Muslim99Muslim99
← Tafsir library

13. Ar-Ra'd

The Thunder · Medinan · 43 ayahs

سُورَةُ الرَّعۡدِ

Reading Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di

Ayahs 41–43 of 43

41

أَوَلَمْ يَرَوْا۟ أَنَّا نَأْتِى ٱلْأَرْضَ نَنقُصُهَا مِنْ أَطْرَافِهَا ۚ وَٱللَّهُ يَحْكُمُ لَا مُعَقِّبَ لِحُكْمِهِۦ ۚ وَهُوَ سَرِيعُ ٱلْحِسَابِ

A nuk po shohin ata, që Ne po ua shkatërrojmë tokën (mohuesve), duke i zvogluar skajet e saj. Perëndia gjykon, dhe s’ka askush që mund ta thyejë gjykimin e Tij dhe Ai është llogaritës i shpejtë.

A nuk shohin ata se Ne po ua ngushtojmë tokën nga skajet e saj? Allahu gjykon dhe askush nuk mund ta kundërshtojë gjykimin e Tij. Ai është i Shpejtë në llogari. -Rreth kuptimit të “ngushtojmë tokën” janë dhënë shpjegime të ndryshme nga dijetarët. Një shpjegim thotë se kuptimi është shkatërrimi i mohuesve të së vërtetës, duke i shfarosur ata kudo që ndodhen. Një kuptim tjetër është: çlirimi i vendeve të kufrit nga padrejtësitë e idhujtarëve dhe përhapja e Islamit në ato vende, duke e ngushtuar në këtë mënyrë tokën dhe pushtetin e tyre. Por ajo që duket qartë, - dhe Allahu e di më mirë -, është se Allahu i Lartësuar ua ngushton tokën dhe pushtetin të padrejtëve dhe refuzuesve të besimit përmes shumë mënyrave. Ai i paralajmëron ata me ndëshkime që godasin rreth e rrotull tyre ose mbi të ngjashmit me ta, që ata të marrin mësim dhe të kthejnë rrugë. Kështu, Allahu i Madhëruar i kërcënon, para se të vijë dita kur ata të ngushtohen dhe t’u vijë një ndëshkim, që nuk do të ketë më kthim dhe që askush nuk do të mund ta ndalë.

42

وَقَدْ مَكَرَ ٱلَّذِينَ مِن قَبْلِهِمْ فَلِلَّهِ ٱلْمَكْرُ جَمِيعًۭا ۖ يَعْلَمُ مَا تَكْسِبُ كُلُّ نَفْسٍۢ ۗ وَسَيَعْلَمُ ٱلْكُفَّٰرُ لِمَنْ عُقْبَى ٱلدَّارِ

Dredhi kanë bërë edhe ata që kanë qenë para tyre, e Perëndia është zotërues i të gjitha dredhive. Ai di çka punon çdokush dhe mohuesit do ta dinë se për kë do të jetë përfundimi më i mirë.

Edhe ata që kanë qenë para tyre thurën intriga, por çdo intrigë është në dorën e Allahut. -Shumë intriga dhe plane thurën popujt e shkuar kundër profetëve dhe kundër të vërtetës, që ata sollën nga Zoti, por nuk arritën asgjë. Ata luftuan kundër rrugës së Allahut, duke dashur të pengonin përhapjen e dritës së Tij. Por, a nuk e dinin ata se: "…çdo intrigë është në dorën e Allahut"? Askush nuk ka mundësi që të bëjë plane dhe t’i realizojë ato pa lejen e Allahut të Lartësuar apo jashtë përcaktimit dhe krijimit të Tij. Zoti ka krijuar gjithçka dhe ka përcaktuar gjithçka. Ata thurin intriga kundër fesë së Tij, por le ta dinë se përfundimi i tyre është dëshpërimi dhe dështimi. Ata do të zhgënjehen dhe do të mbeten të trishtuar. Allahu i Lartësuar thotë:Ai e di se çfarë vepron çdo njeri dhe mohuesit do ta kuptojnë mirë se për kë do të jetë Fundi i lumtur. -Allahu i Lartësuar i di shumë mirë prirjet, dëshirat dhe punët e njerëzve, si të dukshmet dhe të padukshmet. Edhe thurja e intrigave është një vepër që nuk i fshihet Allahut të Lartësuar, prandaj është e pamundur që ata të planifikojnë kurthe për të dëmtuar të vërtetën dhe pasuesit e saj dhe t’ia arrijnë të përfitojnë diçka. Allahu i Lartësuar thotë: "…mohuesit do ta kuptojnë mirë se për kë do të jetë fundi i lumtur." Do ta kuptojnë mirë se kujt do t’u takojë e ardhmja: atyre apo profetëve dhe pasuesve të profetëve. Nuk ka dyshim se përfundim i lumtur dhe gjithë mirësia u takon të devotshmëve, dhe jo mohuesve.

43

وَيَقُولُ ٱلَّذِينَ كَفَرُوا۟ لَسْتَ مُرْسَلًۭا ۚ قُلْ كَفَىٰ بِٱللَّهِ شَهِيدًۢا بَيْنِى وَبَيْنَكُمْ وَمَنْ عِندَهُۥ عِلْمُ ٱلْكِتَٰبِ

Mohuesit thonë: “Ti nuk je pejgamber!” Thuaj (o Muhammed!): “Mjafton Perëndia për dëshmitar në mes meje dhe jush, dhe Ai që e di Librin”.

Ata që mohojnë thonë: “Ti nuk je i dërguar.” -Ata të mohojnë ty dhe e konsiderojnë gënjeshtër Shpalljen që t’u dha nga Zoti. Thuaji atyre, nëse kërkojnë ndonjë dëshmues për këtë fakt:Thuaj: “Mjafton që Allahu është dëshmues midis meje dhe jush,...” -Allahu i Lartësuar ka dëshmuar për këtë të vërtetë me fjalën, veprat dhe me miratimin e Tij. Me fjalën e Tij, Allahu i Lartësuar dëshmoi përmes asaj që ia shpalli më të sinqertit dhe më besnikut të krijesave të Tij. Ai shpalli mesazhe, përmes të cilave tregoi vërtetësinë dhe besnikërinë e Profetit dhe të Shpalljes. Për sa i përket dëshmisë me vepra, Allahu i Lartësuar e mbështeti Profetin dhe kauzën e tij me një ndihmë, e cila ishte jashtë mundësive njerëzore, jashtë forcës së këtij profeti apo të shokëve dhe pasuesve të tij. Kjo ishte një dëshmi me veprat e Allahut të Lartësuar, që tregoi për vërtetësinë e Shpalljes dhe të profetit Muhamed a.s. Ndërsa dëshmia përmes pohimit të Tij kuptohet nga fakti se Profeti na ka njoftuar se ishte Zoti Ai që e dërgoi atë. Ai na tregoi se Allahu i Lartësuar i urdhëroi njerëzit për ta pasuar rrugën e drejtë dhe premtoi kënaqësinë dhe begatinë e Tij për çdo pasues të sinqertë të kësaj rruge. Ndërsa ata që nuk e pasojnë Profetin, Zoti i kërcënon me zjarr në botën tjetër, madje e ka bërë të lejuar për t'u marrë (sipas ligjit) jetën dhe pasurinë e tyre. Për të gjitha këto mesazhe që Profeti solli prej Tij, Allahu i Lartësuar e miratoi atë. Nëse Profeti do të trillonte diçka, Allahu i Lartësuar do ta ndëshkonte menjëherë atë.... por edhe midis meje dhe atyre që kanë njohuri për Librin! -Kjo përfshin të gjithë dijetarët e dy librave (Teurat dhe Ungjill). Shumë dijetarë të krishterë apo judej, të cilët e pranuan dhe pasuan të vërtetën, dëshmuan haptas për vërtetësinë e profetit Muhamed a.s.Edhe ata që e fshehën këtë dëshmi, Allahu i Lartësuar na tregon se e dinin dhe ishin të sigurt për këtë fakt. Dëshmia e Zotit se ata e dinin mirë këtë fakt, por heshtnin, është, në fakt, më e fortë edhe sesa pranimi i vetë atyre, sikur ta bënin. Nëse nuk do të dëshmonte Allahu i Madhëruar, ata do ta refuzonin diçka të tillë, por heshtja e tyre tregoi se ata e kishin të shkruar dëshminë për vërtetësinë e Profetit. Allahu i Lartësuar urdhëroi që të argumentojmë me dëshmitë që gjenden tek ithtarët e Librit, sepse dëshmia merret nga ata që kanë njohuri. Në atë kohë, idhujtarët arabë ishin analfabetë e të paditur, prandaj nuk kishte asnjë dobi dëshmia e tyre për vërtetësinë e Profetit dhe të Shpalljes së Zotit. Madje, arabët e asaj kohe, që ishin të paditur, gjithmonë pyesnin ithtarët e Librit për të tilla çështje. Allahu është më i ditur për gjithçka.Këtu përfundon tefsiri i sures Rad.Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve!Të tillë ishin Abdullah Ibn Selami,Selman el Farisiu, Temim el Dari etj.

Commentary: Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di. Qur'an text and translation via AlQuran Cloud.