Muslim99Muslim99
← Tafsir library

6. Al-An'aam

The Cattle · Meccan · 165 ayahs

سُورَةُ الأَنۡعَامِ

Reading Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di

Ayahs 131–140 of 165

131

ذَٰلِكَ أَن لَّمْ يَكُن رَّبُّكَ مُهْلِكَ ٱلْقُرَىٰ بِظُلْمٍۢ وَأَهْلُهَا غَٰفِلُونَ

Kjo është, ngase Zoti yt nuk e shkatërron asnjë vend për shkak të zullumit të tyre pa paralajmërimin e banorëve të tyre.

Kështu(janë dërguar Profetë), sepse Zoti yt kurrë nuk e shkatërron asnjë vend për padrejtësitë e tyre, nëse banorët e tij janë të paparalajmëruar. -Me dërgimin e profetëve dhe me shpalljen e librave, Allahu i Lartësuar nuk u ka lënë dy krijesave të përgjegjshme ligjërisht (njerëzve dhe xhindëve) asnjë justifikim për mosbesimin dhe mosnënshtrimin e tyre. Askush nuk do të merret në përgjegjësi dhe ndëshkohet për padrejtësitë e tij, nëse është i paditur, i panjoftuar dhe i paparalajmëruar. Allahu i Lartësuar, me mëshirën dhe drejtësinë e Tij, kurrë nuk do të ndëshkonte dikë pa i dërguar fillimisht të dërguarit dhe lajmëtarët e tij.Meqë Shejhu nuk e ka shtjelluar këtë ajet në Tefsir-in e tij, ne e sollëm atë të shtjelluar nga “Tefsir el Mujeser”.

Al-An'aam 6:131Listen in Qur'an →
132

وَلِكُلٍّۢ دَرَجَٰتٌۭ مِّمَّا عَمِلُوا۟ ۚ وَمَا رَبُّكَ بِغَٰفِلٍ عَمَّا يَعْمَلُونَ

Çdokujt i përket pozita për atë që ka punuar, se Zoti yt nuk është i pakujdesshëm për veprat e tyre.

Por secili do të ketë shkallë sipas veprave të veta. -Secili nga ata do të ndëshkohet në varësi të punëve të këqija që ka bërë. Kriminelët dhe mohuesit e mëdhenj nuk do të trajtohen njëlloj si ata që janë poshtë tyre, pasuesit nuk do të ndëshkohen si të pasuarit dhe as vartësit si udhëheqësit e tyre. Po kështu, edhe banorët e Xhenetit, edhe pse do të jenë të gjithë në Xhenet dhe mes të mirave të tij, gradat dhe nivelet e kënaqësisë do të jenë të ndryshme. Këto ndryshime i di vetëm Allahu i Lartësuar. Por një gjë është e sigurt: të gjithë banorët e Xhenetit do të jenë të lumtur me atë që u ka dhuruar Allahu i Lartësuar. E lusim Allahun e Lartësuar që të na bëjë edhe ne prej banorëve e Firdeusit më të lartë, të cilin Ai e ka përgatitur dhe zbukuruar për robërit e Tij më të afruar dhe më të zgjedhur. Ata janë më të nderuarit e më të dashurit, të cilët Ai i ka veçuar nga gjithë të tjerët.Zoti yt nuk është i pavëmendshëm ndaj veprimeve të tyre. -Ai do t’i shpërblejë të gjithë sipas veprave dhe sipas qëllimeve që kanë fshehur në zemër, të cilat Ai i di shumë mirë. Allahu është i Gjithëditur për punët që bëhen dhe për qëllimet që mbahen të fshehura. Ai i urdhëroi robërit e Tij që të bëjnë punë të mira dhe i ndaloi nga punët e këqija, si mëshirë për ta dhe si udhëzim për të rregulluar gjendjen e tyre. Allahu nuk ka nevojë aspak për adhurimet e robërve , që realish janë shumë të mangëta. Urdhrat dhe ndalesat, adhurimet dhe detyrimet të cilat u ka ngarkuar robërve të Tij, Ai i ka bërë thjesht si mëshirë për ta, për t’i udhëzuar drejt më të mirës, për t’ua lehtësuar arritjen e të mirave dhe për t’i ruajtur nga të këqijat. Allahu është i Pasur, absolut dhe Jonevojtar për krijesat e Tij. Bindja e të bindurve nuk i shton asgjë pushtetit dhe madhështisë së Allahut, ashtu sikurse mosbindja e të pabindurve nuk e dëmton dhe cenon aspak Krenarinë dhe pushtetin e Tij.

Al-An'aam 6:132Listen in Qur'an →
133

وَرَبُّكَ ٱلْغَنِىُّ ذُو ٱلرَّحْمَةِ ۚ إِن يَشَأْ يُذْهِبْكُمْ وَيَسْتَخْلِفْ مِنۢ بَعْدِكُم مَّا يَشَآءُ كَمَآ أَنشَأَكُم مِّن ذُرِّيَّةِ قَوْمٍ ءَاخَرِينَ

Zoti yt është i pasur dhe i mëshirshëm. Nëse don, ju zhdukë dhe sjellë pas jush çka të dojë, ashtu si ju ka krijuar nga pasardhësit e popujve të tjerë.

Zoti yt është i Pasuri, Zotëruesi i Mëshirës. Po të dëshironte, Ai mund t'ju shkatërronte ju dhe të sillte në vendin tuaj kë të donte, ashtu sikurse ju solli ju nga pasardhësit e popujve të tjerë. -Nëse ju jeni të sigurt që do të largoheni patjetër nga kjo dynja, ashtu sikurse u larguan ata që ishin para jush, për t’ua lënë atyre që do të vijnë pas jush, ashtu sikurse të parët jua lanë juve, atëherë përse e trajtoni këtë dynja si një vendqëndrim të përhershëm? Përse jepeni tërësisht pas saj dhe harroni se ajo është thjesht një vendkalim dhe jo një vendqëndrim? Ju e lini në harresë dhe mundoheni ta injoroni faktin që para jush ju pret një jetë dhe një vend i mrekullueshëm, ku janë mbledhur të gjitha mirësitë, vend i cili, nëse nënshtroheni dhe i bindeni Zotit, ka për të qenë për ju i sigurt dhe i pastër nga çdo ligësi dhe fatkeqësi. Ai është vendi i gëzimeve dhe i lumturisë, për të cilin garuan të parët dhe të fundit dhe drejt të cilit janë nisur me mall garuesit e punëve të mira dhe ata që ndoqën gjurmët e tyre. Kur ata të mbërrijnë në të, do të gjejnë përjetësinë mes të mirave dhe kurrë nuk do të largohen prej andej. Ai është destinacioni final, pas të cilit nuk ka destinacion tjetër. Tek ai përqendrohen të gjitha synimet dhe dëshirat e të mençurve. Atje - për Zotin! - gjendet çdo gjë që shpirti e dëshiron dhe me të cilën syri kënaqet. Në të gjenden mirësi, për të cilat ia vlen të garosh dhe të përkushtohesh. Shpirtrat mbushen me lumturi, kënaqësi dhe përjetime të papërshkrueshme. Gjuha është e paaftë që të flasë për kënaqësitë e trupit dhe të zemrës atje. E si mund të përshkruash lumturinë e robit kur ai të qëndojë pranë Atij që i di të gjitha të fshehtat? Subĥânallâh! Sa i madh duhet të ketë qenë malli dhe dëshira e atyre që u përpoqën dhe luftuan për t’i arritur këto mirësi. Sa i fortë duhet të ketë qenë vullneti i atyre që synuan këto grada! Sa e ulët ka qenë përzgjedhja dhe synimet e atyre që u kënaqën me këtë jetë kaq të mangët dhe të parëndësishme! Sa i dobët ka qenë vullneti i atyre që zgjodhën këtë humbje kaq të madhe! Atyre që janë të pavëmendshëm dhe i kanë kthyer shpinën përgatitjes për jetën tjetër, kurrsesi të mos u duket e largët dita kur do të dalin para gjykimit me drejtësi të të Madhërishmit. I Lartësuari thotë:

Al-An'aam 6:133Listen in Qur'an →
134

إِنَّ مَا تُوعَدُونَ لَءَاتٍۢ ۖ وَمَآ أَنتُم بِمُعْجِزِينَ

Ajoqë u është premtuar, me të vërtetë do t’ju arrijë, e ju nuk mund t’i ikni asaj.

Ajo që ju është premtuar patjetër do të vijë, e ju nuk mund ta pengoni atë. -Atë ditë, ju nuk do mund t’i shpëtoni dhe t’i fshiheni ndëshkimit të Tij. Ju jeni tërësisht në dorën e Tij dhe nuk mund t’i shpëtoni pushtetit të Tij. Profeti u urdhërua që t’i ftonte njerëzit në adhurimin e Allahut të Lartësuar si Një të vetëm, duke u sqaruar atyre të drejtat dhe përgjegjësitë, me të cilat ishin ngarkuar. Por shumë prej tyre refuzuan që t’u nënshtroheshin porosive të tij, duke parapëlqyer plotësimin e dëshirave të tyre dhe duke mos iu ndarë idhujtarisë. Atëherë, Allahu i Lartësuar lajmëron Profetin e Tij që t’u thotë:

Al-An'aam 6:134Listen in Qur'an →
135

قُلْ يَٰقَوْمِ ٱعْمَلُوا۟ عَلَىٰ مَكَانَتِكُمْ إِنِّى عَامِلٌۭ ۖ فَسَوْفَ تَعْلَمُونَ مَن تَكُونُ لَهُۥ عَٰقِبَةُ ٱلدَّارِ ۗ إِنَّهُۥ لَا يُفْلِحُ ٱلظَّٰلِمُونَ

Thuaj: “O populli im, punoni në gjendjen tuaj, e unë punojë (në gjendjen time); e do ta dini se për këtë do të jetë fundi i mirë. Me të vërtetë, zullumqarët nuk do të shpëtojnë.

Thuaj: “O populli im! Vazhdoni në ato që jeni duke bërë, e unë do të vazhdoj në atë që jam duke bërë,...” -Vazhdoni të punoni dhe të jetoni sipas asaj që keni përzgjedhur për veten tuaj. Ndërsa unë do të punoj dhe të jetoj sipas porosive të Allahut. Unë do të ndjek të gjitha rrugët që e kënaqin Atë.“...por më vonë do ta mësoni se kujt do t’i takojë përfundimi i mirë.” -Më vonë, të gjithë ne do ta shohim se kujt do t’i takojë përfundimi i mirë. Kjo është një ftesë e drejtë nga Profeti (a.s)për njerëzit. Ai i udhëzon ata në rrugën më të mirë, për të gjykuar drejt dhe me barazi. Ai sikur u thotë atyre: në vend që të merremi vetëm me fjalë, le të jenë veprat tona ato që flasin dhe bëjnë të meritueshëm shpërblimin ose ndëshkimin. Nëpërmjet veprave le të shpërblehet secili prej nesh. Por mos harroni se përfundimi i mirë në dynja dhe ahiret u takon të devotshmëve, të cilët jetojnë sipas porosive të Zotit. Dijeni, gjithashtu, se përjetësia në mirësitë e ahiretit u takon besimtarëve, që patën besim të saktë dhe të mbështetur në argumente të sigurta nga Zoti. Ndërsa të gjithë ata të cilët refuzuan të pranojnë dhe të jetojnë sipas shpalljeve të Zotit kanë përfundimin e keq, me ndëshkimin e merituar. I Lartësuari thotë:Sigurisht që keqbërësit nuk kanë për të gjetur shpëtim. -Çdo zullumqar e refuzues i besimit të drejtë dhe të vërtetë, edhe nëse në këtë dynja mund të dëfrehet dhe të përjetojë çdo mirësi e kënaqësi, do ta ketë përfundimin me vuajtje dhe dëshpërim. Allahu i Madhëruar mund ta afatizojë zullumqarin, por kur i vjen ndëshkimi, ai nuk shpëton më prej tij.

Al-An'aam 6:135Listen in Qur'an →
136

وَجَعَلُوا۟ لِلَّهِ مِمَّا ذَرَأَ مِنَ ٱلْحَرْثِ وَٱلْأَنْعَٰمِ نَصِيبًۭا فَقَالُوا۟ هَٰذَا لِلَّهِ بِزَعْمِهِمْ وَهَٰذَا لِشُرَكَآئِنَا ۖ فَمَا كَانَ لِشُرَكَآئِهِمْ فَلَا يَصِلُ إِلَى ٱللَّهِ ۖ وَمَا كَانَ لِلَّهِ فَهُوَ يَصِلُ إِلَىٰ شُرَكَآئِهِمْ ۗ سَآءَ مَا يَحْكُمُونَ

Ata (mohuesit) kanë caktuar pjesë nga të lashtat dhe kafshët shtëpiake, të cilat i ka krijuar Ai (Zoti) dhe thonë sipas hamendjes së tyre: “Kjo është për Perëndinë, e kjo është për putat tona”. Mirëpo, ajo pjsë që është për putat e tyre, nuk arrin (nuk jepen) te Zoti, kurse ajo që ata e kanë caktuar për Perëndinë – ajo arrinë (jipet) te putat e tyre. Sa gjykim të shëmtuar bëjnë ata!

Allahu i Madhëruar përshkruan mendje-lehtësinë e idhujtarëve, të cilët refuzojnë Shpalljen e Tij. Ai i përshkruan ashtu siç janë në të vërtetë: injorantë dhe të palogjikshëm. Ai përmend disa nga trillimet e tyre pa mend, për të treguar humbjen e tyre të thellë dhe që ne të jemi të kujdesshëm e të ruhemi prej tyre. Kundërshtimi i të vërtetës së Zotit nga këta mendjelehtë nuk e cenon aspak madhështinë e kësaj të vërtete. Në fakt, ata nuk meritojnë të konsiderohen as si kundërshtarë, përballë të vërtetës madhështore dhe të shndritshme. Ja disa nga kotësitë e besimeve të tyre:Nga të lashtat e nga kafshët shtëpiake që Ai ka krijuar, ata e ndanin një pjesë për Allahun dhe thoshin: “Kjo është për Allahun, ndërsa kjo është për idhujt tanë.” -Prej mirësive që u dhuron Allahu i Lartësuar, ata veçojnë një pjesë për Allahun dhe një pjesë për idhujt e tyre. Në këtë mënyrë, ata bëjnë disa gabime: Së pari, është pretendimi i tyre i gënjeshtërt dhe i paturpshëm se janë duke i bërë pjesë Allahut të Lartësuar, a thua se Ai ka nevojë për bamirësinë e tyre. Së dyti, ata u bëjnë pjesë idhujve, ndërkohë që nuk janë ata që i furnizojnë dhe u sjellin mirësi, por është Allahu i Madhëruar Ai që përkujdeset dhe u dhuron çdo mirësi që ata zotërojnë. Së treti, ata nuk i japin rëndësi pjesës që ia kushtojnë Allahut të Lartësuar, ndërkohë që kur bëhet fjalë për blatimet ndaj idhujve, janë tejet të kujdesshëm me to. Kur një pjesë e përkushtimeve të caktuara për Zotin kalon nga pjesa e idhujve, ata nuk i japin rëndësi, por kur një pjesë e idhujve kalon nga “pjesa” e Zotit, ata menjëherë e kthejnë në vendin “e saj”. Kur Allahu i Lartësuar i begaton këta mosmirënjohës me prodhime bujqësore e bagëti, ata i ndajnë në dy pjesë: njërën pjesë për Allahun, por kjo është vepër pa vlerë, sepse Allahu i Lartësuar nuk i pranon veprat dhe përkushtimet që ndahen edhe për dikë tjetër veç Tij. Ndërsa pjesën tjetër e përcaktojnë për idhujt e tyre. Nëse nga “pjesa” e Allahut kalon diçka te pjesët e idhujve, ata nuk shqetësohen, por thonë: “Allahu është i pasur dhe s’ka nevojë për këtë”. E nëse ndodh e kundërta, ata nxitojnë ta kthejnë te pjesa e idhujve, duke thënë: “Ata janë të varfër dhe kanë nevojë, prandaj duhet t’ua kthejmë pjesën atyre”. Subĥânallâh! A ka gjykim më të poshtër dhe më të padrejtë se ky?!Por, ajo që ishte për idhujt, nuk duhet të shkonte për Allahun, ndërsa ajo që veçohej për Allahun, mund të shkonte për idhujt e tyre! Sa i shëmtuar ishte gjykimi i tyre! -Ata i trajtojnë blatimet ndaj idhujve si të rëndësishme, madje më të rëndësishme sesa kushtimet ndaj Allahut. Por ka mundësi që kuptimi i ajetit të jetë ai që tregohet në një hadith të saktë, ku Profeti (a.s) ka përcjellë nga Zoti i tij që ka thënë: “Unë jam më i Pasuri dhe më Jonevojtari për përkushtimet e idhujtarëve. Atë që përfshin dikë tjetër në përkushtimet dedikuar ndaj Meje, Unë e lë atë dhe idhujtarinë e tij.” Duke parë nën dritën e këtij hadithi, kuptimi i ajetit do të ishte: Përkushtimet që ata u bëjnë idhujve të tyre shkojnë tërësisht për idhujt, ndërsa tek Allahu nuk shkon asgjë prej tyre. Edhe përkushtimet që ata, - sikurse pretendojnë, - ia bëjnë Allahut, edhe ato nuk shkojnë tek Ai, - sepse Allahu nuk e …

Al-An'aam 6:136Listen in Qur'an →
137

وَكَذَٰلِكَ زَيَّنَ لِكَثِيرٍۢ مِّنَ ٱلْمُشْرِكِينَ قَتْلَ أَوْلَٰدِهِمْ شُرَكَآؤُهُمْ لِيُرْدُوهُمْ وَلِيَلْبِسُوا۟ عَلَيْهِمْ دِينَهُمْ ۖ وَلَوْ شَآءَ ٱللَّهُ مَا فَعَلُوهُ ۖ فَذَرْهُمْ وَمَا يَفْتَرُونَ

Po ashtu, shumë mohuesve ua kanë hijeshuar – shokët e tyre, - vrasjen e fëmijëve të vet për t’i zhdukur ata dhe për t’ju përzi fenë e tyre. E, sikur të donte Perëndia, ata nuk do ta bënin atë. Lërini ata dhe trillimet e tyre.

Shumicës së idhujtarëve, idhujt ua hijeshuan vrasjen e fëmijëve të tyre, për t’i devijuar(nga e vërteta)dhe për t’ua ngatërruar besimin(e drejtë). Po të dëshironte Allahu, ata nuk do ta bënin atë… -Mendjelehtësi tjetër e idhujtarëve ishte edhe fakti që ata iu bindeshin shejtanëve, udhëheqësve të tyre, edhe për një krim të paimagjinueshëm: vrasjen e fëmijëve dhe varrosjen e tyre të gjallë. Fëmijët meshkuj i varrosnin të gjallë nga frika e varfërisë, ndërsa femrat i vrisnin nga turpi. Të gjitha këto ishin pasojë e kurtheve dhe mashtrimeve të shejtanëve, të cilët punojnë pa reshtur për t’i çuar njerëzit në shkatërrim. Ata ua tjetërsojnë njerëzve fenë dhe besimin, duke u zbukuruar veprat e shëmtuara. Ata vazhdojnë t’ua zbukurojnë punët e pështira njerëzve, derisa ata i shohin ato si të mira. Po të dëshironte Allahu i Lartësuar, do t’i pengonte ata nga kryerja e këtyre veprave dhe do t’i mbronte ata fëmijë nga vrasja. Por urtësia e Allahut diktoi që ata të ishin të lirë të zgjidhnin në veprimet e tyre. Ky ishte edhe një lloj ndëshkimi për ta, për t’i çuar gradualisht drejt ndëshkimit më të ashpër. Për shkak të krimeve të tyre, Allahu i Lartësuar e gjykoi si të drejtë që t’i braktiste dhe t’i linte të harroheshin, prandaj thotë:…prandaj lëri ata dhe trillimet e tyre! -Lëri, shpërfilli dhe braktisi ata, me gjithë mashtrimet, mosbesimin dhe veprat e tyre të shëmtuara. Të mos të të vijë aspak keq për ta dhe dije se ata kurrë nuk mund ta dëmtojnë Allahun. Një ndër veprat e shumta që tregonin mendjelehtësinë e tyre ishte edhe ajo që bënin me gjërat që Allahu i Lartësuar ua kishte dhuruar si furnizim dhe mëshirë për ta. Ata i privonin vetes disa bagëti e bimë, me llojlloj arsyetimesh të sajuara. Ata i trajtonin si të shenjta disa lloj kafshësh dhe prodhimesh, duke u vënë edhe emra të ndryshëm:

Al-An'aam 6:137Listen in Qur'an →
138

وَقَالُوا۟ هَٰذِهِۦٓ أَنْعَٰمٌۭ وَحَرْثٌ حِجْرٌۭ لَّا يَطْعَمُهَآ إِلَّا مَن نَّشَآءُ بِزَعْمِهِمْ وَأَنْعَٰمٌ حُرِّمَتْ ظُهُورُهَا وَأَنْعَٰمٌۭ لَّا يَذْكُرُونَ ٱسْمَ ٱللَّهِ عَلَيْهَا ٱفْتِرَآءً عَلَيْهِ ۚ سَيَجْزِيهِم بِمَا كَانُوا۟ يَفْتَرُونَ

Ata thonë: “Këto shtazë shtëpijake dhe këto e këto të lashta janë të ndaluara, nuk mund t’i hajë askush, përveç kujt ia lejojmë ne; e sipas hamendjes së tyre edhe disa kafshë shtëpiake janë të ndaluara për ngarkim dhe disa shtazë që kur i therrin nuk e përmendin emrin e Perëndisë, duke e përgënjeshtruar Atë (Perëndinë). Ai do t’i ndëshkojë ata për gënjeshtrat e trilluara.

Ata thoshin: “Këto e këto kafshë dhe këto e këto bimë janë të ndaluara, e nuk mund të ushqehemi me to, përveçse ata të cilëve ne ua lejojmë; këto janë kafshë të ndaluara për ngarkesë; këto janë kafshë që nuk theren me emrin e Allahut”. -“Këto bagëti dhe këto prodhime të tokës - thoshin ata - janë të paprekshme, prandaj me to duhet të ushqehen veçse kategori të caktuara njerëzish.” Disa kafshë të tjera i ndalonin të përdoreshin për bartje, dhe ato i quanin “el ĥâm”. Ndërsa me disa bagëti, ata nuk e përmendnin emrin e Allahut gjatë therjes së tyre, por përmendnin emrat e idhujve të tyre. Për të gjitha këto gjykime, ata nuk kishin asnjë bazë e argument tjetër, përveç logjikës së tyre të prishur. Gjëja më e shëmtuar e tyre ishte se këto vepra ata ia atribuonin Allahut, duke mashtruar se ishte Ai që i urdhëronte për diçka të tillë. Por, sigurisht, këto ishin shpifje dhe padrejtësi e madhe nga ana e tyre. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar thotë:Të gjitha këto ishin shpifje ndaj Tij, prandaj Ai do t’i ndëshkojë për shpifjet e tyre. -Allahu i Lartësuar do t’i ndëshkojë ata për këto shpifje. Pretendimi se Allahu i kishte urdhëruar për idhujtari dhe ua kishte bërë haram ato gjëra të lejuara ishte një krim i tmerrshëm, që do t’i zhysë në ndëshkim të rëndë. Një kotësi tjetër e tyre ishte se, për disa deve të caktuara, ata gjykonin që pjellat e tyre ishin haram për gratë dhe të lejuara për burrat. Ata thoshin:

Al-An'aam 6:138Listen in Qur'an →
139

وَقَالُوا۟ مَا فِى بُطُونِ هَٰذِهِ ٱلْأَنْعَٰمِ خَالِصَةٌۭ لِّذُكُورِنَا وَمُحَرَّمٌ عَلَىٰٓ أَزْوَٰجِنَا ۖ وَإِن يَكُن مَّيْتَةًۭ فَهُمْ فِيهِ شُرَكَآءُ ۚ سَيَجْزِيهِمْ وَصْفَهُمْ ۚ إِنَّهُۥ حَكِيمٌ عَلِيمٌۭ

Dhe ata thanë: “Ajo që gjendet në barkun e këtyre shtazëve shtëpiake u përket vetëm meshkujve tonë, kurse për gratë tona janë të ndaluara. E, nëse lindin ato të ngordhura, ata të gjithë (burra e gra) janë pjesëmarrës në të”. Perëndia do t’i ndëshkojë ata për gënjeshtra. Se Ai, me të vërtetë, është i Plotëdijshëm dhe i Gjithëdijshëm.

Ata thoshin: "Ajo që gjendet në barkun e këtyre e këtyre bagëtive, u përket vetëm meshkujve tanë, kurse për gratë tona janë të ndaluara”. Por, nëse lindnin të ngordhura, ata të gjithë(burra e gra)kishin pjesë në të. -Konsumimi i pjellave të deveve të përcaktuara ishte hallall për meshkujt, por i ndaluar për gratë. Kështu veprohej nëse ato lindnin të gjalla. Por nëse lindnin të ngordhura, atëherë ishin të lejuara për të gjithë, për meshkujt e për femratAi do t’i ndëshkojë ata për këtë lloj gjykimi. Ai është i Urtë e i Gjithëditur. -Për këto trillime, që të lejuarat nga Allahu i bënin haram dhe haramet i bënin të lejuara, - duke kundërshtuar në këtë mënyrë ligjet e Allahut të Lartësuar, e aq më keq, duke pretenduar se ishte Allahu i Lartësuar që i kishte udhëzuar ashtu, - Ai ka për t’i ndëshkuar ashtu si e meritojnë ata që trillojnë në lidhje me Allahun dhe ligjet e Tij. Allahu është Hakim - i Urtë në çdo përcaktim të Tij. Me urtësinë e Tij, Ai i lë të lirë gjynahqarët të zgjedhin dhe të bëjnë vepra të shëmtuara. Ai është Alim - i Gjithëditur rreth tyre. Atij nuk i fshihet asgjë prej fjalëve dhe veprave të tyre. Allahu i di shumë mirë trillimet dhe shpifjet e tyre të shëmtuara, por megjithatë vazhdon t’i furnizojë dhe të kujdeset për ta. I Lartësuar qoftë Allahu, i Gjithëdituri dhe i Urti!

Al-An'aam 6:139Listen in Qur'an →
140

قَدْ خَسِرَ ٱلَّذِينَ قَتَلُوٓا۟ أَوْلَٰدَهُمْ سَفَهًۢا بِغَيْرِ عِلْمٍۢ وَحَرَّمُوا۟ مَا رَزَقَهُمُ ٱللَّهُ ٱفْتِرَآءً عَلَى ٱللَّهِ ۚ قَدْ ضَلُّوا۟ وَمَا كَانُوا۟ مُهْتَدِينَ

Të humbur janë ata që i kanë mbytur fëmijët e tyre nga mendjelehtësia dhe padija dhe i kanë ndaluar ato që u ka dhuruar Perëndia, duke përgënjeshtruar ndaj Perëndisë. Ata kanë humbur dhe nuk qenë në rrugë të drejtë.

Në këtë ajet, Allahu i Lartësuar nxjerr në pah edhe një herë mendjelehtësinë, arsyetimin e shëmtuar dhe humbjen e madhe ku ishin zhytur ata të mjerë.Kanë humbur ata që i vrasin fëmijët e tyre nga marrëzia e padituria dhe, duke trilluar kundër Allahut, kanë bërë të ndaluar ushqimin që Allahu ua ka dhënë. -Duke vrarë fëmijët e tyre, ata shkatërruan fenë dhe besimin e tyre. Ata meritojnë të përshkruhen si mendjelehtë, të paarsyeshëm, të palogjikshëm, të dështuar dhe të humbur. Vetëm njerëz me këto cilësi mund të kryejnë vepra të tilla.Ata i janë shmangur rrugës së drejtë dhe nuk janë të udhëzuar. -Ata e konsideronin haram të mirën e madhe që Allahu i Lartësuar u dhuronte si mëshirë për ta. Jo vetëm që nuk tregonin mirënjohje për bujarinë e Allahut të Lartësuar, por e gjykonin të mirën si gjë të ndaluar, ndërkohë që ishte hallalli më i këndshëm dhe më i mirë. Të gjitha këto i bënin duke trilluar, ashtu siç di të bëjë çdo mohues, armik dhe urryes i Zotit dhe i Profetit të Tij. Me mohimin e Shpalljes së Zotit dhe me shpifjet e tyre, ata humbën shumë larg, pa patur asnjë argument nga Zoti në çështjet e tyre.

Al-An'aam 6:140Listen in Qur'an →

Commentary: Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di. Qur'an text and translation via AlQuran Cloud.