Muslim99Muslim99
← Tafsir library

6. Al-An'aam

The Cattle · Meccan · 165 ayahs

سُورَةُ الأَنۡعَامِ

Reading Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di

Ayahs 51–60 of 165

51

وَأَنذِرْ بِهِ ٱلَّذِينَ يَخَافُونَ أَن يُحْشَرُوٓا۟ إِلَىٰ رَبِّهِمْ ۙ لَيْسَ لَهُم مِّن دُونِهِۦ وَلِىٌّۭ وَلَا شَفِيعٌۭ لَّعَلَّهُمْ يَتَّقُونَ

Dhe i qorto me Kur’an ata, të cilët druajnë se kanë për t’u tubuar para Zotit të tyre, ku çërveç Tij, nuk do të kenë as mbrojtës as ndihmës – për t’u ruajtur nga mëkatet.

Paralajmëroji nëpërmjet tij(Kur’anit)ata që i frikësohen llogarisë para Zotit të tyre, me qëllim që të ruhen,... -Kur'ani është këshillë dhe paralajmërim për të gjithë njerëzit, por përfituesit e vërtetë të këshillave të tij janë ata që i druhen ditës kur do të ringjallen te Zoti i tyre. Ata janë të bindur dhe e kujtojnë shpesh faktin se do të vijë dita kur do të largohen nga kjo dynja, për të nisur rrugën e përjetësisë. Për këtë arsye, ata përpiqen vazhdimisht të arrijnë gjithçka që u sjell dobi dhe të largohen nga gjithçka që i dëmton. Ata janë të bindur se, nëse nuk i dëgjojnë porositë e Zotit, nuk do të gjejnë mbrojtës apo ndërmjetësues, që mund t’i shpëtojë nga zemërimi dhe ndëshkimi i të Drejtit. I Madhëruari thotë...sepse, veç Tij, ata nuk do të kenë asnjë mbrojtës apo ndërmjetës. -Veç Allahut, nuk ka kush që të marrë përsipër çështjet e tyre, që t’i ndihmojë të arrijnë ndonjë të mirë apo që t’i shpëtojë nga të këqijat. Për ta nuk ka as ndërmjetësues, që mund të ndërhyjë te Zoti, sepse të gjitha çështjet janë vetëm në dorën e Tij. Askush nga krijesat nuk zotëron ndonjë mundësi për të ndihmuar apo për të shpëtuar një krijesë tjetër. Kështu, Allahu i Lartësuar e urdhëron Profetin e Tij që t’i këshillojë njerëzinë me fjalët e Kur'anit, për një qëllim të rëndësishëm: “me qëllim që të ruhen”. Ndoshta, duke dëgjuar të vërtetat e padiskutueshme për takimin me Zotin dhe llogarinë para Tij, ata do të frikësohen dhe do të nënshtrohen, që të punojnë e të plotësojnë detyrimet, si dhe të largohen nga ndalesat e Tij. Këshillimi me anë të Kur'anit është, sigurisht, një nga mënyrat më të mira dhe të efektshme.

Al-An'aam 6:51Listen in Qur'an →
52

وَلَا تَطْرُدِ ٱلَّذِينَ يَدْعُونَ رَبَّهُم بِٱلْغَدَوٰةِ وَٱلْعَشِىِّ يُرِيدُونَ وَجْهَهُۥ ۖ مَا عَلَيْكَ مِنْ حِسَابِهِم مِّن شَىْءٍۢ وَمَا مِنْ حِسَابِكَ عَلَيْهِم مِّن شَىْءٍۢ فَتَطْرُدَهُمْ فَتَكُونَ مِنَ ٱلظَّٰلِمِينَ

Mos i dëbo ata që i luten Zotit të vet në mëngjes e mbrëmje, duke e dëshiruar Atë – ti nuk je i obliguar të kujdesesh për ta për asgjë, e as ata nuk janë përgjegjës për ty asgjë, sepse, nëse i dëbon ti ata, do të jesh zullumqarë.

Mos i largo ata që e adhurojnë Zotin e tyre mëngjes e mbrëmje, me sinqeritet ndaj Tij. -Kurrë mos i largo prej teje dhe nga takimet e tua adhuruesit e sinqertë, duke synuar të shoqërohesh e të ulesh me të tjerë! Mos i largo ata nga vetja jote, sepse ata janë të rregullt me duatë ndaj Zotit të tyre! Ata i drejtohen Atij me duatë e adhurimit dhe duatë e kërkesës së drejtpërdrejtë, në fillim e në fund të ditës. Me të gjitha këto, ata synojnë thjesht të kënaqin Allahun dhe nuk kanë asnjë qëllim tjetër. Kësisoj, ata nuk meritojnë të dëbohen, por përkundrazi, meritojnë t’i duash fort dhe të miqësohesh me ata. Ata meritojnë t’i mbash afër e t’i trajtosh me ngrohtësi e dhembshuri, sepse ata janë më të zgjedhurit e krijesave, edhe pse mund të jenë të varfër. Ata janë më krenarët, edhe nëse mund të shihen si të parëndësishëm dhe të rëndomtë nga njerëzit.Ti nuk mban përgjegjësi për asnjë nga veprat e tyre, ashtu si edhe ata nuk mbajnë përgjegjësi për veprat e tua. Nëse i largon ata, bëhesh si të padrejtët. -Kuptimi: Askush nuk do të mbajë përgjegjësi për veprat e tjetrit. Secili do të përgjigjet vetëm për punët e tija, të mira apo të këqija qofshin ato. Kështu, nuk ka asnjë arsye që t’i largosh ata, përndryshe do të ishe i padrejtë. Profeti (a.s)e zbatoi plotësisht dhe me shumë përkushtim këtë urdhër të Allahut. Kur pranë tij uleshin të varfërit, ai qëndronte me ta me durim, duke u sjellë me ngrohtësi e plot përkujdesje, me moralin më të lartë. Mund të thuhet pa ngurrim se të tillë njerëz i gjeje vazhdimisht në kuvendet e tij. Shkaku i shpalljes së këtyre ajeteve ishte kërkesa që disa pasanikë e fisnikë të kurejshëve i kërkuan Profetit a.s. Ata i thoshin shpesh: "Nëse dëshiron që të të besojmë dhe pasojmë, atëherë largoji ata (duke folur për disa sahabë të varfër)! Ne na vjen turp të na shohin arabët në një kuvend me ata varfanjakë.” Profeti a.s, duke dëshiruar shumë që ata të pasonin rrugën e drejtë, për pak mendoi për mundësinë e zbatimit të propozimit të tyre. Por Allahu i Madhëruar e qortoi dhe e udhëzoi Profetin e Tij nëpërmjet këtyre ajeteve.Lutjet dhe duatë e robit janë dy llojesh. Shiko shpjegimin në ajetin 186 të sures El bekare.

Al-An'aam 6:52Listen in Qur'an →
53

وَكَذَٰلِكَ فَتَنَّا بَعْضَهُم بِبَعْضٍۢ لِّيَقُولُوٓا۟ أَهَٰٓؤُلَآءِ مَنَّ ٱللَّهُ عَلَيْهِم مِّنۢ بَيْنِنَآ ۗ أَلَيْسَ ٱللَّهُ بِأَعْلَمَ بِٱلشَّٰكِرِينَ

Dhe kështu Na i provojmë njërin me tjetrin, për të thënë: “A mos janë këta që Perëndia ua dhuroi mirësinë? – A mos vallë Perëndia nuk i njeh më mirë ata të cilët i janë mirënjohës.

Kështu i sprovojmë Ne disa me disa të tjerë... -Kështu i sprovon Allahu i Madhëruar njerëzit. Disa i bën të pasur dhe disa të varfër, disave u ka dhënë fis të gjerë e famë, e disa të tjerë i ka bërë të dobët e pa mbështetje njerëzore. Por nëse Allahu i Lartësuar i dhuron mirësinë e imanit njerëzve “të dobët” apo “të parëndësishëm”, siç i quajnë, kjo bëhet sprovë për të pasurit e fisnikët, apo siç i quajnë: “të rëndësishmit”. Nëse i pasuri vërtet synon të vërtetën dhe rrugën e drejtë, që kënaq Zotin, ai e pranon imanin dhe bëhet musliman, pa e penguar aspak prania e të varfërve, përzierja me ta në kuvende dhe fakti që edhe ata kanë pranuar Islamin. Por nëse ai nuk është i sinqertë në kërkimin e të vërtetës, marrëdhënia me të varfërit dhe përzierja me ta do të bëhet një pengesë që do ta pengojë nga pasimi i të vërtetës. Ata të mjerë, duke përçmuar besimtarët e varfër, thanë:...derisa të thonë: “Vallë, këta janë ata që përzgjodhi Allahu mes nesh dhe u dhuroi mirësi?” -Kjo arrogancë dhe mbivlerësim i vetes i pengoi ata nga pranimi i të vërtetës. Ata nuk e meritonin udhëzimin, sepse nuk ishin të pastër për t’u nderuar me të. Në përgjigje të qëndrimit të tyre mospranues, i Madhëruari thotë:Po a nuk është Allahu më i Dituri, për ata që janë mirënjohës?! -Mirënjohës janë ata cilët i njohin, i vlerësojnë dhe i respektojnë mirësitë e Zotit, ata që dëshmojnë se ato vijnë prej Bujarit dhe kryejnë ato vepra që i meritojnë ato mirësi, në shenjë mirënjohje për Dhuruesin e tyre. Këtyre mirënjohësve Zoti u dhuron imanin e shumë mirësi të tjera. Ndërsa ata që nuk tregojnë mirënjohje, le ta dinë se Allahu i Madhëruar është i Urtë dhe, me Urtësinë e Tij, nuk e vendos mirësinë e Tij atje ku nuk duhet dhe nuk ia jep atij që nuk e meriton. Kështu ishin edhe ata të mjerë që thanë ato fjalë, të cilat tregonin mosvlerësim të urtësisë së Zotit në shpërndarjen e mirësisë së imanit. Ata ishin mosmirënjohës e arrogantë, ndryshe nga ata besimtarë të varfër e jo të varfër, të cilët i shprehnin mirënjohjen Zotit duke iu dorëzuar plotësisht Atij, me bindje e dashuri. Allahu i Madhëruar jo vetëm që e ndaloi Profetin (a.s)që t’i largonte besimtarët e përkushtuar, por e urdhëroi që t’i priste ata me respekt e nderim, duke thënë:

Al-An'aam 6:53Listen in Qur'an →
54

وَإِذَا جَآءَكَ ٱلَّذِينَ يُؤْمِنُونَ بِـَٔايَٰتِنَا فَقُلْ سَلَٰمٌ عَلَيْكُمْ ۖ كَتَبَ رَبُّكُمْ عَلَىٰ نَفْسِهِ ٱلرَّحْمَةَ ۖ أَنَّهُۥ مَنْ عَمِلَ مِنكُمْ سُوٓءًۢا بِجَهَٰلَةٍۢ ثُمَّ تَابَ مِنۢ بَعْدِهِۦ وَأَصْلَحَ فَأَنَّهُۥ غَفُورٌۭ رَّحِيمٌۭ

Kur të vijnë te Ti ata që besojnë në argumentet Tona, thuaj: “Shpëtimi (Paqa) qoftë mbi ju!” Zoti juaj vetes ia ka caktuar mirësinë: nëse dikush nga ju bënë ndonjë vepër të keqe pa ditur, e pastaj pendohet e përmirësohet, - Ai falë dhe mëshiron.

Kur të vijnë tek ti ata që i besojnë Ajetet Tona, thuaju: “Selamun alejkum! Zoti juaj ia bëri detyrë Vetes së Vet Mëshirën. -Kur të vijnë besimtarët, uroji mirëseardhjen dhe përshëndeti me selam, që t’u ngresh lart moralin e t’u forcosh vullnetin për të vazhduar në rrugën drejt Zotit të tyre! Përgëzoji ata duke u treguar për mëshirën dhe për bujarinë e gjerë të Allahut, por edhe nxiti ata që të kryejnë çdo punë të mirë e të ndjekin çdo rrugë për të fituar mirësitë e shumta dhe kënaqësinë e Allahut! Këshilloji ata që të mos vazhdojnë me gjynahe dhe urdhëroji për pendim të sinqertë nga të gjitha gjynahet, në mënyrë që të fitojnë dhe të lumturohen me faljen e Zotit dhe bujarinë e Tij të pamatë ndaj të penduarve!Nëse ndonjëri prej jush bën ndonjë të keqe pa e ditur, e pastaj pendohet dhe përmirësohet, s’ka dyshim se Allahu është Falës i Madh dhe Mëshirëplotë. -Është e domosdoshme lënia e gjynaheve, distancimi prej tyre dhe pendimi për to. Gjithashtu, është detyrë kryerja e veprave të mira dhe plotësimi i detyrimeve të vendosura nga Allahu, qofshin këto detyrime fizike, materiale, monetare apo morale, si edhe rregullimi i çdo gjëje të dëmtuar, qofshin dëmtime të shkaktuara nga punë të jashtme e të dukshme, qofshin punë të brendshme e të padukshme. Nëse të gjitha këto kushte të pendimit plotësohen, atëherë i Lartësuari thotë: “...s’ka dyshim se Allahu është Falës i Madh dhe Mëshirëplotë.” Ai ka për të derdhur mbi këta fatlumë mbarësi e mirësi prej mëshirës dhe bujarisë së Tij, në varësi të zbatimit të detyrimeve nga ana e tyre.

Al-An'aam 6:54Listen in Qur'an →
55

وَكَذَٰلِكَ نُفَصِّلُ ٱلْءَايَٰتِ وَلِتَسْتَبِينَ سَبِيلُ ٱلْمُجْرِمِينَ

Na kështu shpjegojmë hollësisht dokumentet, në mënyrë që të kuptohet rruga e njerëzve të këqinjë.

Kështu i sqarojmë Ne argumentet... -Kështu e qartësojmë Shpalljen Tonë, duke e bërë lehtësisht të dallueshme rrugën e drejtë nga devijimi, të vërtetën nga e kota. Kështu, të udhëzuarit do të ndriçohen nga Shpallja e Zotit, sepse do të jenë të qartë për të vërtetën, të cilën e ndjekin dhe sipas së cilës është detyrë të jetosh....në mënyrë që të dalë në shesh rruga e keqbërësve. -Rruga e kriminelëve të çon në zemërimin dhe ndëshkimin e Zotit. Kur rruga e kriminelëve bëhet e qartë, atëherë lehtësohet edhe largimi prej saj. Ndryshe ndodh nëse ajo është e panjohur, e paqartë ose e mjegullt, sepse vështirësohet ruajtja prej saj.

Al-An'aam 6:55Listen in Qur'an →
56

قُلْ إِنِّى نُهِيتُ أَنْ أَعْبُدَ ٱلَّذِينَ تَدْعُونَ مِن دُونِ ٱللَّهِ ۚ قُل لَّآ أَتَّبِعُ أَهْوَآءَكُمْ ۙ قَدْ ضَلَلْتُ إِذًۭا وَمَآ أَنَا۠ مِنَ ٱلْمُهْتَدِينَ

Thuaj: “Mua më është ndaluar t’i adhuroj ata, që ju, përpos Perëndisë i adhuroni”. Thuaj: “Unë nuk i ndjek dëshirat tuaja, sepse atëhrë do të isha i humbur dhe nuk do të isha nga ata, që janë në rrugën e drejtë”.

Allahu i Lartësuar e urdhëron Profetin e Tij që t’u drejtohet idhujtarëve dhe t’u thotë:Unë jam ndaluar të adhuroj ata që ju i adhuroni përveç Allahut. -Unë jam ndaluar që t’u kushtoj adhurime atyre që ju adhuroni veç Allahut, kushdo qofshin ata: idhuj, puta e çdo gjë tjetër, që nuk kanë në dorë asnjë lloj mirësie, dëmi apo dobie. Ata nuk zotërojnë pushtet për të dhënë jetën, vdekjen apo për ringjalljen. Të gjitha adhurimet që u përkushtoni këtyre idhujve janë të kota e të pavlefshme. Për idhujtarinë ju nuk keni justifikime, madje as si keqkuptim nuk lejohet të ndodhë një krim i tillë. Ky është thjesht pasim i epshit, i cili është devijuesi më i madh. Për këtë arsye, i Madhëruari porosit:Thuaj: “Unë nuk i ndjek dëshirat tuaja, sepse atëherë do të isha i humbur e jo prej të udhëzuarve!” -Unë kurrë nuk do të pasoj pasionet tuaja, sepse kështu do të bëhesha prej të devijuarve nga rruga e drejtë. E si mund të konsiderohen të drejta lutjet drejtuar dikujt që nuk ka asnjë lloj pushteti e mundësie për t’iu përgjigjur atyre? Ndërsa rruga ime, që është njësimi i Allahut në adhurim me vepra të sinqerta vetëm për Të, është rruga e drejtë, e mbështetur nga faktet logjike e nga shpalljet e Zotit, të padiskutueshme në vërtetësinë e tyre.

Al-An'aam 6:56Listen in Qur'an →
57

قُلْ إِنِّى عَلَىٰ بَيِّنَةٍۢ مِّن رَّبِّى وَكَذَّبْتُم بِهِۦ ۚ مَا عِندِى مَا تَسْتَعْجِلُونَ بِهِۦٓ ۚ إِنِ ٱلْحُكْمُ إِلَّا لِلَّهِ ۖ يَقُصُّ ٱلْحَقَّ ۖ وَهُوَ خَيْرُ ٱلْفَٰصِلِينَ

Thuaj: “Unë kam (ardhur) me argument të dukshëm nga Zot’i im, e ju e përgënjeshtruat atë. Atë që kërkoni ju (dënimin), nuk është në pushtetin tim; pushteti i takon vetëm Perëndisë. Ai e tregon të vërtetën dhe Ai e bënë dallimin në mes të vërtetës dhe të pavërtetës.

Thuaj: “Unë kam Argument të qartë nga Zoti im...” -Unë kam siguri të plotë për saktësinë e Shpalljes nga Zoti im dhe për kotësinë e çdo besimi tjetër të devijuar. Kjo është një dëshmi e fortë mbi vërtetësinë e besimit islam në një Zot, që meriton adhurimin si Një i vetëm, duke u nënshtruar sipas ligjit të Tij islam. Sigurisht, dëshmia e këtij Profeti është dëshmia më e drejtë dhe qëndron mbi dëshmitë e të gjitha krijesave. Këtë dëshmi e pranuan të gjithë besimtarët. Secilit prej tyre, në varësi të mirësisë së dhuruar nga Allahu, iu bë e qartë vërtetësia e kësaj rruge.... ndërsa ju e mohoni atë. -Ndërsa ju, o idhujtarë, e mohuat të vërtetën e Zotit, duke e konsideruar atë si trillim, ndërkohë që ajo nuk e meriton këtë trajtim. Besimi i të vërtetës është i pashmangshëm për çdo njeri që logjikon. Nëse vazhdoni të mohoni, dijeni se dënimi do të godasë mbi ju, dhe kjo është e sigurt. Dënimi është në dorë të Zotit; është Ai që e zbret kur të dëshirojë dhe si të dëshirojë. Nëse ju kërkoni përshpejtimin e këtij ndëshkimi, kjo nuk është në dorën time, ashtu si dhe asnjë çështje tjetër.Ai që ju e kërkoni me ngut, nuk është në dorën time. Gjykimi për gjithçka i takon vetëm Allahut... -Ashtu sikurse është Allahu i Madhëruar Ai që ka vendosur Sheriatin, për të zbatuar ligjet e tij dhe për të jetuar sipas tyre, është po Ai i vetmi që i takon të japë gjykimin për të shpërblyer a ndëshkuar, ashtu sikurse parakupton urtësia e Tij. Kështu, kundërshtimi i gjykimit të Zotit është i papranueshëm dhe jo i drejtë, pasi Ai ua tregoi dhe ua ndriçoi të vërtetën robërve plotësisht, pa lënë vend për asnjë dyshim. Pas qartësimit të së vërtetës nga Allahu i lartësuar nëpërmjet profetëve, shpalljeve dhe shenjave të panumërta, asnjë rob nuk mund të justifikohet. Çdokush që është prezantuar me të vërtetën nuk mund të justifikohet tek i Madhëruari. Pas qartësimit të saj, çdokush do të jetojë e do të vdesë i vetëdijshëm për atë që ka zgjedhur.Ai e shpall të vërtetën dhe Ai është më i miri i gjykuesve. -Allahu është Gjykuesi më i mirë i robërve në dynja dhe në ahiret. Të gjitha gjykimet e Tij janë të drejta, për të cilat meriton lavdinë dhe mirënjohjen. Allahut i shprehin mirënjohjen edhe ata kundër të cilëve rëndon gjykimi i Tij.

Al-An'aam 6:57Listen in Qur'an →
58

قُل لَّوْ أَنَّ عِندِى مَا تَسْتَعْجِلُونَ بِهِۦ لَقُضِىَ ٱلْأَمْرُ بَيْنِى وَبَيْنَكُمْ ۗ وَٱللَّهُ أَعْلَمُ بِٱلظَّٰلِمِينَ

Thuaj: “Sikur ta kisha në dorë atë që e kërkoni ju, shpejt e shpejt (dënimin) do të sqarohej puna mes meje dhe jush (do të shkatërroheshit). Perëndia i di më së miri zullumqarët.

Thuaj: “Sikur të ishte në dorën time ajo për të cilën nguteni, çështja mes meje dhe jush do të kishte e përfunduar.”! -Thuaju atyre që kërkojnë përshpejtimin e ndëshkimit, nga injoranca, arroganca dhe padrejtësia që i karakterizon: Sikur çështja të ishte në dorën time dhe të isha unë ai që e ekzekutoja ndëshkimin, atëherë nuk do të kishte asnjë lloj dobie për ju, o të mjerë. Por çështja është në dorën e Allahut, që është El Halimu - i Butë e i Mëshirshëm, që nuk nxitohet të ndëshkojë gabimtarin, edhe pse është i Plotfuqishëm ta bëjë këtë, por e afatizon dhe i jep mundësi për pendim e kthim. Allahu është El Sabur– Durimtari, i Cili, edhe pse të poshtërit bëjnë gjynahe dhe nuk i binden, madje kanë guximin që të rebelohen kundër Tij, Ai përsëri u jep shëndet dhe i ruan, i furnizon dhe lëshon mbi ta në mënyrë të vazhdueshme mirësi të dukshme e të padukshme, të hapura e të fshehura.Allahu është i Gjithëditur për keqbërësit. -Të mos harrojnë ata se Allahut nuk i fshihet asnjë veprim i tyre dhe të mos mashtrohen nga afatizimi i Tij. Ai vërtet afatizon, por kurrë nuk do t’i lërë krijesat pa i marrë në përgjegjësi për veprat e tyre, kur të vijë koha për një gjë të tillë.

Al-An'aam 6:58Listen in Qur'an →
59

۞ وَعِندَهُۥ مَفَاتِحُ ٱلْغَيْبِ لَا يَعْلَمُهَآ إِلَّا هُوَ ۚ وَيَعْلَمُ مَا فِى ٱلْبَرِّ وَٱلْبَحْرِ ۚ وَمَا تَسْقُطُ مِن وَرَقَةٍ إِلَّا يَعْلَمُهَا وَلَا حَبَّةٍۢ فِى ظُلُمَٰتِ ٱلْأَرْضِ وَلَا رَطْبٍۢ وَلَا يَابِسٍ إِلَّا فِى كِتَٰبٍۢ مُّبِينٍۢ

Perëndia i ka çelësat e të gjitha fshehtësive dhe vetëm Ai i di ato. Ai di ç’ka në tokë dhe në det; asnjë gjeth nuk bie, pa e ditur Ai, dhe nuk ekziston asnjë kokërr në thellësitë e tokës, as e freskët as e thatë, e të mos jetë shënuar në Librin e qartë (Levhi Mahfudh).

Vetëm tek Ai janë çelësat e fshehtësive dhe ato nuk i di askush tjetër veç Tij. Ai di çfarë ka në tokë dhe në det. -Ky ajet i madh është një nga më të mrekullueshmit, që përshkruan diturinë gjithëpërfshirëse të Allahut të Madhëruar. Dituria e Tij ka përfshirë të gjitha fshehtësitë, nga të cilat Ai zbulon aq sa dëshiron dhe atyre krijesave që Ai dëshiron. Por për shumë fshehtësi nuk dinë as melekët më të mëdhenj e më të afërt të Tij, dhe as profetët e dërguar prej Tij, e aq më pak të tjerët. Ai di gjithçka për njerëzit, kafshët, pemët, gurët, dheun, detet e oqeanet dhe çfarë përmbajnë ato.As edhe një gjethe nuk bie pa dijeninë e Tij. -Për çdo gjethe të pemëve të tokës e të detit, në fusha e male, në dynja dhe në ahiret.Nuk ka kokërr në thellësi të Tokës, s’ka të njomë dhe s’ka të thatë, që nuk është në Librin e qartë. -Nuk ka kokërr të frutave apo të farërave që mbillen nga njerëzit apo që rriten vetë nëpër fusha e pyje, që nuk është shënuar në Librin e qartë, pra, në Leuĥi Maĥfûđh. Vetëm një pjesë e këtyre gjërave që janë përmendur, habit mendjen e të diturve dhe zemrat e të urtëve. Kjo tregon për madhështinë e Zotit të Lartësuar dhe faktin se Ai është Absolut në të gjitha emrat dhe cilësitë e Tij. Sikur krijesat të mblidheshin të gjitha për të kuptuar tërësisht vetëm një nga cilësitë e Tij, nuk do të kishin mundësi për t’ia arritur. I lartësuar dhe i madhëruar qoftë Zoti i Lavdëruar e Madhështor! Ai është El Uâsiu - i Gjeri (në cilësitë e Tij) dhe El Alîm - i Gjithëdituri, El Ĥamîdu - i Lavdëruari dhe El Mexhîd - i Madhëruari, El Shehîdu - Dëshmuesi i gjithçkaje dhe El Muĥîŧu - Gjithëpërfshirësi. I lavdëruar qoftë Allahu, që është i vetmi i Adhuruar me meritë! Ai është i Adhuruari, i Lavdishmi, që askush nuk mund të arrijë ta lavdërojë ashtu si e meriton. Ai qoftë i lavdëruar, ashtu sikurse e ka lavdëruar Veten e Vet! Ai është shumë më lart sesa lëvdatat që mund t’i thurin krijesat e Tij. Ky ajet tregon për diturinë absolute të Allahut mbi gjithçka. Ai tregon, gjithashtu, edhe për Leuĥi Maĥfûđh-in, në të cilin është shënuar çdo gjë që ndodh në ekzistencë.

Al-An'aam 6:59Listen in Qur'an →
60

وَهُوَ ٱلَّذِى يَتَوَفَّىٰكُم بِٱلَّيْلِ وَيَعْلَمُ مَا جَرَحْتُم بِٱلنَّهَارِ ثُمَّ يَبْعَثُكُمْ فِيهِ لِيُقْضَىٰٓ أَجَلٌۭ مُّسَمًّۭى ۖ ثُمَّ إِلَيْهِ مَرْجِعُكُمْ ثُمَّ يُنَبِّئُكُم بِمَا كُنتُمْ تَعْمَلُونَ

Ai natën ju vë në gjumë dhe di çka punoni ditën. Ju zgjon ditën, për të arritur kohën e caktuar të jetës. Pastaj, i ktheheni Atij dhe ju tregon atë që keni punuar.

Është Ai që jua merr shpirtrat natën(në gjumë)dhe që e di mirë atë që keni bërë ditën. Më pas, Ai jua kthen ato, për të vazhduar(jetën) deri në afatin e caktuar. -Ky është një pohim e përforcim i njëshmërisë së Zotit në meritën e adhurimit dhe një argument shumë i fortë kundër idhujtarëve. Ajeti tregon se Allahu i Madhëruar i meriton të plota dashurinë, madhërimin, lartësimin dhe respektin. Allahu i Madhëruar është i vetmi që rregullon çështjet e krijesave dhe përkujdeset për to, kur ato janë zgjuar dhe kur janë në gjumë. Ai ua ngre shpirtrat, kur ato janë në gjumë dhe qetësohen. Lëvizjet e tyre reduktohen, që trupi t’u çlodhet. Pastaj Ai i zgjon nga gjumi, që të punojnë për arritjen e mirësive të dynjasë dhe të fesë. Allahu i Lartësuar di për gjithçka që krijesat e Tij bëjnë. Kështu vazhdon jeta e tyre, nën kujdesin e Allahut të Madhëruar, derisa të plotësojnë afatin e jetës, që Ai ka caktuar për ta. Kur koha e caktuar nga Ai përfundon, ky është çasti i vdekjes së tyre. Më pas, ata i pret afati tjetër, ai i Ditës së Ringjalljes, prandaj i Lartësuari thotë:Në fund, tek Ai do të ktheheni, dhe do t’ju tregojë të vërtetën e asaj që keni bërë. -Pasi të vdisni, vetëm tek Allahu është kthimi i të gjithëve, tek askush tjetër, dhe Ai do t’ju shpërblejë për ato që keni bërë, mirë apo keq.

Al-An'aam 6:60Listen in Qur'an →

Commentary: Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di. Qur'an text and translation via AlQuran Cloud.