Muslim99Muslim99
← Tafsir library

16. An-Nahl

The Bee · Meccan · 128 ayahs

سُورَةُ النَّحۡلِ

Reading Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di

Ayahs 21–30 of 128

21

أَمْوَٰتٌ غَيْرُ أَحْيَآءٍۢ ۖ وَمَا يَشْعُرُونَ أَيَّانَ يُبْعَثُونَ

ato (statujet) janë gjëra të vdekura, pa kurrfarë gjallërie. Ata nuk dinë kur do të ringjallen.

Ata(idhujt)janë të vdekur, jo të gjallë dhe as që e dinë se kur do të ringjallen(krijesat). -Ata nuk dëgjojnë, nuk shohin dhe as logjikojnë. Atëherë, si mund të konsiderohen zota, që t’u përkushtohesh me adhurime si Zotit të botëve?! Mallkuar qofshin ato mendje idhujtarësh, sa të humbur dhe të prishur janë! Si mund të gabojnë në një çështje kaq të dukshme e lehtësisht të kuptueshme?! A nuk e kuptojnë kotësinë e idhujtarisë së tyre?! Si mund të barazojnë atë që është i mangët në çdo aspekt e nuk ka asnjë cilësi përsosmërie e as një vepër madhështore, me Atë që është Absolut në çdo aspekt. Allahu është i përshkruar vetëm me cilësi të plota. Dituria e Tij përfshin gjithçka, pushteti i Tij është i pakufishëm dhe mbi gjithçka, Mëshira e Tij është e gjerë dhe ka mbushur gjithë botët. Po kështu, lavdërimet, madhështia, krenaria e Tij dhe lartësia e Tij janë të pafundme. Asnjë krijesë nuk mund t’i afrohet qoftë edhe një cilësie të Tij, prandaj Allahu është dhe duhet të jetë i vetmi i adhuruar. Ai thotë:

22

إِلَٰهُكُمْ إِلَٰهٌۭ وَٰحِدٌۭ ۚ فَٱلَّذِينَ لَا يُؤْمِنُونَ بِٱلْءَاخِرَةِ قُلُوبُهُم مُّنكِرَةٌۭ وَهُم مُّسْتَكْبِرُونَ

Zoti juaj është vetëm një Perëndi. E, ata që nuk besojnë në jetën tjetër, zemrat e tyre janë mohuese dhe ata janë mendjemëdhenj.

Zoti juaj është një Zot i vetëm (që meriton adhurimet). -Allahu i Madhëruar thotë: "Thuaj: “Ai është Allahu, Një dhe i Vetëm. Allahu është Absoluti (Es-Samed). Ai nuk ka lindur askënd dhe nuk është i lindur (nga dikush). Asgjë (e askush) nuk mund të jetë si Ai.” [Ihlas].Ata që nuk besojnë në Ahiret, i kanë zemrat të mbushura me mohim dhe janë kryeneçë. -Ata që i kanë zemrat të mbushura me iman dhe urtësi, e madhërojnë dhe e respektojnë Allahun. Ata e lartësojnë Atë dhe e duan me një dashuri të madhe. Zemrat e tyre i nënshtrohen Allahut duke iu përkushtuar me gjitha mundësitë në kryerjen e adhurimeve trupore e pasurore. Ata e adhurojnë Allahun përmes punëve të zemrës e punëve të gjymtyrëve, të dukshme e të fshehta. Ata e përlëvdojnë shumë Atë, me emrat e Tij të bukur dhe me cilësitë e veprat e Tij të pastra e të pashembullta. Ndërsa zemrat e mosbesimtarëve janë të prishura e nuk mund as t'i kuptojnë këto ndjenja adhurimi për Zotin. Por këtë çështje të rëndësishme e mohojnë veçse krijesat më kryeneçe e të paditura. Njësimin e Zotit në adhurim e refuzojnë veçse zemërprishurit që, siç thotë Zoti: "... janë kryeneçë." Pra, thjesht tregohen kryeneçë e arrogantë e nuk duan të përulen e ta adhurojnë Zotin.

23

لَا جَرَمَ أَنَّ ٱللَّهَ يَعْلَمُ مَا يُسِرُّونَ وَمَا يُعْلِنُونَ ۚ إِنَّهُۥ لَا يُحِبُّ ٱلْمُسْتَكْبِرِينَ

S’ka dyshim, se, Perëndia di për atë që fshehin ata dhe për atë që shprehin haptazi. Me të vërtetë, Ai nuk i do mendjemëdhenjt.

Nuk ka dyshim se Allahu di gjithçka që ata e fshehin dhe gjithçka që e shfaqin haptazi. Ai nuk i do kryeneçët. - Allahu i urren ata dhe ka për t’u dhënë shpagimin e punëve të tyre, sikurse thotë në një ajet tjetër: "Zoti juaj ka thënë: “M’u lutni Mua, që Unë t’ju përgjigjem! Por ata që, nga mendjemadhësia, i shmangen adhurimit Tim, do të hyjnë në Xhehenem të poshtëruar”. [Gafir 60]. Duke na treguar mohimin e fortë të shpalljeve të Tij nga idhujtarët, Allahu i Lartësuar thotë:

24

وَإِذَا قِيلَ لَهُم مَّاذَآ أَنزَلَ رَبُّكُمْ ۙ قَالُوٓا۟ أَسَٰطِيرُ ٱلْأَوَّلِينَ

E, kur ju thuhet atyre: “Çka ka shpallë Zoti juaj?” Ata thonë: “Përrallat e popujve të lashtë!”

Kur atyre u thuhet: “Çfarë ka shpallur Zoti juaj?”, ata thonë: “Mite të popujve të hershëm.” -Ata pyeten rreth Shpalljes, që, sigurisht, është mirësia më e madhe që Allahu i Lartësuar u ka dhuruar robërve të Tij. Kështu, kur atyre u kërkohet opinioni rreth Shpalljes dhe u thuhet: “Çfarë ka shpallur Zoti juaj?”- domethënë, a e ndieni se duhet të jeni mirënjohës për këtë mirësi të madhe, apo e mohoni dhe me inat refuzoni t'i shprehni mirënjohjen Allahut të Madhëruar, që ua dhuroi? Nëse u bëhet kjo pyetje, ata japin përgjigjen më të shëmtuar dhe më mendjelehtë, duke thënë që në Shpallje ka: “Mite të popujve të hershëm.” Pra, sipas tyre, Shpallja është një mashtrim i trilluar nga Muhamedi, sikur gjoja e ka shpallur Allahu. Sipas tyre, aty gjen veçse histori dhe legjenda të të parëve, që brezat ia kalojnë njëri-tjetrit, dhe prej tyre ka të vërteta dhe gënjeshtra. Kështu e trajtojnë dhe e konsiderojnë ata Shpalljen e Allahut të Lartësuar dhe ua përcjellin pasuesve të tyre këtë shpifje, duke mbartur në shpinën e tyre gjynahet e veta dhe të gjithë atyre që i pasojnë, deri në Ditën e Gjykimit. Allahu i Lartësuar thotë:

25

لِيَحْمِلُوٓا۟ أَوْزَارَهُمْ كَامِلَةًۭ يَوْمَ ٱلْقِيَٰمَةِ ۙ وَمِنْ أَوْزَارِ ٱلَّذِينَ يُضِلُّونَهُم بِغَيْرِ عِلْمٍ ۗ أَلَا سَآءَ مَا يَزِرُونَ

(Këtë e thanë që) t’ju ngarkohen mëkatet e tyre të plota në Ditën e Kijametit, si dhe aq sa kanë bërë mëkate ata që u mashtruan dhe humbën rrugën nga këta – nga padijenia; sa ë shëmtuara janë ato (mëkatet) që i bartin ata!

Ata kanë për t’i bartur të plota gjynahet e veta në Ditën e Gjykimit e do të bartin edhe një pjesë të gjynaheve të atyre që i devijuan(nga e Vërteta)pa kurrfarë diturie. -Ata do të mbajnë edhe peshën e pasuesve të tyre, të cilët kanë vetëm atë dituri të shtrembëruar që krerët u japin. Ata të mjerë do të ngarkohen me gjynahet e shumta që sjell devijimi i tyre. Por, sigurisht, secili grup do të mbajë peshën e vet të plotë, sipas asaj që ka mësuar dhe vepruar.Sa e keqe është ajo që do të bartin! -Shumë e keqe është ajo peshë me të cilën ata e ngarkojnë veten. Ata do të vuajnë nën peshën e gjynaheve të tyre personale dhe të atyre për të cilët janë bërë shkaktarë të devijohen.

26

قَدْ مَكَرَ ٱلَّذِينَ مِن قَبْلِهِمْ فَأَتَى ٱللَّهُ بُنْيَٰنَهُم مِّنَ ٱلْقَوَاعِدِ فَخَرَّ عَلَيْهِمُ ٱلسَّقْفُ مِن فَوْقِهِمْ وَأَتَىٰهُمُ ٱلْعَذَابُ مِنْ حَيْثُ لَا يَشْعُرُونَ

Me të vërtetë, kanë thurrur ngatërresa ata që kanë qenë para tyre, e Perëndia e rrënoi godinën e tyre deri në themel, dhe u rrëzua kulmi mbi ta e u erdhi dënimi andej – nga nuk e prisnin.

Edhe ata që ishin para tyre thurën intriga të shumta(kundër së Vërtetës). -Ata thurnin intriga dhe kurthe kundër profetëve të tyre dhe përdornin çdo lloj hileje për t'u shmangur dhe për ta refuzuar Shpalljen, të cilën preofetët e sillnin nga Zoti i tyre. Pjesë e planeve të tyre ishte edhe ndërtimi i kështjellave të stërmëdha, por Allahu i Lartësuar thotë:Por Allahu e rrënoi që në themel atë(intrigë) që ndërtuan dhe ua shembi mbi kokë kulmin e saj. -Allahu e filloi shkatërrimin e tyre që nga themelet, prandaj nuk zgjati shumë dhe: "...dhe ua shembi mbi kokë kulmin." Pra, ato që ndërtuan u shndërruan në ndëshkimin dhe vuajtjen e tyre.Atyre u erdhi dënimi pa u ndier. -Kështu ndodhi, sepse ata pandehnin se ndërtesat e fortifikuara do t’i ruanin nga ndëshkimi i Zotit. Por ndëshkimi u erdhi pikërisht nga ato që ndërtuan me duart e tyre. Ky është një nga shembujt më të bukur që tregon se si Allahu i Lartësuar i shkatërron kurthet dhe intrigat e armiqve të Tij dhe të profetëve të Tij. Ata kanë menduar dhe projektuar gjithmonë si të luftojnë kundër profetëve dhe pasuesve të tyre, të cilët përhapin Shpalljen e Zotit. Duke refuzuar të vërtetën dhe Shpalljen, ata vendosin për veten e tyre disa rregulla dhe parime bazë në mbrojtje të së kotës. Këto rregulla ata ua imponojnë të gjithëve, duke synuar që të largojnë njerëzit nga udhëzimi i drejtë dhe të refuzojnë Shpalljen e Zotit. Gjithashtu, përmes hileve dhe dredhive të shumta, ata luftojnë të dërguarit Zotit dhe pasuesit e tyre. Por - sikurse thotë i Madhëruari në këtë ajet - pikërisht këto dredhi, që ata i ndërtojnë me duart dhe mendjet e tyre të mbrapshta, shndërrohen në vuajtje dhe në dëshpërim për ta. Kjo është e pashmangshme, sepse dredhitë e tyre janë të këqija, dhe për dredhitë e këqia Allahu i Lartësuar thotë: "Por, dredhia për të keqen nuk godet askënd tjetër veç atyre që e kurdisën." [Fatir 43]. Kështu ka për të ndodhur në jetën e dynjasë, ndërsa ndëshkimi në ahiret do të jetë më i dhimbshëm e poshtërues, siç thotë i Lartësuari:

27

ثُمَّ يَوْمَ ٱلْقِيَٰمَةِ يُخْزِيهِمْ وَيَقُولُ أَيْنَ شُرَكَآءِىَ ٱلَّذِينَ كُنتُمْ تُشَٰٓقُّونَ فِيهِمْ ۚ قَالَ ٱلَّذِينَ أُوتُوا۟ ٱلْعِلْمَ إِنَّ ٱلْخِزْىَ ٱلْيَوْمَ وَٱلسُّوٓءَ عَلَى ٱلْكَٰفِرِينَ

Pasta (Perëndia) i poshtëron ata në Ditën e Kijametit dhe u thotë: “Ku janë shokët e Mi (të cilët i trillonit ju), për shkak të të cilëve tregonit armiqësi (ndaj besimtarëve)?” E, atyre që u është dhënë dijenia, thonë: “Me të vërtetë, sot, poshtërimi dhe dënimi është mbi mohuesit,

Pastaj, në Ditën e Gjykimit Ai do t'i poshtërojë ata... - Ditën e Kijametit, Ata do të turpërohen përpara të gjitha krijesave dhe do t'i shohin qartë mashtrimet dhe shpifjet e tyre kundër Zotit. Pastaj do t’u thotë:dhe do t'u thotë: “Ku janë ata që m’i bënit shokë Mua dhe për hir të tyre luftonit(kundër së Vërtetës)?” -Për hir të këtyre idhujve, ju luftuat kundër Allahut dhe palës së Tij. Me paturpësi, ju pretendonit se ata ishin ortakë me Allahun e Lartësuar dhe pjesëmarrës në pushtetin e Tij. Kur atyre t’u drejtohet kjo pyetje, ata nuk do të kenë përgjigje tjetër, përveç pohimit se ata ishin të humbur dhe të devijuar dhe do të pranojnë se ishin arrogantë, inatçorë dhe të padrejtë. Kështu këta të mjerë do të thonë: “Kanë humbur prej nesh”. Kështu, ata do të dëshmojnë kundër vetes se e kanë mohuar Allahun. [A'raf 37]. Ndërsa nga ana tjetër, ndryshe do të jetë fjala e të diturve dhe të ndriçuarve me dritën e Zotit.Ata që u qe dhënë dituria do të thonë: “Vërtet, poshtërimi dhe e keqja i ka përfshirë sot jobesimtarët.” -Kështu, dijetarët e mëdhenj dhe edukatorë do të thonë Ditën e Gjykimit: “Vërtet, poshtërimi dhe e keqja i ka përfshirë sot jobesimtarët.” Në këtë ajet del qartë vlera e madhe e dijetarëve dhe fakti se ata flasin të vërtetën si në këtë botë, ashtu edhe ditën e dëshmive para Zotit. Fjala e tyre ka peshë tek Allahu dhe te krijesat. Në vijim, Allahu i Madhëruar tregon se çfarë do të bëjë me mohuesit në momentet e vdekjes së tyre dhe në Ditën e Gjykimit.

28

ٱلَّذِينَ تَتَوَفَّىٰهُمُ ٱلْمَلَٰٓئِكَةُ ظَالِمِىٓ أَنفُسِهِمْ ۖ فَأَلْقَوُا۟ ٱلسَّلَمَ مَا كُنَّا نَعْمَلُ مِن سُوٓءٍۭ ۚ بَلَىٰٓ إِنَّ ٱللَّهَ عَلِيمٌۢ بِمَا كُنتُمْ تَعْمَلُونَ

të cilëve, engjëjt ua marrin shpirtin, duke i bërë vetes ata zullum, e do të shfaqin përulshmëri (duke thënë): “Na nuk kemi punuar asgjë të keqe!” – Po, Perëndia me të vërtetë, është dijtës i veprave që keni punuar,

Janë ata të cilëve melekët ua marrin shpirtrat e mbushur me padrejtësi. -E tillë do të jetë gjendja e tyre në momentin e marrjes së shpirtit. Ata do të jenë të ngarkuar dhe të rënduar nga pesha e padrejtësive të tyre të shumta e poshtërsive të grumbulluara gjatë gjithë jetës në këtë botë. Dihet mirë se çfarë i pret keqbërësit e ngarkuar me poshtërsi e padrejtësi atë ditë: ndëshkim, poshtërim e nënçmim torturues.Ata shprehin dorëzimin(në momentin e vdekjes), duke thënë: “Ne nuk bëmë ndonjë të keqe.” -Ata shprehin dorëzim të plotë para Zotit dhe mohojnë çdo adhurim të përkushtuar dikujt tjetër veç Allahut të Lartësuar. Madje do të thonë: “Ne nuk bëmë ndonjë të keqe.” Por atyre u hidhet poshtë ky pretendim, duke u thënë: “Përkundrazi, ju jeni të mbushur me poshtërsi dhe mosbesim”.Por Allahu e di shumë mirë atë që e bëtë ju. - Tashmë nuk ju sjell asnjë dobi mohimi i poshtërsive tuaja. Kështu do të ndodhë në një moment gjatë Ditës së Kijametit. Duke menduar se mund të ketë efekt, ata mundohen t’i mohojnë poshtërsitë dhe mosbesimin që kanë shfaqur në jetën e kësaj bote. Por ata do të befasohen kur vetë gjymtyrët e tyre do të dëshmojnë kundër tyre. Kështu, kur del qartë ajo që ata kanë bërë në këtë jetë, nuk u mbetet gjë tjetër veç të pranojnë padrejtësitë dhe mosbesimin e tyre. Madje, ata të mjerë nuk kanë për të hyrë në Zjarrin e Xhehenemit pa pranuar të gjitha krimet dhe mosbesimin e tyre.

29

فَٱدْخُلُوٓا۟ أَبْوَٰبَ جَهَنَّمَ خَٰلِدِينَ فِيهَا ۖ فَلَبِئْسَ مَثْوَى ٱلْمُتَكَبِّرِينَ

(Ju tuhet atyre): “hyni në portet e skëterrës, ku do të mbeteni përgjithmonë!” E, sa vendbanim i shëmtuar është ai për mendjemëdhenjt!

Prandaj, hyni në dyert e Xhehenemit ku do të jeni përjetë! -Çdokush do të hyjë përmes asaj porte të Xhehenemit që e meriton, sipas punëve të veta.Sa vend i keq është ai i kryeneçëve! -Zjarri i Xhehenemit është vendqëndrimi më i keq i mbushur me dëshpërim dhe vuajtje, plot dhimbje e tmerr. Banorët e tij do të jenë gjithë frikë e brenga torturuese. E si mund të jetë ndryshe ai vend, kur atë e ka mbuluar zemërimi i Të Gjallit e të Përjetshmit?! Atyre nuk do t'u lehtësohet ndëshkimi e as do të gjejnë ndonjë moment çlodhje ose pushimi. Zoti Mëshirëplotë nuk ka për t’i vështruar ata dhe kështu do të shijojnë dënimin e madh.

30

۞ وَقِيلَ لِلَّذِينَ ٱتَّقَوْا۟ مَاذَآ أَنزَلَ رَبُّكُمْ ۚ قَالُوا۟ خَيْرًۭا ۗ لِّلَّذِينَ أَحْسَنُوا۟ فِى هَٰذِهِ ٱلدُّنْيَا حَسَنَةٌۭ ۚ وَلَدَارُ ٱلْءَاخِرَةِ خَيْرٌۭ ۚ وَلَنِعْمَ دَارُ ٱلْمُتَّقِينَ

E, atyre që i druajnë Perëndisë – u thuhet: “Çka u ka shpallur Zoti juaj?” – Ata do të thonë: “(Na ka zbritur) mirësi!” Ata që bëjnë vepra të mira në këtë botë, do të kenë mirësi, e në botën tjetër do të kenë edhe më të mira. E, sa e mrekullueshme do të jetë shtëpia e atyre që i druajnë Perëndisë:

Kur atyre që ishin të devotshëm u thuhej: “Çfarë shpalli Zoti juaj?”, ata thoshin: “Shpalli çdo të mirë.” -Pasi përmendi fjalët e jobesimtarëve që mohonin shpalljet, Zoti përmend fjalët e të devotshmëve. Këta të zgjedhur pohojnë dhe e pranojnë me mirënjohje se ajo që Zoti e shpalli është një mirësi e madhe dhe dhunti e jashtëzakonshme, që sjell veç begati. Shpallja është mirësia dhe dhurata më e mrekullueshme, me të cilën Zoti i begatoi robërit e Tij. Të devotshmit e pranojnë këtë mirësi dhe i përgjigjen me mirënjohje dhe nënshtrim. Ata dinë të shprehin mirënjohjen për këtë mirësi dhe nënshtrimin ndaj Atij që ua dhuroi. Fillimisht e njohën me dije të plotë, e pastaj duke punuar, për të kënaqur Zotin, prandaj për ta vjen ky përgëzim:Ata që bëjnë vepra të mira, edhe në këtë jetë kanë shpërblim të mirë. –Ata kanë arritur ihsan-in, në drejtim të adhurimeve që i përkushtohen Zotit dhe në drejtim të bamirësisë ndaj krijesave. Për këta bamirës, Allahu i Madhëruar thotë: “në këtë jetë kanë shpërblim të mirë”. Mirësitë e premtuara në këtë botë janë: furnizim i gjerë, jetë e këndshme dhe e kënaqshme, qetësi shpirtërore e zemër të mbushur me prehje, paqe, stabilitet, lumturi e gëzim. Ndërsa premtimi për ahiretin:Por shpërblimi i tyre në jetën tjetër është shumë më i mirë. Eh, sa vend i mirë është ai i të devotshmëve! -Ajo jetë është shumë më e mirë se kjo botë me të gjitha stolitë dhe kënaqësitë e saj. Kënaqësitë dhe stolitë e kësaj dynjaje janë shumë të pakta dhe shpeshherë të përziera me mangësi e vështirësi. Dhe çka është më e trishtueshme, mirësitë e dynjasë e kanë një fund, sepse vjen dita që zbehen, derisa zhduken me vdekjen. Ndërsa mirësitë e ahiretit janë ndryshe. Ato vazhdojnë përjetësisht dhe çdo ditë që kalon ua shton mirësinë e kënaqësinë. Prandaj i Lartësuari, për të nxitur mallin e besimtarëve për atë jetë të kënaqësisë pa fund, thotë: “Eh, sa vend i mirë është ai i të devotshmëve!"

Commentary: Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di. Qur'an text and translation via AlQuran Cloud.