhështor dhe të jashtëzakonshëm, që i ka bërë të gjithë oratorët dhe të mëdhenjtë e artit të fjalës të habitur dhe të pafuqishëm përballë bukurisë dhe hijeshisë së tij?! Dijetarët më të mëdhenj mrekullohen me diturinë e madhe që gjendet brenda tij."A nuk mendoni?” -Mendohuni pak! A mundet që ky libër të vijë nga mendja dhe trilli i vetes time?! A nuk është ky arsyetim një tregues i prerë se ky libër është Shpallje e Atij që është i Urtë dhe Hamid - i Lavdëruar? Nëse do të vinit në përdorim arsyen dhe logjikën tuaj dhe të meditonit pak rreth gjendjes time, nga njëra anë, dhe madhështisë së këtij Libri, nga ana tjetër, do të arrinit në një siguri të plotë që nuk pranon asnjë dyshim, se ai është vërtetë Shpallje e Zotit të Gjithëmëshirshëm dhe do të kuptonit se ai është e vërteta e vetme dhe se gjithçka tjetër është devijim e kotësi. Por nëse me këmbëngulje e kokëfortësi, ju veç refuzoni dhe mohoni, atëherë ju jeni veçse zullumqarë, që me vetëdije nuk doni t’i nënshtroheni Zotit të botëve.

17

فَمَنْ أَظْلَمُ مِمَّنِ ٱفْتَرَىٰ عَلَى ٱللَّهِ كَذِبًا أَوْ كَذَّبَ بِـَٔايَٰتِهِۦٓ ۚ إِنَّهُۥ لَا يُفْلِحُ ٱلْمُجْرِمُونَ

Kush është zullumqar më i madh se ai që trillon gënjeshtra për Perëndinë ose që i përgënjeshtron ajetet e Tij?! Me të vërtetë, mëkatarët nuk kanë shpëtim.

"E ku ka më të padrejtë se ai që shpif ndaj Allahut gënjeshtra, ose që mohon Argumentet e Tij? Keqbërësit nuk mund të shpëtojnë kurrë." -Nëse unë do të trilloja se flas në emër të Zotit, do të isha më i padrejti i njerëzve dhe ju sigurisht që do të më njihnit si të padrejtë dhe gënjeshtar. Kjo do të ishte e pashmangshme, sepse Zoti jua nxjerr të palarat njerëzve të padrejtë, e sidomos atyre që shpifin në emër të Tij. Por ju nuk më njihni si të tillë dhe unë thjesht po ju sjell juve Shpalljen e Zotit, ashtu sikurse është: të pastër, madhështore dhe të mrekullueshme. Atëherë, zullumqarë jeni ju dhe ju keni për të dështuar në qëllimet e planet tuaja ogurzeza. Ju kurrë nuk keni për të fituar dhe arritur qëllimet tuaja, nëse vazhdoni rrugën e padrejtësisë. Fjala e Allahut: "Ata që nuk shpresojnë takimin Tonë" tregon se shkaku i arrogancës dhe padrejtësisë me të cilën ata e trajtuan Shpalljen e Zotit dhe Profetin e Tij, është pikërisht mosbesimi i jetës së përjetshme pas ringjalljes. Ata nuk shpresonin se do të takoheshin me Zotin dhe se do të merreshin në llogari. Ajeti tregon, gjithashtu, se kushdo që beson dhe shpreson takimin me Allahun, nënshtrohet për të jetuar sipas këtij Libri dhe e beson atë, sepse ai është qëllimi më i mirë dhe ai që dëshiron me të vërtetë të adhurojë Zotin ashtu si Ai është i kënaqur dhe e ka urdhëruar; nëse e lexon Librin për të gjetur udhëzimin, ai ka për të gjetur atë, sepse është vetë Zoti që ta jep udhëzimin, nëse sinqerisht e kërkon atë.

18

وَيَعْبُدُونَ مِن دُونِ ٱللَّهِ مَا لَا يَضُرُّهُمْ وَلَا يَنفَعُهُمْ وَيَقُولُونَ هَٰٓؤُلَآءِ شُفَعَٰٓؤُنَا عِندَ ٱللَّهِ ۚ قُلْ أَتُنَبِّـُٔونَ ٱللَّهَ بِمَا لَا يَعْلَمُ فِى ٱلسَّمَٰوَٰتِ وَلَا فِى ٱلْأَرْضِ ۚ سُبْحَٰنَهُۥ وَتَعَٰلَىٰ عَمَّا يُشْرِكُونَ

Ata adhurojnë – përveç Perëndisë – atë që as nuk u bënë dëm, as nuk u sjell dobi dhe thonë: “Këta janë ndërmjetësit tonë te Perëndia! Thuaj: “A mundeni ju t’i tregoni Perëndisë se në qiej dhe në Tokë ekziston diçka që nuk e di Ai?!” Qoftë lavdëruar Ai dhe lartë qoftë nga ajo që i bëjnë shok Atij!

Ata adhurojnë veç Allahut atë që nuk mund ti dëmtojë e as mund t’u sjellë dobi dhe thonë: “Këta janë ndërmjetësuesit tanë tek Allahu.”. -Allahu i Lartësuar na njofton rreth adhurimit të idhujtarëve, të cilët e mohojnë Profetin e Tij. Ata adhurojnë veç Allahut diçka që nuk u sjell as dëm e as dobi. Ata nuk posedojnë asnjë thërmijë pushteti e mundësie për ti sjellë robit ndonjë të mirë apo ta shpëtojnë nga ndonjë dëm. Ata, pa pasur asnjë argument thanë: "Këta janë ndërmjetësuesit tanë tek Allahu." pra këta ndërmjetësojnë për ne tek Zoti dhe na afrojnë më pranë Tij dhe përgjigjes së lutjeve tona. Prandaj ne u dedikojmë këtyre idhujve e ndërmjetësuesve adhurime e përkushtime. Kështu ata do të na afrojnë më afër tek Zoti. Por kjo fjalë ishte diçka thjesht e trilluar nga ata prandaj, duke treguar kotësinë e saj i Lartësuari thotë:Thuaj: “Vallë ju do ta informoni Allahun për diçka që nuk e ditka, në qiej dhe në tokë?! ” -Allahu i Madhëruar është i Gjithëdituri. Dituria e Tij ka përfshirë gjithçka mes qiellit dhe tokës. Është pikërisht i Gjithëdituri që na ka njoftuar se nuk ekziston ndonjë Zot tjetër që të meritojë adhurimin dhe përkushtimin e krijesave, ashtu sikurse nuk ka shok në krijimin dhe sundimin e Tij. Atëherë, si pretendoni ju, o idhujtarë, se Ai ka partnerë dhe ndihmëtarë në mbretërinë e Tij?! Mos vallë po e njoftoni Zotin për diçka që Ai nuk e di dhe e ditkeni ju?! Vallë, ju jeni më të ditur apo Zoti?! A ekziston, vallë, ndonjë fjalë dhe besim më i kotë dhe i pavlerë sesa ky besimi dhe fjalët tuaja, që nënkuptojnë dhe mëtojnë se jeni më të ditur se Zoti i botëve? Natyrisht, çdo i logjikshëm do të mjaftohej me këtë arsyetim, për të gjykuar se ky lloj besimi është i pavlerë dhe i kotë.I lavdëruar dhe i lartësuar qoftë Ai mbi gjithçka që ata adhurojnë veç Tij! -I pastër dhe i dëlirë qoftë Zoti nga shpifjet se Ai ka të ngjashëm dhe partner ndihmëtar në pushtetin e Tij dhe në meritën e adhurimit. Ai është Allahu, i vetëm dhe i pastër nga çdo mangësi. Ai është Es-Samed - i Plotë në mbretërimin, sundimin dhe pushtetin e Tij, Ai të cilit i drejtohen të gjitha krijesat për nevojat e tyre. Në qiej dhe në tokë nuk ka të adhuruar tjetër me meritë veç Tij. Çdo gjë që adhurohet veç Tij në këtë ekzistencë është kotësi, qoftë nga pikëpamja logjike dhe arsyeja e shëndetshme, qoftë nga aspekti sheriatik dhe argumentet e Shpalljes, qoftë nga këndvështrimi i natyrës së pastër njerëzore. Allahu i Madhëruar thotë:

19

وَمَا كَانَ ٱلنَّاسُ إِلَّآ أُمَّةًۭ وَٰحِدَةًۭ فَٱخْتَلَفُوا۟ ۚ وَلَوْلَا كَلِمَةٌۭ سَبَقَتْ مِن رَّبِّكَ لَقُضِىَ بَيْنَهُمْ فِيمَا فِيهِ يَخْتَلِفُونَ

Të gjithë njerëzit kanë qenë vetëm një popull (të një feje), e pastaj u kundërshtuan (u përçanë). E, sikur të mos ishte thënë më parë fjala nga Zoti yt (për shtyerjen e dënimit), atëherë do të gjykoheshin në mes tyre, për atë që nuk u pajtuan.

Njerëzit kanë qenë veçse të një feje, por u përçanë. -Në fillim njerëzit ishin të bashkuar rreth një besimi të vetëm, të saktë dhe të pastër, por ata më pas u përçanë. Për këtë arsye, Allahu i Madhëruar dërgoi profetët, si përgëzues dhe qortues. Ai i pajisi ata me Shpallje hyjnore e libër të ndritur, që ata të gjykonin mes njerëzve dhe t'i udhëzonin në ato çështje për të cilat kishin kundërshtime.E sikur të mos ishte caktimi i hershëm nga Zoti yt, çështja e tyre do të përfundonte për çdo gjë që ata kishin kundërshtime. -Allahu i Lartësuar na njofton se çështja e gjynahqarëve do të merrte fund nëse nuk do të ishte vendimi i Tij për t'i afatizuar ata dhe për të mos ua përshpejtuar ndëshkimin për gjynahet e tyre. Në të kundërt, Ai do të shpëtonte besimtarët dhe do të ndëshkonte mohuesit e profetëve dhe shpalljeve të Tij, dhe ky do të ishte argumenti tregues dhe ndarës mes të vërtetës dhe të kotës, kur njerëzit të kishin kontradikta. Por Allahu i Urtë dhe i Gjithëmëshirshëm dëshiroi t'i sprovonte me njëri-tjetrin, që të dallohen të sinqertët nga gënjeshtarët.

20

وَيَقُولُونَ لَوْلَآ أُنزِلَ عَلَيْهِ ءَايَةٌۭ مِّن رَّبِّهِۦ ۖ فَقُلْ إِنَّمَا ٱلْغَيْبُ لِلَّهِ فَٱنتَظِرُوٓا۟ إِنِّى مَعَكُم مِّنَ ٱلْمُنتَظِرِينَ

Dhe ata thonë: “Sikur t’i ishte zbritur atij ndonjë mrekulli prej Zotit të tij?” Thuaj: “Me të vërtetë, të padukshmet i di vetëm Perëndia. E, pritni ju, se edhe unë po pres me ju”.

Dhe ata thonë: “Përse nuk i vjen atij(Muhamedit)ndonjë shenjë nga Zoti i tij?”. -Mohuesit e të vërtetës dhe urrejtësit arrogantë të saj thanë: "...Përse nuk i vjen atij (Muhamedit) ndonjë shenjë nga Zoti i tij?" Me këtë kishin për qëllim shenjat që ata i propozonin me mendjet e tyre, sikurse thotë në një ajet tjetër: "Ata gjithashtu thonë: “Ata thonë, gjithashtu: “Ç’është ky i dërguar, i cili ha ushqim dhe ecën nëpër tregje?! Përse nuk i është dërguar atij një melek dhe të bëhet me të paralajmërues?! Ose, përse nuk i është zbritur një thesar, ose përse nuk ka një kopësht për t'u kënaqur me të?! Të ligjtë thonë: “Ju, vërtet po pasoni një njeri të magjepsur. Shiko çfarë shembujsh sjellin për ty! Por (me këtë) ata humbën (shumë larg) dhe ata kurrë nuk mund ta gjejnë rrugën e drejtë." [Furkan 7 - 9]. Dhe thotë në suren El isra: “Ata thanë: “Ne nuk do të të besojmë ty, derisa të na nxjerrësh burime prej tokës; Ose të kesh kopshte me hurma e me rrush, e të bësh që mes e tyre të rrjedhin vazhdimisht lumenj; Ose, ashtu sikurse mëton ti (se do të na dënojë Zoti), le të bjerë mbi ne qielli copa-copa; ose derisa të na sjellësh Allahun dhe melekët pranë nesh (t’i shohim haptazi); Ose të kesh një shtëpi prej ari, ose të ngjitesh lart në qiell. Madje, edhe sikur të ngjitesh lart në qiell, ne nuk do të të besojmë, derisa të na sjellësh një libër që ta lexojmë.” Thuaj: “I madhëruar qoftë Allahu!” A mos jam unë tjetër, përveçse një njeri profet?” Njerëzit nuk i pengoi asgjë që të besojnë, kur u erdhi shpallja, por ata thoshin: “A thua Allahu e dërgoi njeriun si profet?!” [Isra 90 - 94].Por ti thuaj: “E fshehta i takon vetëm Allahut." -Nëse ata kërkojnë prej teje mrekulli, thuaj: E fshehta është veçse në dorën e Zotit. Ai përfshin me diturinë e Tij gjithçka rreth robërve dhe krijesave. Është Ai që administron dhe gjykon rreth çështjeve të tyre, sipas diturisë së Tij absolute rreth tyre dhe sipas urtësisë së Tij të mrekullueshme. Askush nuk mund të ndërhyjë në Ligjin dhe gjykimin e Tij, as në argumentet me të cilat mbështet profetët dhe Shpalljen e Tij, as në qëllimet që synohen nga shpalljet dhe argumentet e Tij dhe as në shkaqet pse Ai i sjell pikërisht ato në mbështetje të profetëve të Tij, e jo të tjera."Prandaj, ju prisni, sepse edhe unë po pres së bashku me ju!” -Secili le të presë se çfarë do të ndodhë me kundërshtarin e vet, pastaj le të shohin se kujt do t'i takojë përfundimi i mirë dhe ai i keq.

Commentary: Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di. Qur'an text and translation via AlQuran Cloud.