Muslim99Muslim99
← Tafsir library

14. Ibrahim

Abraham · Meccan · 52 ayahs

سُورَةُ إِبۡرَاهِيمَ

Reading Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di

Ayahs 41–50 of 52

41

رَبَّنَا ٱغْفِرْ لِى وَلِوَٰلِدَىَّ وَلِلْمُؤْمِنِينَ يَوْمَ يَقُومُ ٱلْحِسَابُ

O Zoti ynë, më fal mua dhe prindërit e mi dhe besimtarët – në Ditën kur do të jepet llogari!”

O Zoti ynë! Na mbulo me faljen tënde mua, prindërit e mi dhe të gjithë besimtarët Ditën kur të jepet llogaria! -Allahu i Lartësuar iu përgjigj lutjes së Ibrahimit në të gjitha detajet e saj, përveç lutjes në lidhje me babain e tij. Ibrahimi u lut për babanë e vet, për shkak se i kishte premtuar se do të lutej për të. Por kur iu bë e qartë se ai ishte armik dhe kundërshtar i rrugës së Zotit, Profeti u distancua nga lutja për të.

42

وَلَا تَحْسَبَنَّ ٱللَّهَ غَٰفِلًا عَمَّا يَعْمَلُ ٱلظَّٰلِمُونَ ۚ إِنَّمَا يُؤَخِّرُهُمْ لِيَوْمٍۢ تَشْخَصُ فِيهِ ٱلْأَبْصَٰرُ

E ti, mos mendo, kurrsesi, që Perëndia nuk vëren atë që punojnë zullumqarët! Ai, vetëm ua shtyen (dënimin) dei në Ditën kur sytë e tyre do të mbeten të hapur,

Kurrsesi mos mendo se Allahu është i pakujdesshëm ndaj veprimeve të keqbërësve! -Ky është një kërcënim i ashpër për zullumqarët, që ju bëjnë padrejtësi njerëzve, dhe ngushëllim për ata që u bëhet padrejtësi.Ai vetëm është duke u dhënë afat deri në Ditën, kur sytë të shtangen nga tmerri. -Allahu i Lartësuar i ka afatizuar ata. Ai u ka dhënë të mira të ndryshme dhe i lejon që të lëvizin të sigurt dhe të qetë në tokën e Tij, por ju mos e konsideroni këtë si shenjë se ata janë në rrugë të mirë, sepse Allahu i Lartësuar u jep afat të padrejtëve, me qëllim që ata të shtojnë më tepër gjynahet, derisa t’i rrëmbejë me ndëshkim të ashpër, nga i cili nuk mund të shpëtojnë. I Lartësuari thotë: "I tillë është ndëshkimi i Zotit tënd, kur bie mbi popujt që bëjnë padrejtësi. Vërtet, ndëshkimi i Tij është i dhembshëm dhe i ashpër." [Hud 102]. Këtu bëhet fjalë për dy lloje padrejtësish: padrejtësitë në marrëdhëniet mes njeriut dhe Zotit dhe padrejtësitë e njerëzve mes njëri-tjetrit.

43

مُهْطِعِينَ مُقْنِعِى رُءُوسِهِمْ لَا يَرْتَدُّ إِلَيْهِمْ طَرْفُهُمْ ۖ وَأَفْـِٔدَتُهُمْ هَوَآءٌۭ

dhe duke vrapuar, me kokë ngrehur, nuk mund t’i lëvizin sytë (e shikojnë me ngulmim); e zemrat e tyre do të jenë të zbrazëta (nga tmerri).

Ata janë duke vrapuar me kokat lart, me sytë e tyre të hapur e të papulitur me zemrat e tyre të zbrazëta. -Sytë e tyre nuk puliten, nga tmerri dhe frika e asaj që shikojnë. I sheh ata të nxitojnë drejt zërit, që i thërret ata për të dalë para Allahut, për të dhënë llogari, dhe ata kurrë nuk mund t’i shmangen apo të gjejnë vend ku të fshihen. Kokat e tyre janë të ngritura lart, sepse duart i kanë të prangosura dhe të lidhura pas qafës. Kraharorin e kanë të zbrazët, sepse zemra iu shkon në grykë, nga frika. Gjoksi i tyre mbushet me ankth, frikë, dëshpërim dhe tmerr.

44

وَأَنذِرِ ٱلنَّاسَ يَوْمَ يَأْتِيهِمُ ٱلْعَذَابُ فَيَقُولُ ٱلَّذِينَ ظَلَمُوا۟ رَبَّنَآ أَخِّرْنَآ إِلَىٰٓ أَجَلٍۢ قَرِيبٍۢ نُّجِبْ دَعْوَتَكَ وَنَتَّبِعِ ٱلرُّسُلَ ۗ أَوَلَمْ تَكُونُوٓا۟ أَقْسَمْتُم مِّن قَبْلُ مَا لَكُم مِّن زَوَالٍۢ

Ti, paralajmëroji njerëzit për Ditën që atyre do t’u vie dënimi, e zullumqarët do të thonë: “O Zoti ynë, na lë (kthena në jetë) neve vetëm edhe pak kohë; na do t’i pëgjigjemi thirrjes Tënde dhe do t’i pasojmë pejgamberët!” (Ju thuhet atyre): “E vallë, a nuk jeni betuar më parë se nuk ka për ju zhdukje?

Allahu i Lartësuar i drejtohet Profetit të Tij të dashur, Muhamedit a.s, dhe i thotë:Prandaj paralajmëroji njerëzit për Ditën kur do t’u vijë Dënimi... -Përshkruajua qartë ndëshkimin që i pret dhe paralajmëroji, që të largohen nga veprat e dënueshme. Le ta dinë se, kur të vijë tmerri i atij ndëshkimi, ata që kanë qenë të zhytur në padrejtësi, duke mohuar Zotin, Shpalljen, Profetin dhe duke bërë gjynahe, do të bërtasin të penduar për çfarë kanë vepruar dhe do të kërkojnë që të kthehen. Por këto lutje dhe përgjërime nuk kanë efekt, sepse tashmë ka kaluar koha e tyre.... dhe kur keqbërësit do të thonë: “O Zoti ynë! Na lër edhe për pak kohë që t’i përgjigjemi thirrjes Sate dhe t’i pasojmë të dërguarit!” -Ata do të luten: “O Zoti ynë, na kthe në jetën e parë, se ne tashmë po shohim qartë. Na kthe në atë botë, që ne t’i përgjigjemi ftesës Tënde!” Dhe dihet se Allahu gjithmonë ka ftuar për në vendin e përjetshëm të paqes, për në Xhenetin e Tij. Ata do të luten gjithashtu: “Na kthe në dynja, që të pasojmë të dërguarit e Tu!” Por të gjitha këto ata i thonë thjesht për të shpëtuar nga ndëshkimi i dhembshëm, sepse, në fakt, ata janë mashtrues dhe kurrë nuk do ta mbanin këtë premtim, sikurse thotë Allahu i Lartësuar. Edhe nëse do të ktheheshin në dynja, ata do të zhyteshin përsëri në harame, prandaj Allahu i Lartësuar, duke i qortuar, u thotë atyre:Po, a nuk e kishit zakon të betoheshit më parë se nuk kishit për t’u larguar kurrë(nga kjo botë)? -Kuptimi: A nuk betoheshit ju se nuk do të largoheshit asnjëherë nga dynjaja për t'u ringjallur në ahiret? Tani doli në pah kotësia e betimeve dhe pretendimet tuaja të gënjeshtërta. Mosbesimi i ringjalljes dhe mosnënshtrimi ndaj Zotit nuk ishin për shkak të ndonjë mangësie dhe pamjaftueshmërie në argumentet e Zotit, pasi ato ishin shumë të qarta. Kësaj qartësie i shtohet edhe një fakt tjetër.

45

وَسَكَنتُمْ فِى مَسَٰكِنِ ٱلَّذِينَ ظَلَمُوٓا۟ أَنفُسَهُمْ وَتَبَيَّنَ لَكُمْ كَيْفَ فَعَلْنَا بِهِمْ وَضَرَبْنَا لَكُمُ ٱلْأَمْثَالَ

Dhe keni banuar në shtëpitë e atyre, të cilët i kanë bërë zullum vetes dhe e keni pasur të qartë se si kemi vepruar me ta. Dhe, Na, ju kemi treguar shumë shembuj”.

Ju banuat në vendbanimet e atyre që shkatërruan vetveten dhe e mësuat qartë se si vepruam me ta. Ne ju sollëm shembuj të qartë. -Ju e kishit të qartë dhe e dinit mirë se çfarë bëri Zoti me ta dhe se si i ndëshkoi. Kur ata mohonin shpalljet dhe profetët, Zoti i ndëshkonte me shumë forma. Kjo duhet t’ju mjaftonte juve, që të pranonit dhe të pasonit të vërtetën. Përveç kësaj, Zoti solli shembuj të shumtë e të qartë, që ta kuptonit mirë e lehtësisht të vërtetën. Shembujt largonin çdo dyshim nga zemra e atij që kërkon të vërtetën. Megjithatë, juve asgjë nga këto nuk ju bëri dobi. Ju, thjesht kthyet shpinën, për të vazhduar në të kotën ku ishit zhytur. Kështu vazhduat, derisa ndodhi ajo që ndodhi dhe ju arritët këtë ditë ndëshkimi. Sot nuk vlen justifikimi juaj i kotë dhe i pabazë.

46

وَقَدْ مَكَرُوا۟ مَكْرَهُمْ وَعِندَ ٱللَّهِ مَكْرُهُمْ وَإِن كَانَ مَكْرُهُمْ لِتَزُولَ مِنْهُ ٱلْجِبَالُ

Dhe ata thurin dredhitë e tyre, e te Perëndia është dënimi i dredhive të tyre; për dredhitë e atyre nuk mund t’i lëkundin malet.

Të fuqishme qenë, vërtet kurthet që përgatitën ata; por kurthet e tyre ishin në dorë të Allahut,... -Kundërshtuesit e profetëve thurnin kurthe dhe intriga kundër profetëve dhe pasuesve të tyre. Ata përpiqeshin me të gjitha mundësitë dhe aq sa Zoti i lejonte të bënin. Por çdo plan i thurur prej tyre nuk mund t’i fshihej Zotit të botëve, sepse Ai është i Gjithëditur dhe i Plotpushtetshëm për gjithçka. Asgjë nuk mund t’i shpëtojë e fshihet diturisë dhe pushtetit të Zotit, prandaj çdo kurth i këtyre të mjerëve u kthehet mbrapsht mbi kokat e tyre: "Por, dredhia për të keqen nuk godet askënd tjetër veç atyre që e kurdisën." [Fatir 43].... edhe sikur të ishin të tilla që të shkulin malet. -Intrigat e mohuesve të Zotit, profetëve e të shpalljeve të Tij ishin shumë mëdha. Ato ishin, ashtu siç i përshkruan Zoti, të tilla që edhe malet mund t’i lëviznin nga vendi. Allahu thotë në një sure tjetër. "...kurdisnin kurthe shumë të mëdha." [Nuh 22]. Askush, veç Zotit, nuk mund ta përkufizojë madhësinë e intrigave të tyre. Por Ai është Zoti i gjithçkaje, që e kthen atë intrigë kundër tyre. Në këtë kategori bëjnë pjesë të gjithë ata kundërshtues së rrugës së profetëve, të cilët përkrahin rrugën e të kotës dhe luftojnë me çdo mjet për të penguar dhe mbuluar të vërtetën e Zotit. Por le ta dinë se, lufta dhe planet e tyre nuk kanë për t’u sjellë asnjë dobi. Ata nuk mund ta dëmtojnë aspak Allahun, por dëmtojnë veç veten e tyre.

47

فَلَا تَحْسَبَنَّ ٱللَّهَ مُخْلِفَ وَعْدِهِۦ رُسُلَهُۥٓ ۗ إِنَّ ٱللَّهَ عَزِيزٌۭ ذُو ٱنتِقَامٍۢ

As mos mendo se Perëndia nuk do ta mbajë premtimin e Vet (që u ka dhënë) pejgamberëve të Vet – se, Perëndia, me të vërtetë, është i Plotëfuqishëm dhe ndëshkon –

Kurrsesi mos mendo se Allahu nuk do ta mbante premtimin që u dha të dërguarve të Tij. -Allahu i Lartësuar ka premtuar se do t’i shpëtojë e dhurojë fitore profetëve dhe pasuesve të denjë të tyre. Ai do t’u dhurojë atyre lumturi në këtë jetë dhe në tjetrën. Nga ana tjetër, Ai ka dhënë fjalën se do t’i shkatërrojë armiqtë e profetëve dhe të së vërtetës me dënim të rëndë në këtë jetë dhe në ahiret. Kështu, kurrë mos mendoni se Allahu do ta shkelë premtimin e Tij. Ai do të realizohet patjetër, sepse është fjala e vërtetë e Zotit, e sjellë përmes profetëve, besnikëve më të zgjedhur mes krijesave të Tij. Kjo është grada më e lartë e saktësisë dhe vërtetësisë së lajmit. Gjithashtu, kjo është në përputhje të plotë me urtësinë e Krijuesit dhe rregullat e krijimit të Tij. Kjo përputhet, po ashtu, edhe me logjikën e saktë dhe të shëndetshme, që e do drejtësinë. Allahut nuk mund t’i shpëtojë asgjë. sepse:Allahu është Ngadhënjimtar dhe ka ndëshkim të ashpër.... -Nëse Allahu i Lartësuar dëshiron të ndëshkojë dikë, ai person kurrsesi nuk mund t’i shpëtojë dhe nuk mund t’i fshihet Allahut dhe dhënies së llogarisë në Ditën e Gjykimit.

48

يَوْمَ تُبَدَّلُ ٱلْأَرْضُ غَيْرَ ٱلْأَرْضِ وَٱلسَّمَٰوَٰتُ ۖ وَبَرَزُوا۟ لِلَّهِ ٱلْوَٰحِدِ ٱلْقَهَّارِ

në Ditën kur Toka do të ndërrohet me tokë tjetër, por edhe qiejt, e kur të gjithë të dalin para të Vetmit dhe të Plotëfuqishmit Perëndi.

Një ditë Toka do të shndërrohet në tjetër Tokë, e po kështu edhe qiejt -Atë ditë, qiejt dhe toka do të ndryshohen. Këtu bëhet fjalë për ndryshim cilësor të tyre. Ditën e Gjykimit, toka do të sheshohet dhe hapet, ashtu siç bëhet me lëkurën e tharë, duke u zhdukur malet dhe çdo lloj relievi. Ajo do të kthehet, ashtu sikurse thotë Zoti: "Të pyesin ty për malet. Thuaj: “Zoti im do t’i shkulë ato dhe do t'i shpërndajë si pluhur.”. Dhe vendin e tyre ta bëjë rrafsh e pa kurfarë bimësie. As ultësira e as lartësira nuk do të shohësh në vendin e tyre." [Ta Ha 105 - 107]. Ndërsa qielli do të bëhet, siç thotë Allahu i Lartësuar në një ajet tjetër: "Ditën, kur qielli të bëhet si plumb i shkrirë..." [Mearixh 8]. Kështu do të ndodhë, sepse atë ditë gjendja është e vështirë. Pastaj Allahu i Lartësuar do t’i palosë qiejt me të djathtën e Tij, sikurse thotë: "Atë Ditë, Ne e palosim qiellin, siç palosen fletët e një libri. Ashtu siç e filluam krijimin, ashtu e rikthejmë atë. Ky është premtimi Ynë dhe Ne do ta përmbushim atë.” [Enbija 104].... dhe të gjithë do të dalin para Allahut, të Vetmit Ngadhënjimtarit. -Krijesat do të dalin nga varret e tyre dhe do të grumbullohen të gjithë në "Mahsher", në vendin e tubimit. Askush nuk mund t’i fshihet Allahut të Madhëruar, as njerëzit dhe as veprat e tyre. Të gjithë do të zbulohen përpara Allahut, që është i Vetëm dhe Ngadhënjimtar mbi gjithçka. Allahu është i Vetëm dhe Absolut në madhështinë e Tij, në emrat dhe cilësitë e Tij, në veprat e Tij madhështore dhe në faktin se Ai është Sunduesi dhe Nënshtruesi i të gjitha botëve. Gjithçka është nën sundimin dhe mbretërimin e Allahut; Ai rregullon dhe administron të gjitha çështjet. Gjithçka lëviz apo qëndron në prehje veçse me lejen e Zotit.

49

وَتَرَى ٱلْمُجْرِمِينَ يَوْمَئِذٍۢ مُّقَرَّنِينَ فِى ٱلْأَصْفَادِ

Dhe atë ditë do t’i shohësh mëkatarët të lidhur në pranga;

Dhe ti do t’i shohësh keqbërësit atë ditë të lidhur në pranga. -El muxhrimin janë ata që bëjnë krime, padrejtësi dhe gjynahe të shumta. Këtë kategori do ta shohësh atë ditë tek marrin ndëshkim të tmerrshëm. Çdo kriminel dhe i padrejtë do të lidhet me zinxhirë të zjarrtë dhe do të tërhiqet zvarrë drejt ndëshkimit. Ata do të jenë në gjendjen më poshtëruese, më të shëmtuar dhe më torturuese.

50

سَرَابِيلُهُم مِّن قَطِرَانٍۢ وَتَغْشَىٰ وُجُوهَهُمُ ٱلنَّارُ

Këmishat do t’i kenë prej katranit, e zjarri do t’ua mbështjellë fytyrat e tyre, -

Rrobat e tyre janë prej katrani, kurse fytyrat e tyre do t’i mbulojë Zjarri. -Rrobat e tyre do të jenë prej katrani, për shkak të zjarrit të ndezur dhe erës jashtëzakonisht të keqe të tyre. Fytyrat e tyre do t’i mbulojë zjarri. Pjesa më e nderuar e trupit, fytyra, do të jetë e përfshirë nga zjarri, dhe po kështu do të ndizet i gjithë trupi i tyre. Kjo, sigurisht, nuk është padrejtësi nga Allahu i Lartësuar ndaj tyre, por është një shpagim i drejtë për gjithçka që kanë bërë me duart e tyre.

Commentary: Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di. Qur'an text and translation via AlQuran Cloud.