Muslim99Muslim99
← Tafsir library

16. An-Nahl

The Bee · Meccan · 128 ayahs

سُورَةُ النَّحۡلِ

Reading Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di

Ayahs 81–90 of 128

81

وَٱللَّهُ جَعَلَ لَكُم مِّمَّا خَلَقَ ظِلَٰلًۭا وَجَعَلَ لَكُم مِّنَ ٱلْجِبَالِ أَكْنَٰنًۭا وَجَعَلَ لَكُمْ سَرَٰبِيلَ تَقِيكُمُ ٱلْحَرَّ وَسَرَٰبِيلَ تَقِيكُم بَأْسَكُمْ ۚ كَذَٰلِكَ يُتِمُّ نِعْمَتَهُۥ عَلَيْكُمْ لَعَلَّكُمْ تُسْلِمُونَ

Perëndia ka bërë për ju – nga ajo që ka krijuar – hije (që të mbron nga nxehtësia) dhe ka bërë për ju – nga malet – strehim dhe ka bërë për ju rroba që u mbrojnë nga nxehtësia; dhe ka bërë për ju veshje prej metali për t’ju mbrojtë në luftë; dhe kështu ua plotëson dhuntitë e Veta për t’ju bindë Perëndisë.

Allahu ju bëri hije(të freskëta)nga ajo që Ai krijoi për ju... - Ai bëri për ju hije të freskëta prej krijesave, që vetëm Ai i krijoi dhe ju nuk keni dorë në to, si për shembull, hijet e pemëve, të maleve, kodrave, reve etj....dhe nëpër male ju gjeni vendstrehime. -Gjeni strehë në shpella e guva, që ju mbrojnë prej të nxehtit, të ftohtit, reshjeve dhe armiqve.Ai ju mundësoi të keni veshje, që ju mbrojnë prej të nxehtit -Allahu ju mundësoi të bëni veshje, që ju mbrojnë prej të nxehtit. Po të vëresh me kujdes, këtu nuk është përmendur mbrojtja nga të ftohtit. Dijetarët shpjegojnë se kjo sure përmend në fillim mirësitë themelore dhe më pas ato që rrjedhin prej të parave. Në këtë rast, mbrojtja nga të ftohtit është mirësi bazë, ndërsa këtu përmendet një degëzim i asaj mirësie. Mirësitë bazë Allahu i Madhëruar i përmend në fillim të sures, kur thotë: “Edhe kafshët Ai i krijoi për ju. Nëpërmjet tyre ju siguroni ngrohtësi dhe dobi të tjera, gjithashtu edhe ushqeheni. Ju shihni pamje të bukura kur i ktheni ato në mbrëmje dhe kur i lëshoni në mëngjes (në kullotë). Ato bartin ngarkesat tuaja në vende të largëta, ku përndryshe ju do të arrinit me shumë vështirësi. Vërtet, Zoti juaj është shumë Bamirës dhe Mëshirëplotë. Edhe kuajt, mushkat dhe gomarët, i krijoi që të ngarkoni mbi to dhe si bukuri. Ai do të krijojë gjëra që ju tani nuk i njihni.” [Nahl 5 - 8]....dhe veshje që ju mbrojnë në luftë. –Ai ju mundësoi të bëni edhe veshje të veçanta, që ju mbrojnë gjatë luftës, siç janë parzmoret apo përkrenaret. Kështu kujdeset Zoti juaj për ju, duke ju dhuruar mirësi të shumta, që nuk janë të kufizuara.Kështu i plotëson Allahu të mirat e Tij ndaj jush, në mënyrë që të dorëzoheni. -Kur të kujtoni mirësitë e Zotit dhe të shihni se si ju rrethojnë në çdo çast, ju duhet që t’i dorëzoheni Allahut me tërë qenien tuaj. Ju duhet t’i nënshtroheni e përuleni madhështisë së Allahut, duke zbatuar urdhëresat e Tij. Ju duhet t’i përdorni ato mirësi në bindje ndaj Atij që jua dhuroi. Mirësitë e shumta duhet të nxisin tek njeriu mirënjohje të madhe dhe shprehje të përlëvdimit e dashurisë për Zotin. Por të padrejtët nuk dinë të shprehin gjë tjetër, veç shfrenimit, inatit, armiqësisë dhe rebelimit.

82

فَإِن تَوَلَّوْا۟ فَإِنَّمَا عَلَيْكَ ٱلْبَلَٰغُ ٱلْمُبِينُ

E, nëse ata shmangen, ti je i obliguar vetëm që të shpallësh qartazi.

Por, nëse ata të kthejnë shpinën, atëherë detyra jote është veçse kumtimi i qartë (i besimit të drejtë). -Nëse i kthejnë shpinën Zotit, edhe pasi iu përmenden mirësitë dhe shenjat e madhështisë së Tij, atëherë kujto gjithmonë se: “...obligimi yt është veçse komunikimi i qartë”. Ti nuk ke në dorë asgjë për udhëzimin e tyre. Ti nuk mund t’i bësh që të besojnë dhe të jetojnë sipas besimit. Ty të është kërkuar nga Zoti veçse t’u kujtosh, këshillosh, t’u qartësosh të vërtetën dhe t’i paralajmërosh për ndëshkimin e Zotit. Nëse e kryen atë që të është ngarkuar, atëherë llogaria e tyre mbetet tek Zoti. Ata i njohin mirë mirësitë e Zotit dhe e shohin përkujdesin dhe bujarinë e Tij çdo çast, por kanë zgjedhur që t’i mohojnë ato dhe të mos jenë mirënjohës ndaj Zotit.

83

يَعْرِفُونَ نِعْمَتَ ٱللَّهِ ثُمَّ يُنكِرُونَهَا وَأَكْثَرُهُمُ ٱلْكَٰفِرُونَ

Ata e dinë dhuntinë e Perëndisë, por pastaj e mohojnë, e shumica e tyre janë mohues.

Ata i njohin të mirat e Allahut, pastaj i mohojnë ato dhe shumica e tyre janë jobesimtarë. -Nuk ka hajër tek ata. Atyre nuk u bëjnë dobi mirësitë e vazhdueshme, sepse i kanë prishur ndjenjat dhe qëllimet e tyre. Megjithatë, ata do ta shohin me sytë e vet ndëshkimin që Zoti ka përgatitur për çdo tiran e mosmirënjohës, për çdo rebel ndaj Tij dhe Profetit.

84

وَيَوْمَ نَبْعَثُ مِن كُلِّ أُمَّةٍۢ شَهِيدًۭا ثُمَّ لَا يُؤْذَنُ لِلَّذِينَ كَفَرُوا۟ وَلَا هُمْ يُسْتَعْتَبُونَ

(Tërhiqju vërejtjen) për Ditën kur do të sjellim dëshmitarë nga çdo popull, e nuk do t’ju jepet leje (për arsyetim) mohuesve, e as që u lejohet atyre që të kërkojnë falje.

Allahu i Madhëruar përshkruan këtu gjendjen e mohuesve të besimit. Ditën e Gjykimit, Ai nuk ka për të pranuar asnjë shfajësim e arsyetim, që mund të largojë ndëshkimin prej tyre. Atë ditë, edhe aleatët e miqtë më të ngushtë që kanë patur në këtë jetë, do të distancohen prej tyre. Madje, ata vetë, me gojën e tyre do të dëshmojnë se ishin mohues të besimit dhe se gënjenin për fenë e Zotit:Atë Ditë, kur prej secilit popull do të sjellim dëshmitarë,... -Nga çdo popull do të nxjerrim dëshmitarë, që do të dëshmojnë me drejtësi për veprimtarinë e popullit dhe për çështjen se si iu përgjigjën ftuesit të Zotit në udhën e drejtë. Këta dëshmitarë, sigurisht, do të jenë njerëzit më të pastër dhe më të zgjedhur, profetët e Zotit. Me dëshminë e tyre, do të jepet gjykimi i drejtë nga Zoti.... atyre që nuk besuan, nuk do t'u jepet leje për shfajsim, e as nuk do të kërkohet prej tyre(të arsyetohen). -Askujt nuk do t’i jepet mundësi për të nxjerrë shfajësime e justifikime, sepse pas dëshmisë së pakundërshtueshme të profetëve nuk ka nevojë për asnjë dëshmi tjetër për meritën e ndëshkimit. Atëherë, çdo shfajësim e justifikim është thjesht një mashtrim i kotë, që nuk sjell asnjë përfitim për ta.

85

وَإِذَا رَءَا ٱلَّذِينَ ظَلَمُوا۟ ٱلْعَذَابَ فَلَا يُخَفَّفُ عَنْهُمْ وَلَا هُمْ يُنظَرُونَ

Kur ata që kanë bërë keq, të shohin dënimin, ai nuk do t’u lehtësohet (dënimi), e as nuk u shtyhet.

Kur keqbërësit të shohin dënimin, atëherë as nuk do t’u lehtësohet dhe as nuk do t’u jepet afat. -Edhe nëse kërkojnë të kthehen në këtë botë, që të rregullojnë atë që kanë shkatëruar, kjo kërkesë nuk ka për t’iu pranuar. Madje, ata as do të arrijnë të shprehin plotësisht keqardhjen, pasi menjëherë do t’i përpijë ndëshkimi i ashpër, i cili nuk ka për t’iu lehtësuar ndonjëherë. Ky ndëshkim do t’i përpijë pa asnjë paralajmërim dhe pa asnjë vonim, që nga momenti që fillojnë ta shohin e vërejnë me sytë e tyre. Kështu do të ndodhë, sepse ata nuk do të merren fare në llogari. Ata nuk kanë pse të merren në llogari, pasi nuk kanë ndonjë të mirë që t’u vlejë atë ditë. Pasi iu paraqiten veprat që kanë bërë në këtë jetë, ata do t’i pranojnë gjynahet, dhe kështu do të poshtërohen para të gjithëve.

86

وَإِذَا رَءَا ٱلَّذِينَ أَشْرَكُوا۟ شُرَكَآءَهُمْ قَالُوا۟ رَبَّنَا هَٰٓؤُلَآءِ شُرَكَآؤُنَا ٱلَّذِينَ كُنَّا نَدْعُوا۟ مِن دُونِكَ ۖ فَأَلْقَوْا۟ إِلَيْهِمُ ٱلْقَوْلَ إِنَّكُمْ لَكَٰذِبُونَ

Kur të shohin ata që i kanë bërë shok Perëndisë – ato gjëra që i kanë bërë shok Atij, thonë: “O Zoti ynë, këta janë ata shokët tonë që ne iu kemi lutur, përpos Teje”. Ata (shokët e tyre të adhuruar) do t’u drejtojnë këto fjalë: “Ju, me të vërtetë, jeni gënjeshtarë!”

Kur idhujtarët do t’i shohin idhujt e vet, do të thonë: “O Zoti ynë, këta janë idhujt tanë, të cilët ne i patëm adhuruar veç Teje.” -Kur idhujtarët shohin idhujt e vet, do të thonë: “O Zoti ynë, këta janë idhujt tanë, të cilët ne i adhuronim veç Teje. Domethënë, tani po e shohim se ata nuk kanë asnjë lloj dobie e as mundësi ndërmjetësimi.”Kështu, ata shprehin vetë kotësinë e atyre idhujve dhe të adhurimeve kushtuar atyre. Edhe idhujt, nga ana e tyre, do t'i mohojnë e do të distancohen prej tyre. Kështu fillojnë të shfaqin urrejtje dhe armiqësi për idhujt e tyre dhe mes njëri-tjetrit:Ata(idhujt)do t'ua kthejnë fjalën e do t'u thonë: “Ju jeni gënjeshtarë.” -Edhe idhujt e tyre u thonë: “Ju jeni gënjeshtarë.” Ju shpifnit kur na konsideronit si shokë e të barabartë me Zotin dhe kur na adhuronit së bashku me Zotin. Ne nuk ju urdhëronim për diçka të tillë. Ne as nuk pretendonim se meritonim ndonjë adhurim. Atëherë, tani qortoni veçse veten tuaj!

87

وَأَلْقَوْا۟ إِلَى ٱللَّهِ يَوْمَئِذٍ ٱلسَّلَمَ ۖ وَضَلَّ عَنْهُم مَّا كَانُوا۟ يَفْتَرُونَ

Ata – në atë ditë, do t’i shprehin mbështetje Perëndisë dhe do të shkatërrohet ajo, që ia mveshin Atij (Perëndisë).

Atë ditë, ata do t'i dorëzohen Allahut... – Kështu, ata dorëzohen para Allahut dhe nënshtrohen para gjykimit të Tij. Atje e mësojnë dhe binden se ata e meritojnë plotësisht ndëshkimin....dhe ajo që ata trillonin do t'i lërë në baltë. - Ata do të hyjnë në Zjarr dhe zemrat e tyre do të jenë të mbushura me urrejtje për vetveten. Nga ana tjetër, ata e shohin dhe janë të bindur se Allahu është i Lavdëruar dhe i Madhëruar, sepse i ka ndëshkuar veçse ashtu siç e kanë merituar, për çfarë kanë bërë me duart e tyre.

88

ٱلَّذِينَ كَفَرُوا۟ وَصَدُّوا۟ عَن سَبِيلِ ٱللَّهِ زِدْنَٰهُمْ عَذَابًۭا فَوْقَ ٱلْعَذَابِ بِمَا كَانُوا۟ يُفْسِدُونَ

Ata që nuk kanë besuar dhe që kanë penguar në rrugën e Perëndisë, atyre ua shtojmë dënimin mbi dënim, ngase kanë bërë ngatërresa.

Atyre që nuk besuan dhe penguan nga rruga e Allahut, do t'u shtojmë dënim mbi dënim, për shkak se bënin shkatërrime. -Ata mohuan besimin e drejtë, së pari, për veten e tyre, duke i konsideruar shpalljet e Zotit si gënjeshtra. Përveç kësaj, ata luftuan kundër profetëve të Zotit dhe penguan edhe njerëzit e tjerë nga rruga e drejtë. Kështu, ata u shndërruan në ndihmues të rrugës së shejtanit, duke i ftuar njerëzit në humbje e poshtërsi, prandaj e merituan shumëfishimin e ndëshkimit. I shumëfishuar do të jetë ndëshkimi i tyre, sepse të shumëfishta ishin krimet dhe shkatërrimi që ata bënë në tokën e Zotit.

89

وَيَوْمَ نَبْعَثُ فِى كُلِّ أُمَّةٍۢ شَهِيدًا عَلَيْهِم مِّنْ أَنفُسِهِمْ ۖ وَجِئْنَا بِكَ شَهِيدًا عَلَىٰ هَٰٓؤُلَآءِ ۚ وَنَزَّلْنَا عَلَيْكَ ٱلْكِتَٰبَ تِبْيَٰنًۭا لِّكُلِّ شَىْءٍۢ وَهُدًۭى وَرَحْمَةًۭ وَبُشْرَىٰ لِلْمُسْلِمِينَ

Dhe, (përkujtoju) ditën kur Na do të sjellim kundër çdo populli dëshmitarë nga mesi i tyre (pejgamberi i tyre) dhe (atëherë), Na do të sjellim ty (Muhammed) dëshmitar kundër këtyre. E, Na ta kemi dërguar ty Librin, - shpjegim për çdo çështje dhe si udhërrëfyes, mëshirë dhe sihariq për muslimanët.

Pasi tregoi se do të sjellë dëshmitarë nga çdo popull, Allahu i Madhëruar tregon këtu të njëjtën gjë, por duke përmendur në mënyrë të veçantë dëshminë e profetëve të zgjedhur dhe të nderuar.Atë Ditë, kur për secilin popull Ne do të sjellim një dëshmitar kundër tyre, edhe ty do të të sjellim si dëshmitar kundër këtyre(popullit tënd). -Do të të sjellim për të dëshmuar në lidhje me umetin tënd, për të mirat e për të këqijat që ata kanë bërë. Kjo tregon për drejtësinë e madhe të Allahut, i Cili për çdo popull do të sjellë si dëshmitar profetin e tyre, sepse profetët janë më të diturit rreth veprimeve të popujve të tyre. Profetët janë gjithashtu njerëzit më të dhembshur e më të mëshirshëm për popujt e tyre, prandaj kurrë nuk do të dëshmonin padrejtësisht, por veçse të vërtetën. Ky varg i përngjason ajetit tjetër kuranor: “Dhe kështu, Ne ju bëmë ju një popull të ekuilibruar, për të qenë dëshmitarë (Ditën e Gjykimit) për popujt. Edhe i Dërguari ka për të qenë dëshmitar për ju.” [Bekare 143]. Gjithashtu, i Madhëruari thotë: “Si do të bëhet kur, për çdo popull, Ne do të sjellim dëshmitarë, ndërsa ty (O Muhamed)do të të sjellim dëshmitar për të gjithë ata? Atë ditë, ata që nuk kanë besuar dhe që kanë kundërshtuar të Dërguarin, do të dëshironin të rrafshohej toka mbi ta, sepse ata nuk do mund t’i fshehin Allahut asgjë.” [Nisa 43, 44].Ne ta shpallëm ty Librin si sqarim për çdo gjë, si udhëzim e mëshirë dhe si përgëzim për muslimanët. - Ne ta shpallëm Librin si qartësim të themeleve të fesë dhe degëzimeve të saj, por edhe si sqarim dhe udhëzim për çështjet e kësaj jete dhe për gjithçka që njerëzit kanë nevojë. Në të gjitha këto aspekte, Kur'ani sjell shpjegimin më të qartë, me fjalët më të kuptueshme, më të zgjedhura dhe më kuptimplota. Madje, për çështjet më të rëndësishme Kur'ani sjell sqarime të përsëritura, që ato të jenë të pranishme vazhdimisht në zemrat tona. Të tilla janë zemrat: ato kanë nevojë që t’i kujtojnë vazhdimisht çështjet madhore. Allahu i Madhëruar i përsërit këto mesazhe me formulime e fjalë të ndryshme dhe duke sjellë fakte e argumente të larmishme, në mënyrë që ato të zënë rrënjë të thella në zemër. Nëse zënë vend mirë në zemrën e besimtarit, këto mesazhe e mësime do të bëjnë që prej tyre të rrjedhin vepra të mira dhe udhëzimi të bëhet i palëkundur. Në varësi të ngulitjes së këtyre mësimeve në zemrën e besimtarit do të jetë edhe udhëzimi e mirësia. Përmes fjalëve të pakta e të qarta, Allahu i Madhëruar sjell kuptime të shumta dhe të gjera, të cilat shërbejnë si rregulla e parime themelore për arritjen e çdo mirësie dhe shpëtimin nga çdo e keqe. Të tilla janë ajetet që do të vijnë më pas. Në to sillen urdhëresa, ndalesa e porosi themelore. Duke qenë se Kur'ani është qartësim për gjithçka, atëherë ai është argument i pakundërshtueshëm për të gjithë njerëzit dhe ata e kanë detyrë të nënshtrohen e të jetojnë sipas tij. Asnjë jobesimtar dhe njeri i padrejtë nuk do të mund të shfajësohet tek Zoti. Muslimanët, nga ana tjetër, ndriçohen e përfitojnë nga ky udhëzim. Kur'ani është dritë e udhërrëfyes, përmes të cilit ata ndriçohen në çështjet e kësaj jete dhe tjetrës. Gjithashtu, Kur'ani është mëshirë për ta, përmes së cilës do të arrijnë …

90

۞ إِنَّ ٱللَّهَ يَأْمُرُ بِٱلْعَدْلِ وَٱلْإِحْسَٰنِ وَإِيتَآئِ ذِى ٱلْقُرْبَىٰ وَيَنْهَىٰ عَنِ ٱلْفَحْشَآءِ وَٱلْمُنكَرِ وَٱلْبَغْىِ ۚ يَعِظُكُمْ لَعَلَّكُمْ تَذَكَّرُونَ

Perëndia, me të vërtetë, urdhëron që të veprohet me drejtësi, mirësi dhe t’u ndihmohet të afërmve, e ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon që të pranoni këshillat.

Allahu urdhëron për drejtësi, për bamirësi e për ndihmë ndaj të afërmve dhe i ndalon imoralitetin, poshtërsitë dhe padrejtësinë. Ai ju këshillon që ju të kujtoni (kumtet e Tij). -Drejtësia për të cilën Zoti urdhëron përfshin drejtësinë në raport me detyrimet ndaj Zotit dhe drejtësinë në raport me krijesat. Drejtësia është plotësimi i të drejtave dhe detyrimeve. Njeriu duhet të zbatojë urdhëresat e Zotit në lidhje me detyrimet pasurore, trupore dhe ato të gërshetuara, qoftë në lidhje me përgjegjësitë ndaj Zotit, qoftë në lidhje me përgjegjësitë ndaj krijesave. Besimtari duhet t’i trajtojë të gjitha krijesat me drejtësi të plotë. Çdo sipërmarrës e përgjegjës duhet të plotësojë detyrimet e tij, qoftë si udhëheqës e gjykatës, qoftë si këshilltar i udhëheqësit apo këshilltarë të gjykatësve etj. Drejtësia është ajo që Zoti ua ka përshkruar njerëzve në Librin e Tij dhe përmes Traditës së Profetit të Tij. Si shembull të mbajtjes së drejtësisë në marrëdhëniet ndërnjerëzore mund të përmendim plotësimin e të gjitha detyrimeve në shitblerje apo kontrata, duke mos fshehur asgjë dhe duke mos nënçmuar të drejtën e tjetrit me zili, duke mos mashtruar dhe duke mos bërë shkelje. Drejtësia është e detyrueshme, ndërsa bamirësia është virtyt i lartë dhe vepër e pëlqyeshme. E pëlqyeshme është kur je i dobishëm për njerëzit me pasurinë, me forcën tënde trupore dhe intelektuale etj. Edhe bamirësia ndaj kafshëve është pjesë e këtyre vlerave të larta njerëzore, për të cilat jemi porositur t'i realizojmë. Edhe pse e përfshin këshilla e përgjithshme për bamirësi në fillim të ajetit, Allahu i Lartësuar ka përmendur në mënyrë të veçantë bamirësinë ndaj të afërmve e farefisnisë, për ta përforcuar edhe më shumë detyrimin ndaj tyre.

Commentary: Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di. Qur'an text and translation via AlQuran Cloud.