Muslim99Muslim99
← Tafsir library

5. Al-Maaida

The Table · Medinan · 120 ayahs

سُورَةُ المَائـِدَةِ

Reading Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di

Ayahs 61–70 of 120

61

وَإِذَا جَآءُوكُمْ قَالُوٓا۟ ءَامَنَّا وَقَد دَّخَلُوا۟ بِٱلْكُفْرِ وَهُمْ قَدْ خَرَجُوا۟ بِهِۦ ۚ وَٱللَّهُ أَعْلَمُ بِمَا كَانُوا۟ يَكْتُمُونَ

E, kur ju erdhën ata juve, thanë: “Besojmë”, por ata hynë mohues dhe dolën mohues, e Perëndia e di mirë atë që fshehin ata.

Kur vijnë te ti, ata thonë: “Kemi besuar”. Por, në fakt, ata hyjnë me kufër dhe largohen me kufër. -Ata pretendojnë se janë besimtarë, ndërkohë vijnë e shkojnë me mosbesim. Ata thjesht janë mohues, edhe nëse pretendojnë se besojnë. Nuk ka në gjendje më të rëndë se këta të vetëmashtruar. Si nuk e kuptojnë këta të mjerë se:Allahu e di më së miri se çfarë fshehin ata. -Pra, Allahu i di shumë mirë veprat e tyre të shëmtuara, mosbesimin dhe hipokrizinë që fshihet në zemrat e tyre. Ai ka për të shpërblyer gjithësecilin sipas punës së bërë, e mirë apo e keqe qoftë. Më pas, Allahu i Madhëruar zbulon mangësitë e tyre, duke treguar kështu ndihmën dhe mbështetjen e Tij për besimtarët:

Al-Maaida 5:61Listen in Qur'an →
62

وَتَرَىٰ كَثِيرًۭا مِّنْهُمْ يُسَٰرِعُونَ فِى ٱلْإِثْمِ وَٱلْعُدْوَٰنِ وَأَكْلِهِمُ ٱلسُّحْتَ ۚ لَبِئْسَ مَا كَانُوا۟ يَعْمَلُونَ

Ti do t’i shohësh shumë nga ata që vrapojnë në mëkate, në armiqësi dhe në ngrënien e haramit. E, me të vërtetë, të këqija janë ato vepra!

Shumë prej tyre i sheh të nguten njëri me tjetrin në gjynahe, në armiqësi dhe në ngrënien e haramit. -Shumë prej tyre i sheh të babëzitur në poshtërsi dhe padrejtësi, qoftë në lidhje me detyrimet ndaj Krijuesit, qoftë në lidhje me detyrimet ndaj krijesave, duke u shfaqur atyre armiqësi dhe arogancë. Ata, gjithashtu, nuk ruhen nga ngrënia e pasurisë haram. Allahu i Madhëruar nuk thotë thjesht që ata kryejnë gjynahe, por thotë se ata nxitojnë të kryejnë gjynahe. Kjo tregon poshtërsinë, ligësinë dhe shëmtinë e shpirtit të tyre, që e dëshiron aq shumë padrejtësinë, edhe pse pretendojnë se qëndrojnë në nivele të larta.Sa e shëmtuar është sjellja e tyre! -Ky është një poshtërim për ta dhe për veprat e tyre të ndyra dhe të ndëshkueshme.

Al-Maaida 5:62Listen in Qur'an →
63

لَوْلَا يَنْهَىٰهُمُ ٱلرَّبَّٰنِيُّونَ وَٱلْأَحْبَارُ عَن قَوْلِهِمُ ٱلْإِثْمَ وَأَكْلِهِمُ ٱلسُّحْتَ ۚ لَبِئْسَ مَا كَانُوا۟ يَصْنَعُونَ

Sikur fetarët dhe dijetarët të mos i ndalonin ata, nga të folurit gënjeshtra dhe ngrënies së haramit, sa keq do të kishin punuar ata!

Përse, vallë, paria e tyre fetare(rabinët)nuk i ndal ata nga fjalët e tyre mëkatare dhe nga ngrënia e haramit?!” -Përse dijetarët, edukatorët dhe kleri nuk i ndalin ata nga krimet dhe gjynahet? Përse nuk i ndalin nga fjalët e këqija dhe ngrënia e pasurisë haram? Zoti i ka ngarkuar dijetarët që të ndihmojnë njerëzit me dijen që Ai u ka dhuruar, duke i udhëzuar tek e mira dhe duke i ndaluar nga të këqijat. Zoti i ka ngarkuar dijetarët që të largojnë prej njerëzve paditurinë, në mënyrë që askush të mos ketë më justifikim para Tij. Ata duhet të urdhërojnë për të mira, të ndalojnë nga të këqijat dhe t’u qartësojnë njerëzve porositë e Zotit të tyre. Ata duhet t’i nxisin njerëzit për të mirën dhe t’i qortojnë e paralajmërojnë që të mos u afrohen harameve.Sa i keq është qëndrimi i tyre! -Arsyeja është se ata nuk e kryejnë detyrën që iu është ngarkuar.

Al-Maaida 5:63Listen in Qur'an →
64

وَقَالَتِ ٱلْيَهُودُ يَدُ ٱللَّهِ مَغْلُولَةٌ ۚ غُلَّتْ أَيْدِيهِمْ وَلُعِنُوا۟ بِمَا قَالُوا۟ ۘ بَلْ يَدَاهُ مَبْسُوطَتَانِ يُنفِقُ كَيْفَ يَشَآءُ ۚ وَلَيَزِيدَنَّ كَثِيرًۭا مِّنْهُم مَّآ أُنزِلَ إِلَيْكَ مِن رَّبِّكَ طُغْيَٰنًۭا وَكُفْرًۭا ۚ وَأَلْقَيْنَا بَيْنَهُمُ ٱلْعَدَٰوَةَ وَٱلْبَغْضَآءَ إِلَىٰ يَوْمِ ٱلْقِيَٰمَةِ ۚ كُلَّمَآ أَوْقَدُوا۟ نَارًۭا لِّلْحَرْبِ أَطْفَأَهَا ٱللَّهُ ۚ وَيَسْعَوْنَ فِى ٱلْأَرْضِ فَسَادًۭا ۚ وَٱللَّهُ لَا يُحِبُّ ٱلْمُفْسِدِينَ

Hebrenjt thanë: “Dora e Perëndisë është koprrace!” Ju lidhshin duart atyre! – Dhe, qofshin të mallkuar për atë që thanë! Jo, duart e Tija janë të hapura. Ai dhuron dhe furnizon si të dojë. E, ajo që t’u ka shpallë ty nga Zoti yt, me të vërtetë, shumicës prej tyre, do t’ua shtojë (azganllëkun) dhe mohimin. Na, kemi shkaktuar në mes tyre armiqësi dhe urrejtje deri në Ditën e Kijametit. Kurdo që ata ndezin zjarrin e luftës, Perëndia e shuan atë. Ata përpiqen të shkaktojnë ngatërresa në Tokë. E Perëndia nuk i don ngatërrestarët.

Allahu i Lartësuar na tregon për fjalët e ulta dhe të shëmtuara të jehudëve dhe rreth besimit të tyre të turpshëm.Judejtë thanë: “Dora e Allahut është e shtrënguar! -Pra, ata shpifën, - Allahu i poshtëroftë! - duke thënë se dora e Allahut është e shtrënguar nga mirësitë, dhurimet dhe bujaria. I pastër është Allahu nga shpifjet e këtyre të mjerëve!Të shtrënguara qofshin duart e tyre dhe qofshin të mallkuar, për atë që thanë! -Ky është një mallkim kundër tyre, në përputhje të plotë me fjalët e ulta që ata thanë. Ata deklaruan paturpësisht për Allahun Bujar e Bamirës se koprracia është cilësi e Tij. Por Allahu i shpagoi ata, duke e bërë koprracinë cilësinë e tyre të pandashme. Kështu, ata u bënë njerëzit më dorështrënguar, më pak bamirës dhe më mendimkëqijtë për Allahun e Madhëruar. Ata u bënë njerëzit më të largët nga mëshira e Allahut, mëshirë e cila ka përfshirë çdo gjë, çdo vend mes botës së sipërme dhe të poshtme. I Madhëruari u kthen përgjigjen:Jo. Të dyja duart e Tij janë të shtrira dhe Ai shpenzon(nga mirësitë e tij)ashtu siç dëshiron. -Askush nuk mund ta pengojë Allahun e Madhëruar nga ajo që Ai dëshiron. Ai i ka shpërndarë gjithandej mirësitë e kësaj bote dhe mirësitë fetare, duke i urdhëruar robërit e Tij që t’i afrohen flladit të bujarisë dhe mëshirës së Tij. Allahu i Madhëruar i ka porositur ata që të mos ia mbyllin vetes portën e mirësive të Tij duke kryer gjynahe. Dy duart e Allahut të Madhëruar janë gjithmonë të shtrira; ato vetëm dhurojnë e dhurojnë, ditën dhe natën. Mirësitë e Tij derdhen pa reshtur mbi krijesat. Ai largon trishtimet, i dhuron pasuri të varfërit, çliron të robëruarin, qetëson zemrën e nevojtarit, i përgjigjet lutësit, strehon të pastrehin, i përgjigjet nevojtarit; madje, Allahu u dhuron mirësi edhe atyre që nuk i luten. Ai e ruan dhe e shëron atë që kërkon shërim dhe ruajtje. Ai nuk nxitohet të privojë nga mirësitë të pabindurit dhe gjynahqarët, pasi në mirësitë e Tij kullotin edhe kope të mira, edhe kope të këqija. Megjithatë, për të zgjedhurit dhe të dashurit e Tij, Ai ka veçuar mirësinë më të madhe. Atyre u ka dhënë sukses që të bëjnë punë të mira, për të cilat i lëvdon dhe ua atribuon atyre, edhe pse në fakt ato janë dhuratë nga bujaria e Tij. Më pas, Ai u jep shpërblime të shpejta, që në këtë dynja, dhe të mëvonshme, në ahiret. Ai u jep shpërblime, të cilat nuk është e mundur të shpjegohen dhe përshkruhen, madje as nuk mund të shkojnë nëpër mendjen e robit. Allahu i Madhëruar tregohet i butë dhe i kujdesshëm për ta në të gjitha çështjet e tyre, duke u ofruar çdo mirësi dhe u larguar çdo të keqe dhe, në të shumtën e rasteve, ata nuk e ndiejnë dhe kuptojnë ndihmën dhe butësinë e Tij. I Lartësuar dhe i Pastër nga çdo mangësi është Ai, i Cili është Dhuruesi i çdo mirësie për krijesat! Çdo mirësi që përjetojnë krijesat vjen vetëm prej Tij. Vetëm Atij i qahen dhe i drejtohen të gjithë për largimin e fatkeqësive dhe sprovave. Të shumta dhe të mrekullueshme janë begatitë e Atij, të Cilin askush nuk mund ta lëvdojë ashtu si i takon madhështisë së Tij. Ai është i lavdëruar ashtu sikurse e ka lavdëruar Veten e Vet. I Lartësuar qoftë Allahu, pa bujarinë dhe mirësinë e të Cilit krijesat nuk mund të durojnë asnjë çast …

Al-Maaida 5:64Listen in Qur'an →
65

وَلَوْ أَنَّ أَهْلَ ٱلْكِتَٰبِ ءَامَنُوا۟ وَٱتَّقَوْا۟ لَكَفَّرْنَا عَنْهُمْ سَيِّـَٔاتِهِمْ وَلَأَدْخَلْنَٰهُمْ جَنَّٰتِ ٱلنَّعِيمِ

E, sikur ithtarët e Librit të besonin dhe të ruhen nga mohimi, Ne do t’ua mbulonim atyre veprat e këqija dhe do t’i shpienim në kopshtet e kënaqësisë.

Sikur ithtarët e Librit të besonin dhe të ruheshin, Ne do t’ua shlyenim gjynahet dhe do t’i fusnim në kopshtet e mirësisë. -Kjo është bujaria dhe mirësia e madhe e Allahut të Lartësuar. Edhe pse më sipër Ai tregon besimin, fjalët dhe veprat e tyre të shëmtuara, përsëri i fton në pendim. Nëse ata e besojnë Allahun, melekët e Tij, të gjithë profetët e Tij, të gjitha shpalljet e Tij e ruhen nga gjynahet, Allahu i Madhëruar premton se do t’ua falë gjynahet e mbulojë të këqijat, edhe sikur të jenë sa të jenë, pastaj do t’i fusë në Xhenetin e mirësive, ku do të kenë çfarë u dëshiron shpirti dhe syri.

Al-Maaida 5:65Listen in Qur'an →
66

وَلَوْ أَنَّهُمْ أَقَامُوا۟ ٱلتَّوْرَىٰةَ وَٱلْإِنجِيلَ وَمَآ أُنزِلَ إِلَيْهِم مِّن رَّبِّهِمْ لَأَكَلُوا۟ مِن فَوْقِهِمْ وَمِن تَحْتِ أَرْجُلِهِم ۚ مِّنْهُمْ أُمَّةٌۭ مُّقْتَصِدَةٌۭ ۖ وَكَثِيرٌۭ مِّنْهُمْ سَآءَ مَا يَعْمَلُونَ

Sikur ata t’i përmbaheshin Teuratit dhe Inxhilit dhe asaj që iu është shpallur nga Zoti i tyre, ata do të kënaqeshin me frytet (që rriten) mbi ata dhe nën këmbët e tyre. Disa prej tyre nuk janë ekstremë, por shumë prej tyre bëjnë vepra të këqija.

Sikur t'i zbatonin Teuratin, Ungjillin dhe këtë(Kur'an)që u shpall nga Zoti i tyre, ata do të kishin gëzuar mirësi të shumta nga qielli dhe toka. -Ky është urdhër që ata të angazhohen sinqerisht për të plotësuar porositë e të gjitha shpalljeve të Zotit. Gjithashtu, imani nuk mund të jetë i plotë pa besuar Muhamedin (a.s)dhe Shpalljen e fundit të Zotit, Kur’ânin. Nëse ata përpiqen që ta plotësojnë imanin me këtë mirësi të madhe nga Zoti i tyre, atëherë premtimi i Zotit është i mrekullueshëm: “furnizim me bollëk nga qielli dhe toka”. Pra, Allahu i Lartësuar do t’ua shtonte të mirat atyre, do t’ua zbriste shiun nga qielli dhe do t’ua mbinte bimët nga toka, sikurse ka thënë në një ajet tjetër: “Sikur popujt e vendeve të kishin besuar (në Allahun) dhe të ishin të devotshëm, Ne do t’ua kishim hapur të gjitha llojet e begative nga qielli e nga toka, por ata mohuan (të vërtetën). Prandaj Ne i dënuam me shkatërrim, siç e merituan.” [El ea’raf 96].Ka prej tyre që janë të matur, por shumica prej tyre i kanë shumë të këqija veprat që punojnë. -Prej ithtarëve të Librit ka edhe nga ata që janë “të matur”, që punojnë me Teuratin dhe Ungjillin, por jo me gjallëri dhe përkushtim të qartë. Megjithatë, shumica prej tyre bëjnë punë të këqija dhe dalin nga porositë e Zotit. Ndërsa të lavdëruarit, që garojnë dhe synojnë gradat e larta, ata janë shumë të pakët.

Al-Maaida 5:66Listen in Qur'an →
67

۞ يَٰٓأَيُّهَا ٱلرَّسُولُ بَلِّغْ مَآ أُنزِلَ إِلَيْكَ مِن رَّبِّكَ ۖ وَإِن لَّمْ تَفْعَلْ فَمَا بَلَّغْتَ رِسَالَتَهُۥ ۚ وَٱللَّهُ يَعْصِمُكَ مِنَ ٱلنَّاسِ ۗ إِنَّ ٱللَّهَ لَا يَهْدِى ٱلْقَوْمَ ٱلْكَٰفِرِينَ

O Pejgamber! Trego atë që të është shpallur nga Zoti yt! – Në qoftë se nuk e bën këtë, atëherë nuk e ke kryer profetninë tënde; Perëndia të ruan ty prej njerëzve. Se, Perëndia, me të vërtetë, nuk i udhëzon në rrugë të drejtë njerëzit që nuk besojnë.

O i Dërguar! Përcille me qartësi shpalljen që t’u zbrit prej Zotit tënd! -Ky është një urdhër që Allahu i Madhëruar ia drejton të Dërguarit të Tij për të realizuar detyrën më të rëndësishme dhe më të nderuar për profetët: përcjelljen e qartë të Shpalljes te njerëzit. Ai i përfshin të gjithë urdhrat dhe porositë që umeti ka marrë prej Profetit a.s. Profeti (a.s)e zbatoi në mënyrë të përkryer detyrën e përcjelljes së Shpalljes hyjnore te populli i tij. Ai i ftoi njerëzit në rrugën e Zotit, i përgëzoi me premtimet e Zotit, nëse do bindeshin, dhe i kërcënoi me ndëshkimin dhe zemërimin e Tij, nëse do kthenin shpinën. Profeti (a.s)ua lehtësoi rrugën drejt Zotit dhe Xhenetit, drejt lumturisë së dynjasë dhe ahiretit, e nuk ua vështirësoi. Ai arriti të edukojë një popull analfabet, të paditur, derisa ata u bënë edukatorë të botës. Ai e përcolli të vërtetën e Zotit të tij me fjalë, me vepra, me letra e mesazhe, nëpërmjet të dërguarve e korrierëve të tij. Pas kësaj, nuk mbeti mirësi dhe rrugë për arritjen e saj pa u sqaruar, e nuk mbeti e keqe dhe rrugë për t’u mbrojtur prej saj pa u bërë e ditur dhe pa u paralajmëruar. Për këtë kumtim të qartë e të plotë dëshmuan njerëzit më të mirë të këtij umeti, sahabët e zgjedhur dhe të nderuar dhe imamët e mëdhenj që erdhën pas tyre. Për të dëshmuan brezi më i zgjedhur dhe burrat më të spikatur të këtij umeti.Nëse nuk e bën këtë, atëherë nuk e ke kryer detyrën! -Nëse nuk e transmeton qartë mesazhin e Zotit tënd, atëherë nuk e ke kryer detyrën e ngarkuar.Allahu të garanton mbrojtjen prej njerëzve. -Allahu i Madhëruar i ofron profetit të Tij mbrojtje dhe siguri prej njerëzve. Pra, kuptimi është: Qëllimi yt të jetë përcjellja e qartë e të vërtetës dhe edukimi i njerëzve. Të të mos largojë nga kjo përgjegjësi frika nga e keqja që vjen prej krijesave, sepse ata janë në dorën e Allahut, i Cili premton të të ruajë prej tyre. Ti ke detyrë veçse transmetimin e qartë të së vërtetës. Së fundmi, çdokush që beson, beson për veten e vet.Nuk ka dyshim se Allahu nuk e udhëzon në rrugën e drejtë popullin që mohon(të vërtetën).” -Ndërsa mohuesit, të cilët nuk kanë asnjë qëllim tjetër, veç plotësimit të epsheve dhe dëshirave të tyre të shfrenuara, Allahu i Madhëruar nuk ka për t’i udhëzuar në rrugën e besimit dhe nuk ka për t’u dhënë sukses për të arritur mirësinë, për shkak të mohimit të fortë që ata shprehin.

Al-Maaida 5:67Listen in Qur'an →
68

قُلْ يَٰٓأَهْلَ ٱلْكِتَٰبِ لَسْتُمْ عَلَىٰ شَىْءٍ حَتَّىٰ تُقِيمُوا۟ ٱلتَّوْرَىٰةَ وَٱلْإِنجِيلَ وَمَآ أُنزِلَ إِلَيْكُم مِّن رَّبِّكُمْ ۗ وَلَيَزِيدَنَّ كَثِيرًۭا مِّنْهُم مَّآ أُنزِلَ إِلَيْكَ مِن رَّبِّكَ طُغْيَٰنًۭا وَكُفْرًۭا ۖ فَلَا تَأْسَ عَلَى ٱلْقَوْمِ ٱلْكَٰفِرِينَ

Thuaj: O ithtarët e Librit! Ju nuk keni asgjë (në besim), përderisa të mos i përmbaheni Teuratit dhe Inxhilit dhe asaj që iu është shpallur nga zoti juaj, e ajo që t’u ka shpallur ty nga Zoti yt, do t’ua shtojë shumicës së tyre të harbuarit dhe mohimin. E, mos u hidhëro ti (o Muhammed!) për fatin e mohuesve.

Thuaj: “O ithtarë të Librit, ju nuk jeni asgjë, derisa të zbatoni Teuratin, Ungjillin dhe atë(Kur'anin) që ju zbriti nga Zoti juaj." Shumë prej tyre, kjo(shpallje)që t’u zbrit ty do t’ua shtojë largimin dhe mohimin. Po ti mos u ligështo për popullin që nuk beson. -U thuaj ithtarëve të Librit, duke vënë në dukje devijimin dhe humbjen e tyre: Ju nuk jeni askund në çështjet tuaja fetare. Ju nuk e besoni Muhamedin a.s, as Kur’ânin, as Profetin tuaj, as Librin që ju dha atij. Ju nuk e besoni të vërtetën e sigurt dhe nuk keni asnjë themel ku qëndroni. Ju do të vazhdoni të jeni të humbur, derisa të ndryshoni dhe të zbatoni Teuratin, Ungjillin dhe Kur’ânin, që ju zbriti nga Zoti juaj. Në fakt, kështu do të vazhdoni të jeni, derisa të zbatoni atë që e shpalli Zoti juaj, i Cili kujdeset për ju dhe që vazhdimisht zbret mirësitë e Tij mbi ju. Mirësia më e madhe që ju ka dhuruar është zbritja e librave hyjnorë, si udhëzim dhe ligj për ju. Prandaj për këto mirësi është detyrë për ju që të shprehni mirënjohjen e thellë dhe përunjësinë ndaj Dhuruesit. Mirënjohja shprehet duke zbatuar porositë dhe ligjet e Zotit, duke plotësuar me besnikëri amanetin e ngarkuar prej Tij.

Al-Maaida 5:68Listen in Qur'an →
69

إِنَّ ٱلَّذِينَ ءَامَنُوا۟ وَٱلَّذِينَ هَادُوا۟ وَٱلصَّٰبِـُٔونَ وَٱلنَّصَٰرَىٰ مَنْ ءَامَنَ بِٱللَّهِ وَٱلْيَوْمِ ٱلْءَاخِرِ وَعَمِلَ صَٰلِحًۭا فَلَا خَوْفٌ عَلَيْهِمْ وَلَا هُمْ يَحْزَنُونَ

Ata që besojnë, madje Hebrenjt, të krishterët dhe Sabi’inët; - kushdo që beson Perëndinë (si është urdhëruar), jetën tjetër dhe punon vepra të mira, për ta nuk ka kurrfarë droje as mërzie.

Ata që besuan (në Kur'anin), judejtë, sabi’inët e të krishterët, kushdo prej tyre që besoi në Allahun e Ditën e Gjykimit(me besim të drejtë)dhe bëri vepra të mira(sipas shpalljes së Zotit)për ta nuk do të ketë frikë e as pikëllim. -Allahu i Madhëruar na flet për ithtarët e të gjithë librave të Tij: të Kur’ânit, Teuratit ose Ungjillit, dhe na njeh me rrugën e lumturisë të secilit prej tyre. I Lartësuari na tregon se kjo rrugë ka qenë e njëjtë për çdo popull, në çdo kohë. Besimi i sinqertë në Allahun Një dhe të Pashoq, besimi në Ditën e Llogarisë dhe kryeja e veprave të mira, ashtu siç i kërkon besimi i pastër dhe i drejtë (i sqaruar nga profetët e Zotit). Në të gjitha kohërat, çdokush që ka kryer këto detyra nuk ka pse të frikësohet dhe as të brengoset: nuk ka pse të frikësohet për të ardhmen dhe nuk ka pse të brengoset për të kaluarën. Ky është një gjykim i pandryshueshëm.

Al-Maaida 5:69Listen in Qur'an →
70

لَقَدْ أَخَذْنَا مِيثَٰقَ بَنِىٓ إِسْرَٰٓءِيلَ وَأَرْسَلْنَآ إِلَيْهِمْ رُسُلًۭا ۖ كُلَّمَا جَآءَهُمْ رَسُولٌۢ بِمَا لَا تَهْوَىٰٓ أَنفُسُهُمْ فَرِيقًۭا كَذَّبُوا۟ وَفَرِيقًۭا يَقْتُلُونَ

Na kemi marrë premtimin nga bijt e Izraelit (për besim) dhe ju kemi dërguar pejgamberë. Por, sa herë që ju ka ardhur atyre ndonjë pejgamber me atë (dispozitë), që s’jua donte shpirti i tyre, disa nga ata (pejgamberë) i konsideronin për gënjeshtarë e disa prej tyre i mbytnin.

Prej bijve të Israilit Ne morëm një premtim të fortë dhe u dërguam profetë. -I Madhëruari na tregon se Ai u ka marrë bijve të Israilit një premtim të madh: premtimin për ta besuar drejt Allahun e Lartësuar dhe për të zbatuar detyrat dhe porositë e Tij, të cilat janë përmendur në ajetin tjetër të kësaj sureje: “Allahu mori zotimin e bijve të Izraelit dhe caktoi dymbëdhjetë prijës nga mesi i tyre. Allahu tha: “Unë jam me ju. Në qoftë se falni rregullisht namazin, jepni zekatin, u besoni të dërguarve të Mi, i ndihmoni e i respektoni ata dhe huazoni për hir të Allahut hua të mirë, pa dyshim që Unë do t'jua fal të këqijat tuaja dhe do t’ju fus në kopshte, nëpër të cilët rrjedhin lumenj. Por në qoftë se pas kësaj ndonjë prej jush kundërshton, ai e ka humbur rrugën e drejtë”.”. [Maide 12]. Allahu i Madhëruar u dërgoi atyre profetë njëri pas tjetrit, që t’i ftonin vazhdimisht në rrugën e drejtë dhe t’i kujtonin për porositë dhe udhëzimet e Tij të mrekullueshme. Por kjo nuk u vlejti aspak atyre, sepse:Por, sa herë që u shkonte ndonjë profet me udhëzime që nuk u përshtateshin dëshirave të tyre, ata e mohonin ose e vrisnin. -Nëse e vërteta në të cilën i ftonte profeti nuk u shkonte pas oreksit, ata e mohonin, duke e konsideruar mashtrim. Ata i trajtonin profetët me vrazhdësi dhe armiqësi, duke i quajtur gënjeshtarë disa prej tyre, madje edhe duke i vrarë disa të tjerë.

Al-Maaida 5:70Listen in Qur'an →

Commentary: Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di. Qur'an text and translation via AlQuran Cloud.