Muslim99Muslim99
← Tafsir library

16. An-Nahl

The Bee · Meccan · 128 ayahs

سُورَةُ النَّحۡلِ

Reading Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di

Ayahs 31–40 of 128

31

جَنَّٰتُ عَدْنٍۢ يَدْخُلُونَهَا تَجْرِى مِن تَحْتِهَا ٱلْأَنْهَٰرُ ۖ لَهُمْ فِيهَا مَا يَشَآءُونَ ۚ كَذَٰلِكَ يَجْزِى ٱللَّهُ ٱلْمُتَّقِينَ

xhennetet e Adnit, në të cilët do të hynë ata, nëpër të cilët rrjedhin lumenjt, e në to ka gjithçka që dëshirojnë ata. Kështu i shpërblen Perëndia besimtarët,

Ai(vend i mrekullueshëm) është në Xhenetet e Adnit, ku ata do të hyjnë(të lumtur)e nëpër të cilët rrjedhin lumenj. Aty do të kenë gjithçka që dëshirojnë. -Çdo gjë që ata e dëshirojnë dhe ua kërkon shpirti do t’u dhurohet në formën më të mirë, më të plotë dhe më të pëlqyeshme. Nuk mund të ndodhë që ata të dëshirojnë ndonjë kënaqësi, që ua lumturon zemrat e ua gëzon shpirtrat, e të mos u realizohet menjëherë në çastin kur e dëshirojnë. Allahu i Madhëruar do t’u japë çdo gjë që ata e kërkojnë. Madje, edhe kur mbarojnë e shterojnë kërkesat e tyre, Ai u përkujton dhe u paraqet mirësi të shumta, që as në mend nuk u kanë shkuar. I lartësuar, i madhëruar dhe i lavdëruar qoftë Ai, bujaria e të Cilit është e pakufishme dhe mirësitë e të Cilit nuk kanë fund! I pastër nga çdo e metë dhe i lavdëruar qoftë Ai, që nuk ka të barabartë apo të ngjashëm me Të! Nuk ka si shembulli i Allahut, as në cilësitë e Qenies së Tij dhe as në cilësitë e përshkrimin e veprave të Tij. Allahu është i pashoq në gjurmët që lënë ato vepra e cilësi të plota. Ai është i pashoq e i mrekullueshëm në madhështinë e mbretërimit, të pushtetit e të sundimit të Tij.Ja, kështu i shpërblen Allahu të devotshmit. - Ata i frikësohen zemërimit dhe ndëshkimit të Allahut, duke zbatuar urdhëresat e Tij. Ata i plotësuan farzet e vaxhibet, që kishin lidhje me punët e zemrës, të trupit dhe të gjuhës. Ata ishin të kujdesshëm qoftë në plotësimin e detyrimeve ndaj Allahut, qoftë në plotësimin e detyrimeve ndaj krijesave. Nga ana tjetër, ata iu larguan ndalesave të Tij.

32

ٱلَّذِينَ تَتَوَفَّىٰهُمُ ٱلْمَلَٰٓئِكَةُ طَيِّبِينَ ۙ يَقُولُونَ سَلَٰمٌ عَلَيْكُمُ ٱدْخُلُوا۟ ٱلْجَنَّةَ بِمَا كُنتُمْ تَعْمَلُونَ

të cilëve engjëjt ua marrin shpirtërat, (duke qenë ata) të pastër. (E engjëjt) u thonë atyre: “Shpëtimi qoftë mbi ju! Hyni në xhennet për ato që keni punuar!”

Janë ata të cilëve melekët ua marrin shpirtrat e mirë(e të pastër), duke u thënë: “Selamun alejkum! -Ata janë të vazhdueshëm dhe këmbëngulës në devotshmërinë e tyre, e kështu vazhdojnë deri në momentin kur melekët shfaqen për t'u marrë shpirtin. Përveç devotshmërisë, Allahu i Madhëruar i përshkruan ata si “tajibin”- të mirë. Ata janë të pastër nga çdo ligësi, që mund t’u trazojë e të dëmtojë imanin në momentin e vdekjes. Zemrat e tyre janë të mira, sepse janë pastruar përmes njohjes së Allahut dhe dashurisë për Të. Gjuha e tyre është e mirë, sepse përmendin shpesh Allahun, duke e lavdëruar shumë Atë. Gjymtyrët e tyre janë të mira, sepse i nënshtrohen me bindje Allahut. Kjo është gjendja e të zgjedhurve deri kur të shohin melekët e Zotit, në momentin e vdekjes. Në ato çaste të vështira dhe të papërsëritshme, ata do të dëgjojnë fjalë të dashura dhe të ëmbla nga melekët e Zotit. Ata do t'u thonë: Selamun alejkum! Paqja dhe siguria e plotë është për ju! Ju tashmë jeni të sigurt nga çdo problem.Hyni në Xhenet, për ato(punë të mira)që keni bërë! -Çfarë përgëzimi i mrekullueshëm është ky, për gjithë ata besimtarë të sinqertë që jetojnë sipas besimit të pastër. Ata e besojnë Allahun me një besim korrekt, të ndriçuar nga drita e Shpalljes dhe punojnë sipas këtij besimi të pastër. Veprat e tyre të mira dhe adhurimi i sinqertë që i përkushtojnë Zotit është themeli i çdo të mire dhe shkaku kryesor që ata hyjnë në Xhenet dhe shpëtojnë nga Zjarri. Dihet mirë se këto punë të mira janë rezultati dhe fryt i mëshirës, bamirësisë e bujarisë së Zotit me ta. Asgjë nuk vjen nga mundi i tyre i pakët dhe i mangët, por është Zoti që i inspiron dhe i mëshiron për të bërë punë të mira e adhurime të sinqerta, dhe pastaj ua pranon ato.

33

هَلْ يَنظُرُونَ إِلَّآ أَن تَأْتِيَهُمُ ٱلْمَلَٰٓئِكَةُ أَوْ يَأْتِىَ أَمْرُ رَبِّكَ ۚ كَذَٰلِكَ فَعَلَ ٱلَّذِينَ مِن قَبْلِهِمْ ۚ وَمَا ظَلَمَهُمُ ٱللَّهُ وَلَٰكِن كَانُوٓا۟ أَنفُسَهُمْ يَظْلِمُونَ

Ata – mohuesit, nuk presin kurrgjë tjetër, përpos që t’u vijnë engjëjt (t’ua marrin shpirtin) ose t’ju vie urdhëri (dënimi) i Zotit tënd. Kështu kanë bërë edhe ata që kanë qenë para këtyre. Perëndia nuk u ka bërë atyre padrejtësi, por ata vetvetes i kanë bërë zullum,

Mos vallë po presin ata(idhujtarët)diçka tjetër përveç se t’u vijnë melekët(për t’ua marrë shpirtin)ose t’u vijë urdhri(dënimi)i Zotit tënd? -E çfarë presin ata të cilët u erdhi Shpallja e Zotit dhe nuk e besuan atë, të cilët u qortuan e iu tërhoq vërejtja, por nuk morën mësim? Mos, vallë, presin t’u merret shpirti dhe të kalojnë në botën e të vdekurve? Apo presin që të zbresë urdhri i Zotit për ndëshkimin e ashpër, me të cilin kërcënohen? Atëherë, ata tashmë e kanë bërë hak që t’i godasë ky ndëshkim.Kështu bënë ata që ishin para tyre. -Edhe ata e mohuan të vërtetën e Zotit dhe besimin e drejtë e të pastër. Kështu vazhduan, derisa i përfshiu ndëshkimi i Zotit, i ashpër dhe i dhembshëm.Allahu nuk u bëri padrejtësi atyre, por ishin ata që i bënë padrejtësi vetvetes. -Allahu i Madhëruar dhe i pastër nga çdo e metë. Ai nuk u bëri asnjë padrejtësi me këtë ndëshkim, por ata i bënë padrejtësi vetes së tyre. Allahu i Madhëruar i krijoi ata vetëm me një qëllim - që ta adhurojnë Atë si një të vetëm dhe të përkushtohen në adhurimin ndaj Tij. Nëse do t'i përmbaheshin kësaj, përfundimi i tyre do të ishte nderimi dhe lumturia e përjetshme, e dhuruar nga Zoti. Po ata të mjerë i bënë padrejtësi vetvetes duke e braktisur e shpërfillur qëllimin, përse Zoti i krijoi, prandaj e dënuan veten me poshtërimin e përjetshëm dhe dëshpërimin e pafund, që kurrë nuk do t’u ndahet.

34

فَأَصَابَهُمْ سَيِّـَٔاتُ مَا عَمِلُوا۟ وَحَاقَ بِهِم مَّا كَانُوا۟ بِهِۦ يَسْتَهْزِءُونَ

dhe i arriti dënimi ata, për veprat që kanë punuar dhe ata i kaploi ajo (dënimi), meqë talleshin me ta.

Ata i goditi ndëshkimi për të këqijat që bënë... -Ata u goditën nga ndëshkimet e shumta, të shkaktuara nga veprat e tyre, që sigurisht sollën pasoja të tmerrshme e të dhimbshme për ata të mjerë. Pa dyshim, veprat e këqija sjellin ndëshkime e lënë pasoja të këqija....dhe i përfshiu ai(dënimi), me të cilin talleshin. -Mbi ta zbriti ndëshkimi, me të cilin talleshin. Sa herë që profetët u tërhiqnin vëmendjen dhe i paralajmëronin për ndëshkimin e Zotit, ata talleshin. Kështu, mbi ta do të godasë pikërisht ai ndëshkim, me të cilin talleshin.

35

وَقَالَ ٱلَّذِينَ أَشْرَكُوا۟ لَوْ شَآءَ ٱللَّهُ مَا عَبَدْنَا مِن دُونِهِۦ مِن شَىْءٍۢ نَّحْنُ وَلَآ ءَابَآؤُنَا وَلَا حَرَّمْنَا مِن دُونِهِۦ مِن شَىْءٍۢ ۚ كَذَٰلِكَ فَعَلَ ٱلَّذِينَ مِن قَبْلِهِمْ ۚ فَهَلْ عَلَى ٱلرُّسُلِ إِلَّا ٱلْبَلَٰغُ ٱلْمُبِينُ

Dhe thonin ata, të cilët i bënin shok Perëndisë: “Sikur të donte Perëndia, nuk do të adhuronim ne, as të parët tanë – asgjë, përveç Tij, dhe nuk do të kishim ndaluar ne asgjë, pa dëshirën e Tij. Kështu kanë vepruar ata para këtyre (kanë mohuar). Për pejgamberët s’ka tjetër detyrë përpos që të shpallin qartë.

Ata që i bënin shok Zotit thanë: “Sikur të kishte dashur Allahu, as ne e as prindërit tanë nuk do të adhuronim asgjë përveç Tij dhe nuk do të bënim haram asgjë, përveç ndalesave të Tij.” Kështu bënin edhe ata që ishin para tyre. -Idhujtarët shpesh arsyetohen për idhujtarinë e tyre, duke thënë se kjo është dëshira dhe vullneti i Zotit. Ata thonë: “Sikur të donte Zoti, ne nuk do të binim idhujtari dhe as do të bënim haram ndonjë lloj bagëtie që Zoti e ka bërë hallall.” Sigurisht që ky është një justifikim bosh dhe aspak i argumentuar. Nëse ky arsyetim do të ishte me vend, atëherë Allahu nuk do të ndëshkonte asnjë nga popujt e shkuar që bënin idhujtari. Përkundrazi, Ai i ndëshkoi ata me ndëshkimin më të ashpër. Nëse Ai do ta donte idhujtarinë prej tyre, kurrë nuk kishte për t’i ndëshkuar. E si mund t’i ndëshkonte për diçka që Vetë Ai e do?! Por qëllimi i tyre me këto justifikime është thjesht refuzimi i të vërtetës, që e sollën profetët. Në fakt, ata kanë dituri dhe siguri të plotë se nuk kanë asnjë argument bindës për të paraqitur para Zotit. Allahu i Lartësuar i urdhëroi dhe i ndaloi të përgjegjëshmit ligjërisht përmes ligjit e Shpalljes, që solli me profetët. Nga ana tjetër, i pajisi ata me forcë dhe vullnet të mjaftueshëm për të vepruar me dëshirën e tyre të lirë. Kështu, çdokush që argumentohet për mosbindjen e vet përmes caktimit dhe vullnetit të Zotit, në fakt, ka bërë arsyetimin më të kotë dhe të pabazë që ekziston. Çdokush e di dhe dëshmon për faktin se njeriu është tërësisht i fuqishëm dhe i aftë që të bëjë çdo gjë që zgjedh të bëjë, pa e penguar askush. Prandaj ata që sjellin të tilla arsyetime e justifikime tregojnë se janë jo vetëm mohues të Shpalljes së Zotit dhe mesazhit të profetëve, por edhe shkelës të logjikës dhe arsyetimit të shëndoshë.Por, a mos kanë të dërguarit detyrë tjetër, përveç kumtimit të qartë të shpalljes? -Ai është një sqarim i qartë, i kuptueshëm, që depërton thellë në zemër dhe rreth të cilit askush nuk ka justifikim për të paraqitur para Zotit. Nëse njerëzve u vjen Shpallja e Zotit përmes profetëve, nëse u vijnë ligjet urdhëresat dhe ndalesat e Tij, dhe ata nuk binden e nënshtrohen, duke u arsyetuar me faktin se ky është caktimi e vullneti i Zotit, atëherë le ta dinë se kanë për të dhënë llogari te Zoti. Profetët nuk kanë asnjë çështje në dorën e tyre.

36

وَلَقَدْ بَعَثْنَا فِى كُلِّ أُمَّةٍۢ رَّسُولًا أَنِ ٱعْبُدُوا۟ ٱللَّهَ وَٱجْتَنِبُوا۟ ٱلطَّٰغُوتَ ۖ فَمِنْهُم مَّنْ هَدَى ٱللَّهُ وَمِنْهُم مَّنْ حَقَّتْ عَلَيْهِ ٱلضَّلَٰلَةُ ۚ فَسِيرُوا۟ فِى ٱلْأَرْضِ فَٱنظُرُوا۟ كَيْفَ كَانَ عَٰقِبَةُ ٱلْمُكَذِّبِينَ

Na çdo populli i kemi dërguar nga një pejgamber. (Ata u thonin atyre): “Adhuronie Perëndinë, e shmanguni nga djalli!” Disa prej tyre, Perëndia i shpuri në rrugë të drejtë, e disa prej tyre merituan të mbeten në humbje. Andaj, udhëtoni nëpër botë, e shihni se çfarë ka qenë dënimi për ata, të cilët pejgamberët e vet i konsideronin për gënjeshtarë!

Ne çuam në çdo popull të dërguar, që t’u thonë: “Adhuroni vetëm Allahun e largojuni shejtanëve!” -Allahu i Lartësuar na tregon se ka sjellë argumente të qarta në çdo popull, nga i pari, deri tek i fundit. Tek të gjithë Allahu ka dërguar profetë, të cilët ishin unanimë në mesazhin e tyre. Ftesa e tyre ishte e njëjtë edhe besimi që predikuan ishte i njëjtë: adhurimi i një Zoti të vetëm si Një dhe i Pashoq. Në varësi të përgjigjes së kësaj ftese, popujt u ndanë në dy grupe. Thotë i Madhëruari:Por pati nga ata që Allahu i udhëzoi... -Këta i pasuan profetët qoftë në drejtim të diturisë, qoftë në drejtim të punës dhe të jetuarit sipas kësaj diturie e besimi.dhe pati nga ata që merituan të mbeten në humbje. -Këta pasuan rrugën e humbjes dhe të ndëshkimit.Atëherë, udhëtoni nëpër botë dhe shihni se si ishte fundi i gënjeshtarëve! -Udhëtoni jo vetëm me trupin tuaj, por edhe me zemrën e mendjen tuaj! Nëse e bëni këtë, do të shihni çudira. Do të shihni e do të bindeni se çdokush që mohoi besimin u ndëshkua dhe pati përfundimin më të hidhur.

37

إِن تَحْرِصْ عَلَىٰ هُدَىٰهُمْ فَإِنَّ ٱللَّهَ لَا يَهْدِى مَن يُضِلُّ ۖ وَمَا لَهُم مِّن نَّٰصِرِينَ

Edhe nëse angazhohesh ti (o Muhammed!) që ata të jenë në rrugën e drejtë, me të vërtetë, Perëndia nuk do ta shpie në rrugë të drejtë, atë që don ta lerë në humbje. Dhe për ata nuk ka kurrfarë ndihmësi.

Edhe nëse ti (o Muhamed) përpiqesh për t’i vënë në rrugë të drejtë ata,(dije se)Allahu nuk e udhëzon atë që e ka humbur... -Edhe sikur të shpenzoni çdo gjë që keni për këtë çështje, dijeni se Allahu nuk i udhëzon ata që i ka humbur. Në fund të fundit, ai që udhëzon është vetëm Allahu....dhe për ata nuk ka asnjë ndihmëtar. -Ata nuk kanë asnjë që t’i ndihmojë dhe mbrojë nga ndëshkimi dhe zemërimi i Tij.

38

وَأَقْسَمُوا۟ بِٱللَّهِ جَهْدَ أَيْمَٰنِهِمْ ۙ لَا يَبْعَثُ ٱللَّهُ مَن يَمُوتُ ۚ بَلَىٰ وَعْدًا عَلَيْهِ حَقًّۭا وَلَٰكِنَّ أَكْثَرَ ٱلنَّاسِ لَا يَعْلَمُونَ

Dhe ata (mohuesit), janë betuar në Perëndinë, me betimin e tyre më të fortë: “Perëndia nuk do ta ngjallë atë që ka vdekur”. Por, me të vërtetë, (ringjallja) është premtim i Tij i saktë – por që, shumica e njerëzve nuk e dinë,

Allahu i Madhëruar na tregon rreth mohuesve të profetëve të Tij dhe përbetimeve të tyre të kota. Ai thotë:Ata u betuan në Allahun, me betimin e tyre më të fortë se Allahu nuk ka për ta ringjallur atë që vdes. -Ata betoheshin fort se ishin të sigurt në rrugën e mohimit të Zotit. Ata betoheshin se Allahu kurrë nuk ka për t’i ringjallur të vdekurit. Ata betoheshin se Allahu nuk e ka fuqinë për t’i ringjallur e për t'i sjellë përsëri në jetë, pasi të jenë bërë dhe. Por duke hedhur poshtë mohimin e tyre, Allahu i Madhëruar thotë:Përkundrazi,(Ringjallja)është premtimi i Tij i prerë, por shumica e njerëzve nuk e dinë. - Allahu do t’i ringjallë dhe do t’i grumbullojë ata një ditë, që nuk ka dyshim që do të vijë. Madje, Allahu thotë që ky është premtimi i Tij i prerë, dhe Ai kurrë nuk ka për ta shkelur këtë premtim të bërë. Megjithatë, “shumica e njerëzve nuk e dinë.” Nga injoranca e tyre e madhe, ata e mohojnë ringjalljen, llogarinë e shpërblimin me drejtësi para Zotit. Pastaj i Madhëruari përmend urtësinë që fshihet në faktin që Ai do t’i ringjallë dhe do t'i marrë në llogari krijesat, për t'u dhënë me drejtësi atë që meritojnë. Ai thotë:

39

لِيُبَيِّنَ لَهُمُ ٱلَّذِى يَخْتَلِفُونَ فِيهِ وَلِيَعْلَمَ ٱلَّذِينَ كَفَرُوٓا۟ أَنَّهُمْ كَانُوا۟ كَٰذِبِينَ

(Do t’i ringjallë ata Perëndia) për t’ju shpjeguar, atë, për të cilën përçaheshin ata dhe që ta kuptojnë mohuesit se kanë qenë gënjeshtarë.

Ai do t’i ringjallë ata për t’ua bërë të qartë të vërtetën e asaj, për të cilën ranë në kundërshti dhe për t’a ditur mirë jobesimtarët se ishin gënjeshtarë. - Njëra nga urtësitë e ringjalljes dhe e marrjes në llogari është që krijesat ta shohin qartë dhe të binden rreth atyre çështjeve për të cilat kanë rënë në kundërshti, qofshin çështje të vogla, qofshin të mëdha. Atë ditë Zoti do t’ua shfaqë realitetin e gjërave dhe do t'ua qartësojë atë plotësisht. Kur të shohin punët e tyre në Ditën e Gjykimit, ato do të jenë dëshpërim dhe dhimbje e madhe për ta. Atë ditë do të shohin me dhimbje se idhujt, të cilëve u luteshin dhe u përkushtoheshin veç Allahut, nuk do t’u sjellin asnjë dobi kur të vijë urdhëri për llogarinë e drejtë. Ata do të shohin me dëshpërim kur idhujt e tyre të bëhen lëndë djegëse e Xhehenemit. Ajo do të jetë një ditë e tmerrshme, kur dielli do të mbështillet me errësirë, edhe hëna po ashtu. Ndërsa yjet do të bien e shpërndahen, dhe të gjithë ata që i adhuronin do të kuptojnë se ato ishin veçse krijesa të Zotit, të nënshtruara para vullnetit dhe ligjit të Tij, krijesa që ishin tërësisht në nevojë të madhe për Zotin, në të gjitha gjendjet.

40

إِنَّمَا قَوْلُنَا لِشَىْءٍ إِذَآ أَرَدْنَٰهُ أَن نَّقُولَ لَهُۥ كُن فَيَكُونُ

Nëse dëshirojmë të bëhet diçka, Na – vetëm me një të thënme për atë: “Bëhu!” dhe ajo bëhet.

Kur Ne dëshirojmë diçka, vetëm i themi: “Bëhu!”, e ajo menjëherë bëhet. - E gjitha kjo është shumë e thjeshtë për Allahun, sepse Ai kur dëshiron diçka, vetëm i thotë “bëhu!”, dhe ajo bëhet, pa as më të voglin ngurrim apo refuzim: ajo bëhet pikërisht ashtu si Ai e dëshiron dhe urdhëron.

Commentary: Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di. Qur'an text and translation via AlQuran Cloud.