Muslim99Muslim99
← Tafsir library

15. Al-Hijr

The Rock · Meccan · 99 ayahs

سُورَةُ الحِجۡرِ

Reading Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di

Ayahs 1–10 of 99

بِسْمِ ٱللَّهِ ٱلرَّحْمَٰنِ ٱلرَّحِيمِ

1

الٓر ۚ تِلْكَ ءَايَٰتُ ٱلْكِتَٰبِ وَقُرْءَانٍۢ مُّبِينٍۢ

Elif Lâm Râ. Këto janë ajetet e Librit, të Kur’anit të qartë!

Duke treguar madhështinë e Librit të Tij, Allahu i Madhëruar thotë:Elif, Lam, Ra. Këto janë ajetet e Librit - këtij Kur'ani që qartëson gjithçka. -Ajetet e këtij libri janë shprehëset e kuptimeve më të bukura dhe qëllimeve më të larta, që duhet të synojnë krijesat. Kur'ani është i qartë dhe sqarues i çështjeve të rëndësishme, me fjalët e shprehjet më të bukura dhe argumentet më të kthjellëta për çdo çështje. Kaq duhet të mjaftojë që krijesat të nënshtrohen e të jetojnë sipas Kur'anit, të dorëzohen e të gjykojnë me ligjin e Tij. Ata duhet ta pranojnë këtë libër madhështor me kënaqësi dhe me zemër të gatshme për t’iu bindur gjithçkaje që thotë ai. Ndërsa ata që e refuzojnë këtë mirësi të pashembullt të Zotit, duke u treguar mosmirënjohës, ata janë të humbur dhe shpërfillin të vërtetën. Do të vijë dita që këta do të donin të ishin muslimanë, të dorëzuar e të nënshtruar ndaj një Zoti të vetëm dhe pasues të shpalljeve të Tij, por do të jetë vonë.

2

رُّبَمَا يَوَدُّ ٱلَّذِينَ كَفَرُوا۟ لَوْ كَانُوا۟ مُسْلِمِينَ

Shpeshherë mohuesit do të dëshironin që të ishin muslimanë.

Ata që nuk besojnë do të donin të ishin muslimanë. - Kështu do të ndodhë në çastet e agonisë së vdekjes, kur të shfaqen shenjat e para të kalimit në ahiret. Në ato çaste e më pas, të gjithë mohuesit do të dëshironin të ishin muslimanë, por tashmë kjo është e pamundur për ta. Ndërsa në këtë jetë ata janë të vetëmashtruar, mendjemëdhenj e kryeneçë.

3

ذَرْهُمْ يَأْكُلُوا۟ وَيَتَمَتَّعُوا۟ وَيُلْهِهِمُ ٱلْأَمَلُ ۖ فَسَوْفَ يَعْلَمُونَ

Lëri ata që të hanë dhe le të kënaqen, dhe lë t’i mashtrojë shpresa; ata do ta dinë (fundin)!

Le t'i gëzojnë (të mirat e kësaj bote) dhe të kënaqen! Le të defrehen me shpresa të kota, -Askush nuk mund ta shpejtojë apo ta shtyjë për më vonë afatin e vet. Atëherë, lëri ata të kënaqen dhe të argëtohen me kënaqësitë e kësaj bote. Kështu ata do të gjejnë prehje dhe do të ushqejnë iluzione, të cilat do t’i pengojnë nga rruga e Zotit. Ata jepen pas kësaj bote sikur nuk do të largohen kurrë prej saj dhe e harrojnë ahiretin....se më vonë do ta kuptojnë. - Më vonë do ta mësojnë e do të binden se kjo mënyrë jetese është e gabuar dhe kënaqësitë, pas të cilave jepen, janë kotësi e largim nga qëllimi i vërtetë i kësaj jete. Veprat dhe planet e tyre në këtë botë do t'u shkojnë kot, madje do t’u sjellin veçse dëshpërim. Të mos mashtrohen këta të mjerë me afatizimin e Zotit për ta, se ky është rregulli dhe ligji i Tij për njerëzit. Ai thotë:

4

وَمَآ أَهْلَكْنَا مِن قَرْيَةٍ إِلَّا وَلَهَا كِتَابٌۭ مَّعْلُومٌۭ

Na nuk i kemi zhdukur banorët e asnjë vendi, për pa ardhur koha e caktuar,

Ne kurrë nuk kemi shkatërruar ndonjë popull jashtë afatit të caktuar për ta. -Çdo popull që e ka merituar ndëshkimin, Allahu e ka ndëshkuar veçse atëherë kur e ka patur të përcaktuar.

5

مَّا تَسْبِقُ مِنْ أُمَّةٍ أَجَلَهَا وَمَا يَسْتَـْٔخِرُونَ

asnjë popull nuk mund as ta shpejtojë as ta ngadalësojë (caktimin Tonë për të).

Dhe asnjë popull nuk mund ta shpejtojë apo ta shtyjë për më vonë afatin e vet. -Për gjynahet dhe padrejtësitë do të jepet patjetër ndëshkimi i merituar, edhe sikur të vonohet ky ndëshkim.

6

وَقَالُوا۟ يَٰٓأَيُّهَا ٱلَّذِى نُزِّلَ عَلَيْهِ ٱلذِّكْرُ إِنَّكَ لَمَجْنُونٌۭ

Ata thanë: “O ti, që të është shpallë Kur’ani, ti je, me të vërtetë, i marrë!

Ata thonë: “O ti që po të shpallet Mesazhi! Ti je, vërtet i çmendur." - Mohuesit e Shpalljes i drejtoheshin Muhamedit a.s, duke i thënë: “O Ti që pretendon se të është zbritur Shpallje nga Zoti, nëse mendon se ne do të të pasojmë, atëherë ti je vërtet i çmendur. E si mund të bëjmë diçka të tillë dhe të braktisim traditën e të parëve tanë, thjesht e vetëm sepse ti na thua diçka të tillë?!” Pastaj ata shtronin kërkesat e kushtet e tyre të kota:

7

لَّوْ مَا تَأْتِينَا بِٱلْمَلَٰٓئِكَةِ إِن كُنتَ مِنَ ٱلصَّٰدِقِينَ

Të na sillshe engjëjt, nëse je i drejtë?”

Përse nuk na sjell melekë, nëse je i sinqertë? - Kuptimi: “Përse nuk na sjell melekë, që të dëshmojnë se Shpallja dhe ti jeni të vërtetë? Nëse nuk na sjell melekë këtu, atëherë ti nuk thua të vërtetën”. Këto fjalë ishin treguese të padrejtësisë dhe injorancës më të madhe, që kishin zënë vend në zemrat e tyre. Ato ishin padrejtësi, sepse tregonin rebelim dhe kryeneçësi ndaj Zotit, duke kërkuar dhe përcaktuar shenjat dhe mrekullitë që Ai u dashka t’u sjellë robërve . A thua se Ai nuk i zgjedh shenjat, mrekullitë dhe argumentet e përshtatshme dhe të mjaftueshme për mbështetjen e së vërtetës, që Ai solli përmes Profetit të Tij. Nga ana tjetër, ato fjalë tregojnë injorancë, sepse duket që nuk dinin të dallonin të mirën e të keqen, dëmin dhe dobinë për veten e tyre. Zbritja e melekëve nuk do të sillte mirësi për ta. Allahu i Lartësuar i zbret melekët veçse me të vërtetën e sigurt dhe, më pas, Ai nuk afatizon më asnjë pas mohimit të tyre dhe mosnënshtrimit për të punuar e jetuar sipas Shpalljes së Zotit. Ai thotë:

8

مَا نُنَزِّلُ ٱلْمَلَٰٓئِكَةَ إِلَّا بِٱلْحَقِّ وَمَا كَانُوٓا۟ إِذًۭا مُّنظَرِينَ

Na i dërgojmë engjëjt vetëm me të Vërtetën (me dënim të premtuar), dhe atëherë nuk u jepet afat për të pritur (por dënimi merr fund).

Por (thotë Zoti)Ne i dërgojmë melekët veçse kur duhet dhe atëherë, atyre(mosbesimtarëve)nuk u jepet më afat. -Nëse pas zbritjes së melekëve ata nuk besojnë, - dhe, në fakt, ata asnjëherë nuk kanë besuar, - ata nuk do të afatizohen më. Kështu, kërkesa e tyre për të tilla shenja e mrekulli është injorancë e thellë rreth dëmtimit të vetes së tyre. Në këtë mënyrë, ata veç po ia përshpejtojnë vetes shkatërrimin, por nuk e kuptojnë. Ata nuk arrijnë të kuptojnë një fakt shumë të rëndësishëm në këtë çështje: imani nuk është në dorën e tyre, por në dorë të Zotit, që thotë: "Edhe sikur t'u dërgonim melekët, t'i bënim të vdekurit t'u flisnin atyre dhe t'i tubonim të gjitha gjërat para tyre, ata përsëri nuk do të besonin, nëse Allahu nuk do të donte. Por shumica e tyre nuk e dinë (të vërtetën)." [En'am 111]. Nëse janë të sinqertë kur thonë se duan të besojnë, shenjat e mrekullitë e sjella e të përzgjedhura prej Zotit janë mëse të mjaftueshme. Kur'ani madhështor është mëse i mjaftueshëm për të gjetur dritën e Zotit.

9

إِنَّا نَحْنُ نَزَّلْنَا ٱلذِّكْرَ وَإِنَّا لَهُۥ لَحَٰفِظُونَ

Na, me të vërtetë, kemi shpallë Kur’anin dhe, Na, me të vërtetë, do ta ruajmë atë (origjinalitetin e tij).

Ne e shpallëm Mesazhin (Kur'anin)dhe sigurisht, Ne do të jemi mbrojtës të tij. –Kur'ani quhet Edh-Dhikru (kujtimi), sepse është kujtues dhe këshillues i mirë për çdo çështje dhe shtjellues e sqarues i tyre në formën dhe me argumentet më të plota. Nëpërmjet Kur'anit këshillohet dhe nxjerr mësime çdokush që e do diçka të tillë dhe e synon sinqerisht të vërtetën. Pastaj i Lartësuari na jep një përgëzim të mrekullueshëm, se do ta ruajë të paprekshëm e të pandryshuar këtë burim drite dhe njohurish, duke thënë: "... Ne do të jemi mbrojtës të tij." Ai e ruan këtë Libër si në kohën e shpalljes së tij, ashtu edhe pas saj. Gjatë shpalljes, i Lartësuari e ruajti Kur'anin nga ndërhyrjet e çdo shejtani të mallkuar: "Ai është I Gjithëdituri për të fshehtën dhe fshehtësinë e Vet nuk ia zbulon askujt, Përveç ndonjë të dërguari, që Ai dëshiron. Atëherë, Ai vë roje para edhe prapa tij, për t’u bërë e qartë se ata i kanë kumtuar shpalljet e Zotit të tyre dhe se Ai di gjithçka rreth tyre. Ai e di sasinë e gjithçkaje që ekziston.” [Xhin 26 – 28]. Ndërsa pas shpalljes, Zoti bëri që Kur'ani të ruhet i pacënueshëm, fillimisht në zemrën e Profetit, dhe pastaj në zemrat e besimtarëve të umetit të Tij. Allahu e ruan tekstin e këtij Libri nga ndryshimi, nga shtesat dhe pakësimet. Po kështu, Ai ruan edhe kuptimet dhe shpjegimet e këtij Libri nga tjetërsimi e devijimi. Nëse dikush përpiqet që të shtrembërojë ose keqinterpretojë ndonjë pjesë të Kur'anit, Allahu i Lartësuar ka bërë dijetarë që qartësojnë të vërtetën për njerëzit. Kjo ruajtje e Shpalljes është ndër mirësitë më të mëdha të Zotit për besimtarët. Pjesë e saj është edhe ruajtja e bartësve dhe përhapësve të Shpalljes nga armiqtë. Allahu nuk i lejon armiqtë që t’i poshtërojnë dhe mposhtin ata.

10

وَلَقَدْ أَرْسَلْنَا مِن قَبْلِكَ فِى شِيَعِ ٱلْأَوَّلِينَ

Na, me të vërtetë, u kemi dërguar pejgamberë edh para teje, - grupeve (popujve) të mëparshëm,

Ne kemi çuar të dërguar edhe në popujt e mëhershëm. - Allahu i Lartësuar i drejtohet Profetit të Tij të dashur, Muhamedit, për ta ngushëlluar rreth faktit që idhujtarët e rrefuzuan shpalljen e Tij dhe e njofton se kështu kanë vepruar edhe popujt e shkuar në shekujt e largët. Ai thotë:

Commentary: Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di. Qur'an text and translation via AlQuran Cloud.