Muslim99Muslim99
← Tafsir library

14. Ibrahim

Abraham · Meccan · 52 ayahs

سُورَةُ إِبۡرَاهِيمَ

Reading Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di

Ayahs 31–40 of 52

31

قُل لِّعِبَادِىَ ٱلَّذِينَ ءَامَنُوا۟ يُقِيمُوا۟ ٱلصَّلَوٰةَ وَيُنفِقُوا۟ مِمَّا رَزَقْنَٰهُمْ سِرًّۭا وَعَلَانِيَةًۭ مِّن قَبْلِ أَن يَأْتِىَ يَوْمٌۭ لَّا بَيْعٌۭ فِيهِ وَلَا خِلَٰلٌ

Thuaju robërve të Mi, të cilët besojnë: Le të falin namazin dhe le të japin fshehurazi dhe haptazi nga ajo që ua kemi dhënë Ne, para se të arrijë dita, në të cilën s’ka shitje as miqësi.

Thuaju robërve të Mi, që kanë besuar, që ta falin rregullisht namazin dhe, nga ajo që u kemi dhënë, le të japin fshehtazi dhe haptazi,... -Përcillju besimtarëve të sinqertë këtë urdhër të mrekullueshëm dhe plot mirësi, që sjell begati dhe rregullon plotësisht gjendjen e tyre. Le ta shfrytëzojnë këtë mundësi, përpara se të jetë shumë vonë. Le ta falin namazin me rregullsi, qoftë në aspektin e jashtëm të tij, qoftë në aspektin e brendshëm. Gjithashtu, le të shpenzojnë nga mirësitë e begatitë që Zoti u ka dhuruar, pak apo shumë qofshin ato, fshehtas dhe haptas. Këtu bëhet fjalë për shpenzimet e detyrueshme, si zekati, ose shpenzimet ndaj atyre njerëzve që e ke detyrë të përkujdesesh. Por bëhet fjalë edhe për sadakatë e donacionet e pëlqyeshme, në të gjitha fushat e bamirësisë. Allahu i Lartësuar na nxit që t’i bëjmë këto shpenzime para se të jetë tepër vonë:... para se të vijë ajo Ditë, kur nuk do të ketë më as kompensim e as miqësi. -Atë ditë, asnjë miqësi e lidhje nuk mund të sjellë dobi; atë që e ke shpërfillur nuk mund ta kthesh pas as me kompensim e as me ndonjë dhuratë nga miqtë e të dashurit. Atë ditë, çdo njeriu do t’i mjaftojë çështja e vet. Prandaj, le të përgatitet çdokush për veten e vet dhe le të shohë çfarë ka bërë për nesër. Le të shohë me kujdes punët dhe të marrë në llogari veten e vet, para se të vijë koha e llogarisë së madhe para Zotit.

32

ٱللَّهُ ٱلَّذِى خَلَقَ ٱلسَّمَٰوَٰتِ وَٱلْأَرْضَ وَأَنزَلَ مِنَ ٱلسَّمَآءِ مَآءًۭ فَأَخْرَجَ بِهِۦ مِنَ ٱلثَّمَرَٰتِ رِزْقًۭا لَّكُمْ ۖ وَسَخَّرَ لَكُمُ ٱلْفُلْكَ لِتَجْرِىَ فِى ٱلْبَحْرِ بِأَمْرِهِۦ ۖ وَسَخَّرَ لَكُمُ ٱلْأَنْهَٰرَ

Perëndia është Ai që ka krijuar qiejt dhe Tokën; Ai zbret ujin nga qielli e me të jep frutet për t’u ushqyer ju; dhe u jep juve që të shfrytëzoni anijet për të lundruar me to nëpër dete, me autorizimin e Tij, dhe u jep që të shfrytëzoni lumenjt;

Allahu është Ai që i ka krijuar qiejt dhe Tokën dhe që lëshon ujë prej së larti dhe me të bëhen fruta, si ushqim për ju. Është Ai që ju ka vënë në shërbim anijet, që lundrojnë në det me urdhrin e Tij. Edhe lumenjtë, është Ai që i ka vënë në shërbimin tuaj. -Allahu i Lartësuar na tregon se Ai është i vetmi Krijues dhe Furnizues i krijesave. Ai krijoi qiejt dhe tokën me gjithë madhështinë dhe gjerësinë e tyre. Ai nga qielli zbret ujin, pra, shiun, që aq bukur e me butësi bie prej reve. Përmes këtij uji, Ai nxjerr në tokë bimësi dhe fruta të llojeve të ndryshme, si furnizim për ju dhe për kafshët tuaja. Ai lehtësoi dhe bëri të mundshme për ju anijet dhe mjetet e tjera të udhëtimit. Allahu ka bërë që anijet të lundrojnë në det me urdhrin e Tij dhe është Ai që ju ka mundësuar prodhimin e tyre, duke ju dhënë forcë për një gjë të tillë. Allahu i ruan anijet përmes rrymave të ujit dhe, nëpërmjet tyre, ju udhëtoni dhe bartni pasuritë tuaja. Ai nënshtroi për ju edhe lumenjtë, që të ujisni të mbjellat dhe të pini vetë prej tyre.

33

وَسَخَّرَ لَكُمُ ٱلشَّمْسَ وَٱلْقَمَرَ دَآئِبَيْنِ ۖ وَسَخَّرَ لَكُمُ ٱلَّيْلَ وَٱلنَّهَارَ

dhe ju jep që të shfrytëzoni Diellin dhe Hënën, që lëvizin vazhdimisht, dhe ju jep që të shfrytëzoni natën dhe ditën;

Ai e krijoi për ju Diellin dhë Hënën, që vazhdimisht lëvizin, dhe bëri për ju natën dhe ditën. -Dielli dhe Hëna kurrë nuk lodhen me lëvizjen e tyre dhe nuk mbeten pas, por janë të nënshtruar e në dobinë tuaj. Përmes fazave të tyre, ju llogarisni kohën. Ata janë në shërbimin tuaj, të kafshëve tuaja, bimësisë dhe frutave për ju. Allahu i Madhëruar përshtati për ju natën dhe ditën. Natën e bëri që të qetësoheni dhe të mblidhni forcat, ndërsa ditën e bëri të shndritshme dhe plot gjallëri, që ju të kërkoni nga mirësitë e Tij.

34

وَءَاتَىٰكُم مِّن كُلِّ مَا سَأَلْتُمُوهُ ۚ وَإِن تَعُدُّوا۟ نِعْمَتَ ٱللَّهِ لَا تُحْصُوهَآ ۗ إِنَّ ٱلْإِنسَٰنَ لَظَلُومٌۭ كَفَّارٌۭ

dhe ju jep nga të gjitha ato që keni kërkuar nga Ai (sipas nevojave tuaja), e nëse doni t’i numëroni dhuntitë e Perëndisë, atëherë nuk do të mund t’i numëroni. – Njeriu, me të vërtetë, është zullumqarë dhe jomirënjohës.

Ai ju jep nga gjithçka që kërkoni. -Allahu ju dha gjithçka që dëshironi dhe ju nevojitet. Për këto nevoja, ju i jeni lutur Allahut me gjuhën e fjalëve dhe me gjuhën e gjendjes tuaj, dhe Ai, me bujarinë e Vet, jua ka plotësuar lutjet për nevojat e kësaj jete.Edhe në qoftë se përpiqeni t’i numëroni të mirat e Allahut, nuk do të mund të arrini t’i numëroni ato. -Ju as që nuk mund t’i numëroni dhe përkufizoni të mirat e Allahut, e jo më t’i jepni hakun mirënjohjes ndaj Tij.Vërtet, njeriu është i padrejtë dhe shumë mosmirënjohës. -E tillë është natyra dhe prirjet e njeriut. Ai është i prirur drejt padrejtësisë dhe nxiton në poshtërsi dhe mosbindje ndaj Zotit. Ai është shpërfillës dhe plot mangësi kur bëhet fjalë për të plotësuar detyrimet ndaj Zotit të Tij, mohues dhe mosmirënjohës ndaj mirësive të Allahut. Ai nuk arrin t’i shohë mirësitë e shumta të Zotit dhe as e ndien për detyrë mirënjohjen për to. I tillë është njeriu, përveç atyre që Allahu i Madhëruar i ka udhëzuar dhe i ka ndriçuar me udhëzimin e Tij. Ata tregohen mirënjohës për mirësitë e Allahut, e njohin mirë hakun e Tij dhe përkushtohen me gjithë shpirt për ta plotësuar atë. Në këto ajete përmenden shumë mirësi të Allahut të Lartësuar, prandaj Ai i fton robërit e Tij që të përkushtohen sinqerisht për të qenë falënderues dhe mirënjohës. Allahu i Madhëruar i nxit adhuruesit që të kujtojnë vazhdimisht mirësitë e Tij dhe i mëson që t’i luten Atij natën dhe ditën, për të përfituar nga begatia dhe bujaria e Tij. Ashtu sikurse mirësitë e Zotit përsëriten dhe vijnë pandërprerë në të gjitha kohët, ashtu le të përsëriten dhe të shtohen edhe lutjet e robërve dhe mirënjohja e tyre ndaj mirësive të Tij.

35

وَإِذْ قَالَ إِبْرَٰهِيمُ رَبِّ ٱجْعَلْ هَٰذَا ٱلْبَلَدَ ءَامِنًۭا وَٱجْنُبْنِى وَبَنِىَّ أَن نَّعْبُدَ ٱلْأَصْنَامَ

(Kujtoje) kur Ibrahimi tha: “O Zoti im, bëne të sigurt këtë qytet dhe më largo mua dhe bijtë e mi nga të adhuruarit e statujave,

Kujtoni kur Ibrahimi tha: “O Zoti im! Bëje këtë qytet të qetë e të sigurt dhe më ruaj mua e bijtë e mi nga adhurimi i idhujve! -Kujto çastet e bukura, kur Ibrahimi u lut me ato fjalë të mrekullueshme. Ai tha: “O Zoti im! Bëje këtë qytet të qetë e të sigurt dhe më ruaj mua e bijtë e mi nga adhurimi i idhujve!" Kështu, ai u lut për Qaben dhe banorët e saj, dhe Allahu i Lartësuar iu përgjigj lutjes së tij. I Lartësuari e ruajti atë vend, qoftë përmes ligjit të krijimit të Tij, qoftë përmes ligjit të Sheriatit që vendosi ndër njerëz. Në ligjin e Sheriatit, Qabja dhe qyteti i saj (Meka) janë të shenjtë. Por edhe në ligjin e krijimit dhe përcaktimit (kader) të Zotit, Ai ka bërë që kjo shtëpi dhe ky qytet të jetë një vend i sigurt dhe i ruajtur. Ai ka përcaktuar shumë shkaqe, që e ruajnë këtë vend të shenjtë. Çdo tiran dhe i padrejtë që kërkon të bëjë padrejtësi në të, Allahu i Madhëruar e shkatërron, sikurse veproi me Ushtrinë e Elefantit e të tjerë. Pasi u lut për sigurinë dhe paqen e kësaj Shtëpie dhe qyteti, Ibrahimi u lut edhe për sigurinë dhe paqen e vet dhe pasardhësve të vet. Gjithashtu, tha: "... më largo mua e bijtë e mi nga adhurimi i idhujve!" Pra, më ruaj mua dhe pasardhësit e mi nga adhurimi i idhujve dhe përkushtimi ndaj tyre. Pastaj Ibrahimi përmendi arsyen e frikës për veten dhe për bijtë e tij:

36

رَبِّ إِنَّهُنَّ أَضْلَلْنَ كَثِيرًۭا مِّنَ ٱلنَّاسِ ۖ فَمَن تَبِعَنِى فَإِنَّهُۥ مِنِّى ۖ وَمَنْ عَصَانِى فَإِنَّكَ غَفُورٌۭ رَّحِيمٌۭ

O Zoti im, ata kanë shmangur shumë njerëz (nga rruga e drejtë). Ai që më pason mua, është i fesë sime; e ai që më kundërshton mua, - Ti, pra, me të vërtetë, je falës dhe mëshirues.

O Zoti im! Ata, vërtet kanë devijuar shumë njerëz. -Janë shumë popuj, që u devijuan dhe ranë pre e adhurimit dhe nënshtrimit ndaj idhujve. O Zot, largoje zemrën time e të pasardhësve të mi nga ky lloj adhurimi poshtërues!Atëherë kush më pason mua, ai është i imi, -Çdokush që pason rrugën time në njësimin e Zotit, në adhurimin dhe sinqeritetin ndaj Tij në fjalë dhe në vepra, ai është prej meje dhe pasues i rrugës time. Çdokush që e do një popull dhe e ndjek atë, ka për të qenë së bashku në të....e kush nuk më bindet mua - por Ti je me të vërtetë Falës i Madh e Mëshirëplotë -Kjo thënie tregonte dhembshurinë e Ibrahimit. E si mund të ishte ndryshe ai, i cili ishte Halilur-Rahman (i Dashuri i Rahmanit). Ai u lut për falje e mëshirë për gjynahqarët. Megjithatë, Allahu i Lartësuar dhe Bujar është më i mëshirshëm për robërit e Tij dhe nuk dënon asnjë, përveç kryeneçëve dhe arrogantëve, që rebelohen dhe kalojnë kufijtë e Tij. Ibrahimi u nis nga Shami drejt Mekës, për të vendosur atje Haxherin, nënën e Ismailit, dhe birin e saj Ismail, i cili ishte ende fëmijë gjiri. Në atë kohë, Meka ishte një vend i pabanuar dhe i shkretë. Kur vendosi gruan dhe djalin atje, ai u lut me përgjërim, përunjësi të thellë dhe mbështetje të plotë te Zoti:

37

رَّبَّنَآ إِنِّىٓ أَسْكَنتُ مِن ذُرِّيَّتِى بِوَادٍ غَيْرِ ذِى زَرْعٍ عِندَ بَيْتِكَ ٱلْمُحَرَّمِ رَبَّنَا لِيُقِيمُوا۟ ٱلصَّلَوٰةَ فَٱجْعَلْ أَفْـِٔدَةًۭ مِّنَ ٱلنَّاسِ تَهْوِىٓ إِلَيْهِمْ وَٱرْزُقْهُم مِّنَ ٱلثَّمَرَٰتِ لَعَلَّهُمْ يَشْكُرُونَ

O Zoti ynë, unë, me të vërtetë, i kam vendosur disa pasardhës të mi në një luginë ë nuk mbillet, te Shtëpia e Jote e shenjtë; o Zoti ynë (i kam vendosur këtu) për të falur namazin; andaj, bënë që zemrat e disa njerëzve të nxitojnë kah ata dhe furnizoji ata me frute, për t’u bërë falenderues ata.

O Zoti ynë! Unë e vendosa një pjesë të familjes sime në një luginë, ku nuk ka bimë, pranë Shtëpisë Sate të Shenjtë, që ta falin rregullisht namazin, o Zoti ynë! -Vëreni me kujdes, se ai tha: "Unë e vendosa një pjesë të familjes sime", pra, jo të gjithë pasardhësit e mi. Kështu, në atë luginë do të jetonin pasardhësit e Ibrahimit nga Ismaili, kurse pasardhësit e tjerë të Ibrahimit, ata nga Is’haku, do të jetonin në Sham. Për vendin ku u vendos Ismaili thuhet se ishte një vend pa bimësi, sepse toka e Mekës nuk bën për mbjellje. Më pas Ibrahimi u lut duke thënë: "...që ta falin rregullisht namazin, o Zoti ynë!” Pra, bëj, o Zot, që të të adhurojnë si Një të Vetëm, dhe bëj që ta përkryejnë namazin dhe të falen me përkushtim. Sigurisht, falja e namazit me përkushtim është nga adhurimet më të mira në fenë e Zotit. Kush e përkryen namazin, do të jetë i aftë dhe korrekt në përkryerjen e fesë së Zotit.Prandaj bëj që zemrat e njerëzve të mbushen me dashuri për ta,... -Bëj që njerëzit t’i duan banorët e këtij vendi dhe të përmallohen për këtë vend. Dhe Allahu i Lartësuar iu përgjigj lutjes së Ibrahimit (a.s), dhe nga pasardhësit e Ismailit nxori Muhamedin a.s, i cili do të ftonte popullin e tij në fenë madhështore Islame dhe në besimin e pastër monoteist të atit të tyre, Ibrahimit (a.s). Ata iu përgjigjën atij, duke e përkryer namazin dhe duke iu nënshtruar fesë së Zotit. Allahu i Lartësuar e bëri detyrë haxhin në atë vend, ku u vendosën pasardhësit e Ibrahimit dhe vendosi në të një të fshehtë të çuditshme, që i tërheq zemrat dhe shpirtrat dhe i bën të përmallohen për të. Çdokush që kryen haxhin dhe e viziton atë vend nuk arrin të ngopet tërësisht me të, por vazhdimisht ndien nevojën të kthehet atje. Sa më shumë ta vizitojë njeriu atë vend, aq më tepër shtohet përmallimi dhe tërheqja drejt saj. Kështu e kupton përse Qabja quhet Shtëpia e Allahut. Gjithashtu, Ibrahimi (a.s) u lut dhe tha:...dhe furnizoji me mirësi, për të të lavdëruar me mirënjohje!” -Pa dyshim, Allahu i Lartësuar iu përgjigj lutjes së Ibrahimit (a.s.), dhe tashmë drejt atij vendi derdhen me shumicë të gjitha llojet e mirësive. Mekën e nderuar e sheh në çdo kohë të mbushur me të gjitha llojet e frutave dhe mirësive.

38

رَبَّنَآ إِنَّكَ تَعْلَمُ مَا نُخْفِى وَمَا نُعْلِنُ ۗ وَمَا يَخْفَىٰ عَلَى ٱللَّهِ مِن شَىْءٍۢ فِى ٱلْأَرْضِ وَلَا فِى ٱلسَّمَآءِ

O Zoti ynë, Ti, me të vërtetë, di ato që fshehim e çka shfaqim ne haptazi. Nuk i fshehet asgjë Perëndisë as në Tokë as në qiell.

O Zoti ynë! S’ka dyshim se Ti e di atë që ne e fshehim dhe atë që ne e shfaqim haptazi. Allahut nuk mund t’i fshihet asgjë në Tokë dhe në qiell. -Zoti ynë, Ti je më i ditur për ne, sesa ne për vetet tona. Ti i rregullon dhe administron çështjet tona. Ti përkujdesesh dhe edukon shpirtrat tanë, prandaj, lehtësoji për ne të gjitha ato çështje që i dimë apo nuk i dimë, por që rregullojnë gjendjen tonë. Me diturinë dhe mëshirën Tënde, lehtësoji të gjitha rrugët e mirësive për ne. Ti je kujdestari dhe miku më i dashur, të cilit nuk i fshihet asgjë në qiell dhe në tokë. Edhe kjo lutje që bëri Ibrahimi (a.s) nuk i fshihej Allahut të Lartësuar. Kjo lutje ishte kërkesë për mirësitë dhe begatitë e Zotit, si dhe mirënjohje e thellë për Të.

39

ٱلْحَمْدُ لِلَّهِ ٱلَّذِى وَهَبَ لِى عَلَى ٱلْكِبَرِ إِسْمَٰعِيلَ وَإِسْحَٰقَ ۚ إِنَّ رَبِّى لَسَمِيعُ ٱلدُّعَآءِ

Qoftë lavdëruar Perëndia, i cili në pleqëri më dhuroi Ismailin dhe Is’hakun; Zoti im, me të vërtetë, është pranues i lutjeve.

Falënderimi i qoftë Allahut, i Cili më dhuroi mua, në pleqëri, Ismailin dhe Is’hakun! -Kjo dhuratë ishte nga mirësitë më të mëdha. Sjellja në jetë e këtyre dy fëmijëve në një moshë të thyer ishte një mirësi e jashtëzakonshme, dhe mbi të gjitha këto mirësi ishte fakti se këta dy djem ishin profetë e adhurues të Zotit.Vërtet, Zoti im i Dëgjon lutjet. -Zoti është gjithnjë pranë dhe i përgjigjet atij që lutet. Ai kurrë nuk e zhgënjen lutësin dhe adhuruesin e Tij. Përsëri lutet Ibrahimi për veten dhe pasardhësit e Tij duke thënë:

40

رَبِّ ٱجْعَلْنِى مُقِيمَ ٱلصَّلَوٰةِ وَمِن ذُرِّيَّتِى ۚ رَبَّنَا وَتَقَبَّلْ دُعَآءِ

O Zoti im, bën që unë të kryejë përherë namazin dhe ashtu disa pasardhës të mi! O Zoti ynë, pranoje lutjen time!

O Zoti im! Më bëj mua dhe pasardhësit e mi nga ata që kryejnë namazin rregullisht, dhe pranoje lutjen time, o Zoti ynë! -Kjo tregon edhe njëherë për rëndësinë e madhe të këtij adhurimi të mrekullueshëm, i cili është lidhja e ngushtë e robit me Zotin e Tij.

Commentary: Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di. Qur'an text and translation via AlQuran Cloud.