Muslim99Muslim99
← Tafsir library

5. Al-Maaida

The Table · Medinan · 120 ayahs

سُورَةُ المَائـِدَةِ

Reading Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di

Ayahs 21–30 of 120

21

يَٰقَوْمِ ٱدْخُلُوا۟ ٱلْأَرْضَ ٱلْمُقَدَّسَةَ ٱلَّتِى كَتَبَ ٱللَّهُ لَكُمْ وَلَا تَرْتَدُّوا۟ عَلَىٰٓ أَدْبَارِكُمْ فَتَنقَلِبُوا۟ خَٰسِرِينَ

O populli im! Hyni në Tokën e shenjtë që Perëndia ua ka cktuar juve e mos u ktheni prapa, se atëherë do të ktheheni të dëmtuar”. –

O populli im! Hyni në tokën e shenjtë, të cilën Allahu jua premtoi,... -Kuptimi: Hyni në këtë tokë të dëlirë, të cilën Zoti e caktoi për ju. Këto fjalë do duhej të qetësonin shpirtrat e tyre, duke u dhënë sigurinë dhe besimin e plotë në fitore, nëse do të bindeshin. Ato u përforcuan edhe më tej, me fjalët:...dhe mos u sprapsni(nga lufta në rrugën e Zotit)sepse atëherë do të jeni të humbur!” -Nëse ktheni shpinën, atëherë do të dilni të humbur. Kështu do të humbni dynjanë tuaj, sepse nuk do të mund ta mposhtni armikun dhe as të çlironi atdheun tuaj. Por do të shkatërroni edhe ahiretin tuaj, sepse prej mosbindjes, do të humbni shpërblimin e pamasë të Allahut të Lartësuar dhe do të meritoni ndëshkimin. Por pavarësisht nga këto fjalë inkurajuese për të filluar luftën, ata thanë diçka që dëshmonte dobësinë e imanit, frikën në zemër dhe mosinteresimin e plotë të tyre për urdhrat e Allahut dhe të Profetit të Tij:

Al-Maaida 5:21Listen in Qur'an →
22

قَالُوا۟ يَٰمُوسَىٰٓ إِنَّ فِيهَا قَوْمًۭا جَبَّارِينَ وَإِنَّا لَن نَّدْخُلَهَا حَتَّىٰ يَخْرُجُوا۟ مِنْهَا فَإِن يَخْرُجُوا۟ مِنْهَا فَإِنَّا دَٰخِلُونَ

ata thanë: “O Musa! – a ty, në atë tokë gjendet popull i pa mëshirë (dhunues), dhe ne në të nuk do të hyjmë pa dalë ata; e nëse dalin ata prej saj, ne atëherë, me siguri do të hyjmë në të”.

Ata(populli i Musait)thanë: “O Musa! Në këtë tokë është një popull shumë i fuqishëm e ne nuk do të hyjmë aty kurrë, derisa ata të largohen prej andej. Kur ata të largohen, ne do të hyjmë”. -Kuptimi: Atje ndodhet një popull i ashpër dhe guximtar dhe kjo është një pengesë për ne që të hyjmë në atë vend. Këto fjalë tregojnë se ata ishin burracakë e frikacakë, që nuk kishin siguri dhe bindje në premtimin e Zotit. Nëse do të ishin të urtë dhe të mendonin drejt, do të kuptonin se të gjithë njerëzit janë bij dhe pasardhës të Ademit a.s, kështu që “i fortë” është ai të cilit Allahu i Lartësuar i jep forcë dhe fuqi. Nuk ka fuqi dhe nuk ka ndryshim të gjendjes pa ndihmën dhe suksesin e dhënë prej Allahut. Po të mendonin kështu, pa dyshim do të bindeshin se fitorja do të ishte në anën e tyre, aq më tepër që Allahu i Madhëruar ua premtoi këtë gjë.

Al-Maaida 5:22Listen in Qur'an →
23

قَالَ رَجُلَانِ مِنَ ٱلَّذِينَ يَخَافُونَ أَنْعَمَ ٱللَّهُ عَلَيْهِمَا ٱدْخُلُوا۟ عَلَيْهِمُ ٱلْبَابَ فَإِذَا دَخَلْتُمُوهُ فَإِنَّكُمْ غَٰلِبُونَ ۚ وَعَلَى ٱللَّهِ فَتَوَكَّلُوٓا۟ إِن كُنتُم مُّؤْمِنِينَ

Dy njerëz nga ata që i druanin Perëndisë, që i kishte pajisur Ai me mirësi – thanë: “Futuni (befas) në porten e qytetit! E, kur të kaloni nëpër te, me siguri do të jeni fitues. Dhe, nëse jeni besimtarë (të vërtetë), mbështetuni në Perëndinë!”

Dy burra, prej atyre që i frikësoheshin Allahut e të cilët Allahu i kishte nderuar(me besim të fortë), thanë: “U hyni atyre nga Porta!” -Në këtë moment, ndërhyjnë dhe flasin dy burra, cilësi dalluese e të cilëve ishte frika ndaj Allahut të Madhërishëm. Ata i dhanë kurajë popullit për të luftuar me trimëri dhe për të çliruar atdheun e tyre. Allahu i Lartësuar thotë për ta: “...të cilët Allahu i kishte nderuar (me besim të fortë),”, domethënë, u dha forcë që të thonin të vërtetën, në ato momente kur ajo ishte aq e nevojshme. Ishte mirësi prej Allahut që ata filluan të nxisnin dhe të zgjonin te populli ndjenjën e durimit dhe të sigurisë në ndihmën e Allahut.Sapo të hyni në të(në qytet), ju do të ngadhënjeni. -Kuptimi: Mes jush dhe fitores qëndron vetëm një gjë: hyrja nga portat. Nëse e bëni këtë, ata do të munden. Pastaj ata dhanë një këshillë, që është forca më e madhe me të cilën mund të armatoseshin:Dhe vetëm Allahut mbështetjuni, nëse jeni besimtarë(të vërtetë). -Mbështetja e plotë në Allahun, sidomos në të tilla situata, sjell lehtësim të çështjes dhe fitore mbi armiqtë. Kjo tregon, gjithashtu, se mbështetja tek Allahu është në varësi të imanit të robit. Sidoqoftë, këto fjalë nuk ndikuan fare në shpirtrat e tyre, prandaj, të poshtëruar dhe të dështuar, thanë:

Al-Maaida 5:23Listen in Qur'an →
24

قَالُوا۟ يَٰمُوسَىٰٓ إِنَّا لَن نَّدْخُلَهَآ أَبَدًۭا مَّا دَامُوا۟ فِيهَا ۖ فَٱذْهَبْ أَنتَ وَرَبُّكَ فَقَٰتِلَآ إِنَّا هَٰهُنَا قَٰعِدُونَ

Ata thanë: “O Musa! Na kurrsesi nuk do të hyjmë atje, përderisa aty të gjenden ata. Shko ti te Zoti yt e luftoni ata. Se ne do të rrimë këtu”.

Ata thanë: “O Musa! Ne kurrë nuk hyjmë atje, përderisa ata të jenë aty, prandaj shko ti dhe Zoti yt e luftoni, se ne po rrimë(e po presim) këtu!” -Sa të shëmtuara ishin këto fjalë të tyre! Sa e ulët ishte përgjigjja që i dhanë Profetit të tyre, pikërisht në ato momente ngushtie dhe nevoje për t’i dalë krah dhe për të luftuar përkrah tij, për ta nderuar atë, por edhe për dinjitetin e vetvetes. Në këto raste del në pah dukshëm ndryshimi mes popujve të tjerë dhe shokëve të Muhamedit (a.s)e umetit të tij. Kur profeti Muhamed (a.s)u këshillua me ta në një rast të ngjashëm (para betejës së Bedrit), edhe pse ai nuk ua kërkoi me ngulm pjesëmarrjen në luftë, ata i thanë: “Për Allah! Nëse i hyn detit në këmbë, edhe ne do të hyjmë së bashku me ty! Edhe sikur të kërkosh që të shkojmë në vendin më të rrezikshëm, asnjëri prej nesh nuk do të të braktisë! Ne nuk do të themi kurrë ashtu si i thanë Musait (a.s)shokët e tij: “Shko ti dhe Zoti yt dhe luftoni, se ne do rrimë këtu!” Por ne themi: “Shko ti dhe Zoti yt luftoni, sepse edhe ne do të vijmë së bashku me ju të luftojmë, para teje e pas teje, djathtas teje dhe majtas teje!” Kur vërejti mosbindjen e tyre, Musai (a.s)tha:

Al-Maaida 5:24Listen in Qur'an →
25

قَالَ رَبِّ إِنِّى لَآ أَمْلِكُ إِلَّا نَفْسِى وَأَخِى ۖ فَٱفْرُقْ بَيْنَنَا وَبَيْنَ ٱلْقَوْمِ ٱلْفَٰسِقِينَ

Musai tha: “O Zotim im! Unë jam i pushtetshëm vetëm për vete dhe vllaun tim. O Zot! Ndana neve prej këtij populli të korruptuar!”

Ai(Musai)tha: “O Zoti im! Unë nuk kam fuqi mbi asnjë tjetër veçse mbi veten dhe vëllanë tim....” -Kuptimi: Unë nuk kam ndihmës për të luftuar këta dhe as mundem që t’i detyroj të luftojnë. Pastaj u lut dhe tha:Prandaj, na veço ne prej këtij populli të pabindur! -Gjyko, o Zot, me drejtësinë dhe urtësinë Tënde, mes nesh dhe popullit të prishur! Zbrit mbi ta ndëshkimin, që e përcakton urtësia Jote. Kjo tregon se fjalët dhe veprat e tyre ishin gjynahe të mëdha, që meritonin ndëshkim. Në përgjigje të lutjes së Musait a.s, Allahu i Lartësuar tha:

Al-Maaida 5:25Listen in Qur'an →
26

قَالَ فَإِنَّهَا مُحَرَّمَةٌ عَلَيْهِمْ ۛ أَرْبَعِينَ سَنَةًۭ ۛ يَتِيهُونَ فِى ٱلْأَرْضِ ۚ فَلَا تَأْسَ عَلَى ٱلْقَوْمِ ٱلْفَٰسِقِينَ

Perëndia tha: “Ajo (toka e shenjtë) u është ndaluar dyzet vjet atyre. Ata do të bredhin nëpër tokë. E, mos u zemro ndaj atij populli ngatërrestar”.

Allahu tha: “Ajo(tokë)është e ndaluar për ta. Për dyzet vjet, ata do të enden nëpër tokë. -Kuptimi: Si ndëshkim, ata do të enden nëpër shkretëtirë dhe, për 40 vjet, nuk do të mund të hyjnë në tokën që Zoti u premtoi. Për 40 vjet nuk do të gjejnë më qetësi dhe prehje. Ky ishte një ndëshkim që në këtë dynja, nëpërmjet të cilit, Allahu i Lartësuar ndoshta i pastroi nga gjynahu i mosbindjes. Nëpërmjet këtij ndëshkimi, Allahu i Madhëruar largoi një ndëshkim më të madh kundër tyre. Kjo tregon se ndëshkimi për gjynahet mund të vijë në forma dhe mënyra të ndryshme. Ai mund të vijë si largim i të mirave, por mund të vijë edhe në formën e një vonese të largimit të fatkeqësive apo të shtimit të tyre. Ndoshta periudha dyzetvjeçare do të bënte që shumica e atyre që thanë ato fjalë të vdisnin. Megjithatë, kjo periudhë do të shërbente që të ndryshonin ato zemra që nuk ishin mësuar me durim dhe qëndrueshmëri, por me nënshtrim e robëri. Ata nuk kishin ambicie dhe vullnet për t’u ngritur lart dhe për të fituar. Për këtë arsye, kjo kohë do të shërbente edhe për t’u edukuar një brez i ri, që do të rritej me dëshirën për të mposhtur armiqtë, me krenarinë për të mos qenë robër e të nënshtruar dhe me ambicien për të arritur lumturinë. Por Allahu i Lartësuar e dinte shumë mirë që robin e Tij, Musain a.s, e spikaste një mëshirë dhe dhembshuri e madhe, sidomos për popullin e tij. Me gjithë lutjen që ai bëri kundër tyre, ai u prek dhe ndjeu keqardhje për atë vendim, që tashmë kishte marrë fund dhe ishte vulosur. Prandaj Allahu i Lartësuar i thotë:Por ti mos u ligështo për popullin e pabindur! -Pra, mos të të vijë keq dhe mos u trishto për atë popull, sepse ata i kaluan kufijtë. Shfrenimi dhe mospërfillja e tyre e bënë mëse të meritueshëm ndëshkimin që u vendos për ta. Ky vendim nuk është aspak një padrejtësi, por është ai çka e merituan me fjalët dhe veprat e tyre të ulta.

Al-Maaida 5:26Listen in Qur'an →
27

۞ وَٱتْلُ عَلَيْهِمْ نَبَأَ ٱبْنَىْ ءَادَمَ بِٱلْحَقِّ إِذْ قَرَّبَا قُرْبَانًۭا فَتُقُبِّلَ مِنْ أَحَدِهِمَا وَلَمْ يُتَقَبَّلْ مِنَ ٱلْءَاخَرِ قَالَ لَأَقْتُلَنَّكَ ۖ قَالَ إِنَّمَا يَتَقَبَّلُ ٱللَّهُ مِنَ ٱلْمُتَّقِينَ

Tregoju (o Muhammed!) saktësisht atyre (popullit tënd) ngjarjen e dy bijve të Ademit, kur ata therrën kurban, njërit iu pranua, kurse tjetrit jo. Tha – njëri: “Tu gjithsesi do të mbysë”. Tjetri tha: “Perëndia pranon (kurbanin) vetëm prej atij që ruhet prej mëkatesh.

Lexoju(o Muhamed!)atyre me vërtetësi ngjarjen e dy djemve të Ademit,... -Tregoju me vërtetësi njerëzve ndodhinë mes bijve të Ademit. Lexojua atyre, që të nxjerrin mësime ata që dinë të nxjerrin mësime. Kjo është një histori e vërtetë, e jo gënjeshtër, është e rëndësishme, jo lojë. Nga ajeti kuptohet se bëhet fjalë për dy djemtë e lindur drejtpërdrejt nga Ademi a.s. Ky është mendimi i shumicës së mufesirin-ëve. Lexoju, pra, ngjarjen e atyre të dyve, kur ata afruan nga një kurban për Allahun e Lartësuar:...kur të dy flijuan nga një kurban. Njërit iu pranua kurbani, ndërsa tjetrit nuk iu pranua. Ai i tha tjetrit: “Unë do të të vras ty”. -Pra, secili prej tyre nxori një pjesë të pasurisë së vet, me qëllimin për t’iu afruar Allahut të Lartësuar. Por me një shenjë nga qielli, u kuptua që njërit iu pranua kurbani, ndërsa tjetrit jo. Në popujt e parë, shenjë e pranimit të kurbanit ishte një zjarr që zbriste nga qielli dhe që e përpinte kurbanin. Djali të cilit nuk iu pranua kurbani, i nxitur prej smirës, i tha atij që iu pranua: “Do të të vras.” Por tjetri iu përgjigj me butësi:Tjetri i tha: “Allahu pranon(kurban)vetëm prej të devotshmëve.” -Kuptimi: Çfarë gjynahu dhe padrejtësie kam bërë unë, që të më vrasësh? Unë thjesht tregohem i devotshëm ndaj Zotit tim, dhe devotshmëria ndaj Tij është detyrë e imja, e jotja dhe e çdokujt. Allahu i Lartësuar i pranon punët e atyre që tregohen të devotshëm në kryerjen e tyre. Kusht i domosdoshëm që një vepër të pranohet nga Allahu i Madhëruar është të kryerit e saj me sinqeritet vetëm për Atë, me qëllimin për ta kënaqur Atë dhe kryerja e saj sipas porosive të Allahut dhe të Profetit të Tij. Ky është kuptimi i saktë i ajetit. Më pas, ai i drejtohet vëllait të vet dhe i thotë se kurrë nuk do ta dëshironte vrasjen e tij, as edhe për vetëmbrojtje, madje:

Al-Maaida 5:27Listen in Qur'an →
28

لَئِنۢ بَسَطتَ إِلَىَّ يَدَكَ لِتَقْتُلَنِى مَآ أَنَا۠ بِبَاسِطٍۢ يَدِىَ إِلَيْكَ لِأَقْتُلَكَ ۖ إِنِّىٓ أَخَافُ ٱللَّهَ رَبَّ ٱلْعَٰلَمِينَ

Nëse ti ngre dorë të më vrasësh mua, unë në të vërtetë nuk do ta ngre dorën në ty që të të vras. Dhe unë me të vërtetë, i druaj Perëndisë, Zotit të gjithësisë.

“Nëse ti e zgjat mbi mua dorën tënde për të më vrarë, unë kurrë nuk kam për ta zgjatur mbi ty dorën time për të të vrarë,” -E gjitha kjo, jo sepse ishte frikacak apo i paaftë që të mbrohej, por për një arsye shumë të fortë:“...sepse unë i frikësohem Allahut, Zotit të botëve.” -Dhe, pa dyshim, ai që i frikësohet Allahut kurrësesi nuk i afrohet dhe as merr guximin të kryejë gjynahe ndaj Tij, e sidomos gjynahe të mëdha, sikurse është marrja e jetës së tjetrit pa të drejtë. Ky ajet është një kërcënim i hapur për këdo që synon të kryejë vrasje. Ai është porosi që njeriu të ketë frikë Zotin në veprat e tij dhe të druhet nga ndëshkimi i Tij.

Al-Maaida 5:28Listen in Qur'an →
29

إِنِّىٓ أُرِيدُ أَن تَبُوٓأَ بِإِثْمِى وَإِثْمِكَ فَتَكُونَ مِنْ أَصْحَٰبِ ٱلنَّارِ ۚ وَذَٰلِكَ جَزَٰٓؤُا۟ ٱلظَّٰلِمِينَ

Unë preferoj që ti të kthehesh me mëkatin tim dhe me mëkatin tënd (për vrasjen time dhe për kundrështimin tënd); e kështu të bëhesh ndër banorët e zjarrit. E, ky është ndëshkimi i zullumqarëve”.

“Unë dua që ti të bartësh barrën e gjynahut tim dhe të gjynahut tënd e kështu të bëhesh prej banorëve të Zjarrit. Ai është dënimi i keqbërsve”. -Kuptimi: Nëse çështja shkon deri atje sa të kem vetëm dy mundësi: o të bëhem vrasës, o viktimë, unë zgjedh që të bëhem viktimë. Kështu, ti do të ngarkohesh edhe me gjynahun tim, përveç tëndit, dhe do të bëhesh nga banorët e Zjarrit. Ky është shpërblimi për zullumqarët. Kjo tregon se vrasja është një nga gjynahet e mëdha dhe shkak për futjen në Zjarr. Por as këto fjalë nuk e sprapsën tjetrin. Ai e ushqeu vazhdimisht dëshirën për vrasjen e vëllait, edhe pse ligji i Zotit dhe natyra e pastër njerëzore kërkon të kundërtën, pra, nderimin dhe mëshirën për të.

Al-Maaida 5:29Listen in Qur'an →
30

فَطَوَّعَتْ لَهُۥ نَفْسُهُۥ قَتْلَ أَخِيهِ فَقَتَلَهُۥ فَأَصْبَحَ مِنَ ٱلْخَٰسِرِينَ

Vetja e tij e nxiti në vrasjen e të vëllait, dhe e mbyti. Kështu, ai u bë njëri nga të humburit.

Egoizmi e nxiti atë për vrasjen e të vëllait. Ai e vrau atë dhe kështu u bë prej të humburve. -Domethënë, ai u bë prej njerëzve që shkatërruan dynjanë dhe ahiretin e tyre. Madje, ai u bë shembulli i keq për çdo vrasës që do të vinte më pas, dhe dihet shumë mirë se: çdokush që sjell një traditë të keqe, atij i takon gjynahu i asaj tradite dhe gjynahu i të gjithë atyre që punojnë sipas saj, deri në Ditën e Gjykimit. Është transmetuar një hadith i saktë, që thotë se: “Çdokush që vret padrejtësisht, një pjesë e gjynahut të tij do të rëndojë edhe mbi birin e parë të Ademit, sepse ai ishte i pari që kreu vrasjen.” Pasi vrau të vëllanë, ai nuk dinte si të vepronte me të, sepse ai ishte i pari prej fëmijëve të Ademit që pa vdekjen. Atëherë:

Al-Maaida 5:30Listen in Qur'an →

Commentary: Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di. Qur'an text and translation via AlQuran Cloud.