Muslim99Muslim99
← Tafsir library

5. Al-Maaida

The Table · Medinan · 120 ayahs

سُورَةُ المَائـِدَةِ

Reading Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di

Ayahs 71–80 of 120

71

وَحَسِبُوٓا۟ أَلَّا تَكُونَ فِتْنَةٌۭ فَعَمُوا۟ وَصَمُّوا۟ ثُمَّ تَابَ ٱللَّهُ عَلَيْهِمْ ثُمَّ عَمُوا۟ وَصَمُّوا۟ كَثِيرٌۭ مِّنْهُمْ ۚ وَٱللَّهُ بَصِيرٌۢ بِمَا يَعْمَلُونَ

Ata menduan se nuk do t’i gjejë kurrfarë dënimi, andaj ngelën të verbër dhe të shurdhët (nuk e panë drejtësinë). Pastaj, Perëndia ua pranoi pendimin tyre, e përsëri, u verbuan dhe u shurdhuan shumë nga ata; e Perëndia sheh mirë atë që punojnë ata.

Ata pandehnin se nuk do të mbanin asnjë përgjegjësi për këtë; prandaj ata u verbuan e u shurdhuan. -Të mjerët mendonin se poshtërsitë e tyre, mohimi dhe padrejtësia ndaj profetëve nuk do t’u shkaktonte ndonjë problem dhe nuk do të ndëshkoheshin. Kështu, ata vazhduan të zhyteshin thellë e më thellë në humbjen dhe në gjynahet e tyre, duke u verbuar e shurdhuar ndaj së vërtetës. Megjithatë, kur ata u penduan, i Madhëruari nuk ua humbi shpresat. Ai thotë:Pastaj Allahu ua pranoi pendimin. -Pra, pasi u penduan, Ai përsëri ua pranoi pendimin. Porta e pendimit ishte e hapur, por shumë shpejt shumica e tyre iu kthyen poshtërsive dhe shfrenimit. I Lartësuari na njofton për këtë kur thotë:por, më pas, shumë prej tyre mbetën të verbër e të shurdhër. -Pra, shumë prej tyre iu kthyen verbërisë dhe shurdhimit ndaj fakteve. Ata u zhytën sërish në krime dhe mosbindje. Vetëm një pakicë vazhdoi në rrugën e pendimit dhe të besimit të pastër ndaj Zotit. Por të pabindurit harruan diçka shumë të rëndësishme. Ata harruan që:Allahu sheh gjithçka që ata bëjnë. -Do të vijë dita kur Allahu do të shpërblejë gjithësecilin sipas punës së tij. Nëse ke vepruar mirë e me sinqeritet për Zotin, sipas porosive të Tij dhe të Profetit të Tij, do të shpërblehesh me të mira. Por nëse i ke shpërfillur porositë e Zotit dhe ke mohuar Profetin e Tij, duke bërë punë të këqija, do të përballesh me drejtësinë e të Plotpushtetshmit.

Al-Maaida 5:71Listen in Qur'an →
72

لَقَدْ كَفَرَ ٱلَّذِينَ قَالُوٓا۟ إِنَّ ٱللَّهَ هُوَ ٱلْمَسِيحُ ٱبْنُ مَرْيَمَ ۖ وَقَالَ ٱلْمَسِيحُ يَٰبَنِىٓ إِسْرَٰٓءِيلَ ٱعْبُدُوا۟ ٱللَّهَ رَبِّى وَرَبَّكُمْ ۖ إِنَّهُۥ مَن يُشْرِكْ بِٱللَّهِ فَقَدْ حَرَّمَ ٱللَّهُ عَلَيْهِ ٱلْجَنَّةَ وَمَأْوَىٰهُ ٱلنَّارُ ۖ وَمَا لِلظَّٰلِمِينَ مِنْ أَنصَارٍۢ

Me të vërtetë, kanë mohuar (të Vërtetën) ata që thonë: “Me siguri Perëndi është Mesihu – i biri i Merjemës! E, Mesihu tha: “O bijt e Israelit, adhuronie Perëndinë, që është Zoti im dhe Zoti juaj. Se, me të vërtetë, kush i ën shok Perëndisë, Perëndia ia ndalon atij Xhennetin dhe strehim i tij është zjarri. Dhe, për zullumqarët nuk ka ndihmëtarë.

Allahu i Madhëruar na njeh me mohimin e krishterëve, kur thonë fjalët e tmerrshme, se:Bëjnë kufër ata që thonë: “Allah është Mesihu, biri i Merjemes”. -Ata mendojnë se meqë Isai (a.s)nuk kishte baba biologjik, atëherë duhet të jetë bir i Zotit. Por ishte vetë Isai (a.s)ai që i ka kundërshtuar ata në këtë pretendim të kotë, kur thotë:Por Mesihu ka thënë: “O bijtë e Israilit! Adhurojeni Allahun, Zotin tim dhe Zotin tuaj!” -Pra, vetë Isai (a.s)e ka pohuar për veten se ishte tërësisht rob, krijesë e Allahut dhe adhurues i përkushtuar ndaj Tij. Ai e ka pranuar se Allahu është Zoti i gjithçkaje dhe çdo gjë tjetër është krijesë e Tij, e varfër dhe nevojtare ndaj Tij. Isai (a.s)gjithashtu ka thënë:Kushdo që adhuron zota të tjerë përveç Allahut, Allahu do t'ia ndalojë Xhenetin dhe Zjarri do të jetë vendbanimi i tij. Për keqbërësit nuk ka asnjë ndihmëtar. -Pra, çdokush që, veç Allahut, konsideron si Zot dhe të adhuruar ndonjë gjë tjetër, çfarëdo qoftë dhe kushdo qoftë, Isai (a.s)e çdokush tjetër, është i privuar nga Xheneti dhe vendin do ta ketë në zjarrin e Xhehenemit. Ky është një gjykim i drejtë për ata që kryejnë krimin më të madh, idhujtarinë, sepse ata barazojnë krijesën me Krijuesin. Këta ia kushtojnë adhurimet dikujt tjetër veç Allahut. Allahu i Madhëruar i krijoi që ta adhurojnë Atë si Një të Vetëm, pra, ta veçojnë Atë me adhurime, ndërsa ata ia kushtojnë adhurimet dikujt që nuk i meriton ato, një krijese. Për këtë arsye, ata meritojnë përjetësinë në Zjarr. Të padrejtët kurrë nuk do të gjejnë shpëtim dhe askush nuk do të mund t’i ndihmojë ata të shpëtojnë nga ndëshkimi apo t’ua lehtësojnë atë.

Al-Maaida 5:72Listen in Qur'an →
73

لَّقَدْ كَفَرَ ٱلَّذِينَ قَالُوٓا۟ إِنَّ ٱللَّهَ ثَالِثُ ثَلَٰثَةٍۢ ۘ وَمَا مِنْ إِلَٰهٍ إِلَّآ إِلَٰهٌۭ وَٰحِدٌۭ ۚ وَإِن لَّمْ يَنتَهُوا۟ عَمَّا يَقُولُونَ لَيَمَسَّنَّ ٱلَّذِينَ كَفَرُوا۟ مِنْهُمْ عَذَابٌ أَلِيمٌ

Me të vërtetë, u bënë mohues ata, që thonë: “Perëndia është njëri prej treve!” S’ka Zot tjetër përveç se një Zot! E, nëse nuk frenohen nga ato që thanë, me të vërtetë, ka për t’i goditë ata – mohuesit, dënimi pikëllues.

Bëjnë kufër ata që thonë: “Allahu është një nga të tre.”. -Kjo është njëra nga doktrinat e të krishterëve, madje doktrina themelore e tyre. Ata pretendojnë se Zoti është një trini, e përbërë nga tri pjesë: Zoti, Isai (Jezusi) dhe Merjemja (Maria). I Pastër dhe i Lartësuar është Allahu nga çdo mangësi me të cilën e përshkruajnë. Ky është argumenti më i qartë që tregon mendjelehtësinë dhe dobësinë e të menduarit të të krishterëve. Si mund të pranohen të tilla fjalë të shëmtuara për Zotin e qiejve dhe të tokës?! Si është e mundur të barazosh dhe ngatërrosh Krijuesin me krijesat?! Si nuk arrijnë të vërejnë dhe kuptojnë madhështinë dhe pushtetin e Zotit të botëve? Duke i kundërshtuar ata dhe çdo njeri tjetër të ngjashëm, Allahu i Madhëruar thotë:Nuk ka zot tjetër(që meriton adhurimet)përveç Një Zoti të vetëm. -Allahu ka çdo cilësi të plotë e absolute. Ai është i pastër nga çdo mangësi. Ai është i vetmi që krijon, administron dhe rregullon çështjet e krijesave. Çdo mirësi që u jepet krijesave vjen vetëm prej Allahut. Atëherë, si është e mundur që të adhurohet dikush tjetër veç Tij? I Lavdëruar dhe i Lartësuar qoftë Allahu i Madhëruar nga fjalët dhe shpifjet e shëmtuara, që trillojnë të padrejtët kriminelë! Pastaj, Allahu i Madhëruar i kërcënon ata duke thënë:Nëse nuk ndalen nga ajo që thonë, ata që nuk besojnë do t’i kapë një dënim i dhembshëm. -Ky kërcënim, normalisht, duhet të nxisë frikë-respekt ndaj të Madhërishmit dhe pendim tek Ai. Më pas, Allahu i Lartësuar i fton ata në pendim, duke u treguar se do t’ua pranojë atë. Ai thotë:

Al-Maaida 5:73Listen in Qur'an →
74

أَفَلَا يَتُوبُونَ إِلَى ٱللَّهِ وَيَسْتَغْفِرُونَهُۥ ۚ وَٱللَّهُ غَفُورٌۭ رَّحِيمٌۭ

E, përse ata nuk pendohen, (të kthehen te Perëndia) e të kërkojnë ndjesë nga Ai? Se, Perëndia, është falës dhe mëshirues.

Përse nuk pendohen tek Allahu dhe t’i kërkojnë falje Atij, kur dihet mirë se Allahu është Falës i madh dhe Mëshirëplotë? -Ata ftohen të kthehen të penduar në besimin e drejtë, duke e pranuar Allahun si të vetmin që meriton adhurimin dhe se Isai (a.s)ishte rob, krijesë dhe adhurues i Allahut, është thjesht Profeti i Tij. Ata ftohen të pendohen nga besimi i kotë që pasonin më parë dhe t’i kërkojnë falje Allahut për ato fjalë të turpshme dhe të padrejta. Nëse e bëjnë këtë, pra, nëse pendohen, ta dinë se Allahu është Falës i Madh e Mëshirëplotë. Ai i fal dhe i mbulon gjynahet e të penduarve, edhe sikur të kenë mbushur edhe kupën e qiellit. Ai i mëshiron të penduarit, duke ua pranuar pendimin dhe duke ua shndërruar veprat e këqija në vepra të mira. Shihni me kujdes se me çfarë fjalësh ua bën Allahu ftesën: me fjalët më të zgjedhura, që tregojnë dashuri, butësi e mëshirë. Ai nuk u thotë “Pendohuni!”, por u thotë: “ A nuk po pendohen...?” Bëni dallimin! Në vijim, Allahu i Madhëruar përshkruan natyrën e vërtetë të Isait (a.s)dhe nënës së tij, ashtu si ishin në të vërtetë:

Al-Maaida 5:74Listen in Qur'an →
75

مَّا ٱلْمَسِيحُ ٱبْنُ مَرْيَمَ إِلَّا رَسُولٌۭ قَدْ خَلَتْ مِن قَبْلِهِ ٱلرُّسُلُ وَأُمُّهُۥ صِدِّيقَةٌۭ ۖ كَانَا يَأْكُلَانِ ٱلطَّعَامَ ۗ ٱنظُرْ كَيْفَ نُبَيِّنُ لَهُمُ ٱلْءَايَٰتِ ثُمَّ ٱنظُرْ أَنَّىٰ يُؤْفَكُونَ

Mesihu – i biri i Merjemës, është vetëm Pejgamber, - edhe para tij kanë kaluar pejgamberë. Nëna e tij përherë ka qenë e drejtë. Që të dy, ngrënin ushqim. Shiko si ua shpjegojmë Ne atyre argumentet dhe shih si zmbrapsën ata (nga e Vërteta).

Mesihu, biri i Merjemes, qe veçse një i dërguar, ashtu siç pati edhe shumë të dërguar para tij. -Kjo është cilësia më e lartë që mund të ketë një njeri: Isai (a.s)ishte njëri nga të zgjedhurit e Zotit, që Ai i veçoi për t’i bërë profetë të zgjedhur të Tij. Në fakt, profetëve nuk u takon asgjë prej pushtetit të Zotit. Ata nuk kanë asnjë grimcë pushteti në dorën e tyre dhe asnjë të drejtë në vendosjen e ligjeve, përveç ligjeve që Zoti i urdhëroi të përcillnin te njerëzit. Isai (a.s)ishte i njëjtë me të gjithë profetët para tij dhe nuk kishte asnjë shkak dhe arsye që ta nxirrte atë nga natyra njerëzore në gradën e hyjnores. Zotërimi, mbretërimi dhe pushteti janë cilësi të Zotit, e po kështu edhe merita e adhurimit dhe përunjësisë ndaj Tij.Nëna e tij ishte e sinqertë. -Edhe për nënën e Isait a.s, kjo është e shumta që mund të thuhet. Ajo ishte e sinqertë, grada kjo më e lartë pas asaj të profetëve. Sinqeriteti është siguria në besim dhe kryerja e veprave të mira sipas kësaj sigurie, për të kënaqur Allahun e Madhëruar. Kjo është provë që dëshmon se Merjemja nuk ka qenë profete, por grada më e lartë që arriti ajo ishte siddikije - sinqeriteti. Mjafton kaq si nderim dhe mirësi për Merjemen. Po kështu, asnjë nga gratë e tjera të dalluara të botës nuk ka qenë profete, sepse Allahu i Madhëruar e caktoi profetësinë për llojin më të plotë të njerëzve, te burrat, sikurse thotë në këtë ajet: “Ne dërguam para teje si të dërguar vetëm se burra nga banorët e qyteteve, të cilët i pajisëm me shpallje.” [Jusuf 109]. Mesazhi i këtij ajeti është shumë i qartë: Nëse Isai (a.s)nuk kishte asnjë ndryshim nga gjithë profetët e tjerë dhe nëna e tij ishte thjesht një grua e sinqertë, atëherë përse të krishterët i konsiderojnë ata si zota, që meritojnë të adhurohen ashtu si Allahu?!Që të dy hanin ushqim. -Ky fakt është provë e qartë se ata ishin thjesht dy njerëz të varfër dhe nevojtarë, ashtu si çdo krijesë tjetër prej bijve të Ademit a.s. Ata kishin nevojë për ushqim e pije. Nëse do të ishin zota, nuk do të kishin nevojë për ushqim e pije, ose nuk do të kishin nevojë për asgjë, sepse Zoti i Madhëruar është dhe duhet të jetë i Pasur, Jonevojtar, i Lavdëruar dhe i Lartësuar nga mangësitë. Pasi Allahu i Madhëruar sjell këtë provë, thotë:Shih se si Allahu ua sqaron atyre argumentet e Tij! Shih pastaj se si ata ia kthejnë shpinën së vërtetës! -Kështu e qartëson Allahu i Madhëruar të vërtetën, kështu e zbardh dhe ndriçon atë, pa lënë asnjë grimë dyshimi rreth saj. Nëpërmjet këtyre fakteve dhe argumenteve, i Madhëruari mbjell sigurinë për të vërtetën e sjellë prej Tij. Por argumentet e Tij nuk u bëjnë dobi arrogantëve. Ata vazhdojnë të jenë të zhytur në mashtrimet dhe shpifjet e tyre. Kjo, pa dyshim, është thjesht kokëfortësi dhe padrejtësi nga ana e tyre.

Al-Maaida 5:75Listen in Qur'an →
76

قُلْ أَتَعْبُدُونَ مِن دُونِ ٱللَّهِ مَا لَا يَمْلِكُ لَكُمْ ضَرًّۭا وَلَا نَفْعًۭا ۚ وَٱللَّهُ هُوَ ٱلسَّمِيعُ ٱلْعَلِيمُ

Thuaju (o Muhammed!): “Vallë, a e adhuroni ju, përpos Perëndisë, atë që nuk është në gjendje t’u sjell dëm e as dobi?” E, Perëndia është Ai, që dëgjon dhe di çdo gjë.

Thuaju: A po adhuroni veç Allahut atë që nuk ka asnjë fuqi që t’ju sjellë as dëm e as dobi?! -Kuptimi: Thuaju atyre, o i Dërguar: Vallë, në vend të Zotit po adhurojnë krijesat, që janë nevojtare, të varfëra dhe që nuk kanë në dorë as dëm e as dobi?! Si adhuroni krijesat e dobëta dhe nevojtare, dhe e lini anash adhurimin e Zotit, që është i Vetmi që ka në dorë dobinë dhe dëmin, dhënien dhe privimin?!Allahu është Dëgjon e Di gjithçka. -Allahu është Dëgjues i të gjitha zërave, në të gjitha gjuhët e ndryshme dhe i të gjitha kërkesave e lutjeve. Ai është i dijshëm për ato që shfaqen dhe për ato që mbulohen, për të fshehtat dhe për të dukshmet, për çështjet e shkuara dhe ato të ardhme. Për këtë arsye, vetëm Allahu, që është me cilësi të plota, i meriton të gjitha adhurimet.

Al-Maaida 5:76Listen in Qur'an →
77

قُلْ يَٰٓأَهْلَ ٱلْكِتَٰبِ لَا تَغْلُوا۟ فِى دِينِكُمْ غَيْرَ ٱلْحَقِّ وَلَا تَتَّبِعُوٓا۟ أَهْوَآءَ قَوْمٍۢ قَدْ ضَلُّوا۟ مِن قَبْلُ وَأَضَلُّوا۟ كَثِيرًۭا وَضَلُّوا۟ عَن سَوَآءِ ٱلسَّبِيلِ

Thuaj: “O ithtarët e Librit! Mos kaloni kufirin në besimin tuaj, në kundërshtimin me të vërtetën dhe mos ndiqni pasionin e një populli, që qysh më parë patën humbur dhe kanë nxjerrë prej udhës së drejtë shumë njerëz dhe vetë janë shmangur nga udha e drejtë”.

Allahu i Lartësuar e porosit Profetin e Tij që t’u drejtohet ithtarëve të Librit me një këshillë të rëndësishme:Thuaju: “O ithtarë të Librit! Mos e teproni me fenë tuaj, duke dalë jashtë të vërtetës,...” -Kuptimi: Mos i kaloni kufijtë, mos kaloni nga e vërteta tek e kota, - sikurse vepruan në fakt me pretendimet e gabuara rreth Mesihut, apo edhe me madhërimin e udhëheqësve të tyre.“...dhe mos shkoni pas dëshirave të njerëzve para jush, që kanë humbur rrugën, kanë shkaktuar humbjen e shumë të tjerëve dhe që janë larguar shumë prej rrugës së drejtë”. -Kurrë mos ndiqni hapat e gabuara të njerëzve që devijuan nga e vërteta, madje devijuan nga e vërteta edhe shumë të tjerë, duke u dhënë një besim dhe fe të gabuar. Kështu, ata bënë njëherësh dy të këqija: devijimin e vetes dhe devijimin e të tjerëve. Këta janë udhëheqësit e ligësisë dhe të devijimit, prej të cilëve Allahu i Madhëruar na ka urdhëruar që të ruhemi dhe të mos i pasojmë. Kurrë nuk duhet të ndjekim dëshirat e shfrenuara dhe mendimet devijuese të tyre. Pastaj i Madhëruari thotë:

Al-Maaida 5:77Listen in Qur'an →
78

لُعِنَ ٱلَّذِينَ كَفَرُوا۟ مِنۢ بَنِىٓ إِسْرَٰٓءِيلَ عَلَىٰ لِسَانِ دَاوُۥدَ وَعِيسَى ٱبْنِ مَرْيَمَ ۚ ذَٰلِكَ بِمَا عَصَوا۟ وَّكَانُوا۟ يَعْتَدُونَ

U mallkuan ata nga bijtë e Israelit që ishin mohues, me gjuhën e Dautit dhe të Isait – të birit të Merjemës, për shkak se ishin të padëgjueshëm dhe ngase kishin kaluar kufirin:

Ata bij të Israilit që mohuan të vërtetën u mallkuan prej gjuhës së Daudit dhe Isait, birit të Merjemes. -Judejtë që mohuan të vërtetën u mallkuan, pra, u përjashtuan nga mëshira e Allahut. Dëshmia për këtë erdhi nga goja e Daudit dhe e Isait, të birit të Merjemes. Pra, për këtë dëshmuan këta dy profetë të mëdhenj, të cilët dëshmuan, gjithashtu, se e vërteta ishte shumë e qartë dhe e kuptueshme për atë popull, prandaj mohimi i tyre ishte me vetëdije të plotë. Ata thjesht u treguan mendjemëdhenj e armiqësorë. I Lartësuari i përmbledh arsyet e mallkimit të tyre në vijim:Ndodhi kështu, sepse ata kundërshtuan dhe e tepruan. -Ata nuk iu bindën Allahut në urdhrat dhe ndalesat e Tij dhe shkelën të drejtat e krijesave, të drejta të vendosura nga vetë Allahu. Këto vepra u bënë shkak që ata të meritonin ndëshkimin dhe të mallkoheshin. Pa dyshim, gjynahet dhe padrejtësitë sjellin ndëshkim të rëndë. Ndër gjynahet që u sollën atyre ndëshkimin, Allahu i Madhëruar përmend:

Al-Maaida 5:78Listen in Qur'an →
79

كَانُوا۟ لَا يَتَنَاهَوْنَ عَن مُّنكَرٍۢ فَعَلُوهُ ۚ لَبِئْسَ مَا كَانُوا۟ يَفْعَلُونَ

njëri-tjetrin nuk e pengonin nga veprat e këqija që punonin. E, sa të shëmtuara ishin veprat që punonin ata!

Ata nuk e ndalonin njëri-tjetrin nga të këqijat që bënin. Sa e shëmtuar ishte sjellja e tyre! -Ata nuk kryenin detyrimet e Zotit, por bënin harame dhe nuk e ndalonin njëri-tjetrin nga ato. Në këtë mënyrë, të gjithë ngarkoheshin me gjynahe: edhe vepruesit, edhe vëzhguesit, që nuk këshillonin, edhe pse e kishin mundësinë ta bënin. Kjo tregon për nënvlerësimin dhe shpërfilljen e madhe që u bënin ata çështjeve të besimit dhe të fesë së Zotit. Mosbindja ndaj Zotit shihej nga ata si diçka e vogël, që nuk meritonte shqetësim. Nëse në zemrat e tyre do të kishte respekt për të Madhëruarin, ata do të ndjenin sadopak keqardhje për shkeljen e kufijve të Tij, do të shqetësoheshin për zemërimin e Allahut. Heshtja dhe moskëshillimi, edhe kur është mundësia për ta kryer një gjë të tillë, është një vepër që meriton ndëshkim, sepse ajo sjell shumë e shumë të këqija. Heshtja ndaj veprave të ndaluara është gjynah dhe mosbindje ndaj Zotit, edhe nëse vetë nuk e kryen poshtërsinë që e sheh dhe e dëshmon. Ashtu sikurse është detyrë largimi nga haramet, edhe ndalimi i atyre që i kryejnë ato është detyrë. Heshtja shpreh mosinteresim dhe nënvleftësim të mosbindjes ndaj Allahut. Ajo tregon se ti nuk e sheh atë si problem dhe fatkeqësi të madhe. Po ashtu, moskëshillimi u jep kurajo dhe justifikim gjynahqarëve që t’i shtojnë veprat e këqija, sepse askush nuk i qorton dhe nuk ua tërheq vërejtjen atyre. Në këtë mënyrë, pra, përhapet më tepër e keqja, ndërsa fatkeqësitë e dynjasë dhe të fesë rëndohen. Njëkohësisht, kështu shtohen e fuqizohen edhe gjynahqarët, dhe me fuqizimin e tyre, dobësohen besimtarët, aq sa të mos përballen me të keqen dhe ithtarët e saj. Nëse do të veprojnë që në fillim, do të jetë më e thjeshtë dhe rezultative. Nga braktisja e urdhërimit për të mirë dhe ndalimit nga e keqja humbet dituria dhe përhapet injoranca. Nëse gjynahet veprohen lart e poshtë dhe askush prej të diturve nuk këshillon dhe as i ndalon, njerëzit do të fillojnë të mendojnë se këto gjynahe nuk janë më të ndaluara. Madje, ndonjë injorant mund ta paraqesë një haram, që është totalisht në kundërshtim me rrugën e Zotit e të Profetit a.s, si vepër të mirë apo si një adhurim. E ku ka poshtërsi më të madhe sesa të konsiderosh një haram, të cilin Zoti e ka ndaluar, si diçka të lejuar apo të pëlqyeshme dhe të mirë?! Kështu, realiteti tjetërsohet në zemrat e njerëzve, aq sa e vërteta shihet si e kotë dhe anasjelltas. Indiferenca ndaj gjynaheve bën që ato të zbukurohen në zemrat dhe mendjet e shumë njerëzve dhe, si rrjedhojë, të përhapen me shpejtësi, pasi njeriu e ka në natyrën e tij që të imitojë dhe të marrë shembull pjesëtarët e ngjashëm të shoqërisë ku jeton. Pikërisht për shkak të këtyre pasojave e shumë e shumë të tjerave, Allahu i Madhëruar e veçoi këtë lloj gabimi, duke e përmendur dhe duke i mallkuar ata që e kryen dhe u familjarizuan me të.

Al-Maaida 5:79Listen in Qur'an →
80

تَرَىٰ كَثِيرًۭا مِّنْهُمْ يَتَوَلَّوْنَ ٱلَّذِينَ كَفَرُوا۟ ۚ لَبِئْسَ مَا قَدَّمَتْ لَهُمْ أَنفُسُهُمْ أَن سَخِطَ ٱللَّهُ عَلَيْهِمْ وَفِى ٱلْعَذَابِ هُمْ خَٰلِدُونَ

Ti i sheh shumicën nga ata që miqësohen me mohuesit. Me të vërtetë, e shëmtuar ësthë ajo që i përgatisin ata vetes: që Perëndia të pezmatohet në ta dhe t’i dënojë përherë.

Ti e sheh që shumë prej tyre miqësohen me mohuesit. -Domethënë: U shprehin atyre dashurinë, afrimitetin e mbështetjen e plotë.Sa e keqe është ajo që kanë përgatitur ata për veten e tyre! Allahu është i zemëruar me ta dhe ata do jenë përjetësisht në ndëshkim. -Me ato vepra të shëmtuara dhe të dështuara, ata merituan zemërimin e Allahut, për shkak të të cilit zemërohet çdo gjë. Kështu, ata merituan përjetësinë në ndëshkimin e madh. Ata i bënë padrejtësi vetes së vet, duke i krijuar këtë përfundim dëshpërues. Ata i bënë padrejtësi vetes, duke e privuar nga mirësitë e përjetshme dhe të mrekullueshme në Xhenet.

Al-Maaida 5:80Listen in Qur'an →

Commentary: Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di. Qur'an text and translation via AlQuran Cloud.