Muslim99Muslim99
← Tafsir library

6. Al-An'aam

The Cattle · Meccan · 165 ayahs

سُورَةُ الأَنۡعَامِ

Reading Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di

Ayahs 161–165 of 165

161

قُلْ إِنَّنِى هَدَىٰنِى رَبِّىٓ إِلَىٰ صِرَٰطٍۢ مُّسْتَقِيمٍۢ دِينًۭا قِيَمًۭا مِّلَّةَ إِبْرَٰهِيمَ حَنِيفًۭا ۚ وَمَا كَانَ مِنَ ٱلْمُشْرِكِينَ

Thuaj: “Mua, me të vërtetë, Zoti im, më ka udhëzuar në rrugë të drejtë, në fenë e vërtetë, fenë e pastër të Ibrahimit, i cili nuk ka qenë adhurues i putavet”.

Thuaj: “Vërtet, Zoti im më udhëzoi në një rrugë që është e drejtë - në fenë e vërtetë. Ajo është rruga e Ibrahimit, që ishte larg besimeve të kota dhe nuk ishte idhujtar.” -Allahu i Madhëruar e urdhëron Profetin e Tij që ta shpallë e kumtojë haptazi rrugën e drejtë në të cilën e udhëzoi Ai. Kjo është e vetmja rrugë e drejtë, sepse pikërisht ajo është feja e vërtetë, feja mesatare, që fton në besimin e pastër, që edukon individin në të mirë të tij, të familjes dhe të shoqërisë. Kjo fe urdhëron e inkurajon për çdo të mirë dhe ndalon nga çdo e keqe. Kjo është feja dhe udhëzimi i të gjithë të dërguarve dhe profetëve të Zotit, e në mënyrë të veçantë, i imamit të besimdrejtëve dhe atit të të gjithë të dërguarve pas tij, Ibrahimit a.s. Ai ishte i dashuri dhe i zgjedhuri i Allahut të Madhëruar. Feja e Ibrahimit është larg çdo besimi të kotë dhe të devijuar, larg feve të të humburve dhe të devijuarve, siç janë jehudët, të krishterët dhe ithtarët e çdo lloj feje tjetër që fton në idhujtari. Kjo është një ftesë e përgjithshme për pasimin e fesë së drejtë, duke përmendur disa cilësi të përgjithshme të saj. Më pas i Madhëruari përmend disa adhurime të veçanta, duke vënë në dukje rëndësinë dhe vlerën e madhe të tyre mbi adhurimet e tjera:

Al-An'aam 6:161Listen in Qur'an →
162

قُلْ إِنَّ صَلَاتِى وَنُسُكِى وَمَحْيَاىَ وَمَمَاتِى لِلَّهِ رَبِّ ٱلْعَٰلَمِينَ

Thuaj: “Me të vërtetë, namazi im, edhe adhurimi im, jeta ime, dhe vdekja ime, i përkasin vetëm Perëndisë, Zotit të Gjithësisë.

Thuaj: “Namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë të gjitha për Allahun, Zotin e botëve.” -Ky ajet dëshmon për vlerën e madhe të këtyre adhurimeve. Ato janë treguese të dashurisë, sinqeritetit, përkushtimit dhe përunjësisë së robit ndaj Allahut të Madhëruar. Ato janë adhurime të zemrës, të gjuhës dhe të organeve të trupit, të përfaqësuara me namazin. Ndërsa kurbani është dëshmi e gatishmërisë për të sakrifikuar pasurinë, aq të dashur për njeriun, e për t’ia kushtuar Allahut të Madhëruar, në shenjë dashurie dhe madhërimi të Tij. Ai që tregon sinqeritet për Allahun në këto dy adhurime, pra, në faljen e namazit dhe bërjen e kurbanit, do të jetë i tillë edhe në adhurimet e tjera. Çdo gjë që merr robi në këtë jetë dhe pas vdekjes është vetëm në dorën e Allahut, Zotit të botëve, prandaj dhe vetëm Atij i dedikohen ato.

Al-An'aam 6:162Listen in Qur'an →
163

لَا شَرِيكَ لَهُۥ ۖ وَبِذَٰلِكَ أُمِرْتُ وَأَنَا۠ أَوَّلُ ٱلْمُسْلِمِينَ

Për, të s’ka shoq; dhe kjo më është urdhëruar dhe unë jam i pari musliman”.

“Ai është i Pashoq.” -Ashtu sikurse Allahu është i Pashoq, i Vetëm dhe Absolut në zotërimin, krijimin administrimin dhe përkujdesjen e Tij për krijesat, ashtu është dhe duhet të trajtohet si i vetëm edhe në aspektin e meritës së adhurimit që krijesat duhet t’ia përkujshtojnë Atij. Ky sinqeritet që duhet treguar ndaj Zotit në adhurimet përkushtuar Atij nuk është një shpikje nga ana ime dhe diçka e panjohur më parë, por është urdhër dhe porosi e Zotit dhënë të gjithë popujve të mëparshëm nëpërmjet profetëve të tyre.“Për këto jam urdhëruar dhe unë jam i pari i atyre që i nënshtrohen Atij.” -Këto janë urdhra të cilët nuk lejohet në asnjë mënyrë që t’u shmangesh dhe t’i shpërfillësh. Ndërsa unë jam i pari i të bindurve dhe i të nënshtruarve ndaj Zotit, domethënë i muslimanëve, për sa i përket këtij umeti.

Al-An'aam 6:163Listen in Qur'an →
164

قُلْ أَغَيْرَ ٱللَّهِ أَبْغِى رَبًّۭا وَهُوَ رَبُّ كُلِّ شَىْءٍۢ ۚ وَلَا تَكْسِبُ كُلُّ نَفْسٍ إِلَّا عَلَيْهَا ۚ وَلَا تَزِرُ وَازِرَةٌۭ وِزْرَ أُخْرَىٰ ۚ ثُمَّ إِلَىٰ رَبِّكُم مَّرْجِعُكُمْ فَيُنَبِّئُكُم بِمَا كُنتُمْ فِيهِ تَخْتَلِفُونَ

Thuaj: “A mos vallë do të kërkojë unë tjetër zot, përveç Allahut, kur Ai është Zot i të gjithave? Kushdo që punon diçka, punon për vete, dhe askush nuk ngarkohet me barrën e tjetrit. Pastaj do të ktheheni te Zoti juaj, dhe Ai do t’ju informojë për atë që keni qenë në konflikt.

Thuaj: “A të kërkoj tjetër zot veç Allahut, kur Ai është Zoti i gjithçkaje?!” -E si mund të pritet prej meje që të zgjedh ndonjë krijesë si zot, si kujdestar për mua dhe të cilit t’ia besoj të gjitha çështjet e mia? E si mund ta bëj këtë, kur Allahu është Krijuesi i të gjitha krijesave dhe të gjithë janë nën përkujdesin dhe sundimin e Tij, kur të gjithë i janë nënshtruar ligjit të Tij? Kështu, është detyrë për mua dhe për të gjitha krijesat që, si Zot të tyre, që ka në dorë sundimin dhe përkujdesjen për krijesat, që ka të drejtën për të vendosur ligjin mbi ta dhe për t’i marrë në përgjegjësi, të konsiderojnë dhe besojnë vetëm Allahun e Madhëruar. Është detyrë për ta që të kënaqen me Allahun si Zotin e tyre, dhe jo me krijesat e dobëta, të varfra, të pafuqishme dhe të nënshtruara nga Zoti i Madhërishëm. Në vijim, i Lartësuari paralajmëron dhe inkurajon njerëzit për t’iu larguar ligësive dhe për të bërë mirë, duke u përmendur ligjin e shpërblimit dhe shpagimit nga Ai, që është i Gjithëdituri.“Secilit i rëndon e keqja e vet dhe askush nuk do ta mbartë barrën e tjetrit.” -Çdo vepër, e mirë apo e keqe qoftë, do të shënohet veçse në llogarinë e atij që e ka bërë dhe askush nuk do të jetë përgjegjës për veprat e tjetërkujt. Kjo i ngjan thënies tjetër të Allahut të Madhëruar: “Kush bën mirë, bën mirë për veten e vet e kush bën keq, ai vepron kundër vetes së vet. Zoti yt nuk u bën padrejtësi robërve .” [Fussilet 46]. Çdokush do të bartë në shpinë vetëm barrën e punëve të tij. Gjithashtu, edhe ai që është bërë shkaktar për veprimin e të këqijave nga një tjetër do të bartë në shpinë barrën e asaj që ka shkaktuar, duke mos i pakësuar asgjë atij që i ka vepruar me zgjedhjen e vet të lirë.“Kthimi juaj është te Zoti juaj. Ai do t’jua tregojë të vërtetën e asaj për të cilën kundërshtoheshit.” -Ditën e Kijametit të gjithë do të ktheheni tek Allahu i Gjithëditur dhe i Urtë dhe Ai do t’ju paraqesë të gjitha kundërshtitë mes jush, për qëndrimet e drejta dhe ato të padrejta, për veprat e mira dhe ato të këqija, duke shpërblyer secilin me meritë.

Al-An'aam 6:164Listen in Qur'an →
165

وَهُوَ ٱلَّذِى جَعَلَكُمْ خَلَٰٓئِفَ ٱلْأَرْضِ وَرَفَعَ بَعْضَكُمْ فَوْقَ بَعْضٍۢ دَرَجَٰتٍۢ لِّيَبْلُوَكُمْ فِى مَآ ءَاتَىٰكُمْ ۗ إِنَّ رَبَّكَ سَرِيعُ ٱلْعِقَابِ وَإِنَّهُۥ لَغَفُورٌۭ رَّحِيمٌۢ

Ai bën që ta ndërroni njëri-tjetrin në Tokë dhe Ai ju ngritë nëpër pozita disa nga ju mbi të tjerët, për t’ju provuar për atë që ju ka dhënë. Me të vërtetë, Zoti yt, është i shpejtë në dënim, por me të vërtetë, është edhe falës e mëshirues.

“Është Ai që ju ka bërë zëvendësues(të njëri-tjetrit)në Tokë....” -Allahu ju ka vendosur në tokë, në mënyrë të tillë që një brez i ri të zëvendësojë një brez të vjetër, dhe kështu të vazhdoni të jeni zëvendësues të njëri-tjetrit, deri në afatin e caktuar për fundin e kësaj bote. Allahu i Madhëruar ju ka vendosur në këtë tokë dhe ju sprovon në të, për të parë se si do të veproni.“...Ai i ka ngritur disa nga ju në një shkallë më lart se të tjerët, për t’ju sprovuar në atë që ju ka dhënë.” -Ai dalloi disa njerëz mbi disa të tjerë në drejtim të fuqisë, shëndetit, bukurisë, moralit e në shumë aspekte të tjera. Këto ndryshime i bëri për t’ju sprovuar me ato që ju ka dhuruar dhe që ka përcaktuar për ju. Kështu do të ndryshojnë edhe veprat tuaja dhe ju do të merreni në përgjegjësi për çfarëdo gjëje që bëni në këtë botë sprove. Asnjëherë mos harroni, por gjithmonë kujtoni se:Allahu është Ndëshkues i shpejtë por Ai është edhe Falës i Madh e Mëshirëplotë. -Allahu është ndëshkues i ashpër për ata që nuk i binden dhe që refuzojnë porositë e Tij. Por Ai është Falës e Mëshirëplotë për ata që e besojnë ashtu si duhet, që bëjnë vepra të mira sipas këtij besimi dhe që pendohen sinqerisht për çdo gjynah shkatërrimtar. Këtu përfundon tefsiri i sures En’am. Vetëm Allahut i takon falënderimi, lavdia e plotë dhe mirënjohja e thellë. Paqja, bekimet dhe mëshira e Allahut të Madhëruar qoftë mbi Muhamedin (a.s.)., familjen e tij, shokët e tij dhe pasuesit e rrugës së tij deri në Ditën e Gjykimit!

Al-An'aam 6:165Listen in Qur'an →

Commentary: Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di. Qur'an text and translation via AlQuran Cloud.