Muslim99Muslim99
← Tafsir library

5. Al-Maaida

The Table · Medinan · 120 ayahs

سُورَةُ المَائـِدَةِ

Reading Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di

Ayahs 91–100 of 120

91

إِنَّمَا يُرِيدُ ٱلشَّيْطَٰنُ أَن يُوقِعَ بَيْنَكُمُ ٱلْعَدَٰوَةَ وَٱلْبَغْضَآءَ فِى ٱلْخَمْرِ وَٱلْمَيْسِرِ وَيَصُدَّكُمْ عَن ذِكْرِ ٱللَّهِ وَعَنِ ٱلصَّلَوٰةِ ۖ فَهَلْ أَنتُم مُّنتَهُونَ

Me të vërtetë, djalli me pije alkoolike dhe me bixhoz dëshiron që të fusë në mes jush armiqësi dhe urrejtje dhe t’ju shmangë juve nga të kujtuarit e Perëndisë dhe kryerjen e namazit. Prandaj, a doni të shmangeni? (Shmanguni ju nga këto vepra të këqia)!

O ju që keni besuar! Pijet dehëse, bixhozi, idhujt dhe hedhja e shigjetës(për fall)janë vepra të ndyra nga Shejtani. Largohuni prej tyre, që të jeni të shpëtuar! Nëpërmjet pijeve dehëse dhe bixhozit, Shejtani dëshiron veçse të hedhë armiqësi mes jush, t’ju pengojë nga përmendja e Zotit dhe t’ju largojë nga namazi. Atëherë, a nuk po hiqni dorë? -Allahu i Madhëruar tregon se sa të këqija janë këto vepra të shëmtuara dhe na bën të ditur, gjithashtu, se ato janë prej Shejtanit. Ato janë të ndyra dhe të poshtra. Allahu i Madhëruar na urdhëron që t’u largohemi atyre gjërave, pasi nëse e bëjmë këtë, Ai na premton suksesin në dynja dhe në ahiret. Ky sukses arrihet veçse duke u larguar nga çdo gjë të cilën i Lartësuari e ka bërë haram, e në mënyrë të veçantë prej atyre që janë përmendur në këtë ajet. Fjala “el hamr” (vera) në ajet nënkupton çdo lloj pijeje dehëse. “El mejsir” (bixhoz) quhen të gjitha llojet e lojrave, në të cilat vendoset një shumë parash ose pasuri nga të dyja palët, me qëllimin për t’i fituar njëra palë. “El ensab” quhen idhujt, putat e statujat, që adhurohen veç Allahut. Ndërsa “el ezlamu” (hedhja e shigjetës) janë shigjetat apo mjetet e tjera, që shërbejnë për të hedhur short. Këto janë katër gjëra, nga të cilat Allahu i Madhëruar na ka ndaluar t’u afrohemi. Gjithashtu, Allahu i Madhëruar tregon edhe të këqijat që ato sjellin, që të na motivojë më shumë në lënien e tyre. Ai i ka quajtur ato “rixhsun” - “të ndyra” në aspektin e vlerës etike të tyre, edhe nëse nuk janë të tilla nga ana fizike. Ndyrësitë janë gjëra nga të cilat ne duhet të largohemi. Ne nuk duhet të lejojmë kurrë që të ndotemi prej tyre. Allahu i Madhëruar i ka përshkruar ato, gjithashtu, si vepra prej Shejtanit, i cili është armiku më i përbetuar dhe i pamëshirshëm i njeriut. Nuk ka dyshim që njeriu duhet të ruhet dhe të jetë i kujdesshëm ndaj këtij armiku dhe nga kurthet e tij. Ai nuk duhet t’i përngjasë dhe ta shoqërojë armikun e vet në punët e tij të ndyra dhe të dëmshme, sidomos kur bëhet fjalë për ato punë, nëpërmjet të cilave Shejtani e nënshtron dhe e shkatërron prenë e tij. Duhet kujdes dhe shumë durim për të mos bërë asnjë vepër që e ndihmon këtë armik të pamëshirshëm. Allahu i Madhëruar na njoftoi se suksesi i vërtetë mund të arrihet veçse duke u larguar prej këtyre punëve. Në të kundërt, kryerja e tyre e privojnë njeriun nga arritja e mirësive, që i dëshiron, dhe e zhyt në mjerim, të cilit i druhet. Këto vepra nxisin urrejtjen, armiqësinë dhe përçarjen mes vëllezërve. Kjo është arsyeja që i mallkuari kujdeset në mënyrë të veçantë për përhapjen e tyre, sidomos pijet dehëse, kumarin dhe bastet. Ato janë mjetet më efikase për futjen e armiqësisë dhe urrejtjes mes njerëzve. Kështu, i dehuri nuk është i aftë të gjykojë dhe arsyetojë drejt dhe me qetësi. Më pas, fjalët e pamenduara nxisin zemërim dhe armiqësi, dhe përfundimi mund të shkojë deri në vrasje. Edhe në baste e kumare, kur njëra palë fiton mbi tjetrën, pa bërë asnjë shkëmbim, nxitet urrejtja dhe armiqësia. Po ashtu, këto punë të këqija, si pijet dehëse dhe kumari, e pengojnë zemrën e robit nga përmendja e Allahut të Madhëruar dhe nga namazi, ndërkohë që adhurimi i Allahut është rruga e lumturisë së …

Al-Maaida 5:91Listen in Qur'an →
92

وَأَطِيعُوا۟ ٱللَّهَ وَأَطِيعُوا۟ ٱلرَّسُولَ وَٱحْذَرُوا۟ ۚ فَإِن تَوَلَّيْتُمْ فَٱعْلَمُوٓا۟ أَنَّمَا عَلَىٰ رَسُولِنَا ٱلْبَلَٰغُ ٱلْمُبِينُ

Bindjuni Perëndisë, bindjuni dhe Pejgamberit dhe ruajuni (nga kundërshtarët)! E, nëse zmbrapseni (nga bindja), ta dini se Pejgamberi Ynë është i obliguar të bëjë vetëm shpalljen e qartë.

Bindjuni Allahut, bindjuni të Dërguarit dhe kini kujdes! Nëse refuzoni, atëherë dijeni se detyra e të Dërguarit Tonë është vetëm komunikimi i qartë(i shpalljes). -Bindja ndaj Allahut të Lartësuar dhe bindja ndaj Profetit (a.s)janë një. Ai që i bindet Allahut i është bindur Profetit a.s, dhe ai që i është bindur Profetit i është bindur edhe Allahut. Bindja ndaj Allahut të Madhëruar dhe Profetit (a.s)arrihet me dy kushte:1. Duke zbatuar të gjithë urdhrat dhe porositë e tyre, qofshin fjalë apo punë, të dukshme apo të brendshme, të detyrueshme apo të pëlqyeshme, për të drejtat e Krijuesit dhe Profetit të Tij, apo për të drejtat e krijesave.2. Duke u larguar nga çdo gjë që Zoti i Madhëruar dhe Profeti e kanë ndaluar, në të gjitha drejtimet e lartpërmendura.Siç shihet, ky është një nga urdhrat më gjithëpërfshirës të të gjithë urdhrave të Zotit. Pastaj i Madhëruari e përforcon porosinë e Tij gjithëpërfshirëse, duke thënë: “...dhe kini kujdes!” Pra, ruajuni që të mos kundërshtoni urdhrat e Zotit dhe të Profetit a.s, sepse kjo sjell ligësi dhe dëshpërim të madh. Nëse u ktheni shpinën atyre, dijeni se Profeti kishte për detyrë veçse transmetimin e qartë të mesazhit të Zotit dhe, sigurisht, që ai e kreu plotësisht detyrën e tij. Nëse udhëzoheni në rrugën e drejtë dhe përpiqeni sinqerisht për të jetuar sipas saj, kjo është në të mirën tuaj. Por nëse punoni keq dhe devijoni, kjo do të rëndojë mbi ju, sepse Allahu i Madhëruar ka për t’ju marrë në llogari.

Al-Maaida 5:92Listen in Qur'an →
93

لَيْسَ عَلَى ٱلَّذِينَ ءَامَنُوا۟ وَعَمِلُوا۟ ٱلصَّٰلِحَٰتِ جُنَاحٌۭ فِيمَا طَعِمُوٓا۟ إِذَا مَا ٱتَّقَوا۟ وَّءَامَنُوا۟ وَعَمِلُوا۟ ٱلصَّٰلِحَٰتِ ثُمَّ ٱتَّقَوا۟ وَّءَامَنُوا۟ ثُمَّ ٱتَّقَوا۟ وَّأَحْسَنُوا۟ ۗ وَٱللَّهُ يُحِبُّ ٱلْمُحْسِنِينَ

S’ka mëkat për ata besimtarë që bëjnë punë të mira (në atë) që kanë ngranë (para ndalimit), kur ata të jenë ruajtur (nga ndalimet), të kenë besuar e të kenë bërë vepra të mira; të ruhen e të besojnë; dhe të ruhen e të bëjnë vepra të mira (vijimisht). E, Perëndia i don bamirësit.

Nuk ka gjynah për ata që kanë besuar dhe kanë bërë punë të mira për atë që kanë ngrënë(në të shkuarën), për sa kohë që ata ruhen, besojnë e bëjnë vepra të mira, e sërish ruhen dhe besojnë, e vazhdimisht ruhen dhe bëjnë vepra të mira. Allahu i do punëmirët. -Kur u shpallën ajetet e ndalimit kategorik të pijeve dehëse, shumë besimtarë deshën të dinin gjendjen e vëllezërve të tyre besimtarë që kishin konsumuar pijet dehëse dhe që kishin vdekur para se ato të ndaloheshin. Atëherë, Allahu i Madhëruar shpalli këto ajete dhe tha: “Nuk ka gjynah për ata që kanë besuar dhe kanë bërë punë të mira, për atë që kanë ngrënë”. Pra, nuk ka gjynah për ata që kanë konsumuar pijet dehëse dhe kumarin para se të zbriste ndalimi për to. Dikush mund të mendojë se në këtë gjykim hyjnë edhe dy vepra të tjera: adhurimi i putave dhe praktikimi i shortit, por ajeti i përjashton ata. I Lartësuari thotë: “...për ata që kanë besuar dhe kanë bërë punë të mira”. Pra, është fjala për ata që u largohen gjynaheve dhe që kanë besim të drejtë tek Allahu, besim që i nxit ata vazhdimisht për punë të mira. Ky sqarim i fundit është i nevojshëm, sepse njeriu mund të plotësojë këtë kusht për njëfarë kohe dhe pastaj ta lërë atë. Por jo. Ai duhet të jetë në gjendje të tillë, deri sa t’i vijë vdekja. Pra, qëllimi është që të jetë i vazhdueshëm në punë të mira. Allahu i do punëmirët, që e përkryejnë adhurimin e përkushtuar ndaj Krijuesit të tyre dhe që tregohen gjithashtu bamirës e të dobishëm ndaj krijesave të Tij. Kjo përfshin edhe ata njerëz të cilët ushqehen me haram dhe kryejnë gjynahe, edhe pasi janë qartësuar rreth tyre, dhe pastaj pendohen tek Allahu i Madhëruar, përpiqen të jenë të devotshëm, besojnë sinqerisht e saktësisht dhe bëjnë punë të mira. Edhe këtyre Allahu i Madhëruar ua fal gjynahet dhe nuk i ndëshkon për to.

Al-Maaida 5:93Listen in Qur'an →
94

يَٰٓأَيُّهَا ٱلَّذِينَ ءَامَنُوا۟ لَيَبْلُوَنَّكُمُ ٱللَّهُ بِشَىْءٍۢ مِّنَ ٱلصَّيْدِ تَنَالُهُۥٓ أَيْدِيكُمْ وَرِمَاحُكُمْ لِيَعْلَمَ ٱللَّهُ مَن يَخَافُهُۥ بِٱلْغَيْبِ ۚ فَمَنِ ٱعْتَدَىٰ بَعْدَ ذَٰلِكَ فَلَهُۥ عَذَابٌ أَلِيمٌۭ

O besimtarë! Perëndia do t’ju provojë juve me ndalim nga një gjueti që e arrijnë duart tuaja dhe shigjetat tuaja, që Perëndia ta tregojë atë që i druan Atij, kur askush nuk e sheh. E, kushdo që ta kalojë kufirin (këtë dispozitë), për të ka dënim pikëllues.

Një ndër mirësitë e shumta që Allahu i Madhëruar u ka bërë robërve të Tij është që i ka përgatitur ata për sprovat me të cilat do t’i godasë, me gjykimin dhe caktimin e Tij. Ai u tregon në Librin e Tij mënyrat e sprovimit, që ata të binden dhe të rrinë të përgatitur për çdo rast. Pas këtij paralajmërimi, çdokush do të zgjedhë shpëtimin ose humbjen, i vetëdijshëm dhe i qartë për atë që bën. Kështu, thotë i Madhëruari:O ju që keni besuar! Allahu ka për t’ju provuar duke ju ndaluar nga një gjueti që e arrijnë duart dhe shigjetat tuaja,... -Allahu i Madhëruar ka për ta vënë në provë besimin tuaj. Ai do t’ju sprovojë me diçka të vogël e të lehtë, jo me diçka të madhe e të rëndë. Kjo sprovë do të jetë si lehtësim nga Allahu i Madhëruar. Është vetë Zoti që jua mundëson gjuetinë, me shtiza dhe me duar. Pastaj Allahu i Madhëruar tregon urtësinë e këtij sprovimi:...që Allahu ta dallojë atë që i frikësohet Atij, kur askush nuk e sheh. -Pra, që Allahu i Madhëruar t’jua shfaqë krijesave haptazi atë që fshihet në zemrat e tyre, dhe kështu shpërblimi dhe ndëshkimi të ngrihen mbi fakte të dukshme dhe jo thjesht mbi dijen e Allahut të Madhëruar. Kështu, Allahu i Madhëruar do t’i shfaqë ata që i frikësohen Atij edhe fshehtazi dhe që largohen nga ndalesat e Tij edhe kur e kanë mundësinë që t’i kryejnë ato, dhe më pas do t’i shpërblejë me mirësi të shumta. Ai do t’i shfaqë edhe ata të cilët nuk i frikësohen Atij, të cilët sa herë që u jepet mundësia që të gjuajnë edhe kur e kanë të ndaluar, ata e bëjnë, pa u drojtur nga Zoti dhe përgjegjësia para Tij.Kushdo që e kalon kufirin pas këtij qartësimi, do të ketë një dënim të dhembshëm. -Çdokush që i kalon kufijtë e Zotit, pasi i janë sqaruar, ai meriton dhe do të marrë një ndëshkim të dhembshëm, realitetin e të cilit e di veçse Allahu i Madhëruar. Ky ndëshkim është i meritueshëm, sepse ata nuk kanë asnjë justifikim për veprat e tyre. Devotshmëria e shpërblyeshme është ajo e fshehta, kur asnjë krijesë nuk të sheh dhe dëshmon. Ndërsa shfaqja e devotshmërisë në praninë e njerëzve, mund të jetë sa për sy e faqe, dhe njeriu nuk meriton shpërblim për këtë vepër. Pastaj Allahu i Lartësuar e shpreh qartë ndalimin e gjuetisë gjatë kohës së ihramit (për haxh ose umre). Ai thotë:

Al-Maaida 5:94Listen in Qur'an →
95

يَٰٓأَيُّهَا ٱلَّذِينَ ءَامَنُوا۟ لَا تَقْتُلُوا۟ ٱلصَّيْدَ وَأَنتُمْ حُرُمٌۭ ۚ وَمَن قَتَلَهُۥ مِنكُم مُّتَعَمِّدًۭا فَجَزَآءٌۭ مِّثْلُ مَا قَتَلَ مِنَ ٱلنَّعَمِ يَحْكُمُ بِهِۦ ذَوَا عَدْلٍۢ مِّنكُمْ هَدْيًۢا بَٰلِغَ ٱلْكَعْبَةِ أَوْ كَفَّٰرَةٌۭ طَعَامُ مَسَٰكِينَ أَوْ عَدْلُ ذَٰلِكَ صِيَامًۭا لِّيَذُوقَ وَبَالَ أَمْرِهِۦ ۗ عَفَا ٱللَّهُ عَمَّا سَلَفَ ۚ وَمَنْ عَادَ فَيَنتَقِمُ ٱللَّهُ مِنْهُ ۗ وَٱللَّهُ عَزِيزٌۭ ذُو ٱنتِقَامٍ

O besimtarë! Mos gjuani, duke qenë në ihram! E, kushdo që qet të vret (egërsirën) me paramendim, për dënim do të therrë një shtazë shtëpiake të ngjashme me kafshën e gjuajtur. Këtë, e vlerësojnë dy vetë të drejtë, duke dërguar kurban në Qabe, ose duke i ushqyer të varfërit për të larë mëkatin, ose të agjëroj në këtë masë, që ta ndiejë ndëshkimin e mëkatit të bërë. Perëndia i falë atë që ka kaluar (para ndalimit). E, kush vepron edhe pas ndalimit, Perëndia do ta ndëshkojë. Se, Perëndia është i Plotëfuqishëm dhendëshkues.

O ju që keni besuar! Mos gjuani duke qenë në ihram. -Kjo ndalesë përfshin gjithçka që lidhet me gjuetinë, si: veprimet përgatitore për gjueti, pjesëmarrjen në gjueti, ndihmesën në të, qoftë edhe duke treguar prenë apo duke dhënë armën, madje ndalohet edhe ngrënia e gjahut, nëse është gjuajtur për atë që është në ihram. Ky është respekt për adhurimet e rëndësishme dhe madhështore të haxhit dhe umres. Pra, gjuetia që në kohët e tjera është e lejuar, gjatë kohës së ihramit është e ndaluar.Kushdo që kryen gjueti me paramendim, si dënim duhet të therë një kafshë shtëpiake të ngjashme me kafshën që ka vrarë, për të cilën vendosin dy njerëz të drejtë nga mesi juaj, duke e kushtuar atë si kurban në Qabe,... -Ai që bën gjueti dhe e vret kafshën e gjuetisë me qëllim, ai detyrohet që ta kompensojë këtë veprim duke bërë kurban një kafshë të përafërt me kafshën që ka vrarë (si lopë, dele, deve etj.). Domethënë, ai duhet të shohë se cilës kafshë shtëpiake i ngjan dhe i përafrohet më shumë për nga vlera kafsha që ka vrarë. Është detyrë, pra, të gjendet dhe përcaktohet përafërsia dhe ngjashmëria e duhur. Ky përcaktim bëhet nga ata që Zoti i ka quajtur “dheuej adlin”- të drejtët. Pra, dy njerëz të drejtë, të cilët dinë të përcaktojnë ngjashmërinë dhe përafërsinë. Kështu vepruan sahabët, të cilët, për gjuajtjen dhe vrasjen e një pëllumbi bënë të detyrueshëm kurbanin e një deleje, për vrasjen e një struci bënë të detyrueshëm kurbanin e një budneje, ndërsa për vrasjen e lopëve të egra, bënë të detyrueshme kurbanin e një lope të butë. Megjithatë, nëse nuk ka kafshë të butë shtëpiake që i përngjan apo i përafrohet gjahut të paligjshëm, atëherë shikohet vlera e tij monetare, ashtu sikurse thotë rregulli bazë për dëmshpërblimin e të dëmtuarve. Më tej, Allahu i Madhëruar na udhëzon që kurbanin e kompensimit ta çojmë në Qabe....ose të ushqejë të varfër si kompensim, ose të agjërojë në atë masë, që ta ndiejë ndëshkimin për gjynahun e bërë. Allahu e ka falur atë që ka kaluar. -Dëmshpërblimi për gjahun e ndaluar mund të nxirret edhe në formë ushqimi për të varfërit, me të njëjtën vlerë sa bagëtia e kurbanit të kompensimit. Shumë dijetarë kanë thënë që, pasi përcaktohet lloji i bagëtisë që do të bëhet kurban, përcaktohet vlera e saj monetare, me të cilën do të blihet ushqim për të varfërit. Pastaj, çdo të varfëri i jepet nga një mudde(dy grushta) grurë ose gjysmë sa-i me lloje të tjera ushqimi, si oriz etj. Kjo është një mënyrë kompensimi, pra, duke ushqyer të varfërit. Mënyra tjetër është duke agjëruar nga një ditë për çdo të varfër që duhej të ushqehej. Për shembull, për dhjetë të varfër është detyrë që të agjërohet dhjetë ditë. Allahu i Madhëruar bëri të detyrueshme këto shlyerje për gjuetinë e ndaluar, me qëllim që gabimtari t’i ndjejë pasojat e mosbindjes së tij. Por ai që i kthehet përsëri kësaj vepre të ndaluar ka për t’u ndëshkuar nga Allahu i Madhëruar:Ndërsa atë që i kthehet(gjynahut)pas ndalimit, Allahu do ta ndëshkojë. Allahu është Ngadhnjimtar dhe Zoti i shpagimit. -Shtrohet pyetja: A është i detyruar për kompensim dhe a është i kërcënuar me këtë ndëshkim si ai që e bën gjuetinë me dashje, edhe ai që e bën pa dashje? Ndërkohë, Allahu i Madhëruar ka thënë: …

Al-Maaida 5:95Listen in Qur'an →
96

أُحِلَّ لَكُمْ صَيْدُ ٱلْبَحْرِ وَطَعَامُهُۥ مَتَٰعًۭا لَّكُمْ وَلِلسَّيَّارَةِ ۖ وَحُرِّمَ عَلَيْكُمْ صَيْدُ ٱلْبَرِّ مَا دُمْتُمْ حُرُمًۭا ۗ وَٱتَّقُوا۟ ٱللَّهَ ٱلَّذِىٓ إِلَيْهِ تُحْشَرُونَ

U është lejuar gjuetia e detit dhe ngrënia e saj, duke u kënaqur me të, në shtëpi dhe në udhëtim. E, ju është ndaluar gjuetia e tokës, deri sa të gjendeni në Ihram. Druajeni Perëndinë, para të cilit do të tuboheni.

Juve ju është lejuar gjuetia e detit dhe çdo ushqim i tij, për t’u kënaqur ju dhe udhëtarët,... -Pra, gjuetia në det është lejuar edhe gjatë kohës së ihramit. Lejohet si ushqimi që del i gjallë prej detit, ashtu dhe kafshët e detit të ngordhura në të. Allahu i Lartësuar i lejoi këto ushqime, gjithashtu, me qëllim që bashkë me ne, të përfitojnë edhe shoqëruesit tanë të udhëtimit në det....por ju është ndaluar gjahu i tokës, sa të jeni në ihram! -Nga fjala “sajd”(gjah) nënkuptohet që, së pari, gjahu të jetë kafshë e egër dhe jo e zbutur. Pra, vrasja e kafshëve të buta për ushqim nuk konsiderohet gjah. Së dyti, gjahu duhet të jetë i ngrënshëm, domethënë që lejohet të hahet. Kësisoj, vrasja e kafshëve jo të ngrënshme nuk konsiderohet si gjah për të cilin je i detyruar të kompensosh.Kijeni frikë Allahun, para të Cilit do të grumbulloheni! -Frika ndaj Allahut tregohet duke zbatuar ato gjëra të cilat Ai i ka urdhëruar dhe duke iu larguar atyre të cilat Ai i ka ndaluar. Për të qenë sa më e lehtë arritja e kësaj, duhet të kujtojmë shpesh se do të ringjallemi dhe do të grumbullohemi para Allahut, për t’u llogaritur dhe shpërblyer sipas veprave tona. Nëse tregohemi të devotshëm, të gëzohemi, se shpërblimi do të jetë i madh. Por nëse nuk jemi të tillë dhe nuk përpiqemi për të arritur frikën ndaj Allahut, atëherë do të jemi të rrezikuar nga ndëshkimi i të Drejtit.

Al-Maaida 5:96Listen in Qur'an →
97

۞ جَعَلَ ٱللَّهُ ٱلْكَعْبَةَ ٱلْبَيْتَ ٱلْحَرَامَ قِيَٰمًۭا لِّلنَّاسِ وَٱلشَّهْرَ ٱلْحَرَامَ وَٱلْهَدْىَ وَٱلْقَلَٰٓئِدَ ۚ ذَٰلِكَ لِتَعْلَمُوٓا۟ أَنَّ ٱللَّهَ يَعْلَمُ مَا فِى ٱلسَّمَٰوَٰتِ وَمَا فِى ٱلْأَرْضِ وَأَنَّ ٱللَّهَ بِكُلِّ شَىْءٍ عَلِيمٌ

Perëndia e bëri Qaben – Shtëpi të shenjtë që njerëzit t’i kryejnë detyrat fetare dhe muajin e shenjt, kurbanin dhe kurbanin e shënuar. Këto të gjitha, i bëri, për të ditur se Perëndia di çdo gjë në qiej dhe në Tokë dhe që Perëndia është i Gjithëdijshëm.

Allahu e bëri Qaben, Shtëpinë e Shenjtë, vend rimëkëmbjeje për njerëzit; edhe muajin e shenjtë, edhe kurbanin,... -Allahu i Madhëruar e bëri Qaben dhe adhurimet që kryen në të si rimëkëmbëse të njerëzve. Nëpërmjet adhurimeve të kryera në Shtëpinë e Lashtë, Allahu i Madhëruar u rimëkëmb njerëzve besimin dhe çështjet e tyre të dynjasë. Ato plotësojnë Islamin dhe fshijnë gjynahet e tyre. Duke synuar këtë faltore madhështore, njerëzit arrijnë mirësitë dhe bujarinë e pakufishme të Allahut të Lartësuar, sepse për ta vizituar atë shpenzohen pasuri dhe kryhen sakrifica të mëdha. Atje grumbullohen muslimanë nga çdo vend i botës, ku njihen dhe ndihmojnë njëri-tjetrin. Ata këshillohen dhe bashkëpunojnë me njëri-tjetrin për çështje të ndryshme, fetare ose jofetare. Allahu i Lartësuar thotë në një ajet tjetër: “Thirr ndër njerëz për haxh: ata do të vijnë në këmbë e (hipur) në deve të rraskapitura ngaqë vijnë prej rrugëve të thella e vendeve të largëta, për të parë të mirat që u janë falur atyre dhe për të madhëruar emrin e Allahut në ditë të caktuara për bagëtitë të cilat Ai ua ka dhënë (për kurban). Hani pra prej tyre (kurbaneve) dhe ushqeni të varfrin dhe nevojtarin.” [Haxh 27, 28]. Pikërisht se Qabeja është rimëkëmbëse e njerëzve, disa dijetarë kanë thënë se kryerja e haxhit është farz kifaje çdo vit.Kësisoj, nëse të gjithë njerëzit nuk do ta kryenin haxhin në Shtëpinë e Shenjtë, çdokush që e ka pasur mundësinë për kryerjen e saj do të ishte gjynahqar. Madje, nëse njerëzit të tërë do ta braktisnin haxhin, kjo do të shënonte rrënimin e tyre, pasi do humbte faktori që sjell rimëkëmbjen e mirësive të tyre, dhe Kijameti do të ndodhte shpejt....edhe ato me qafore -Po kështu, si dobi për njerëzit janë edhe bagëtitë e shënuara me qafore, të cilat janë llojet më të mira të kurbaneve, nëpërmjet të cilave fitohet shpërblimi nga Allahu i Madhëruar.Këtë, që ta dini se Allahu e di çfarë ka në qiej dhe çfarë ka në tokë dhe se Allahu Di gjithçka. -Dhe pikërisht prej diturisë dhe urtësisë së Tij, Ai bëri Shtëpinë e Shenjtë. Ai e di shumë mirë për çdo mirësi tonën në dynja dhe ahiret.Ndërsa haxhi një herë në jetë është farz ajn, për atë njeri që ka mundësi.

Al-Maaida 5:97Listen in Qur'an →
98

ٱعْلَمُوٓا۟ أَنَّ ٱللَّهَ شَدِيدُ ٱلْعِقَابِ وَأَنَّ ٱللَّهَ غَفُورٌۭ رَّحِيمٌۭ

Dinie se Perëndia është ndëshkues i rreptë dhe se është falës e mëshirues.

Dijeni se Allahu e ka ndëshkimin të rreptë dhe dijeni se Allahu është Falës i Madh e Mëshirëplotë. -Kuptimi: Njohja e këtyre dy fakteve le të jetë gjithmonë në zemrat tuaja, duke qenë të sigurt për to. Dijeni dhe kujtojeni vazhdimisht se Allahu është Ndëshkues i rreptë. Ndëshkimi i Tij godet në këtë dynja dhe në ahiret ata që nuk i binden Atij. Por dijeni dhe kujtojeni vazhdimisht që Allahu është gjithashtu Falës i Madh e Mëshirëplotë, në dynja dhe ahiret, për ata që i binden. Kjo njohje do të bëjë që në zemrat tuaja të lindë dhe të forcohet frika nga ndëshkimi i Tij dhe shpresa për faljen, mëshirën dhe shpërblimin e Tij. Ajo, gjithashtu, do t’ju nxisë që të punoni me këtë frikë dhe shpresë. Pastaj i Lartësuari thotë:

Al-Maaida 5:98Listen in Qur'an →
99

مَّا عَلَى ٱلرَّسُولِ إِلَّا ٱلْبَلَٰغُ ۗ وَٱللَّهُ يَعْلَمُ مَا تُبْدُونَ وَمَا تَكْتُمُونَ

Pejgamberi ka për detyrë vetëm t’ju komunikojë Shpalljes. Se Perëndia di çka punoni sheshazi e çka fshehurazi.

I Dërguari nuk ka tjetër obligim, veç kumtimit të qartë(të shpalljes). -Dhe Profeti (a.s)e përcolli saktësisht dhe plotësisht mesazhin e Zotit të tij, duke e kryer kështu të vetmen detyrë të tij.Allahu e di gjithçka që e bëni haptazi dhe atë që e mbani fshehtë. -Allahu do t’ju shpërblejë për veprat tuaja, të cilat Ai i di imtësisht dhe i ka të shënuara me korrektësi.

Al-Maaida 5:99Listen in Qur'an →
100

قُل لَّا يَسْتَوِى ٱلْخَبِيثُ وَٱلطَّيِّبُ وَلَوْ أَعْجَبَكَ كَثْرَةُ ٱلْخَبِيثِ ۚ فَٱتَّقُوا۟ ٱللَّهَ يَٰٓأُو۟لِى ٱلْأَلْبَٰبِ لَعَلَّكُمْ تُفْلِحُونَ

Thuaju: “Nuk barazohet e keqja me të mirën, sikur edhe të të kënaqte shumica e të këqijave. Druajeni Perëndinë, o të zotët e mendjes së hollë, që të shpëtoni.

Duke i nxitur njerëzit për punë të mira dhe duke i këshilluar që të largohen nga të këqijat, Allahu i Lartësuar thotë:Thuaj: “Nuk është e njëjtë e keqja dhe e mira, edhe nëse shtimi i së keqes të mahnit.” -Pra, nuk janë të njëjtë besimi dhe mohimi, bindja ndaj Zotit dhe mosbindja ndaj Tij, banorët e Xhenetit dhe banorët e Zjarrit, veprat e mira dhe veprat e këqija, pasuria hallall dhe pasuria haram. Gjithashtu, e keqja nuk iu vlen aspak atyre që e kanë. Përkundrazi, ajo i dëmton ata në çështjet e dynjasë dhe të fesë.Kijni frikë Allahun, o ju që kuptoni, që të shpëtoni! -Allahu i Madhëruar iu drejtohet të mençurve, me mendje të shëndoshë dhe arsyetim të saktë, sepse nga ata shpresohet që mund të përfitojnë nga porositë e Tij të mrekullueshme, që mirësia të punojë tek ata dhe nëpërmjet tyre. Ai tregon se çelësi i shpëtimit dhe suksesit është devotshmëria, pra, zbatimi i urdhrave dhe largimi nga ndalesat e Tij, në shenjë dashurie, madhërimi e nënshtrimi për Të. Shpërfillja e devotshmërisë është rrugë drejt humbjes së çdo mirësie dhe drejt zhytjes në ligësi dhe dëshpërim.

Al-Maaida 5:100Listen in Qur'an →

Commentary: Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di. Qur'an text and translation via AlQuran Cloud.