Thuaj: “Kush është Ai që e ka dëshminë më të fortë?” -Thuaju atyre: Pas qartësimit të gjithë këtyre argumenteve dhe pas qartësimit të udhës së drejtë ku duhet të ecni, a ka ndonjë që mund të sjellë fakte dhe dëshmi më të forta se Allahu i Madhëruar? A ka ndonjë dëshmitar më të vërtetë dhe më të besueshëm se Allahu, për të vërtetuar këtë themel të fesë: njëshmërinë e Tij në meritën e adhurimit?!Thuaj: “Allahu është dëshmues mes meje dhe jush." -Thuaju: Allahu është Ai që ka dëshminë më të fuqishme. Ai është dëshmitari mes meje dhe jush. Nuk ka dëshmitar më të madh dhe më të drejtë se Allahu. Ai dëshmon për besnikërinë time dhe urtësinë e Shpalljes së sjellë prej meje. Kjo dëshmi shprehet nëpërmjet miratimit të Allahut, si edhe në ndihmën konkrete për mua dhe rrugën time. Ai i miraton ato që unë ju kam thënë e porositur. Po kështu thotë i Madhëruari në një ajet tjetër kuranor: “Unë betohem në atë që e shihni. Edhe në atë që nuk e shihni. Se, me të vërtetë ai (Kur'ani) është Fjalë që e kumton i Dërguari i ndershëm. Ai nuk është fjalë e ndonjë poeti; por ju nuk besoni. Nuk është as fjalë e ndonjë falltari; por ju nuk kujtoni. Ai është shpallje prej Zotit të botëve. Sikur ai të trillonte për Ne ndonjë fjalë, Ne do ta kapnim atë me fuqinë Tonë, E pastaj do t’ia këputnim arterien e zemrës. E askush prej jush nuk do të mund të ndërhynte për mbrojtjen e tij. Ai (Kur'ani) është këshillë për të devotshmit. S’ka dyshim se Ne dimë që ndër ju ka edhe mohues. Ai (Kur'ani) pa dyshim do të jetë dëshpërim për jobesimtarët. Ai (Kur'ani) është e vërteta e sigurt! Prandaj, ti lartësoje nga të metat Zotin tënd të Madhëruar!” [Haka 38-52.] Allahu i Madhërishëm është Hakim - i Urtë dhe Kadir- i Plotpushtetshëm. Nuk është e mundur që, me urtësinë dhe pushtetin e Tij absolut, Allahu të lejojë që dikush të gënjejë në emër të Tij, duke pretenduar se Allahu e ka dërguar si profet, ndërkohë që kjo nuk është e vërtetë; duke thënë se Allahu e ka urdhëruar që t’i ftojë krijesat në fenë e Tij, kur një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Si mund ta lejonte Allahu atë të luftonte kundër atyre që e kundërshtonin dhe t’ia bënte hallall pasuritë dhe robërit e tyre?! Dhe pas gjithë këtyre ndodhive, si mund ta miratonte atë Allahu me veprat e Tij, madje ta mbështeste me mrekulli të mëdha dhe fakte të pamohueshme?! Jo vetëm kaq, por Allahu i Madhëruar i ka poshtëruar dhe ndëshkuar ata që e kundërshtonin dhe e pengonin të Dërguarin e Tij. Atëherë, a ka dëshmi më të madhe sesa kjo?!Mua më është shpallur ky Kur'an, që me të t’ju tërheq vërejtjen juve dhe atij që i komunikohet. -Kuptimi: Allahu i Madhëruar ma shpalli këtë Kur'an për dobinë dhe të mirën tuaj, që unë t’ju këshilloj dhe t’ju tregoj udhëzimin e drejtë, i cili ju shpëton nga ndëshkimi i dhembshëm. Qortimi bëhet me inkurajim dhe kërcënim, duke bërë të qarta ato vepra e fjalë, të shfaqura a të fshehta qofshin, të cilat, kush i zbaton, mund të thuhet se ka përfituar prej qortimit. Kur’ani ishte këshillë për ata të cilëve iu drejtua drejtpërdrejt dhe për këdo tek i cili ai mbërrin, deri në Ditën e Kijametit. Në Kur'an ndodhet çdo lloj udhëzimi i nevojshëm për rrugën e drejtë. Pasi deklaroi se dëshmia e Tij është më e madhja dëshmi për …