Muslim99Muslim99
← Tafsir library

15. Al-Hijr

The Rock · Meccan · 99 ayahs

سُورَةُ الحِجۡرِ

Reading Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di

Ayahs 81–90 of 99

81

وَءَاتَيْنَٰهُمْ ءَايَٰتِنَا فَكَانُوا۟ عَنْهَا مُعْرِضِينَ

Dhe Ne, u patëm dhënë atyre dokumentet Tona, por ata shmangeshin prej tyre.

Ne u parashtruam Argumentet Tona, por ata i kundërshtuan. -Allahu i Madhëruar u solli argumente të jashtëzakonshme, që dëshmonin vërtetësinë e Salihut si i dërguar i Zotit dhe vërtetësinë e Shpalljes së Tij. Mes shenjave madhështore ishte edhe deveja, që Zoti ua solli në mënyrë të mrekullueshme, por ata, me mendjemadhësi dhe shpërfillje, i kthyen shpinën. Aq të shumta ishin mirësitë që Zoti u kishte dhuruar, saqë:

82

وَكَانُوا۟ يَنْحِتُونَ مِنَ ٱلْجِبَالِ بُيُوتًا ءَامِنِينَ

Ata gëdhendnin shtëpia me gurë-malesh, duke besuar se nuk do t’i gjejë asgjë,

Ata i gdhendnin shtëpitë në shkëmbinj, për të qenë më të sigurt. -Edhe pse ishin të sigurt dhe të qetë nga telashet, ata gdhendnin shtëpi nëpër shkëmbinj. Nëse do të tregonin mirënjohje ndaj Zotit dhe do ta besonin profetin Salih, Zoti do t’ua shtonte mirësitë në këtë jetë e në jetën tjetër. Kështu, ata e refuzuan Profetin dhe e therën devenë, duke treguar kryeneçësi ndaj Zotit. Si pasojë:

83

فَأَخَذَتْهُمُ ٱلصَّيْحَةُ مُصْبِحِينَ

andaj, edhe ata në agim i goditi zë i tmerrshëm

Në mëngjes, ata i goditi gjëmimi i tmerrshëm e shkatërrues. -Nga ky ndëshkim, iu copëtuan zemrat në gjoks dhe u gdhinë kufoma të gjunjëzuara. Ata u ndoqën nga poshtërimi dhe mallkimi i vazhdueshëm.

84

فَمَآ أَغْنَىٰ عَنْهُم مَّا كَانُوا۟ يَكْسِبُونَ

dhe nuk patën farë dobie nga ajo që patën ndërtuar (banesat)

Atyre nuk u shërbeu aspak puna që kishin bërë. -Kur urdhri i Zotit fillon të ekzekutohet, atë nuk mund ta kthejë pas asgjë, qofshin ushtri të mëdha, aleatë të shumtë apo pasuri të jashtëzakonshme.

85

وَمَا خَلَقْنَا ٱلسَّمَٰوَٰتِ وَٱلْأَرْضَ وَمَا بَيْنَهُمَآ إِلَّا بِٱلْحَقِّ ۗ وَإِنَّ ٱلسَّاعَةَ لَءَاتِيَةٌۭ ۖ فَٱصْفَحِ ٱلصَّفْحَ ٱلْجَمِيلَ

Na kemi krijuar qiejt dhe Tokën dhe atë që gjendet në mes tyre – në mënyrë të mrekullueshme. Me të vërtetë, do të vie Kijameti, andaj sillu ti (o Muhammed) me sjellje të bukura (zemërgjerësi),

Ne i krijuam qiejt dhe Tokën veçse me urtësi. -Nuk u krijuan kot dhe pa ndonjë qëllim, siç mendojnë armiqtë e mohuesit e Zotit, por u krijuan me urtësi. Ato përcjellin një mesazh të madh dhe të vërtetë. Ato dëshmojnë për Krijuesin dhe pushtetin e Tij të madh, për mëshirën, sundimin dhe për diturinë e Tij gjithëpërfshirëse. Ato tregojnë se Allahu është absolut në çdo aspekt dhe adhurimet i duhen përkushtuar veçse Atij, askujt tjetër. Allahu është i pashoq në çdo aspekt.Nuk ka dyshim se Ora (e kjametit)do të vijë, … -Për këtë çështje nuk duhet të ketë asnjë dyshim. Krijimi i qiejve dhe tokës është më i madh sesa krijimi i njerëzve.... por ti tolero dhe fal siç të ka hije(dhe atëherë kur duhet). -Tolerimi dhe falja të bëhet me mirësjelljen më të madhe, duke mos shprehur asnjë lloj zemërimi me ata që të shkaktojnë shqetësime e sillen keq me ty. T’u përgjigjesh keqbërësve me bamirësi e mirësi, ndërsa padrejtësitë e tyre t’ua mbulosh dhe falësh. Kjo është një mënyrë e qartë, që Zoti e tregon për të fituar shpërblime e mirësi prej Tij. Edhe pse këto shpërblime mund të duken të largëta, ato do të shfaqen një ditë. Dita e Llogarisë me drejtësi do të vijë patjetër. Çdo gjë që pritet të vijë është afër. Për shprehjen “dhe fal siç të ka hije” ka edhe një shpjegim tjetër shumë të bukur. Ne jemi urdhëruar që të jemi falës e tolerantë, të shoqëruar me sjellje të përshtatshme, korrekte, të drejtë dhe të urtë. Kjo arrihet nëse falja bëhet në vendin dhe momentin e duhur. Kështu, ne nuk duhet të falim, nëse urtësia e kërkon që të vendosim drejtësinë, si në rastin e ndëshkimit të kriminelëve, për të cilët vetëm ndëshkimi bën dobi. Ky është kuptimi i faljes së hijshme e korrekte.

86

إِنَّ رَبَّكَ هُوَ ٱلْخَلَّٰقُ ٱلْعَلِيمُ

me të vërtetë, Zoti yt është i vetmi Krijues dhe i Gjithëdijshëm. –

Zoti yt është Krijuesi i Gjithëditur. -Allahu është Krijuesi i çdo krijese. Ai është El Alim - i Gjithëdituri. E si mund t’i fshihet Atij diçka, ndërkohë që Allahu është Krijuesi i gjithçkaje dhe di gjithçka?!

87

وَلَقَدْ ءَاتَيْنَٰكَ سَبْعًۭا مِّنَ ٱلْمَثَانِى وَٱلْقُرْءَانَ ٱلْعَظِيمَ

Na të kemi shpallë ty shtatë ajete, që përsëriten dhe Kur’anin e madhërueshëm. –

Duke i kujtuar mirësitë e mëdha të dhuruara, Allahu i Lartësuar i thotë Profetit të Tij:Ne të kemi dhënë një shtatëshe(ajetesh)që përsëritet dhe Kur'anin e Madh. -Sipas mendimit më të saktë, fjala “shtatëshe” tregon shtatë suret më të gjata të Kur'anit: Bekare, Al Imran, Nisa, Maide, En'am, A'raf dhe Enfal së bashku me suren Teube. Një shpjegim tjetër është se këtu bëhet fjalë për shtatë ajetet e sures Fatiha, që lexohen shpesh dhe përsëriten nëpër namaze. Më pas përmendet Kur'ani madhështor, dhe kjo bëhet për të treguar rëndësinë e madhe të këtyre sureve të gjata. Në to flitet për teuhidin, diturinë rreth të fshehtave dhe për dispozita ligjore, gjëra të cilat përsëriten shumë herë në këto kapituj. Nëse pranohet se flitet për suren Fatiha, atëherë shtatëshja që përsëritet janë ajetet e saj, që këndohen në çdo rekat namazi. Kur'ani madhështor, që përmban këtë shtatëshe që përsëritet (me të dyja kuptimet), është mirësia më e madhe që Zoti u dhuroi krijesave dhe për të cilin garojnë të urtët. Ai është dhurata më e madhe, me të cilin lumturohen besimtarët, siç thotë i Madhëruari në një ajet tjetër: “O njerëz! Ja ku ju erdhi Këshilla nga Zoti juaj dhe shërimi i asaj që gjendet në kraharorin tuaj. Ai është Udhëzim dhe Mëshirë për besimtarët. Thuaj: “Vetëm për Mirësinë e Allahut (imanin) dhe Mëshirën e Tij (Kur'anin) gëzohuni!” Kjo është shumë herë më e dobishme se ajo që ata grumbullojnë.” [Junus 57, 58]

88

لَا تَمُدَّنَّ عَيْنَيْكَ إِلَىٰ مَا مَتَّعْنَا بِهِۦٓ أَزْوَٰجًۭا مِّنْهُمْ وَلَا تَحْزَنْ عَلَيْهِمْ وَٱخْفِضْ جَنَاحَكَ لِلْمُؤْمِنِينَ

Mos i drejto sytë e tu kah ato kënaqësi që Na ua kemi dhënë disave prej tyre dhe mos u hidhëro për ta (në mos besofshin). E, ndaj besimtarëve bëhu i butë

Mos ua hidh sytë kënaqësive që Ne u kemi dhënë disave prej tyre -Mos u mashtro nga stolitë e tyre dhe mos e angazho zemrën me përmbushjen e dëshirave të kësaj jete, njëlloj si të shthururit. Injorantët mashtrohen me degjenerimin dhe shpërfillin mirësitë që Zoti u ka dhuruar, bashkë me Shpalljen e mrekullueshme.... e as mos u brengos për ta(dhe mohimin e tyre)! -Mos u brengos për ta, sepse prej tyre nuk pritet ndonjë e mirë! Mjaftohu me muslimanët dhe besimtarët e sinqertë, sepse ata janë miqtë më të mirë!Shtrije dorën e mëshirës dhe të butësisë ndaj besimtarëve! -Tregohu i dashur dhe i dhembshur me ta, duke u sjellë mirë dhe me moral të lartë! Shprehe dashurinë, durimin dhe butësinë me sjelljet dhe fjalët e tua!

89

وَقُلْ إِنِّىٓ أَنَا ٱلنَّذِيرُ ٱلْمُبِينُ

dhe thuaj: “Unë, në të vërtetë, jam vetëm paralajmërues i qartë!” –

Dhe thuaj: “Unë jam vërtet ai që paralajmëron qartë.” - Përkushtohu në detyrën tënde për paralajmërimin e njerëzve dhe kumtimin e Shpalljes, të atyre që janë afër dhe atyre që janë larg, për miqtë dhe për armiqtë! Nëse e bën këtë, atëherë kaq ke për detyrë. Ti nuk je ngarkuar të marrësh në llogari ata, ashtu sikurse edhe ata nuk mund të kërkojnë llogari ty. Thuaju atyre: “Unë jam paralajmërues i hapur për ndëshkimin e Zotit, që pritet të zbresë, ashtu siç zbriti mbi popujt e mëparshëm.”!

90

كَمَآ أَنزَلْنَا عَلَى ٱلْمُقْتَسِمِينَ

(Ashtu u kemi dërguar cënim) atyre, të cilët e kanë ndarë Librin,

Ne i ndëshkuam ata që u përçanë në grupe(rreth përshkrimit të Kur'anit),... -Ne e zbritëm ndëshkimin mbi ata që u ndanë në grupe të ndryshme, duke mohuar Shpalljen e Zotit dhe u përkushtuan që të pengonin njerëzit nga udha e drejtë.

Commentary: Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di. Qur'an text and translation via AlQuran Cloud.