الٓر ۚ كِتَٰبٌ أَنزَلْنَٰهُ إِلَيْكَ لِتُخْرِجَ ٱلنَّاسَ مِنَ ٱلظُّلُمَٰتِ إِلَى ٱلنُّورِ بِإِذْنِ رَبِّهِمْ إِلَىٰ صِرَٰطِ ٱلْعَزِيزِ ٱلْحَمِيدِ
Elif Lâm Râ. Ky është Libri, që ta kemi shpallë ty, që njerëzit t’i nxjerrish nga errësira në dritë, me lejen e Zotit të tyre, në rrugën e të Plotëfuqishmit dhe të Falenderueshmit,
Elif, Lam, Ra. Ky është një Libër, të cilin Ne ta shpallëm ty, që, me lejen e Zotit, t’i nxjerrësh njerëzit prej errësirave në dritë, në Rrugën e Ngadhënjimtarit të Lavdëruarit ... -Allahu i Madhëruar na tregon se ia shpalli Kur'anin Profetit të Tij, për të qenë në dobi të krijesave e për t’i nxjerrë ata prej errësirave në dritë, për t’i nxjerrë nga errësirat e injorancës, mohimit të Zotit, poshtërsive dhe veseve të ulëta, në dritën e diturisë, besimit të sinqertë, bindjes ndaj Zotit dhe virtyteve. Vëreni me kujdes! Allahu i Madhëruar e thekson: “me lejen e Zotit të tyre”. Kjo do të thotë se çdo adhurim që Zoti e do, ka për t’u realizuar prej tyre veçse me ndihmën dhe dëshirën e Tij. Asnjë punë e njerëzve nuk mund të ndodhë pa lejen e Allahut. Kjo është nxitje e hapur për mbështetje dhe kërkim ndihme nga Zoti, për ta plotësuar adhurimin. Adhurojeni Zotin përmes ligjeve dhe mënyrës që Ai e ka përcaktuar dhe kërkoni ndihmën e Tij, që t’jua lehtësojë dhe mundësojë një adhurim sa më të plotë e të pranuar nga Ai. Pastaj i Madhëruari e shtjellon edhe më shumë dritën, drejt së cilës udhëzon ky libër: “...në rrugën e Ngadhënjimtarit të Lavdëruarit”. Kur'ani udhëzon në rrugën që të çon drejt Allahut, që është Ngadhënjimtari dhe i Lavdëruari, dhe në vendin e shpërblimit të përjetshëm, ku Ai do të nderojë të dashurit e Vet. Kjo rrugë ndërtohet mbi dy themele:1. dituria e saktë rreth Shpalljes dhe:2. puna e sinqertë sipas kësaj diturie.Mendo pak! Allahu i Madhëruar thotë se Kur'ani udhëzon në rrugën e Tij, që është El Aziz - Ngadhënjimtari dhe El Hamid - i Lavdëruari. Përmendja e këtyre dy emrave tregon se edhe pasuesit e kësaj rruge janë krenarë dhe ngadhënjimtarë. Ata janë të fortë dhe të pathyeshëm, edhe nëse nuk kanë shumë ndihmëtarë, sepse u mjafton Allahu, i Cili është ndihmuesi më i fuqishëm. Ata janë të lavdëruar ndër njerëz dhe bëjnë punë të lavdërueshme. Sigurisht, i lavdishëm dhe i lavdëruar do të jetë edhe përfundimi i tyre.