Muslim99Muslim99
← Tafsir library

14. Ibrahim

Abraham · Meccan · 52 ayahs

سُورَةُ إِبۡرَاهِيمَ

Reading Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di

Ayahs 11–20 of 52

11

قَالَتْ لَهُمْ رُسُلُهُمْ إِن نَّحْنُ إِلَّا بَشَرٌۭ مِّثْلُكُمْ وَلَٰكِنَّ ٱللَّهَ يَمُنُّ عَلَىٰ مَن يَشَآءُ مِنْ عِبَادِهِۦ ۖ وَمَا كَانَ لَنَآ أَن نَّأْتِيَكُم بِسُلْطَٰنٍ إِلَّا بِإِذْنِ ٱللَّهِ ۚ وَعَلَى ٱللَّهِ فَلْيَتَوَكَّلِ ٱلْمُؤْمِنُونَ

Pejgamberët e tyre, u thanë: “Na jemi vetëm njerëz si ju, por Perëndia e cilëson (me pejgamberllëk) kë të dojë prej robërve të Vet, ne nuk mund t’u sjellim mrekulli pa urdhërin e Perëndisë, e besimtarët le të mbështeten vetëm në Perëndinë.

Të dërguarit u thanë: “Ne jemi veçse njerëz, sikurse edhe ju, por Allahu ia dhuron mirësinë kujt të dojë nga robërit e Vet. -Kuptimi: Po, është e vërtetë se ne jemi njerëz njëlloj si ju, por kjo nuk do të thotë që, për këtë shkak, ju të refuzoni Shpalljen dhe të vërtetën që ne sollëm nga Allahu, sepse Allahu ia dhuron mirësinë kujt të dojë nga robërit e Vet. Nëse Allahu na ka dhuruar mirësinë e madhe të Shpalljes dhe të frymëzimit nga ana e Tij, atëherë kjo është bamirësi dhe bujari e Tij, dhe askush nuk mund ta kufizojë Zotin në mirësitë që Ai dhuron. Kështu, shikojeni me kujdes Shpalljen, që sollëm ndër ju! Nëse e shihni si të vërtetë, atëherë pranojeni dhe nënshtrohuni ta adhuroni Zotin sipas saj! E nëse nuk e pranoni si të tillë, atëherë mos nxirrni arsyetime të kota, duke thënë se, meqenëse ne jemi njerëz sikurse dhe ju, kjo justifikon rrefuzimin e Shpalljes së Zotit. Ndërsa për sa u përket ajeteve dhe mrekullive që ju propozoni dhe na kërkoni, dijeni se ne nuk kemi asgjë në dorë:Nuk na takon neve t’ju sjellim ndonjë argument, përveçse me dëshirën e Allahut. -Nëse Zoti dëshiron, Ai jua sjell ato shenja dhe mrekulli, por nëse nuk dëshiron, nuk jua sjell. Për diçka të jeni të sigurt, Zoti vepron veçse atë që e gjykon si të drejtë urtësia dhe mëshira e Tij. Prandaj:Vetëm Allahut le t’i mbështeten besimtarët.” -Vetëm Allahut, dhe askujt tjetër, duhet t’i mbështeten dhe të shpresojnë besimtarët. Vetëm tek Ai duhet ta gjejnë mbështetjen dhe forcën për arritjen e të mirave dhe largimin e të këqijave. E si mund të veprojnë ndryshe besimtarët, kur ata e dinë mirë se Allahu i Lartësuar është plotësisht i mjaftueshëm dhe i pushtetshëm? Bamirësia e Tij është gjithëpërfshirëse, prandaj ata të jenë të sigurt dhe të qetë se Ai do t’ua lehtësojë arritjen e mirësive dhe do t'u japë forcë dhe mbështetje në realizimin e tyre. Në varësi të imanit është edhe mbështetja dhe besimi i plotë në ndihmën e Zotit. Nga kjo kuptohet se mbështetja (teuekul) e plotë tek Allahu i Lartësuar është detyrë dhe prej domosdoshmërive të besimit. Gjithashtu, ajo është nga adhurimet e mëdha dhe të rëndësishme, të cilat i do dhe i pëlqen Allahu i Lartësuar, sepse çdo adhurim tjetër lidhet ngushtë dhe ndërtohet mbi të. Në vijim, profetët e Zotit thoshin:

12

وَمَا لَنَآ أَلَّا نَتَوَكَّلَ عَلَى ٱللَّهِ وَقَدْ هَدَىٰنَا سُبُلَنَا ۚ وَلَنَصْبِرَنَّ عَلَىٰ مَآ ءَاذَيْتُمُونَا ۚ وَعَلَى ٱللَّهِ فَلْيَتَوَكَّلِ ٱلْمُتَوَكِّلُونَ

E, përse të mos mbështetem (shpresojmë) në Perëndinë, kur Ai na ka dëftuar rrugën e drejtë në të cilën po ecim? Na, me të vërtetë, do të durojmë në atë që na mundoni ju – e ata që mbështeten (shpresojnë), le të shpresojnë vetëm në Perëndinë!”

përse të mos i mbështetemi Allahut, kur Ai na ka udhëzuar në rrugën tonë? -Çfarë mund të na pengojë ne që t’i mbështetemi Allahut, kur ne jemi të udhëzuar në rrugën e drejtë dhe e njohim të vërtetën?! Atë që e njeh të vërtetën dhe është udhëzuar në rrugën e drejtë, ky udhëzim do ta bëjë që të jetë i sigurt në teuekul-in e Tij. Dituria e besimtarit rreth faktit se Allahu i Lartësuar e ndihmon të udhëzuarin dhe është mëse i mjaftueshëm për të, ia përforcon edhe më shumë mbështetjen. Por ndryshe është gjendja e atyre që nuk janë të udhëzuar dhe nuk e njohin të vërtetën. Ata nuk kanë besim dhe siguri në mbështetjen e Zotit. Gjendja e tyre është krejtësisht e kundërt me gjendjen e besimtarëve, që i mbështeten Allahut. Këto fjalë të profetëve ishin nxitje për popujt e tyre, që mbështetjen dhe sigurinë që ata gjenin tek Allahu ta shihnin si një mrekulli që u ishte dhuruar atyre. Për ta shpjeguar më mirë, popujt mohues kishin pushtet dhe forcë mbi profetët dhe besimtarët. Ata ishin të mbushur me urrejtje dhe armiqësi kundër profetëve dhe i kishin plotësisht mjetet dhe mundësitë për t’i ndëshkuar dhe dëmtuar profetët dhe pasuesit e tyre dhe për ta shuar kështu mesazhin e tyre. Në të tilla kushte, fjalët e profetëve dhe mbështetja e plotë tek Allahu nga njëra anë, dhe pamundësia e popujve mohues për t’ia arritur qëllimit, nga ana tjetër, ishte në vetvete një mrekulli e qartë nga Zoti. Ky ajet i përngjan fjalës së Nuhut (a.s): “O populli im! Nëse e keni të rëndë qëndrimin tim mes jush dhe këshillat e mia përmes ajeteve të Allahut, atëherë dijeni se unë i jam mbështetur vetëm Allahut. Prandaj, së bashku me zotat tuaj, vendosni si do të veproni kundër meje dhe mos e mbani të fshehtë vendimin tuaj! Zbatojeni atë kundër meje e mos më jepni asnjë afat!”[Junus 71]. Edhe profeti Hud (a.s) i tha popullit: “Unë kam dëshmitar Allahun, por dëshmoni edhe ju që unë distancohem nga idhujt që ju adhuroni veç Tij. Mblidhuni të gjithë me komplote kundër meje e mos më jepni asnjë afat! Unë i jam mbështetur Allahut, Zotit tim dhe Zotit tuaj. Nuk ka asnjë gjallesë, që Ai të mos e ketë nën sundim. Vërtet Zoti im është i Drejtë.” [Hud 54 - 57].Ne kemi për t’i duruar mundimet që na bëni. -Ne do të vazhdojmë me këmbëngulje përpjekjet tona për t'ju ftuar në rrugën e Allahut, për t’ju paralajmëruar që të pendoheni dhe të ktheheni tek Ai. Lufta juaj kundër nesh nuk do të na ndalë nga kjo rrugë. Ne do të kalisim durimin tonë për të përballuar mundimet tuaja, së pari, duke shpresuar në shpërblimin e Zotit dhe, së dyti, duke shpresuar që me përkujtimin tonë të shpeshtë dhe paralajmërimet tona, Zoti do t'ju udhëzojë në rrugë të drejtë.Vetëm Allahut le t’i mbështeten vazhdimisht ata që kërkojnë mbështetje!” -Vetëm Allahut, dhe askujt tjetër, le t’i mbështeten besimtarët dhe ata që kërkojnë ndihmë. Mbështetja tek Allahu është çelësi i çdo mirësie. Mësoje se, të dërguarit (paqja e Zotit qoftë mbi ta!) u stolisën me gradën më të lartë dhe llojin më të zgjedhur të teuekuli-t, që është: mbështetja për realizimin e qëllimit më të lartë, domethënë për ngritjen e fesë së Zotit, triumfin e saj, udhëzimin e njerëzve dhe largimin e tyre nga humbja. Kjo është grada më e lartë e mbështetjes te …

13

وَقَالَ ٱلَّذِينَ كَفَرُوا۟ لِرُسُلِهِمْ لَنُخْرِجَنَّكُم مِّنْ أَرْضِنَآ أَوْ لَتَعُودُنَّ فِى مِلَّتِنَا ۖ فَأَوْحَىٰٓ إِلَيْهِمْ رَبُّهُمْ لَنُهْلِكَنَّ ٱلظَّٰلِمِينَ

Dhe mohuesit u thanë pejgamberëve të tyre: “Na do t’ju dëbojmë juve nga toka e jonë, ose do të ktheheni ju në fenë tonë!” Andaj, Zoti (pejgamberëve të Vet) u shpalli: “Na, me të vërtetë, do t’i zhdukim zullumqarët,

Allahu i Lartësuar na tregoi në ajetet e mësipërme punën dhe mundin e vazhdueshëm të profetëve në ftesën e popujve të tyre në rrugën e drejtë. Ata kurrë nuk u lodhën dhe mërzitën në përpjekjet e tyre. Në vijim, Allahu i Lartësuar na tregon deri ku arritën marrëdhëniet me popujt e tyre:Mohuesit u thoshin të dërguarve të tyre: “Ne do t’ju dëbojmë nga vendi ynë, ose ju do të ktheheni në fenë tonë.” -Ata i thoshin këto fjalë duke kërcënuar, dhe kjo është nga format më të forta të refuzimit, gjë e cila të jep të kuptosh se për ata nuk kishte ndonjë shpresë të udhëzoheshin. Ata kërcënonin profetët se do t’i dëbonin nga vendi i tyre. Vëreni me kujdes se si ata thoshin: “...Ne do t’ju dëbojmë nga vendi ynë.”. Kështu, ata pretendonin se vendi ju përkiste veç atyre dhe profetët nuk kishin pjesë në të. Sigurisht që kjo qe një padrejtësi e madhe, sepse Allahu i Lartësuar i vendosi robërit e Tij në tokë dhe i urdhëroi që ta adhuronin Atë pa i bërë shok. Është Ai që ua lehtësoi dhe ua nënshtroi atyre tokën dhe gjithçka në të, që ata të gjenin gjithçka që u duhej për të plotësuar adhurimin e përkushtuar Zotit. Në këtë mënyrë, ai që e shfrytëzon tokën dhe mirësitë e Zotit për të plotësuar adhurimin ndaj Tij, ai i meriton këto mirësi dhe nuk ka për t’u marrë në përgjegjësi. Ndërsa ai i cili i shfrytëzon mirësitë e Zotit për të bërë kufër dhe lloje të ndryshme të poshtërsive, ai do të merret në përgjegjësi për to, sepse janë të palejueshme. Nga ajeti kuptohet, gjithashtu, se armiqtë e profetëve nuk kanë asnjë të drejtë mbi tokën dhe asnjë të drejtë të dëbojnë profetët e Zotit dhe pasuesit e tyre. Po ta shohim edhe nga një aspekt tjetër, mund të themi se, në fund të fundit, edhe profetët ishin banorë të atyre vendeve. Atëherë, me ç'të drejtë i privonin ata nga e drejta për të jetuar në vendin e tyre?! Sigurisht, kjo tregon për mosbesimin e thellë të tyre dhe poshtërsinë e madhe që i karakterizonte. Kur çështja dhe intrigat e tyre kundër profetëve arritën në këtë masë, nuk mbeti gjë tjetër veçse që Zoti të urdhëronte për shkatërrimin e tyre dhe për shpëtimin e të dashurve të Tij:

14

وَلَنُسْكِنَنَّكُمُ ٱلْأَرْضَ مِنۢ بَعْدِهِمْ ۚ ذَٰلِكَ لِمَنْ خَافَ مَقَامِى وَخَافَ وَعِيدِ

e juve do t’ju vendosim në tokën e tyre – pas tyre. Kjo (dhuratë) është për ata që i druajnë Madhërisë Sime dhe i frikohen premtimit (dënimit) Tim”.

Atëherë, Zoti shpalli: “Ne do t’i shkatërrojmë keqbërësit dhe do t’ju vendosim të banoni në atë tokë pas tyre. -Zoti do t’i ndëshkojë mohuesit e padrejtë me forma të ndryshme dhe të shumta. Ndërsa të dashurit dhe besimtarët e sinqertë, Ai do t’i shpërblejë mirë. Ky përfundim i mirë që Allahu i Lartësuar u dhuroi profetëve dhe pasuesve të tyre të sinqertë është i posaçëm dhe ka lidhje të ngushtë me një cilësi të mrekullueshme:Kjo është për ata që i frikësohen qëndrimit para Meje dhe i frikësohen dënimit Tim.” -Kjo është për ata që ia kanë frikën Zotit në këtë botë dhe e ndiejnë mbikëqyrjen e Tij, duke e ditur mirë se Ai i shikon. Cilësia tjetër është që i frikësohen kërcënimit të Zotit për ata që nuk i binden. Kjo bën që ata ta ndalin veten nga ato gjëra që Zoti i urren dhe të kryejnë ato gjëra, me të cilat Ai kënaqet.

15

وَٱسْتَفْتَحُوا۟ وَخَابَ كُلُّ جَبَّارٍ عَنِيدٍۢ

(E, pejgamberët) kërkuan ndihmë (nga Perëndia), andaj është shkatërruar çdo kokëfortë e kryelartë, -

Ata kërkuan ndihmë dhe çdo kryelartë e inatçor përfundoi në shkatërrim. -Ishin vetë mohuesit ata të cilët kërkuan që Allahu i Lartësuar të bënte ndarjen dhe të zbriste gjykimin e Tij mes të dashurve të Tij dhe armiqve të tyre. Kështu u realizua ajo që ata vetë e kërkuan, sepse Allahu i Lartësuar është Halim - i Butë. Ai nuk nxitohet në ndëshkimin e gjynahqarëve. Kjo është dita kur çdo kryeneç dhe inaçor shkatërrohet. Ata të mjerë tregohen kryeneçë ndaj Allahut të Lartësuar dhe ndaj të vërtetës që Ai ua shpalli profetëve. Ata tregohen mendjemëdhenj, armiqësorë dhe arrogantë ndaj Allahut, ndaj profetëve dhe pasuesve të tyre. Ata e mbushin tokën me poshtërsi dhe armiqësi dhe luftojnë kundër profetëve dhe pasuesve të tyre, që përhapin të mirën. Ky është ndëshkimi i tyre në këtë jetë, por ajo që i pret në ahiret është shumë më e dhimbshme dhe më dëshpëruese:

16

مِّن وَرَآئِهِۦ جَهَنَّمُ وَيُسْقَىٰ مِن مَّآءٍۢ صَدِيدٍۢ

para tyre është xhehennemi – dhe ai do të furnizohet me ujë të qelbët,

Përpara tyre është Xhehenemi, në të cilin u jepet për të pirë ujë i valë i qelbët. Ata do ta gjerbojnë atë, po nuk do të mund ta gëlltisin. -Këtyre kryeneçë arrogantë dhe inaçorë, Xhehenemi u qëndron në pritë. Do të vijë një ditë që ata do ta shohin ndëshkimin, i cili është i papërshkrueshëm dhe i ashpër. Atë ditë do t’u jepet për të pirë qelb, me atë ngjyrë, shije dhe erë. Ky lëng do të jetë jashtëzakonisht i nxehtë. Nga etja e madhe, ata do të përpiqen ta gëlltisin, por me zor e bëjnë diçka të tillë, sepse sa herë që afrohen për të pirë, u digjen dhe përvëlohen fytyrat, nga nxehtësia e madhe. Kur ky lëng kalon në barkun e tyre, ua këput dhe copëton zorrët. Allahu i Lartësuar thotë: “Ata do ta gjerbojë atë, po nuk do të mund ta gëlltisin”.

17

يَتَجَرَّعُهُۥ وَلَا يَكَادُ يُسِيغُهُۥ وَيَأْتِيهِ ٱلْمَوْتُ مِن كُلِّ مَكَانٍۢ وَمَا هُوَ بِمَيِّتٍۢ ۖ وَمِن وَرَآئِهِۦ عَذَابٌ غَلِيظٌۭ

të cilin e hërpatin, e nuk mund ta përbijnë. E, vdekja u vie atyre nga të gjitha anët, por ata nuk vdesin; dhe pas tij ka dënim të rëndë.

Vdekja u vjen nga të gjitha anët, po nuk vdesin. -Atyre u vjen ndëshkimi i ashpër me të gjitha llojet e tij. Ky ndëshkim është aq i ashpër, saqë arrin deri në prag të vdekjes, por Allahu i Lartësuar ka vendosur që ata të mos vdesin më. Allahu i Lartësuar thotë në një ajet tjetër: "Ata as nuk gjykohen që të vdesin, as nuk u lehtësohet ndëshkimi." [Fatir 36]. Sa herë që përfundon një ndëshkim, ata i pret një ndëshkim tjetër i rëndë, sikurse thotë Allahu i Lartësuar:Ata i pret një dënim shumë i rëndë. -Kështu do të ndëshkohet çdo kryeneç dhe armik i të vërtetës dhe i pasuesve të saj. Ndëshkimi i tyre është i fortë dhe i ashpër, aq sa askush nuk mund ta përshkruajë ashpërsinë e Tij, përveç Allahut të Lartësuar.

18

مَّثَلُ ٱلَّذِينَ كَفَرُوا۟ بِرَبِّهِمْ ۖ أَعْمَٰلُهُمْ كَرَمَادٍ ٱشْتَدَّتْ بِهِ ٱلرِّيحُ فِى يَوْمٍ عَاصِفٍۢ ۖ لَّا يَقْدِرُونَ مِمَّا كَسَبُوا۟ عَلَىٰ شَىْءٍۢ ۚ ذَٰلِكَ هُوَ ٱلضَّلَٰلُ ٱلْبَعِيدُ

Vepra e atyre që nuk besojnë Zotin e tyre, i shembëllen hirit, që në ditën e stuhishme bartet nga era. Nuk do të kenë asnjë dobi nga veprat që kanë punuar. Kjo është humbje e madhe.

Ja si është shembulli i atyre që mohojnë Zotin e tyre. Veprat e tyre janë si pluhuri, të cilin era e shpërndan në një ditë të stuhishme. -Allahu i Lartësuar përshkruan se si janë veprat e mohuesve. Por për çfarë veprash bëhet fjalë? Janë dhënë dy shpjegime për këtë. Sipas shpjegimit të parë, është fjala për ndonjë vepër që ata e kryenin në formë adhurimi për Zotin. Këto vepra, Allahu i Lartësuar i krahason me pluhurin e imët, që mjafton vetëm një puhizë e lehtë për ta shpërndarë, pa lënë më asnjë gjurmë. Mendo se çfarë ndodh me të në një ditë të stuhishme! Sigurisht që nuk mbetet asgjë prej tij. Kështu, këta mohues nuk kanë për të përfituar aspak prej veprave të tyre “të mira”, sikurse thotë Allahu i Lartësuar:Ata nuk do të përfitojnë asgjë nga veprat që kanë bërë. -Ata nuk mund të përfitojnë asgjë nga veprat e tyre, sepse ato janë të ndërtuara mbi mohimin e Zotit, të profetëve dhe të shpalljeve të Tij. Atyre u mungon kushti bazë dhe i domosdoshëm për pranimin e tyre: imani i pastër dhe i drejtë.Kjo është një humbje e madhe. -Të gjitha veprat e tyre u fshinë dhe u shkatërruan. Sipas shpjegimit të dytë të ajetit kuranor, këtu flitet për veprat që mohuesit bëjnë kundër të vërtetës dhe pasuesve të saj. Ata thurin kurthe dhe intriga kundër të vërtetës, për ta penguar atë, por këto kuthe dëmtojnë veçse thurësit e tyre. Ato kurrë nuk mund të dëmtojnë Zotin, profetin e Tij, pasuesit e të vërtetës dhe as të vërtetën që ata përhapin dhe në të cilën ftojnë njerëzit.

19

أَلَمْ تَرَ أَنَّ ٱللَّهَ خَلَقَ ٱلسَّمَٰوَٰتِ وَٱلْأَرْضَ بِٱلْحَقِّ ۚ إِن يَشَأْ يُذْهِبْكُمْ وَيَأْتِ بِخَلْقٍۢ جَدِيدٍۢ

Vallë, a nuk sheh ti se si Perëndia ka krijuar përsosmërisht qiejtë dhe Tokën? E, nëse Ai don, do t’ju zhdukë juve dhe do të sjellë popull të ri;

Allahu i Madhëruar u thotë robërve të Tij:A nuk e shikon ti se Allahu i krijoi qiejt dhe Tokën me urtësi? -Allahu i krijoi ato, me qëllim që njerëzit ta adhurojnë dhe ta njohin si një të vetëm, me emrat, cilësitë e veprat e Tij; i krijoi që t’i urdhërojë dhe ndalojë, t’u vendosë ligjin, sipas të cilit të jetojnë dhe ta adhurojnë; i krijoi që robërit të argumentojnë për cilësitë dhe emrat e bukur dhe të plotë të Tij përmes këtyre krijesave madhështore dhe gjithçkaje që ka mes tyre; i krijoi që ta dinë se Ai që i krijoi qiejt dhe Tokën e gjithçka mes tyre, me atë madhështi e bukuri, është i plotpushtetshëm që t’i ringjallë krijesat e t’i rikthejë në një krijim të ri, për t’i shpërblyer për veprat e mira dhe ato të këqija. Le ta kuptojnë se pushteti i Allahut është më i gjerë dhe i plotë se kaq. Ai thotë:Nëse dëshiron, Ai ju zhduk ju dhe sjell një Krijim të ri. -Një kuptim i këtij ajeti është: Allahu ju zhduk ju dhe sjell njerëz të tjerë, që të jenë më të bindur sesa ju. Kuptimi tjetër është: Ai ju zhduk në këtë jetë, dhe pastaj ju sjell përsëri në jetë me një krijim të ri Ditën e Gjykimit, për t’ju marrë në llogari dhe për t’ju shpërblyer ose ndëshkuar, me bamirësinë ose drejtësinë e Tij. Ky kuptim i dytë është më i mundshëm, sepse mbështetet edhe nga konteksti në vazhdim, që flet për Ditën e Gjykimit dhe skenat e saj.

20

وَمَا ذَٰلِكَ عَلَى ٱللَّهِ بِعَزِيزٍۢ

kjo nuk është punë e rëndë për Fuqiplotin Perëndi.

Kjo nuk është aspak e vështirë për Allahun. -Kjo është shumë e thjeshtë për Allahun. Ky fakt përforcohet në ajetin tjetër kuranor, që thotë: “Krijimi dhe ringjallja juaj (e ju të gjithëve), është njëlloj si krijimi dhe ringjallja e një një njeriu të vetëm. Allahu dëgjon dhe sheh gjithçka." [Lukman 28]. Ose: “Dhe është Ai që e fillon krijimin dhe pastaj e përsërit atë, dhe ajo (përsëritja) është është edhe më e lehtë për Të.”. [Rum 27].

Commentary: Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di. Qur'an text and translation via AlQuran Cloud.