Muslim99Muslim99
← Tafsir library

16. An-Nahl

The Bee · Meccan · 128 ayahs

سُورَةُ النَّحۡلِ

Reading Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di

Ayahs 71–80 of 128

71

وَٱللَّهُ فَضَّلَ بَعْضَكُمْ عَلَىٰ بَعْضٍۢ فِى ٱلرِّزْقِ ۚ فَمَا ٱلَّذِينَ فُضِّلُوا۟ بِرَآدِّى رِزْقِهِمْ عَلَىٰ مَا مَلَكَتْ أَيْمَٰنُهُمْ فَهُمْ فِيهِ سَوَآءٌ ۚ أَفَبِنِعْمَةِ ٱللَّهِ يَجْحَدُونَ

Perëndia, disa prej jush i ka furnizuar më mirë. Por, atyre, që u ka dhënë më shumë, ata nuk iu japin furnizim atyre që i kanë nën pushtetin e vet, edhe pse ata janë të barabartë, (në furnizimin që është nga Perëndia për tërë njerëzit). Si po i mohoni dhuntitë e Perëndisë? (Kur nuk i bëni shok vetes, si mund t’i bëni shok Perëndisë?)

Allahu i dalloi disa prej jush nga të tjerët në fushën e pasurisë. Por ata të cilët u dalluan mbi të tjerët nuk duan ta ndajnë pasurinë me ata që i kanë nën vete, për të qenë të barabartë. -E gjitha kjo është treguesi i njëshmërisë së Zotit dhe argument për vërtetësinë e Tij. Nga ana tjetër, ky fakt tregon për kotësinë dhe shëmtinë e shirkut. Shirku është një vepër e shëmtuar dhe e dënueshme. Është e vërtetë se të gjitha krijesat kanë dy cilësi kryesore: ato janë të krijuara dhe janë nevojtare për Zotin. Megjithatë, Allahu i Lartësuar na ka treguar për disa dallime të krijesave nga njëra tjetra. Kështu, disa njerëz janë të lirë, me pasuri e pushtet. Disa të tjerë janë skllevër të nënshtruar, që nuk zotërojnë asgjë. Mendoni me kujdes! Zotërinjtë e pasur kurrë nuk do të lejonin që të ishin të barabartë me skllevërit e nënshtruar dhe të ndanin pasurinë e pushtetin me ta, e kështu të ishin njëlloj. Ata e shohin këtë si diçka të papranueshme. Mendohuni o njerëz! Ju po i atribuoni Zotit disa krijesa të dobëta si të barabarta me Të, megjithëse krijesat janë nevojtare e të pafuqishme, që nuk kanë asnjë grimë pushteti. Si mund t’i konsideroni ata të barabartë me Zotin dhe partnerë me Të në pushtetin e mbretërimin e Tij, kur as për veten tuaj nuk e pranoni këtë? A nuk është kjo padrejtësia më e madhe dhe mosmirënjohje për mirësitë e Allahut?Si i mohojnë kështu mirësitë e Allahut?! -Nëse do të ishin mirënjohës për mirësitë që kanë dhe do t’ia njihnin e do t’ia atribuonin Atij që ua dhuroi ato, kurrë nuk do t’i shoqëronin Allahut shokë, në asnjë aspekt, por Ai do të ishte i vetmi që do të meritonte adhurimin, dashurinë e madhërimin e tyre.

72

وَٱللَّهُ جَعَلَ لَكُم مِّنْ أَنفُسِكُمْ أَزْوَٰجًۭا وَجَعَلَ لَكُم مِّنْ أَزْوَٰجِكُم بَنِينَ وَحَفَدَةًۭ وَرَزَقَكُم مِّنَ ٱلطَّيِّبَٰتِ ۚ أَفَبِٱلْبَٰطِلِ يُؤْمِنُونَ وَبِنِعْمَتِ ٱللَّهِ هُمْ يَكْفُرُونَ

Perëndia ka krijuar gratë nga lloji juaj, e nga gratë tuaja u jep djemtë e nipat dhe u furnizon me ushqime të mira. A, mos vallë, ata besojnë në gënjeshtra (idhuj), e mohojnë dhuntinë e Perëndisë,

Allahu krijoi për ju bashkëshorte nga vetë lloji juaj, e prej bashkëshorteve tuaja, fëmijë e nipa. -Allahu i Madhëruar përmend një mirësi të madhe e të pakrahasueshme, që u ka dhuruar njerëzve. Ai u dhuroi bashkëshorte, që ata të gjejnë qetësi e prehje tek ato. Në fakt, ata janë qetësi dhe prehje e ndërsjelltë për njëri-tjetrin. Përmes këtij bashkimi, Allahu u dhuron fëmijë, që u kënaqin syrin dhe u shërbejnë. Ai i furnizon ata me ushqime e pije të larmishme dhe me shumë mirësi të tjera, që njerëzit nuk mund as t’i llogarisin a numërojnë, e jo më të jenë mirënjohës për to.Gjithashtu, Ai ju furnizon me të mira. -Si mundet, atëherë, të besojnë në kotësira dhe krijesa, që dikur nuk ekzistonin dhe Allahu i Lartësuar i solli në ekzistencë? Ato krijesa nuk kanë fuqi të krijojnë, të sjellin furnizim dhe të kujdesen për njerëzit. Të tilla janë ato që adhurohen veç Allahut nga të paditurit. Idhujt janë kotësira dhe adhurimet dedikuar atyre janë kotësira. Atëherë, si mundet që një i logjikshëm t’i konsiderojë ato njëlloj si Allahun dhe t’i adhurojë e madhërojë?Ata besojnë të pavërtetën, ndërsa të mirat e Allahut i mohojnë. -Kështu i mohojnë mirësitë e Allahut, madje i përdorin ato për poshtërsi dhe mosbindje, për mosbesim dhe gjynahe. Kjo, pa dyshim, është më e madhja padrejtësi, poshtërsia më e ulët dhe mendjelehtësia më e pashembullt.

73

وَيَعْبُدُونَ مِن دُونِ ٱللَّهِ مَا لَا يَمْلِكُ لَهُمْ رِزْقًۭا مِّنَ ٱلسَّمَٰوَٰتِ وَٱلْأَرْضِ شَيْـًۭٔا وَلَا يَسْتَطِيعُونَ

dhe adhurojnë, përpos Perëndisë, ata që nuk janë në gjendje t’u japin çfarëdo ushqimi, as nga qielli as nga toka, dhe të cilët nuk mundën asgjë?!

Ata(idhujtarët)adhurojnë përveç Allahut krijesa, të cilat nuk janë në gjendje t’u sjellin asnjë rizk as nga qiejt, as nga toka dhe as që kanë mundësi. -Allahu i Lartësuar na njofton për injorancën e thellë të idhujtarëve dhe padrejtësinë e tyre të madhe kur adhurojnë zota, që i marrin si partnerë dhe të njëjtë me Allahun. Ata e bëjnë një padrejtësi të tillë, ndërkohë që idhujt nuk e kanë në dorë furnizimin e tyre aspak. Idhujt nuk mund të bëjnë që fara të mbijë, por Allahu e bën atë të mbijë. Ata nuk kanë në dorë asnjë grimë pushteti në qiej dhe në tokë dhe kurrë nuk do të mund të kenë pushtet e pasuri, edhe nëse do ta dëshironin diçka të tillë. Të tillë janë idhujt. Atëherë, si mund që t'i adhurojnë ato e t’i konsiderojnë si Allahun? Si mund të jenë idhujt partnerë me Atë që ka nën pushtetin e pronësinë e Tij qiejt dhe tokën?! Si mund t’i adhurojnë ata së bashku me Allahun, të Cilit i takon i gjithë pushteti, e gjithë lavdia, fuqia dhe të gjitha lavdërimet?!

74

فَلَا تَضْرِبُوا۟ لِلَّهِ ٱلْأَمْثَالَ ۚ إِنَّ ٱللَّهَ يَعْلَمُ وَأَنتُمْ لَا تَعْلَمُونَ

Andaj, mos i mveshni Perëndisë gjasime! Me të vërtetë, Perëndia di, e ju nuk dini.

Mos i përshkruani Allahut shembuj! - Kurrë mos e përshkruani e të jepni shembëllime për Zotin, duke e krahasuar Atë me krijesat.Allahu di gjithçka e ju nuk dini. -Ne kurrë nuk duhet të flasim për Allahun pa patur dituri, por thjesht duhet të dëgjojmë shembujt që na jep i Gjithëdituri.

75

۞ ضَرَبَ ٱللَّهُ مَثَلًا عَبْدًۭا مَّمْلُوكًۭا لَّا يَقْدِرُ عَلَىٰ شَىْءٍۢ وَمَن رَّزَقْنَٰهُ مِنَّا رِزْقًا حَسَنًۭا فَهُوَ يُنفِقُ مِنْهُ سِرًّۭا وَجَهْرًا ۖ هَلْ يَسْتَوُۥنَ ۚ ٱلْحَمْدُ لِلَّهِ ۚ بَلْ أَكْثَرُهُمْ لَا يَعْلَمُونَ

Perëndia ka bërë krahasim shembullin e skllavit, që s’ka mundësi për asgjë, dhe atë që e kemi furnizuar Ne me dhuntitë e mira, e ai nga ato – jep fshehtazi dhe haptazi. A janë këta njëlloj? Falenderimi është për Perëndinë! Por shumica e tyre nuk dinë.

Allahu sjell si shembull një skllav që është pronë e dikujt tjetër dhe që nuk ka në dorë asgjë dhe një tjetër, të cilin ne e kemi begatuar me një rizk të mirë e ai jep nga ai(që i kemi dhënë)fshehtas e haptas. A janë këta të dy të barabartë?! - Janë dy shembuj, që na bëjnë më të qartë kur mendojmë dhe krahasojmë Allahun dhe idhujt, që adhurojnë të paditurit. Njëri është rob ose skllav, pronë e dikujt. Ai nuk ka në dorë as veten e vet dhe nuk zotëron asgjë në këtë jetë. Ndërsa tjetri është një njeri i lirë dhe i pasur, të cilin Zoti e ka begatuar me shumë mirësi dhe me pasuri. Megjithatë, ky njeri është bujar dhe e do bamirësinë, madje ai shpenzon prej mirësive që i ka dhënë Zoti, haptazi e fshehtazi. Pyetja që shtrohet është: A është njëlloj ky me të parin?! Sigurisht që nuk janë njëlloj, edhe pse të dy janë krijesa dhe nuk do të ishte e pamundur që të ishin njëlloj. Atëherë, nëse gjykojmë se këta dy nuk janë njëlloj, atëherë si mund të jenë njëlloj skllavi i pafuqishëm e i varfër që nuk ka asnjë lloj pushteti e mundësie, që është i varfër nga çdo drejtim, me Zotin e botëve, Krijuesin, Pronarin e të gjitha gjërave, të Plotpushtetshmit, që ka fuqi për gjithçka?! Prandaj i Madhëruari i thur lavdërime Vetes së Tij, duke treguar se është i vetmi që meriton lavdërimin, dashurinë e krijesave, përlëvdimet dhe mirënjohjen:Të gjitha lavdërimet i takojnë vetëm Allahut,... -E gjithë mirënjohja, dashuria dhe përlëvdimet i takojnë vetëm Allahut. Atëherë, përse idhujtarët i barazojnë idhujt e tyre me Allahun. Përgjigjja vjen:...por shumica e tyre nuk e dinë. -Nëse do të kishin dituri të vërtetë, nuk do të kishin guximin e paturpësinë të binin në idhujtari, që është padrejtësia më e madhe.

76

وَضَرَبَ ٱللَّهُ مَثَلًۭا رَّجُلَيْنِ أَحَدُهُمَآ أَبْكَمُ لَا يَقْدِرُ عَلَىٰ شَىْءٍۢ وَهُوَ كَلٌّ عَلَىٰ مَوْلَىٰهُ أَيْنَمَا يُوَجِّههُّ لَا يَأْتِ بِخَيْرٍ ۖ هَلْ يَسْتَوِى هُوَ وَمَن يَأْمُرُ بِٱلْعَدْلِ ۙ وَهُوَ عَلَىٰ صِرَٰطٍۢ مُّسْتَقِيمٍۢ

Perëndia (përsëri) bënë krahasim shembullin e dy njerëzve, prej të cilëve njëri është shurdhë-memec, i cili nuk mund të bëjë asgjë dhe është barrë e pronarit të vet, - kurdo e kudo që ta dërgojë nuk i sjell asnjë të mirë. A është i barabartë ky (memeci apo skllavi) dhe ai (besimtari) që urdhëron me të drejtë, si dhe vet është në rrugën e drejtë!

Allahu sjell shembull edhe dy njerëz. Njëri prej atyre të dyve është memec, që nuk ka aftësi për asgjë (as për vete as për të tjerët). Ai është barrë për kujdestarin e tij e ngado që ta orientojë, ai nuk sjell ndonjë dobi. A është ai njëlloj me atë që udhëzon për drejtësi dhe është në Rrugën e Drejtë? -Shembulli i dytë është ai me njeriun shurdhmemec, që nuk dëgjon, nuk flet dhe nuk ka fuqi për asgjë, sado e vogël qoftë. Ky është barrë për të afërmit e tij. Të afërmit duhet t’i shërbejnë e të kujdesen për të, sepse ai nuk mund të kujdeset për veten e vet. Atëherë, a mund të jetë i barabartë ky me një tjetër, që urdhëron veçse për drejtësi e mirësi, është në rrugë të drejtë dhe është i plotë në çdo aspekt. Fjalët e tij janë të drejta dhe veprat e tij janë të mira. Nëse këta dy nuk mund të jenë njëlloj, atëherë edhe idhujt, që të paditurit i adhurojnë, nuk mund të jenë të barabartë me Allahun. E si mund të adhurosh ata që nuk kanë fuqi për asgjë, madje as për t’i shërbyer vetes? Ata janë thjesht krijesa të Zotit dhe Ai kujdeset për të gjithë. Këta të mangët e të varfër kurrë nuk mund të jenë e shokë e partnerë e të barabartë me Atë që thotë vetëm të vërtetën dhe bën vetëm vepra që e meritojnë të lavdërohen dhe për të cilat duhet të jesh mirënjohës.

77

وَلِلَّهِ غَيْبُ ٱلسَّمَٰوَٰتِ وَٱلْأَرْضِ ۚ وَمَآ أَمْرُ ٱلسَّاعَةِ إِلَّا كَلَمْحِ ٱلْبَصَرِ أَوْ هُوَ أَقْرَبُ ۚ إِنَّ ٱللَّهَ عَلَىٰ كُلِّ شَىْءٍۢ قَدِيرٌۭ

Perëndisë i përkasin fshehtësitë e qiejve dhe të Tokës, e çështja e Ditës së Kijametit është sa çel e mbyll sytë, ose edhe më shpejt. Perëndia, me të vërtetë, është i pushtetshëm mbi çdo gjë!

Vetëm Allahu i di fshehtësitë e qiejve dhe të tokës. -Allahu i Madhëruar është i Vetmi që di të fshehtat e qiejve e të tokës. Fshehtësitë e misteret i di vetëm Ai. Prej këtyre fshehtësive është edhe koha kur do të ndodhë Kijameti. Askush nuk e di kohën e tij veç Allahut. Por dijeni, o njerëz, se kur të vijë ajo kohë, Allahu i Lartësuar thotë:Çështja e Orës së kijametit është sa hap e mbyll sytë ose edhe më shpejt. -Kijameti do të ndodhë shumë shpejt, aq sa zgjat një pulitje sysh, madje edhe më shpejt. Atë çast do të ngrihen njerëzit nga varret e tyre, për të përjetuar Ditën e Ringjalljes dhe të Tubimit para Zotit. Tashmë nuk është koha që mund të afatizohesh. Kjo do të ndodhë, dhe askush nuk mund ta kthejë pas apo ta ndryshojë, sepse:Allahu është i Gjithëfuqishëm për gjithçka. -Aspak të mos ju duket çudi fuqia e Tij për të ringjallur të vdekurit. Mendohuni pak për shembujt e mëposhtëm:

78

وَٱللَّهُ أَخْرَجَكُم مِّنۢ بُطُونِ أُمَّهَٰتِكُمْ لَا تَعْلَمُونَ شَيْـًۭٔا وَجَعَلَ لَكُمُ ٱلسَّمْعَ وَٱلْأَبْصَٰرَ وَٱلْأَفْـِٔدَةَ ۙ لَعَلَّكُمْ تَشْكُرُونَ

Perëndia u ka nxjerrë juve nga barku i nënave tuaja e ju nuk dinit asgjë, ai u dha të dëgjuarit, të pamurit dhe zemrat për të qenë falenderues.

Allahu është i vetmi në të gjitha mirësitë që u ka dhuruar njerëzve, duke filluar nga krijimi i tyre. Ai thotë:Allahu ju nxori nga barqet e nënave(si foshnja)dhe ju nuk dinit asgjë. -Ju nuk dinit gjë dhe nuk kishit asnjë fuqi, por ishit krijesa të dobëta dhe nevojtarë në çdo aspekt.Ai Ju dha të dëgjuarit, të parët dhe zemrat, që të jeni falënderues. -Allahu i përmendi këto atribute për vetë rëndësinë e vlerën e tyre të lartë dhe për faktin se ato janë porta e çdo diturie. Çdo lloj diturie vjen prej këtyre tri portave. Megjithatë, të gjitha fuqitë e njeriut, si ato të jashtme, edhe ato të brendshme, i janë dhuruar nga Allahu i Madhëruar. Ai ua plotëson këto dhunti në mënyrë të vazhdueshme, derisa çdokush të arrijë në nivelin që i shkon për shtat. Ai e bën këtë dalëngadalë e hap pas hapi. Kështu përkujdeset i Lavdëruari për njerëzit, që ata vazhdimisht t'i jenë mirënjohës, sa herë që përdorin dhuntitë e Tij. Ata duhet t’i përdorin ato veçse për t’iu bindur Allahut e për t’i shprehur Atij adhurimin. Nëse i përdorin për diçka tjetër, atëherë ato dhunti do të jenë argument kundër tyre. Këta i përgjigjen mirësisë së Zotit me formën më të shëmtuar.

79

أَلَمْ يَرَوْا۟ إِلَى ٱلطَّيْرِ مُسَخَّرَٰتٍۢ فِى جَوِّ ٱلسَّمَآءِ مَا يُمْسِكُهُنَّ إِلَّا ٱللَّهُ ۗ إِنَّ فِى ذَٰلِكَ لَءَايَٰتٍۢ لِّقَوْمٍۢ يُؤْمِنُونَ

A nuk shohin ata, se si shpendët, pa mundim fluturojnë në hapësirat qiellore. Ato i mban vetëm Perëndia (që i ka krijuar për atë aftësi). Kjo, me të vërtetë, është argument për popullin që beson.

A nuk i shohin ata shpendët fluturues në kupë të qiellit? Ata nuk i mban kush, përveç Allahut. Edhe në këto ka fakte për njerëzit që besojnë. -Këta janë njerëzit që përfitojnë vërtet nga ajetet dhe shenjat e Allahut, sepse ata meditojnë dhe e kuptojnë qartë përse janë sjellë ato shenja dhe çfarë mesazhi përcjellin. Ndërsa vështrimi i të tjerëve është i pakujdesshëm. Le të meditojmë me kujdes në këto shenja të sjella nga Allahu në këtë ajet. Allahu i Lartësuar i krijoi shpendët me një formë dhe përmbajtje të tillë, që u mundëson fluturimin. Nga ana tjetër, Ai e bëri ajrin të përshtatshëm për fluturim. Allahu u dha shpendëve forcë për ta realizuar fluturimin dhe i mësoi se si të fluturojnë. Të gjitha këto tregojnë për urtësinë e Tij të plotë, për diturinë e gjerë dhe përkujdesin e pashembullt me të gjitha krijesat e Tij. Ato tregojnë se fuqia e Allahut është absolute. I Lartësuar e Begatisjellës është Allahu, Zoti i botëve.

80

وَٱللَّهُ جَعَلَ لَكُم مِّنۢ بُيُوتِكُمْ سَكَنًۭا وَجَعَلَ لَكُم مِّن جُلُودِ ٱلْأَنْعَٰمِ بُيُوتًۭا تَسْتَخِفُّونَهَا يَوْمَ ظَعْنِكُمْ وَيَوْمَ إِقَامَتِكُمْ ۙ وَمِنْ أَصْوَافِهَا وَأَوْبَارِهَا وَأَشْعَارِهَآ أَثَٰثًۭا وَمَتَٰعًا إِلَىٰ حِينٍۢ

Perëndia ka bërë për ju nga shtëpiat tuaja vendbanim, dhe ka bërë për ju prej lëkurave të shtazëve shtëpi (si tenda), të cilat ju i bartni lehtë kur udhëtoni dhe të zëni vend, e nga leshi i shtazëve: dhenëve, deveve dhe i dhive, ka bërë që t’i përdorni për veshje dhe për shtrojë, deri në një kohë.

Allahu i Lavdëruar u kujton krijesave mirësitë e Tij dhe kërkon prej tyre që të shprehin mirënjohjen dhe ta lavdërojnë Atë për to. Ai thotë:Allahu i bëri shtëpitë tuaja vendbanim të qetë... -Ju banoni dhe gjeni prehje në shtëpitë tuaja, që ju mbrojnë ju, fëmijët dhe pasuritë tuaja nga i nxehti e i ftohti. Ju bëni dhoma e kthina, për shërbime dhe qëllime të ndryshme. Në to ju ruani pasurinë e nderin tuaj dhe keni lehtësira të dëshirueshme.... dhe nga lëkurët e kafshëve ju mundësoi të keni tenda që lehtësisht i bartni me vete gjatë udhëtimeve dhe(kur qëndroni)në vendin tuaj. -Prej lëkurës ose gëzofit të kafshëve, ju bëni çadra kampingu, të cilat mund t’i merrni me vete kudo që shkoni dhe ku qëndroni përkohësisht. Në to, ju ruheni nga i ftohti, nga i nxehti dhe nga reshjet. Aty ruani mallin e pasurinë tuaj, gjithashtu.Ndërsa nga leshi dhe gëzofi i tyre, ju bëni veshje... -Nga këto produkte të përfituara nga bagëtitë, ju prodhoni calikë, mjete pune, shtroje, rroba, stoli e shumë gjëra të tjera.që t’i shfrytëzoni për një kohë të caktuar. - Zoti jua dha që të kënaqeni e të përfitoni prej tyre deri në një afat të caktuar në këtë jetë. Kështu u ka lehtësuar Zoti robërve të Tij të prodhojnë e përfitojnë prej këtyre mirësive.

Commentary: Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di. Qur'an text and translation via AlQuran Cloud.