Allahu i Madhëruar, duke qartësuar (rububije-n) Zotërimin dhe sundimin e Allahut, (uluhije-n)meritën e adhurimit të Tij si Një dhe i Vetëm dhe madhështinë e Tij, thotë:Zoti juaj është Allahu, i Cili krijoi qiejt e Tokën brenda gjashtë ditësh dhe pastaj qëndroi mbi Arsh. -Ai i krijoi ato në gjashtë ditë, edhe pse është i plotfuqishëm t'i krijonte ato në një çast të vetëm. Me këtë, Ai dëshiroi të shfaqte dukshëm urtësinë e Tij dhe të tregojë se Ai është i Butë dhe i mëshirshëm në veprat e Tij. Ngaqë është i Urtë, Ai i krijoi ato me të vërtetën dhe për hir të së vërtetës. Ai dëshiroi që krijesat ta njohin me emrat dhe cilësitë e Tij të bukura dhe absolute, me atributet dhe veprat e Tij të mrekullueshme dhe madhështore dhe ta adhurojnë si Një të vetëm. Pastaj, pas krijimit të qiejve dhe të Tokës, i Madhëruari u lartësua dhe qëndroi mbi Arsh ashtu si i shkon madhështisë së Tij.Është Ai që i rregullon çështjet. -Ai rregullon dhe administron çështjet e botës qiellore dhe të asaj tokësore, Ai jep jetën dhe e sjell vdekjen, ai e zbret rizkun dhe i rrotullon e i këmben ditët e triumfit mes njerëzve. Është ai që largon fatkeqësinë e dëmin nga të dëmtuarit dhe është Ai që u përgjigjet lutësve. Të gjitha llojet e përkujdesjes zbresin dhe vijnë nga Ai dhe janë në dorën e Tij, ndërsa nevojat e robërve ngjiten pa pushim tek Ai. Të gjitha krijesat janë të përulura, të nënshtruara e nevojtare para krenarisë së Tij, të dobëta e të pa fuqishme para pushtetit dhe madhështisë së Tij. Ai thotë:S’ka ndërmjetësues tek Ai në asnjë mënyrë, veçse me lejen e Tij. -Askush nuk mund të bëjë ndërmjetësim, edhe sikur të jetë më i miri i krijesave, derisa Allahu të jape leje për këtë ndërmjetësim. Por Allahu i Lartësuar jep leje për ndërmjetësim veçse për ata me të cilët është i kënaqur që të ndërmjetësojnë dhe të ndërmjetësohet për ta. Dhe dihet me siguri se Allahu i Madhëruar është i kënaqur veçse me të sinqertët, që e kanë plotësuar dhe pastruar teuhidin, pra, njësimin e Tij në çdo aspekt.Ai është Allahu, Zoti juaj. Pra, adhurojeni Atë! -Ky është Allahu, Zoti juaj. Ai është Allahu, i përshkruari me të gjitha cilësitë absolute si i vetmi i Adhuruar. Ai është Rabbukum - Zoti, Krijuesi, Kujdestari Rregulluesi i veprave tuaja. Si i tillë, Ai është i përshkruar me rububije-n e plotë, përmbledhëse e të gjitha cilësive absolute të veprave të Tij. Prandaj vetëm Atë adhurojeni si Një të vetëm, me të gjitha llojet e adhurimeve.A nuk po kujtoni? -Kujtoni të gjitha ato fakte e argumente të shumta, që tregojnë se Ai është i vetmi që meriton t'i përkushtohen të gjitha adhurimet dhe lavdet (hamdet). Ai është Madhështori, Bujari i Gjithëmëshirshëm. Në ajetet e mësipërme, i Lartësuari përmendi se Ai është Sunduesi i gjithësisë dhe Kujdestari i çdo çështjeje në të. Është Ai që, me urtësinë, diturinë dhe mëshirën e Tij, ka vendosur ligjet e krijimit, të ekzistencës dhe të funksionimit të kësaj dynjaje. Është po Ai që ka vendosur edhe ligjet e Sheriatit dhe të fesë së Tij, përmes të cilave i mëson dhe urdhëron krijesat si ta adhurojnë Atë dhe të rregullojnë ligjet e jetës së tyre në këtë dynja. Qëllimi thelbësor i këtij ligji është që Allahu të jetë i vetmi i adhuruar nëpërmjet mënyrës që Ai …