Muslim99Muslim99
← Tafsir library

6. Al-An'aam

The Cattle · Meccan · 165 ayahs

سُورَةُ الأَنۡعَامِ

Reading Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di

Ayahs 61–70 of 165

61

وَهُوَ ٱلْقَاهِرُ فَوْقَ عِبَادِهِۦ ۖ وَيُرْسِلُ عَلَيْكُمْ حَفَظَةً حَتَّىٰٓ إِذَا جَآءَ أَحَدَكُمُ ٱلْمَوْتُ تَوَفَّتْهُ رُسُلُنَا وَهُمْ لَا يُفَرِّطُونَ

Ai sundon mbi robërit e vet dhe ju dërgon rojtarë; kur njërit nga ju i vie vdekja, të dërguarit tanë (engjëjt) e bëjnë të vdekur (ia marrin shpirtin), duke mos bërë kurrfarë lëshimi (pa përjashtim).

Ai është Sunduesi mbi robërit e Vet. Ai ve roja për ju... -Allahu është Sunduesi i krijesave të Tij. Mbi ta realizohet dëshira dhe gjykimi i Tij gjithëpërfshirës. Ata nuk zotërojnë as më të voglën çështje. Ata lëvizin apo qëndrojnë në prehje veçse me lejen dhe vullnetin e Allahut. Veç kësaj, Ai ka vendosur melekët e Tij si roje për robërit dhe si shënues të veprave të tyre, sikurse thotë në një ajet tjetër: “Pa dyshim, mbi ju qëndrojnë rojet. Ata janë shkrues të ndershëm. Ata dinë gjithçka që bëni ju.” [Infitar 10 - 12]. Ose: “Ne e kemi krijuar njeriun dhe Ne dimë se ç’pëshpërit ai në vetvete. Ne jemi më afër tij se damari i qafës së vet. Dy melekë qëndrojnë pranë tij, në të djathtë dhe në të majtë. Njeriu nuk thotë ndonjë fjalë pa pasur pranë një regjistrues të gatshëm.” [Kaf 16 - 18]. Ky është kontrolli dhe regjistrimi i veprave të robërve në jetën e dynjasë.Më në fund, kur ndonjërit prej jush i vjen vdekja, të dërguarit Tanë ia marrin shpirtin, dhe ata kurrë nuk bëjnë lëshime. -Këta janë melekët e ngarkuar për marrjen e shpirtrave, të cilët nuk tolerojnë aspak në detyrën e tyre. Ata nuk i shtojnë e nuk i pakësojnë asnjë çast kohës së përcaktuar dhe të urdhëruar nga Zoti. Ata e zbatojnë urdhrin në kohën e përcaktuar nga Zoti i gjithësisë.

Al-An'aam 6:61Listen in Qur'an →
62

ثُمَّ رُدُّوٓا۟ إِلَى ٱللَّهِ مَوْلَىٰهُمُ ٱلْحَقِّ ۚ أَلَا لَهُ ٱلْحُكْمُ وَهُوَ أَسْرَعُ ٱلْحَٰسِبِينَ

Pastaj ata do të kthehen te Perëndia, Zoti tyre i vërtetë. Se vetëm Atij i takon të gjykojë dhe Ai është logaritari më i shpejtë.

Pastaj të gjithë do të kthehen tek Allahu, te Sunduesi i tyre i vërtetë. -Pas jetës së berzaħ-ut, ku do të jetë shpërblimi ose ndëshkimi sipas veprave tuaja, ju do të ktheheni tek Allahu, nën sundimin e të Cilit ju jeni. Ai ka vendosur atë që ka dëshiruar me urtësinë e Tij, dhe e realizon këtë vendim me përsosmëri dhe korrektësi. Ai ka vendosur për ju një kushtetutë, ju ka ngarkuar me urdhëresa e ndalesa, duke dërguar profetë e duke shpallur libra. Pasi mbyllni jetën e dynjasë, ju do të ktheheni tek Ai, për të marrë gjykimin e Tij të drejtë. Mbi ju do të zbatohet me përpikmëri Ligji i Tij i shpërblimit dhe ndëshkimit, për punët e mira dhe të këqija. Allahu i Madhëruar thotë:Vetëm Atij i takon sundimi, dhe Ai është më i Shpejti në llogari. -Vetëm Allahut, e askujt tjetër, i takon gjykimi dhe vendosja e Ligjit. Ai është llogaritësi i shpejtë i veprave të robërve , sepse Ai ka dituri të plotë dhe regjistron çdo gjë me përpikmëri. Në fakt, çdo gjë që krijesat bëjnë është shënuar saktësisht në Leuĥi Maĥfûđh. Veprat e robërve janë regjistruar edhe në librat e melekëve. Mendo pak me kujdes në këto ajete! Nga ato kuptojmë se Allahu është i vetmi që krijon dhe që përkujdeset për çështjet e krijesave. Ai është Ngadhënjimtari dhe i Pamposhturi, që i ka nënshtruar të gjitha krijesat e Tij. Allahu përkujdeset për krijesat e Tij në çdo gjendje të tyre. Është Allahu i vetëm dhe i pashoq, që vendos ligjet e krijimit. Vetëm Ai vendos ligjet që dëshiron, që robërit e Tij t’i zbatojnë e të jetojnë sipas tyre dhe është vetëm Allahu që vendos për shpërblimin apo ndëshkimin e krijesave e Tij, sipas zbatimit të ligjeve të Tij. Atëherë, pyetja e natyrshme që shtrohet është: Si mundet që idhujtarët e refuzojnë adhurimin e Allahut, që është i përshkruar me të tilla cilësi, dhe adhurojnë diçka tjetër, që nuk ka asgjë në dorë, asnjë lloj mundësie për të arritur atë që dëshiron? Për Zotin! Sikur ata të ishin të vetëdijshëm për butësinë, mëshirën dhe faljen e Allahut për ta, edhe pse rebelohen kundër Tij me vepra kufri dhe idhujtarie, edhe pse shpifin e trillojnë besime të pavërteta, ndërsa Ai vazhdon t’i ruajë e t’u japë shëndet e furnizim, me siguri do të kërkonin ta njihnin Zotin më mirë, do të pushtoheshin nga dashuria e madhe për Të dhe do të urrenin veten e tyre. Ata do të çuditeshin pse dhe si ndodhi që iu përgjigjën ftesës së shejtanit të mallkuar, që sjell veçse poshtërim, dëshpërim e shkatërrim. Por ata janë njerëz që nuk logjikojnë.

Al-An'aam 6:62Listen in Qur'an →
63

قُلْ مَن يُنَجِّيكُم مِّن ظُلُمَٰتِ ٱلْبَرِّ وَٱلْبَحْرِ تَدْعُونَهُۥ تَضَرُّعًۭا وَخُفْيَةًۭ لَّئِنْ أَنجَىٰنَا مِنْ هَٰذِهِۦ لَنَكُونَنَّ مِنَ ٱلشَّٰكِرِينَ

Thuaju: “Kush do t’ju shpëtojë nga errësira (rreziku) e tokës dhe tetit, kur i luteni Atij haptazi dhe fshehurazi (duke thënë): Nëse Ai na shpëton prej këtyre (rreziqeve), vërtetë do të bëhemi mirënjohës”.

Drejtoju idhujtarëve, të cilët adhurojnë e lusin idhuj, dhe nxiti të mendohen dhe të arsyetojnë me qetësi e thellësi! Ata e pranojnë se Allahu është Rab - Zoti, Krijuesi, Furnizuesi, Sunduesi dhe Ai që përkujdeset e ka në dorë gjithçka, madje është i vetëm në këtë zotërim. Atëherë, përse refuzoni që adhurimet t’ia përkushtoni vetëm Atij? Duke i nxitur të mendojnë në këtë mënyrë, thuaju:Thuaj: “Kush ju shpëton prej errësirave të Tokës e të detit, kur ju i luteni Atij përulësisht e fshehtas...” -Mendohuni dhe arsyetoni drejt! Kush ju shpëton nga errësirat, vështirësitë dhe tmerret e detit e të tokës, atëherë kur nuk funksionojnë më mjetet dhe hilet tuaja dhe kur fundin e keni pranë? Në të tilla momente, a nuk i drejtoheni me sinqeritet, përunjësi dhe përgjërim vetëm Zotit, që është Një dhe i Pashoq? Në këto çaste, gjuha juaj nuk pushon, duke u lutur për shpëtim, madje nga thellësia e shpirtit thoni:Sikur të na shpëtojë prej kësaj, ne do të jemi mirënjohës. -Kuptimi: Nëse Zoti na shpëton nga kjo vështirësi në të cilën kemi rënë, ne do të bëhemi patjetër mirënjohës ndaj Tij. Mirësitë janë dhuratë e Allahut dhe do t’i përdorim ato vetëm për bindje ndaj Tij dhe kurrë në rrugë që Zoti nuk i do dhe na i ka ndaluar.

Al-An'aam 6:63Listen in Qur'an →
64

قُلِ ٱللَّهُ يُنَجِّيكُم مِّنْهَا وَمِن كُلِّ كَرْبٍۢ ثُمَّ أَنتُمْ تُشْرِكُونَ

Thuaj: “Perëndia ju shpëton nga ato (rreziqe) dhe çdo e keqe tjetër, e ju përsëri i bëni shoq Atij”.

Thuaj: “Është Allahu Ai që ju shpëton prej këtyre dhe prej çdo brengë tjetër. Megjithatë, ju adhuroni zota të rremë!” -Allahu është Ai që ju shpëton nga kjo vështirësi dhe nga çdo ngushticë tjetër, por edhe pas kësaj, ju nuk e mbani fjalën e dhënë Allahut dhe i harroni mirësitë e dhuruara prej Tij. E ku ka argument më të qartë sesa ky për kotësinë e idhujtarisë dhe për vërtetësinë e njëshmërisë së Zotit në meritën e adhurimit?!

Al-An'aam 6:64Listen in Qur'an →
65

قُلْ هُوَ ٱلْقَادِرُ عَلَىٰٓ أَن يَبْعَثَ عَلَيْكُمْ عَذَابًۭا مِّن فَوْقِكُمْ أَوْ مِن تَحْتِ أَرْجُلِكُمْ أَوْ يَلْبِسَكُمْ شِيَعًۭا وَيُذِيقَ بَعْضَكُم بَأْسَ بَعْضٍ ۗ ٱنظُرْ كَيْفَ نُصَرِّفُ ٱلْءَايَٰتِ لَعَلَّهُمْ يَفْقَهُونَ

Thuaj: “Ai është i fuqishëm t’ju ndëshkojë prej së larti ose nën këmbët tuaja, ose t’ju ndajë në grupe, e njëri-tjetrit t’ia tregoni fuqinë (në luftë në mes veti). Shih si ua shpjegojm Na dokumentet, që të kuptojnë ata!

Thuaj: “Ai është i Plotfuqishëm t’ju sjellë një dënim prej së larti ose prej së poshtmi, nën këmbët tuaja, ose t’ju ndajë në grupe e të luftoni njëri-tjetrin.” -Allahu i Madhërishëm është i plotfuqishëm që t’ju godasë me ndëshkim nga çdo drejtim dhe me çdo mënyrë, nga sipër ose nga poshtë këmbëve tuaja. Por Ai edhe mund t’ju përçajë e t’ju bëjë që të vuani luftën e ndëshkimin nga njëri tjetri. Allahu është i Plotfuqishëm për gjithçka, prandaj kujdes dhe ndaluni nga vazhdimësia në gjynahe dhe në mosbindje ndaj Tij, se do të përpiheni nga ndëshkime, që do t’ju shkatërrojnë dhe do t’ju zhdukin! Megjithëse Allahu tregon se është i Plotfuqishëm që të sjellë këto lloj ndëshkimesh, Ai, duke qenë i Mëshirshëm, e largoi nga ky umet ndëshkimin nga sipër, si nëpërmjet gurëzimit etj., si dhe ndëshkimin nga poshtë, me shembje të Tokës etj. Por Ai ka ndëshkuar shumë prej tyre me mënyrën e tretë, duke i ndarë në grupacione e duke i bërë të luftojnë e torturojnë njëri-tjetrin. Allahu ua zbret këtë lloj ndëshkimi, që të marrin mësim ata që marrin mësim dhe që kanë dituri.Shih se si i sqarojmë Ne Argumentat, në mënyrë që ata të kuptojnë. -Shiko se si sjellim larmi shenjash, në forma e rrugë të shumta, që të gjitha treguese të së vërtetës. Të gjitha këto shenja i sjellim që ata të logjikojnë e të kuptojnë përse janë krijuar, të kuptojnë realitetin e Sheriatit dhe qëllimet e tij.

Al-An'aam 6:65Listen in Qur'an →
66

وَكَذَّبَ بِهِۦ قَوْمُكَ وَهُوَ ٱلْحَقُّ ۚ قُل لَّسْتُ عَلَيْكُم بِوَكِيلٍۢ

Populli yt e pëgënjeshtron atë (Kur’anin), por ai është i vërtetë. Thuaj: “Unë nuk jam rojtari jua,

Populli yt e mohoi këtë Kur'an, ndonëse ai është vetë e vërteta. -Populli yt e konsideron si gënjeshtër Kur'anin, ndërsa ai është e vërteta e padiskutueshme, tek e cila nuk ka dhe nuk duhet të ketë asnjë dyshim.Thuaj: “Unë nuk jam mbikqyrësi juaj”. -Unë nuk jam ngarkuar që të regjistroj dhe të ruaj punët tuaja dhe nuk kam të drejtë që t’ju shpërblej për to. Unë jam thjesht një paralajmërues dhe kumtues i qartë i të vërtetës.

Al-An'aam 6:66Listen in Qur'an →
67

لِّكُلِّ نَبَإٍۢ مُّسْتَقَرٌّۭ ۚ وَسَوْفَ تَعْلَمُونَ

çdo lajm e ka kohën e vet, të caktuar, e ju atë do ta mësoni.

Çdo Mesazh ka afatin e vet(të plotësimit), dhe ju do ta kuptoni më vonë. -Ky afat nuk mund të shtyhet apo të përshpejtohet. Një gjë është e sigurt: ju keni për ta mësuar dhe për t'u përballur me atë.

Al-An'aam 6:67Listen in Qur'an →
68

وَإِذَا رَأَيْتَ ٱلَّذِينَ يَخُوضُونَ فِىٓ ءَايَٰتِنَا فَأَعْرِضْ عَنْهُمْ حَتَّىٰ يَخُوضُوا۟ فِى حَدِيثٍ غَيْرِهِۦ ۚ وَإِمَّا يُنسِيَنَّكَ ٱلشَّيْطَٰنُ فَلَا تَقْعُدْ بَعْدَ ٱلذِّكْرَىٰ مَعَ ٱلْقَوْمِ ٱلظَّٰلِمِينَ

Kur t’i shohësh ata që thellohen (në nënçmim) në dokumentet Tona, largohu prej tyre, deri sa të (mos) kalojnë në bisedë tjetër. E, nëse, djalli të mashtron, mos rri me zullumqarë të përkujtohesh.

Kur i sheh që nënçmojnë ajetet Tona, largohu prej tyre, derisa të kalojnë në bisedë tjetër! -Ky ajet ka për qëllim të folurit pa të drejtë dhe në kundërshtim me të vërtetën. Kjo bëhet në disa mënyra, si:1. Duke zbukuruar idetë dhe fjalët e këqija e të kota, duke i reklamuar ato si të mira e duke ftuar njerëzit në përqafimin e tyre.2. Duke refuzuar dhe duke i kthyer shpinën të vërtetës, si edhe duke shpifur e trilluar kundër të vërtetës dhe protagonistëve të saj.Allahu i Madhëruar e ka urdhëruar Profetin e Tij e, rrjedhimisht, edhe umetin e tij, që, nëse shohin apo hasin me njerëz që shpifin ndaj ajeteve të Kur'anit, me mënyra të ndryshme, t’u kthejnë shpinën dhe të mos qëndrojnë me ta, derisa të kalojnë në një temë tjetër. Nëse kalojnë në tjetër temë, atëherë nuk është më e ndaluar të rrish me ta. Madje, nëse ka dobi, përzierja me ta është e detyrueshme. Sigurisht, nëse nuk ka dobi e as ndonjë të keqe, atëherë përzierja me ta nuk është e dobishme dhe as e urdhëruar. Ndalesa nga preokupimi me gjëra të kota dhe të pavërteta na jep të kuptojmë se të flasësh të vërtetën, ta mbrosh e ta përhapësh atë është vepër e urdhëruar, e dobishme dhe e nxitur nga Sheriati. Më pas, Allahu i Madhëruar thotë:Nëse shejtani të bën të harrosh, atëherë, kur të kujtohesh, mos rri më me njerëz të padrejtë! -Nëse ulesh me ta, nga harresa apo pakujdesia, atëherë pasi të kujtohesh, mos vazhdo të rrish, por largohu! Allahu i Lartësuar i quajti ata ‘ķaumun đhâlimûn’ – njerëz të padrejtë. Të tillë janë ata që enden në të kotën, që flasin e veprojnë harame. Kështu, është i ndaluar qëndrimi mes harameve, kur nuk ke mundësinë që t’i pengosh ato. Ky urdhër është për ata që përzihen me të kotën dhe veprat e ndaluara, pa patur frikë Allahun, ose që heshtin e nuk reagojnë kur kundërshtohet e vërteta. Ndërsa kur ruhet devotshmëria ndaj Zotit, duke i urdhëruar keqbërësit për tek e mira dhe duke i ndaluar nga e keqja, dhe ky qortim pritet të sjellë rezultate, atëherë nuk është gjynah qëndrimi me ta. I Lartësuari thotë:

Al-An'aam 6:68Listen in Qur'an →
69

وَمَا عَلَى ٱلَّذِينَ يَتَّقُونَ مِنْ حِسَابِهِم مِّن شَىْءٍۢ وَلَٰكِن ذِكْرَىٰ لَعَلَّهُمْ يَتَّقُونَ

Ata që i drojën Perëndisë, s’kanë kurrfarë përgjegjësie për mëkatet e tyre (të mohuesvet), por (kjo) është vërejtje për t’u ruajtur.

Ata që janë të devotshëm ndaj Allahut nuk kanë kurrfarë përgjegjësie për veprat e mohuesve, por le t'i paralajmërojnë që ata të ruhen(nga ndëshkimi i Zotit). -Ky ajet është argument që tregon se këshilla duhet bërë me fjalë të zgjedhura dhe mënyrat më efikase, me qëllim që të arrihet objektivi kryesor - devotshmëria ndaj Allahut. Nga këto ajete mësojmë se, nëse këshilla e shton edhe më shumë të keqen nga ana e të këshilluarit, atëherë i detyrueshëm është moskëshillimi, pasi në këtë rast ajo nuk sjell rezultatin e pritur.

Al-An'aam 6:69Listen in Qur'an →
70

وَذَرِ ٱلَّذِينَ ٱتَّخَذُوا۟ دِينَهُمْ لَعِبًۭا وَلَهْوًۭا وَغَرَّتْهُمُ ٱلْحَيَوٰةُ ٱلدُّنْيَا ۚ وَذَكِّرْ بِهِۦٓ أَن تُبْسَلَ نَفْسٌۢ بِمَا كَسَبَتْ لَيْسَ لَهَا مِن دُونِ ٱللَّهِ وَلِىٌّۭ وَلَا شَفِيعٌۭ وَإِن تَعْدِلْ كُلَّ عَدْلٍۢ لَّا يُؤْخَذْ مِنْهَآ ۗ أُو۟لَٰٓئِكَ ٱلَّذِينَ أُبْسِلُوا۟ بِمَا كَسَبُوا۟ ۖ لَهُمْ شَرَابٌۭ مِّنْ حَمِيمٍۢ وَعَذَابٌ أَلِيمٌۢ بِمَا كَانُوا۟ يَكْفُرُونَ

Lerëni ata që fenë e tyre e marrin si lojë dhe dëfrim, e të cilët i ka mashtruar jeta e kësaj bote. Këshilloji me Kur’anin që njeriu të mos shkatërrohet për atë që ka vepruar, duke mos pasur – pos Perëndisë, as ndihmëtar, as ndërmjetës; dhe sikur ai të ofronte çfarëdo shpagimi, nuk do të pranohet nga Ai. Këta janë ata, të cilët janë shkatërruar për atë që kanë punuar. Ata do të fitojnë pije nga uji i vluar dhe dënim të dhimbshëm për shkak se kanë mohuar.

Largohuni prej atyre që e marrin fenë e vet si lojë e dëfrim, të mashtruar nga jeta e kësaj bote! -Ajo që kërkohet nga robërit është që t’ia përkushtojnë fenë dhe besimin e tyre vetëm Allahut, duke adhuruar vetëm Atë si Një, të Vetëm e të Pashoq, duke i shprehur dashurinë, madhërimin, përunjësinë dhe nënshtrimin, duke kryer të gjitha ato vepra të cilat Ai i kërkon dhe i pëlqen dhe duke jetuar ashtu si Allahu është i kënaqur dhe ashtu si Ai ua ka treguar nëpërmjet shpalljeve. Por kjo kërkon që robi të plotësojë disa kushte, që përmenden më poshtë:- Ai duhet t’i drejtohet dhe përkushtohet Zotit tërësisht, me zemër e shpirt, dhe vetëm Atij.- Veprat e robit të jenë të dobishme e të mira për të dhe për të tjerët, duke plotësuar kushtet që e bëjnë punën “të mirë”.- Përpjekjet e robit të jenë serioze dhe me përkushtim, dhe jo të dobëta e të brishta.- Çdo përpjekje dhe vepër e tij duhet të jetë e sinqertë, që synon vetëm dhe vetëm kënqësinë e Allahut, jo për t’u dukur dhe famë, për t’u lëvduar dhe për vetëkënaqësi.Kjo quhet fe e vërtetë, që i jep njeriut një jetë tjetër dhe një identitet të ri. Ndërsa ata që pretendojnë se janë pasues të së vërtetës, që janë fetarë e të devotshëm, por në fakt e marrin fenë si lojë dhe me tallje, që koten me argëtimet e kësaj dynjaje, duke angazhuar zemrat e tyre, aq sa nuk lënë vend në to për dashurinë e Allahut dhe njohjen e Tij, ata që përkushtohen tërësisht në gjërat që u sjellin dëm dhe që e lodhin trupin me argëtime të kota, ata që edhe ndonjë adhurim që bëjnë, e bëjnë jo me sinqeritet, por thjesht për të kaluar kohën, për këta lloj njerëzish Allahu i Madhëruar na ka urdhëruar që t’u tërheqim vërejtjen dhe të distancohemi prej tyre. Nuk duhet të mashtrohemi dhe të joshemi nga gjendja e tyre. Ne duhet të paralajmërojmë ata, madje edhe të tjerët që të kenë kujdes prej tyre. Kurrë nuk duhet të mashtrohemi, dhe kjo pastaj të bëhet pengesë që t’i afrohemi Allahut të Madhëruar.Ti kujto me këtë(Kur'anin), që njeriu të mos bjerë viktimë e pashpresë e asaj që ka vepruar. -Kujtoji dhe këshilloji njerëzit nëpërmjet Kur'anit, në mënyrë që ata të përfitojnë prej tij dhe të lumturohen me mirësinë që ai përmban. Që njerëzit të përfitojnë nga Kur'ani, duhet që:- T’u sqarosh atyre urdhëresat e tij në mënyrë të thjeshtë dhe të kuptueshme, duke i nxitur për t’i zbatuar ato.- T’ua bësh të dashur këtë libër, duke përmendur cilësitë e tij të mrekullueshme dhe duke u kujtuar mirësitë që vijnë, nëse e zbatojmë atë.- Duhet t’u qartësosh njerëzve ato mendime, fjalë dhe vepra që u sjellin dëm dhe janë të shëmtuara, si dhe t’i ndalosh prej tyre. Ata duhet ta kuptojnë dëmin e madh që sjellin veprat e këqija, të cilat Kur’âni i ndalon, si edhe të binden që ato janë vërtet vepra të shëmtuara, të tmerrshme dhe dëmtuese. Nëse e kuptojnë këtë mirë, qartë dhe natyrshëm, kjo do t’i nxisë që t’i urrejnë dhe të mos u afrohen atyre veprave.Mënyrat dhe rrugët e kujtimit nëpërmjet Kur'anit janë të shumta. Këto që u përmendën ishin vetëm disa prej tyre. Por të gjitha konsistojnë që të nxisin te robi dashurinë për Zotin dhe për çdo vepër që Ai e do, të nxisin dëshirën dhe forcën për të punuar sipas porosive të Zotit, të nxisin shpresën për shpërblimin e …

Al-An'aam 6:70Listen in Qur'an →

Commentary: Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di. Qur'an text and translation via AlQuran Cloud.