Muslim99Muslim99
← Tafsir library

6. Al-An'aam

The Cattle · Meccan · 165 ayahs

سُورَةُ الأَنۡعَامِ

Reading Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di

Ayahs 111–120 of 165

111

۞ وَلَوْ أَنَّنَا نَزَّلْنَآ إِلَيْهِمُ ٱلْمَلَٰٓئِكَةَ وَكَلَّمَهُمُ ٱلْمَوْتَىٰ وَحَشَرْنَا عَلَيْهِمْ كُلَّ شَىْءٍۢ قُبُلًۭا مَّا كَانُوا۟ لِيُؤْمِنُوٓا۟ إِلَّآ أَن يَشَآءَ ٱللَّهُ وَلَٰكِنَّ أَكْثَرَهُمْ يَجْهَلُونَ

Sikur atyre t’ju dërgonim engjëjt, dhe sikur t’i ngjallnim të vdekurit e t’ju flisnin atyre dhe t’i tubonin të gjithë dokumentet para tyre, ata përsëri nuk do të besoni; përveç në dashtë Zoti, por shumica e tyre nuk dinë.

Edhe sikur t'u dërgonim melekët, t'i bënim të vdekurit t'u flisnin atyre dhe t'i tubonim të gjitha gjërat para tyre, ata përsëri nuk do të besonin, nëse Allahu nuk do të donte. Por shumica e tyre nuk e dinë(të vërtetën). -Edhe sikur atyre t’iu paraqiteshin shenja të mëdha, si zbritja e melekëve në mënyrë të tillë që ata t’i shihnin haptazi, edhe sikur melekët t’u dëshmonin për vërtetësinë e Profetit dhe Shpalljes së tij, edhe sikur t’u flisnin të vdekurit, edhe sikur të ringjalleshin të gjithë para tyre e t’u flisnin drejtpërdrejt, për t’u treguar vërtetësinë e Profetit, të gjitha këto dhe çdo shenjë tjetër, sado e madhe qoftë, nuk do të bënte që ata të besonin, nëse Allahu nuk do ta mundësonte një gjë të tillë. Asgjë nuk mund të ndodhë pa lejen dhe vullnetin e Tij gjithëpërfshirës dhe të urtë, që çdo gjë e vendos në vendin e vet. Besimi nuk është fryt vetëm i njohjes dhe dëshmimit të fakteve dhe argumenteve. Është e vërtetë që ato janë të rëndësishme për të njohur, kuptuar dhe verifikuar të vërtetën, por për ta besuar atë, robi duhet ta dëshirojë me sinqeritet nga njëra anë, por, nga ana tjetër, edhe t’ia kërkojë suksesin dhe udhëzimin Allahut, me mënyrat dhe rrugët që Ai i ka sqaruar dhe i ka përcaktuar si mundësuese të udhëzimit. Robi duhet të punojë sipas diturisë dhe fakteve që i afrohen dhe t’i lutet e t’i mbështetet plotësisht Zotit të tij që ta ndihmojë e t’ia mundësojë që ta besojë të vërtetën dhe të nënshtrohet sipas saj. Ai duhet ta lusë Zotin që ta udhëzojë dhe të mos e lërë të mbështetet te vetja as sa pulitja e syve. Kjo është rruga e arritjes së besimit, e jo kërkimi i mrekullive të caktuara, i cili, siç kuptohet, nuk ka kurfarë dobie, por veçse dëm.

Al-An'aam 6:111Listen in Qur'an →
112

وَكَذَٰلِكَ جَعَلْنَا لِكُلِّ نَبِىٍّ عَدُوًّۭا شَيَٰطِينَ ٱلْإِنسِ وَٱلْجِنِّ يُوحِى بَعْضُهُمْ إِلَىٰ بَعْضٍۢ زُخْرُفَ ٱلْقَوْلِ غُرُورًۭا ۚ وَلَوْ شَآءَ رَبُّكَ مَا فَعَلُوهُ ۖ فَذَرْهُمْ وَمَا يَفْتَرُونَ

Si për ty ashtu edhe për çdo profet, Na kei krijuar armiq djajtë e njerëzve dhe të xhinëve, të cilët i flasin njëri-tjetrit fjalë të zbukuruara për t’i mashtruar. E, sikur të donte Zoti yt, ata nuk do të bënin atë; andaj, lëri ata dhe atë, që trillojnë ata –

Çdo Profeti Ne i bëmë armiq prej shejtanëve njerëz dhe xhinde ... -Duke dashur ta ngushëllojë Profetin e Tij, Allahu i Madhëruar i kujton rregullin e Tij të pandryshueshëm: profetët dhe pasuesit e të vërtetës gjithmonë do të kenë kundërshtarë e armiq, që do t’i luftojnë, qofshin ata prej njerëzve apo prej xhindëve. Ushtria e të kotës gjithmonë do të synojë luftimin e të vërtetës dhe pengimin e saj nga njëra anë, e shfaqjen e të kotës dhe përhapjen e saj nga ana tjetër.... që frymëzojnë njëri-tjetrin me fjalë të bukura e mashtrime. Sikur të donte Zoti yt, ata nuk do të vepronin ashtu, por ti lëri ata dhe trillimet e tyre! -Ata ia zbukurojnë njëri-tjetrit të kotën që pasojnë dhe i joshin të tjerët për ta pasuar atë. Rrugën e tyre të kotë e paraqesin me pamjet më të bukura. Në këtë mënyrë, ata mashtrojnë të metët dhe mendjelehtët, të cilët nuk e kuptojnë drejt realitetin. Ata nuk i kuptojnë gjërat ashtu si duhet dhe gënjehen nga xhingla të vogla. Ata mahniten nga fjalët e bukura e të fryra, pa vënë në përdorim logjikën, për të parë te thelbi. Ata e shohin të vërtetën si mashtrim, ndërsa mashtrimin e konsiderojnë si e vërteta, që duhet pasuar. Por, sikurse thotë i Lartësuari, këto trillime i pasojnë veçse mendjelehtët dhe ata që synojnë thjesht këtë botë dhe kënaqjen e epsheve të tyre:

Al-An'aam 6:112Listen in Qur'an →
113

وَلِتَصْغَىٰٓ إِلَيْهِ أَفْـِٔدَةُ ٱلَّذِينَ لَا يُؤْمِنُونَ بِٱلْءَاخِرَةِ وَلِيَرْضَوْهُ وَلِيَقْتَرِفُوا۟ مَا هُم مُّقْتَرِفُونَ

e që zemrat e atyre që nuk besojnë në Ditën e Kijametit, ta kthehen dhe të kënaqen me të, e le të fitojnë çka të fitojnë (prej mëkateve).

Le të anojnë andej(në mashtrim)zemrat e atyre që nuk besojnë në botën e ardhshme dhe le të kënaqen me të (mosbesimin) e të ngarkohen me ato(gjynahe)që janë duke u ngarkuar. -Fjalët dhe ftesat e tyre të zbukuruara i dëgjojnë veçse zemrat e atyre që nuk besojnë ahiretin. Zemrat e tyre nuk e njohin të mirën dhe nuk gjykojnë drejt, prandaj anojnë drejt ftesave të kota. Pasi i dëgjojnë ato ftesa të zbukuruara, ata fillojnë t’i pëlqejnë dhe t’i zbatojnë. Nëse vazhdojnë kështu, ato ua pushtojnë zemrën, duke iu kthyer në besim të patundur. Pasimi i të kotës bëhet cilësi e pandashme e tyre. Dëgjimi, pëlqimi dhe kënaqësia që ata gjejnë me të kotën i bën më pas që të kryejnë ato punë që kryejnë: ligësi me fjalë dhe vepra. Kjo është gjendja e të mashtruarve, që pasojnë shejtanët njerëz dhe xhindë, duke iu përgjigjur ftesës së tyre. Ndërsa ata që e besojnë jetën tjetër dhe kanë zemër të ndriçuar e mençuri, ata nuk mashtrohen nga fjalët e fryra dhe të zbukuruara. Vullneti i tyre është që të zbulojnë të vërtetën. Ata e shqyrtojnë mirë ftesën që u drejtohet. Ata dëgjojnë fjalët dhe mendojnë për kuptimin e tyre. Nëse janë të vërteta dhe bazohen në të vërtetën, ata i pranojnë, edhe sikur të mos jenë shprehje aq të fryra e të zbukuruara, edhe sikur të mbulohen nga fyerjet e shpifjet e të tjerëve. Por nëse ftesa është e kotë dhe e gabuar që në origjinën e saj, ata e refuzojnë, kushdo qoftë ftuesi, edhe nëse ajo është e stolisur me shprehjet më të bukura, më të ëmbla dhe më të buta. Prej urtësisë së Allahut është edhe fakti që Ai dëshiroi dhe përcaktoi që, ashtu si profetët kanë pasuesit e tyre, që ndihmojnë e luftojnë për të vërtetën, po ashtu edhe e liga të ketë ushtarët e saj, të cilët luftojnë profetët, shpalljet e Zotit dhe pasuesit e tyre. Në këtë mënyrë sprovohen njerëzit dhe dallohen të sinqertët nga gënjeshtarët, të mençurit nga injorantët e mendjelehtët, ata që shohin nga të verbërit. Në luftën mes të mirës dhe të keqes shfaqet edhe një urtësi tjetër e Allahut: e vërteta qartësohet edhe më shumë, ashtu sikurse edhe faktet që mbështesin të vërtetën bëhen më të dukshme. Gjithashtu, e kota kuptohet si e tillë, ashtu si kuptohet edhe kotësia e “argumenteve” që mbështesin atë. Kjo është një mirësi shumë e madhe. Qartësimi i të vërtetës dhe argumenteve të saj dhe luftimi i të kotës dhe trillimeve të saj ishte dhe është një nga synimet më të larta dhe veprat më të shpërblyeshme, për të cilën kanë garuar ata që lakmojnë gradat e larta te Zoti i Madhëruar.

Al-An'aam 6:113Listen in Qur'an →
114

أَفَغَيْرَ ٱللَّهِ أَبْتَغِى حَكَمًۭا وَهُوَ ٱلَّذِىٓ أَنزَلَ إِلَيْكُمُ ٱلْكِتَٰبَ مُفَصَّلًۭا ۚ وَٱلَّذِينَ ءَاتَيْنَٰهُمُ ٱلْكِتَٰبَ يَعْلَمُونَ أَنَّهُۥ مُنَزَّلٌۭ مِّن رَّبِّكَ بِٱلْحَقِّ ۖ فَلَا تَكُونَنَّ مِنَ ٱلْمُمْتَرِينَ

Vallë, të kërkojë tjetër arbitër përveç Perëndisë, e Ai është që ju ka zbritur Librin (Kur’anin) e shpjegueshëm. Atyre që Ne ua kemi dhënë Librin (para jush), e dinë se ai (Kur’ani) është me të vërtetë i zbritur nga Zoti yt. Dhe, kurrsesi mos u bënë nga ata që dyshojnë!

Vallë, a të kërkoj gjykatës tjetër veç Allahut, ... -Thuaju, o i Dërguar: Vallë, a të kërkoj ligjvënës më të mirë se Allahu i Madhëruar? Ai është Ligjvënësi më i drejtë. Ai ka të drejtën që të vendosë ligjet, ndërsa ne jemi të urdhëruar që të zbatojmë urdhrat e Tij dhe t’u largohemi ndalesave të Tij. Vetëm Ai është Ligjvënësi, kurse të gjithë të tjerët janë të nënshtruar e të detyruar të zbatojnë ligjet e Tij. Çdo ligj i vendosur nga krijesat është i destinuar të jetë i mangët, i dëmshëm, i cekët dhe i padrejtë. I vetmi që meriton të merret si ligjvënës është Zoti, i Cili është i Vetmi, i Pashoq e i Pashembullt. Vetëm Atij i takon krijimi dhe vendosja e ligjit, dhe vetëm Ai merr në përgjegjësi dhe shpërblen për zbatimin ose jo të tij....kur është Ai që jua zbriti Librin qartësues? -Allahu e bëri Librin e Tij mufeŝ-ŝalen, domethënë sqarues dhe qartësues të hallallit dhe haramit, të dispozitave të Sheriatit, të themeleve të fesë e të degëzimeve të saj. Nuk ka fjalë më qartësuese sesa Fjala e Tij e nuk ka argument më të ëmbël e më të bukur sesa argumentet e Tij. Nuk ka gjykues e ligjërues më të mirë se Allahu e më fjalëmirë se Ai. Ligjet e Tij janë garantuese të çdo mirësie dhe siguruese nga çdo e keqe. Ato përmbajnë urtësinë e plotë dhe mëshirën e gjerë dhe të pashembullt. Edhe ithtarët e librave të shkuar, jehudët e të krishterët, e dinë shumë mirë këtë fakt, edhe pse e fshehin, siç thotë i Lartësuari:Ata të cilëve u kemi dhënë Libër, e dinë mirë se ai(Kur'ani)është zbritur prej Zotit tënd me të vërtetën. Prandaj mos u bëj prej atyre që dyshojnë! -Çfarë thuhet në Libër është e vërtetë dhe e sigurt, prandaj të mos kesh asnjë dyshim rreth saj. Pastaj i Madhëruari përshkruan me hollësi madhështinë e Shpalljes së Tij, duke thënë:

Al-An'aam 6:114Listen in Qur'an →
115

وَتَمَّتْ كَلِمَتُ رَبِّكَ صِدْقًۭا وَعَدْلًۭا ۚ لَّا مُبَدِّلَ لِكَلِمَٰتِهِۦ ۚ وَهُوَ ٱلسَّمِيعُ ٱلْعَلِيمُ

U plotësuan fjalët e Zotit tënd, që janë kulmi, i së vërtetës dhe i drejtësisë; fjalët e Tij askush nuk mund t’i ndryshojë. Ai dëgjon çdo gjë dhe di çdo gjë.

Fjala e Zotit tënd është plot vërtetësi dhe plot drejtësi. -Shpallja e Zotit është ŝâdiķa - e vërtetë në lajmet që sjell, si edhe adlâ- e drejtë në urdhrat dhe ndalesat që ligjëron. Nuk ka fjalë më të vërtetë se fjalët e Allahut në këtë Libër madhështor dhe nuk ka drejtësi më të madhe se sa urdhrat dhe ndalesat e Tij.Askush nuk mund t'i ndryshojë Fjalët e Tij. -Është Allahu që e ruan fjalën e Tij në gradën më të lartë të vërtetësisë, drejtësisë e sigurisë. Askush tjetër nuk mund të sjellë fjalë më të mirë sesa Fjala e Tij. Askush nuk mund të ndryshojë e tjetërsojë Librin e Allahut. Është Ai vetë që e ka marrë përsipër ta ruajë atë.Ai dëgjon dhe sheh gjithçka. -Allahu i dëgjon të gjitha zërat, me gjuhët e ndryshme dhe me nevoja të ndryshme. Allahu është gjithashtu El Alim - i Gjithëditur. Dija e Tij ka përfshirë çdo gjë të shfaqur apo të fshehur, të shkuar, të tashme apo të ardhme.

Al-An'aam 6:115Listen in Qur'an →
116

وَإِن تُطِعْ أَكْثَرَ مَن فِى ٱلْأَرْضِ يُضِلُّوكَ عَن سَبِيلِ ٱللَّهِ ۚ إِن يَتَّبِعُونَ إِلَّا ٱلظَّنَّ وَإِنْ هُمْ إِلَّا يَخْرُصُونَ

nëse i përulesh shumicës së njerëzve që gjenden në tokë; ata do të të shmangin nga rruga e Zotit. Ata ndjekin vetëm hamendjet. Ata vetëm gënjejnë.

Allahu i Lartësuar e këshillon Profetin e Tij që të jetë i kujdesshëm dhe të mos i bindet shumicës së njerëzve, të cilët janë të humbur e të devijuar, sepse:Në qoftë se u bindesh shumicës në tokë, ata do të të devijojnë nga rruga e Allahut. Ata ndjekin veçse supozime dhe nuk bëjnë gjë tjetër, por veçse gënjejnë. -Shumica e njerëzve kanë devijuar nga rruga e drejtë, për sa i përket fesë, punëve dhe njohurive të tyre mbi Zotin. Fetë dhe besimet e tyre janë të prishura e të devijuara, veprat i bëjnë sipas dëshirave të tyre, ndërsa njohuritë e tyre për Zotin nuk janë mbi themele të sigurta, prandaj dhe nuk mund të të udhëzojnë në rrugën e drejtë. E shumta që mund të thuhet është se ata thjesht ndjekin hamendësime, të cilat kurrsesi nuk mund të quhen dituri e sigurt. Ata thonë për Allahun dhe fenë e Tij gjëra për të cilat nuk kanë dituri dhe informacion të sigurt. Atëherë, duke qenë një gjendje e tillë, është plotësisht e drejtë dhe me vend që Allahu i Madhëruar t’i këshillojë robërit e Tij që të ruhen dhe të jenë të kujdesshëm prej këtyre të humburve, që të devijojnë nga rruga e drejtë. Është plotësisht e drejtë dhe e dobishme që Allahu i Urtë të përshkruajë cilësitë dalluese të këtyre të mjerëve. Edhe pse këto fjalë i drejtohen Profetit a.s, dihet se Profeti është shembulli më i mirë për umetin e tij në zbatimin e dispozitave, përveç atyre që janë specifike për Profetin a.s, të cilat janë sqaruar. Nuk ka dyshim që Allahu është më Fjalëdrejti e më Fjalëvërteti. Më pas, Allahu i Madhëruar thotë:

Al-An'aam 6:116Listen in Qur'an →
117

إِنَّ رَبَّكَ هُوَ أَعْلَمُ مَن يَضِلُّ عَن سَبِيلِهِۦ ۖ وَهُوَ أَعْلَمُ بِٱلْمُهْتَدِينَ

Me të vërtetë, Zoti yt i njeh më së miri ata që i shmangen rrugës së Perëndisë, dhe Ai i di më së miri ata që janë në rrugë të drejtë.

Zoti yt e di më së miri se kush është larguar nga rruga e Tij dhe Ai e di më së miri se cilët janë të udhëzuarit. -Allahu është më i ditur se kush është i udhëzuar dhe udhëzues në rrugën e drejtë, prandaj është detyrë për ju, o besimdrejtë, që t’i dëgjoni me kujdes këshillat dhe udhëzimet e Tij, t’i përkushtoheni me pastërti zbatimit të urdhërave e largimit nga ndalesat e Tij. Allahu është më i dituri për atë që është në dobinë tuaj dhe më i mëshirshëm për ju sesa ju për veten tuaj. Nga ky ajet kuptojmë se për të dëshmuar se cila është e vërteta nuk mjafton fakti që atë e mbështet shumica. Me fjalë të tjera, shumica e pasuesve të një çështjeje jo domosdoshmërisht tregon për saktësinë dhe drejtësinë e çështjes që ata pasojnë, ashtu sikurse pakica e pasuesve të një çështjeje nuk tregon se ajo është jo e drejtë dhe jo e vërtetë. Madje mund të thuhet me bindje e kundërta. Pasuesit e të vërtetës janë më të pakët në numër, por janë më të mëdhenjtë dhe më të dashurit tek Allahu i Madhëruar, më të zgjedhurit dhe merituesit e shpërblimeve të Tij të mëdha. Mënyra e drejtë për të gjykuar e vlerësuar të vërtetën dhe të kotën është duke analizuar dhe vlerësuar rrugët që të çojnë në secilin përfundim.

Al-An'aam 6:117Listen in Qur'an →
118

فَكُلُوا۟ مِمَّا ذُكِرَ ٱسْمُ ٱللَّهِ عَلَيْهِ إِن كُنتُم بِـَٔايَٰتِهِۦ مُؤْمِنِينَ

Hani atë, që gjatë therrjes është përmendur emri i Perëndisë, nëse jeni besimtarë të dokumenteve të Tij.

Hani vetëm atë mish gjatë therjes së të cilit është përmendur emri i Allahut, nëse vërtet jeni besimtarë të shpalljeve të Tij. -Allahu i Lartësuar i urdhëron robërit e Tij besimtarë që të punojnë ashtu siç ua kërkon imani i tyre. Kështu, nëse ata janë vërtet besimtarë, atëherë të hanë vetëm nga ato bagëti e kafshë të lejuara, të cilat janë therur duke u përmendur emri i Allahut, domethënë me “bismilah”. Është tregues i imanit që të pohosh dhe të besosh që ato janë hallall, ndryshe nga ç’veprojnë injorantët, të cilët bëjnë haram shumë gjëra që Zoti i ka bërë hallall. Sigurisht që ato janë shpikje të mendjes së tyre. Këto poshtërsi shkaktohen gjithashtu edhe nga përpjekjet e shejtanëve për t’i devijuar të tjerët nga rruga e Allahut. Kështu, Allahu i Lartësuar e përmend si shenjë të besimit kundërshtimin e injorantëve në të tilla zakone të shëmtuara, të cilat synojnë të ndryshojnë dhe tjetërsojnë ligjin e Tij.

Al-An'aam 6:118Listen in Qur'an →
119

وَمَا لَكُمْ أَلَّا تَأْكُلُوا۟ مِمَّا ذُكِرَ ٱسْمُ ٱللَّهِ عَلَيْهِ وَقَدْ فَصَّلَ لَكُم مَّا حَرَّمَ عَلَيْكُمْ إِلَّا مَا ٱضْطُرِرْتُمْ إِلَيْهِ ۗ وَإِنَّ كَثِيرًۭا لَّيُضِلُّونَ بِأَهْوَآئِهِم بِغَيْرِ عِلْمٍ ۗ إِنَّ رَبَّكَ هُوَ أَعْلَمُ بِٱلْمُعْتَدِينَ

E pse mos ta hani ate që është therrë në emër të Perëndisë, e Ai ju ka shpjeguar ç’është e ndaluar, - përveç se kur jeni në shtrënges. ë shumë prej tyre nga padia, i shmangin ata prej udhës së mbarë për kënaqësinë e vet. Me të vërtetë, Zoti yt i njeh më së miri ata që e kanë kaluar kufirin.

E përse të mos e hani atë mish që është therur duke u përmendur emri i Allahut, kur Ai tashmë jua ka shpjeguar plotësisht atë që është e ndaluar për ju, përveçse kur jeni të detyruar(nga nevoja)?! -Nuk ka asnjë arsye që njeriu të privojë veten nga konsumimi i kafshëve të lejuara që theren me “bismilah”, sepse Allahu i Lartësuar i ka qartësuar plotësisht robërit e Tij se çfarë u ka bërë haram, duke mos lënë asnjë hije. Ata nuk kanë pse të privojnë veten nga ato gjëra që Zoti i ka bërë të lejuara, të dobishme, të pastra dhe të mira. Ajeti tregon qartë se çdo ushqim, pije apo çdo gjë tjetër në origjinë është e lejuar. Nëse nga feja nuk ka ndonjë tregues se diçka është e ndaluar, atëherë ajo mbetet në origjinën e saj, pra, është e lejuar. Me fjalë të tjera, çdo gjë për të cilën Sheriati nuk ka përcaktuar gjykim, ajo është e lejuar dhe trajtohet si e tillë, sepse Allahu i Lartësuar e ka qartësuar haramin për robërit e Tij. Megjithatë, në raste domosdoshmërie, Allahu i Lartësuar e ka lejuar edhe haramin. Në suren Maide, ajeti 3, Allahu i Lartësuar thotë: “Haram janë për ju: të ngordhurat, gjaku, mishi i derrit, ajo kafshë që theret jo në emrin e Allahut, ajo që është mbytur me lak në fyt, ajo që është vrarë me goditje, ajo që është rrëzuar nga lartësitë, ajo që është shpuar, ajo që është ngrënë nga egërsirat, përveç asaj që arrini ta therni, ajo që është therur për idhuj dhe që ta kërkoni fatin me short. Të gjitha këto janë gjynah (e të ndaluara nga Zoti). Sot u dëshpëruan ata që mohuan dhe humbën çdo shpresë që t'ju largojnë prej fesë suaj. Mos i kini frikë ata, por më kini frikë vetëm Mua! Sot e përsosa fenë tuaj për ju, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj. Kush detyrohet nga uria, duke mos e tepruar dhe duke mos pasur qëllim gjynahun, Allahu është Falës i Madh e Mëshirëplotë.” Më pas, Allahu i Lartësuar na urdhëron që të ruhemi nga shumë njerëz dhe nga rreziku që vjen prej tyre:Vërtet, të shumë janë ata që, me dëshirat e tyre të shfrenuara, i devijojnë të tjerët nga e vërteta, duke mos pasur aspak dituri. Pa dyshim, Zoti yt i di më së miri ata që i shkelin kufijtë. -Këta njerëz janë shumë të rrezikshëm, sepse ata janë të prirur të pasojnë dëshirat e tyre të shfrenuara dhe nuk bazohen në asnjë lloj diturie për rrugët e humbjes në të cilat ftojnë. Kujdes nga këta lloj njerëzish! Shenja dalluese e tyre, ashtu sikurse ua përshkruan Allahu robërve të Tij, është se ftesa e tyre nuk është e mbështetur në argumente të qarta dhe ata nuk kanë fakte të konsideruara si të vërteta nga Ligji i Zotit. Ajo çka ata paraqisin janë thjesht hamendësime, hipoteza të prodhuara nga dëshirat e tyre të prishura dhe arsyetimet e tyre të mangëta. Ata janë armiqtë dhe urryesit më të përbetuar të Shpalljes së Zotit. Ata janë kundërshtarët më të betuar të adhuruesve të Allahut, të cilët përhapin të mirën dhe fenë e drejtë. Por le ta dinë ata të mjerë se Allahu i Lartësuar nuk i do armiqtë e së vërtetës dhe të bartësve të saj. Ndryshe është gjendja e të udhëzuarve, që janë edhe udhëzues në rrugën e drejtë. Ata i ftojnë njerëzit në të vërtetën e padiskutueshme dhe në rrugën e drejtë, të sjellë nga Zoti nëpërmjet profetëve dhe shpalljeve …

Al-An'aam 6:119Listen in Qur'an →
120

وَذَرُوا۟ ظَٰهِرَ ٱلْإِثْمِ وَبَاطِنَهُۥٓ ۚ إِنَّ ٱلَّذِينَ يَكْسِبُونَ ٱلْإِثْمَ سَيُجْزَوْنَ بِمَا كَانُوا۟ يَقْتَرِفُونَ

Lëreni mëkatet e hapta dhe të fshehta. Se, me të vërtetë, ata që kanë bërë mëkate, do të ndëshkohen për atë që kanë gaguar.

Largohuni nga të gjitha gjynahet, si të haptat, ashtu edhe të fshehtat! Ata që bëjnë gjynahe do të ndëshkohen për atë që kanë bërë. -El ithm quhen të gjitha llojet e padrejtësive dhe gjynaheve ndaj Zotit, të cilat bëhen shkak për ndëshkimin e robit. Padrejtësitë mund të jenë ose ndaj Allahut të Lartësuar ose kundrejt robërve të Tij. Ato mund të kryhen haptas ose fshehtas. Allahu i Lartësuar i ndalon robërit e Tij që të kryejnë këto gjynahe, qofshin ato të hapta apo të fshehta, qofshin të kryera me trup e gjymtyrë, qofshin të kryera me zemër e shpirt. Robi mund të largohet nga gjynahet e dukshme dhe të fshehta vetëm pasi të ketë njohur mirë se cilat janë gjynahet që kryhen me trup dhe me zemër. Ai duhet ta kërkojë këtë dituri me këmbëngulje dhe seriozitet, që të kuptojë se cilët janë kufijtë e Allahut të Lartësuar dhe që të arrijë të qëndrojë brenda tyre. Njohja e kufijve të Allahut të Lartësuar, njohja e urdhrave dhe ndalesave të Tij, njohja e mjeteve, rrugëve dhe mënyrave se si plotësohen ato, është një detyrim për çdo rob të përgjegjshëm ligjërisht. Shumë njerëz nuk i njohin disa gjynahe, në mënyrë të veçantë ato gjynahet që kryhen nga zemra, si mendjemadhësia, vetëkënaqësia, syfaqësia hipokrizia etj. Ata mund të jenë të zhytur në këto gjynahe pa e kuptuar fare. Kjo dëshmon për paditurinë dhe pakujdesinë e tyre të madhe. Allahu i Lartësuar na tregon se ata të cilët kryejnë gjynahe të hapura apo të fshehura do të trajtohen ashtu sikurse e meritojnë, në varësi të gjynaheve të tyre, të pakta ose të shumta. Ky ndëshkim do t’u jepet në ahiret, por Allahu i Lartësuar mund t’ua japë edhe në dynja, që ata të lehtësohen nga gjynahet e tyre para se të shkojnë në jetën tjetër.

Al-An'aam 6:120Listen in Qur'an →

Commentary: Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di. Qur'an text and translation via AlQuran Cloud.