Muslim99Muslim99
← Tafsir library

13. Ar-Ra'd

The Thunder · Medinan · 43 ayahs

سُورَةُ الرَّعۡدِ

Reading Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di

Ayahs 21–30 of 43

21

وَٱلَّذِينَ يَصِلُونَ مَآ أَمَرَ ٱللَّهُ بِهِۦٓ أَن يُوصَلَ وَيَخْشَوْنَ رَبَّهُمْ وَيَخَافُونَ سُوٓءَ ٱلْحِسَابِ

dhe ata që ruajnë atë që ka urdhëruar Perëndia që të ruhet dhe i druajnë Zotit të tyre, dhe i frikohen llogarisë së rëndë;

Ata që i ruajnë lidhjet që Allahu ka urdhëruar të ruhen, i frikësohen Zotit të tyre dhe i druhen gjykimit të rëndë;... -Ky është një ajet i përgjithshëm, që përfshin të gjitha lidhjet që Allahu i Lartësuar ka urdhëruar të mbahen fort. Muslimani duhet të ruajë lidhjet me Zotin e Lartësuar nëpërmjet forcimit të imanit, duke kultivuar dashurinë për Zotin dhe dashurinë për Profetin e Tij, duke e nënshtruar veten që të adhurojë Allahun e Lartësuar si Një, të Vetëm dhe të Pashoq dhe për t’iu bindur Profetit të Tij. Gjithashtu, muslimani duhet të mbajë të forta lidhjet me prindërit e tij, duke qenë bamirës ndaj tyre me fjalë dhe me vepra dhe duke u ruajtur të mos u bëjë padrejtësi atyre. Muslimani duhet të mbajë lidhjet e forta edhe me të afërmit dhe farefisin, duke u sjellë mirë me ta, me fjalë dhe me vepra. Ai duhet të mbajë marrëdhënie të mira me bashkëshorten dhe fëmijët, me shoqërinë dhe miqësinë, madje edhe me shërbyesit apo vartësit, duke u dhënë hakun atyre. Me fjalë të tjera, këtu nuk bëhet fjalë vetëm për plotësimin e detyrimeve që kanë të bëjnë me çështjet e kësaj jete, por edhe për çështjet e besimit dhe fesë, pra, të ahiretit. Vëreni me kujdes! Shkaku që i bën këta rob të zgjedhur që t’i mbajnë të forta lidhjet që Allahu i Lartësuar ka urdhëruar të mbahen, është frikërespekti ndaj Allahut dhe frika ndaj dhënies së llogarisë. Prandaj Allahu i Lartësuar thotë për ta: “…i frikësohen Zoti të tyre dhe i druhen gjykimit të rëndë." Ata i druhen dhe i frikësohen Zotit të Madhërishëm. Është pikërisht kjo frikë dhe madhërimi që ata kanë për Zotin e tyre, që ata të jenë të kujdesshëm në përmbushjen e detyrimeve ndaj Tij. Në çdo çast të jetës së tyre, ata i shoqëron frika për ditën kur do të japin llogari përpara Tij, prandaj kurrë nuk marrin guximin që të bëjnë poshtërsi ndaj Zotit apo të cenojnë urdhëresat e Tij. Gjatë gjithë jetës, zemrat e tyre janë të mbushura me frikë nga ndëshkimi i Zotit dhe shpresë për shpërblimin e Tij. Ata e duan fort Allahun dhe e madhërojnë Atë. Në vijim të përshkrimit të tyre, Allahu i Lartësuar thotë:

22

وَٱلَّذِينَ صَبَرُوا۟ ٱبْتِغَآءَ وَجْهِ رَبِّهِمْ وَأَقَامُوا۟ ٱلصَّلَوٰةَ وَأَنفَقُوا۟ مِمَّا رَزَقْنَٰهُمْ سِرًّۭا وَعَلَانِيَةًۭ وَيَدْرَءُونَ بِٱلْحَسَنَةِ ٱلسَّيِّئَةَ أُو۟لَٰٓئِكَ لَهُمْ عُقْبَى ٱلدَّارِ

dhe ata që durojnë për të fituar dashurinë e Zotit të tyre, dhe që falin namazin, dhe nga ajo që ua kemi dhënë Ne – ndajnë (japin) fshehurazi dhe haptazi, dhe kthejnë të keqen me të mirë – për ta ka përfundim të mirë,

Ata që ngulmojnë me durim për të arritur dashurinë e Zotit të tyre dhe falin me rregull namazin;... -Ata bëjnë durim në përmbushjen e urdhëresave të Zotit, bëjnë durim duke frenuar veten nga haramet, bëjnë durim ndaj caktimit të Zotit, duke e pritur atë me zemër të hapur dhe jo me zemërim apo rebelim kundër Zotit. Në këtë ajet, Allahu i Madhëruar jep një detaj shumë të rëndësishëm, duke treguar se çfarë i motivon këta të përzgjedhur për të patur këtë durim: "…për të arritur dashurinë e Zotit të tyre." Ky është një kusht i domosdoshëm, që durimi, me të gjitha llojet e tij, të jetë i shpërblyeshëm nga Allahu i Lartësuar. Motivi që e shtyn njeriun për të qenë i duruar duhet të jetë i pastër dhe jo i përzier me qëllime të këqija dhe të pavlera. Durim i dobishëm është ai që njeriu e bën për të arritur kënaqësinë e Zotit të Tij, duke shpresuar afrimin tek Ai dhe marrjen e shpërblimit të Tij. Ky lloj durimi është veçori e besimtarëve të sinqertë. Ndërsa ai lloj durimi, nëpërmjet të cilit njeriu kërkon të tregojë forcën, qëndrueshmërinë dhe këmbënguljen e tij, duke kërkuar lëvdata dhe duke ushqyer mendjemadhësinë e tij, ky durim mund të arrihet nga kushdo dhe nuk është aspakt i lëvduar dhe i shpërblyeshëm. Një përshkrim tjetër i atyre që janë të mençur dhe të urtë dhe që do të meritojnë shpërblimin e Zotit vjen më poshtë, në ajetin kuranor: "…dhe e falin me rregull namazin." Së pari, Allahu i Lartësuar i përshkruan ata si njerëz që e falin rregullisht dhe me saktësi namazin, duke plotësuar shtyllat, kushtet, elementët e detyrueshëm dhe të pëlqyeshëm të namazit, qoftë në aspektin e jashtëm, qoftë në atë të brendshëm gjatë kryerjes së tij. Së dyti, i përshkuan ata duke thënë:ata që japin haptazi dhe fshehtazi nga ajo që u kemi dhënë Ne dhe të keqen e kthejnë me të mirë... -Këtu bëhet fjalë për shpenzimet e detyrueshme, siç është zekati ose edhe kompensimet e ndryshme për shkak të betimit, zotimit etj. Gjithashtu, bëhet edhe fjalë për shpenzimet e pëlqyeshme. Kështu, këta të zgjedhur shpenzojnë sa herë që nevojitet, dhe këtë e bëjnë haptazi dhe fshehtazi, si të jetë më e mira dhe si ta kërkojë urtësia. Ata, gjithashtu: "…të keqen e kthejnë me të mirë." Nëse dikush i keqtrajton ata me fjalë apo me vepra, ata nuk ia kthejnë me të njëjtën monedhë, por ia kthejnë me bamirësi, duke synuar rregullimin dhe përmirësimin. Nëse dikush i privon, ata i japin dhe shpenzojnë pa kufi për të, nëse dikush i bën padrejtësi, ata e falin dhe ia kthejnë me mirësi, nëse dikush i ndërpret marrëdhëniet me ta, ata përpiqen që t’i lidhin dhe ruajnë marrëdhëniet me të, kur dikush i dëmton ata me fjalë ose vepra, ata përpiqen me fjalë dhe me vepra ta rregullojnë dhe përmirësojnë atë. Mendohu pak! Nëse kjo është sjellja e tyre ndaj atyre që iu bëjnë padrejtësi, atëherë si mund të jetë sjellja e tyre me ata që sillen mirë? Sigurisht që morali i tyre është i pashembullt dhe këto janë cilësi që mund t’i kenë vetëm ata që Zoti i ka zgjedhur. Për të gjithë ata që kanë të tilla cilësi, Allahu i Lartësuar ka përgatitur atë që quhet Ukbeddar- Vendbanimi i Përjetshëm....këtyre u takon shpërblimi në Shtëpinë e përjetshme,... -Pastaj, Allahu i Lartësuar e shtjellon më shumë këtë vendbanim të …

23

جَنَّٰتُ عَدْنٍۢ يَدْخُلُونَهَا وَمَن صَلَحَ مِنْ ءَابَآئِهِمْ وَأَزْوَٰجِهِمْ وَذُرِّيَّٰتِهِمْ ۖ وَٱلْمَلَٰٓئِكَةُ يَدْخُلُونَ عَلَيْهِم مِّن كُلِّ بَابٍۢ

Xhenneti i Adnit, në të cilin do të hyjnë ata, dhe prindërit e tyre, dhe gratë e tyre, dhe pasardhësit e tyre – ata ë kanë qenë të mirë (që kanë besuar), e engjëjt do të hyjnë tek ata nga çdo derë:

(Për ta janë përgatitur)Xhenetet e Adnit, ku do të hyjnë ata dhe prindërit, gratë dhe fëmijët e tyre, të cilët kanë qenë vepërmirë. -Ato janë Xhenetet e Adnit, pra, kopshtet e qëndrimit të përhershëm, nga ku nuk kanë për t’u larguar kurrë dhe nuk kanë për të kërkuar që t’u ndryshohet apo t’u zëvendësohet me diçka tjetër. E si mund të kërkojnë diçka tjetër nga ky vend, që vetë Allahu i Lartësuar e ka përgatitur për të dashurit e Tij dhe në të cilin gjenden të gjitha mirësitë që sjellin lumturi dhe gëzim. Në Xhenet ka gjithçka që ata fatlumë e kërkojnë dhe e ëndërrojnë. Allahu i Madhëruar tregon se do t'ua qetësojë shpirtin dhe do t'ua kënaqë sytë të dashurve të Tij, duke thënë: "Xhenetet e Adnit, ku do të hyjnë ata dhe prindërit, gratë dhe fëmijët e tyre, të cilët kanë qenë vepërmirë." Kështu, ata do të bashkohen në Xhenet me paraardhësit dhe me bashkëshortet e tyre. Fjala “ezuaxh” (bashkëshortet) ka edhe kuptimin “ata të cilët kanë qenë të ngjashëm me ta, aspektin e veprave të mira”; pra, edhe këta konsiderohen si “të afërt” me besimtarët. Prania e këtyre të dashurve ua shton më shumë kënaqësinë dhe lumturinë në Xhenetin e Zotit. Një tjetër kënaqësi që ata përjetojnë është edhe prania e melekëve, të cilët i vizitojnë në çdo kohë. Thotë Allahu i Lartësuar:

24

سَلَٰمٌ عَلَيْكُم بِمَا صَبَرْتُمْ ۚ فَنِعْمَ عُقْبَى ٱلدَّارِ

(e ju thonë): “Shpëtimi qoftë mbi ju, meqë keni duruar, e sa përfundim i bukur që është ky!”

Melekët do t’i vizitojnë ata, duke u hyrë nga çdo portë: “Selamun alejkum!” -Ata i përshendesin me selam dhe i përgëzojnë për nderimin e madh që Allahu i Lartësuar u ka rezervuar. Ata u drejtohen me ato fjalë të dashura, duke u thënë “selamun alejkum”. Selam-i është përshëndetja e Allahut të Lartësuar për ta, prandaj ata do t’i përfshijë paqja dhe siguria. Kjo do të thotë se ata do të shpëtojnë nga çdo gjë e keqe së cilës i druhen dhe do të lumturohen me çdo gjë të mirë që e dëshirojnë. Por Allahu i Lartësuar thotë diçka tjetër, që është shumë e rëndësishme për t'u kuptuar:Me durimin tuaj gjetët shpëtimin. -Domethënë, vetëm përmes durimit, ata arrijnë këto grada të larta në Xhenetin e mrekullueshëm.Sa e mirë është Shtëpia e tyre e përjetshme! -Kështu, çdokush që e vlerëson veten dhe i dëshiron të mirën asaj, e nënshtron atë për t’u përpjekur dhe punuar fort, me shpresë që të stoliset me cilësitë e të mençurve. Vetëm në këtë mënyrë mund të shpresojë se do të ketë pjesë në Xhenet, në atë vend aq të bukur, i cili gjithmonë ka qenë motivuesi dhe lumturuesi i i shpirtrave të mirë. Në atë vend të bukur janë mbledhur të gjitha kënaqësitë dhe mirësitë lumturisjellëse. Për të tilla mirësi le të punojnë më aktivët dhe le të garojnë ambiciozët.

25

وَٱلَّذِينَ يَنقُضُونَ عَهْدَ ٱللَّهِ مِنۢ بَعْدِ مِيثَٰقِهِۦ وَيَقْطَعُونَ مَآ أَمَرَ ٱللَّهُ بِهِۦٓ أَن يُوصَلَ وَيُفْسِدُونَ فِى ٱلْأَرْضِ ۙ أُو۟لَٰٓئِكَ لَهُمُ ٱللَّعْنَةُ وَلَهُمْ سُوٓءُ ٱلدَّارِ

E, ata që prishin obligimin ndaj Perëndisë, pasi që janë zotuar për atë, e që këputin atë që ka urdhëruar Perëndia të ruhet, dhe bëjnë çrregullime në Tokë – për ata ka mallkim dhe përfundim të keq!

Pasi përshkroi gjendjen e banorëve të Xhenetit dhe veprat e tyre, Allahu i Lartësuar përshkruan gjendjen e banorëve të Zjarrit dhe të punëve të tyre, që janë krejtësisht të kundërta me ato të banorëve të Xhenetit. I Madhëruari thotë:Ndërsa ata që e shkelin besën e dhënë Allahut, pasi e kanë dhënë, i shkëpusin ato lidhje për të cilat Allahu ka urdhëruar të mbahen fort dhe bëjnë shkatërrime në tokë, ata janë të mallkuar dhe për ta është Shtëpia e tmershme. - Cilësi e tyre e parë është shkelja e premtimeve ndaj Allahut të Lartësuar, edhe pse ato premtime janë përforcuar nëpërmjet profetëve të Tij. Në vend që t’i respektonin, ata i shpërfillin, i shkelin dhe i hedhin pas shpine. Cilësia tjetër e tyre: "… i shkëpusin ato lidhje për të cilat Allahu ka urdhëruar të mbahen fort dhe bëjnë shkatërrime në tokë". Kështu, ata nuk mbajnë lidhje me Zotin, përmes besimit të drejtë dhe punëve të mira sipas këtij besimi. Ata nuk ruajnë lidhjet me farefsin, por i shkëpusin ato. Gjithashtu, ata nuk plotësojnë detyrimet dhe përgjegjësitë ndaj njerëzve, por sjellin shkatërrim përmes mohimit të Zotit dhe poshtërsive, duke penguar njerëzit nga rruga e Zotit dhe duke e paraqitur atë si të shtrembër. Kjo është gjendja e tyre në këtë botë, për sa i përket veprave dhe mosbesimit të tyre. Për të tillë njerëz, Allahu i Lartësuar thotë: "… ata janë të mallkuar dhe për ta është Shtëpia e tmershme.". Ata janë të dëbuar, të poshtëruar dhe të nëçmuar nga Allahu i Lartësuar, melekët e Tij dhe besimtarët e sinqertë. Në këtë jetë, ata do të ndiqen nga poshtërimi, ndërsa në ahiret për ta është përgatitur, sikurse thotë Allahu i Lartësuar: “Shtëpia e tmershme.”, i cili është zjarri i ndezur fort dhe çdo lloj ndëshkimi dhe vuajtjeje që ai përmban.

26

ٱللَّهُ يَبْسُطُ ٱلرِّزْقَ لِمَن يَشَآءُ وَيَقْدِرُ ۚ وَفَرِحُوا۟ بِٱلْحَيَوٰةِ ٱلدُّنْيَا وَمَا ٱلْحَيَوٰةُ ٱلدُّنْيَا فِى ٱلْءَاخِرَةِ إِلَّا مَتَٰعٌۭ

Perëndia ia zgjëron furnizimin kujt të dojë dhe ia pakson. Ata i gëzohen jetës së kësaj bote, por jeta e kësaj bote në krahasim me botën tjetër, është vetëm kënaqësi transite (e përkohshme).

Allahu i jep me mbushulli atij që Ai dëshiron dhe po Ai kufizon. Ata(jobesimtarët)janë të gëzuar me jetën e kësaj bote. -Vetëm Allahu i Lartësuar e ka fuqinë që t’i shtojë rriskun atij që Ai dëshiron dhe t’ia pakësojë atij që Ai dëshiron. Megjithatë, mohuesit nuk e kuptojnë këtë. Ata gëzohen me stolitë e kësaj bote, që Zoti i ka përcaktuar për ta. Ai është një gëzim i tepruar dhe jo i drejtë, që i bën të gjejnë prehje me këtë jetë dhe ta harrojnë ose të jenë të pavëmendshëm ndaj ahiretit. Kjo ndodh edhe për shkak të mangësisë dhe dobësisë së logjikës së tyre. Ata nuk arrijnë ta kuptojnë një fakt shumë të rëndësishëm, që Allahu i Lartësuar i përmbledh me fjalët:Por jeta e kësaj bote ndaj botës tjetër është veçse një përjetim mashtrues. -Në krahasim me ahiretin, jeta e kësaj bote është një përjetim tërësisht i pavlerë, i cili të fal njëfarë kënaqësie të shkurtër, por që shumë shpejt largohet dhe pasohet nga një mjerim dhe vuajtje e gjatë.

27

وَيَقُولُ ٱلَّذِينَ كَفَرُوا۟ لَوْلَآ أُنزِلَ عَلَيْهِ ءَايَةٌۭ مِّن رَّبِّهِۦ ۗ قُلْ إِنَّ ٱللَّهَ يُضِلُّ مَن يَشَآءُ وَيَهْدِىٓ إِلَيْهِ مَنْ أَنَابَ

Mohuesit thonë: “Sikur t’i ishte dërguar atij një mrekulli nga Zoti i tij?” Thuaj: “Me të vërtetë, Perëndia e shpie në humbje atë që don (meqë është zhytur në të keqe), ndërsa e udhëzon në rrugë të drejtë atë që kthehet tek Ai,

Allahu i Lartësuar na tregon rreth mohuesve të shpalljeve të Tij. Ata tregoheshin arrogantë ndaj të vërtetës. Duke pasur si qëllim që thjesht ta refuzonin, ata i kërkonin Profetit të Zotit shenja dhe mrekulli sipas dëshirave të tyre:Jobesimtarët thonë: “Përse nuk i jepet atij ndonjë Shenjë nga Zoti i tij?” -Ata pretendojnë se nëse do t'u vinin këto shenja ata do të besonin. Por Allahu i madhëruar ua hedh poshtë këtë pretendim të gënjeshtërt duke thënë:Thuaj: “Allahu lë të humbur atë që Ai do dhe udhëzon në rrugë të drejtë ata që kthehen tek Ai,...” -Allahu i Madhëruar udhëzon ata që kërkojnë kënaqësinë e Tij. Udhëzimi dhe humbja nuk janë në duart e tyre, në mënyrë të tillë që, nëse dëshirojnë ata, të besojnë pasi të shohin mrekullitë. Udhëzimi është i gjithi në dorë të Allahut, dhe Allahu i Madhëruar ia dhuron atij njeriu që kthehet i penduar dhe i nënshtruar, pikërisht për të kërkuar kënaqësinë e Tij. Megjithatë, edhe pretendimi i tyre se, po të shihnin ndonjë mrekulli, ata do të besonin, ishte i gënjeshtërt. Allahu i Lartësuar thotë: “Edhe sikur t'u dërgonim melekët, t'i bënim të vdekurit t'u flisnin atyre dhe t'i tubonim të gjitha gjërat para tyre, ata përsëri nuk do të besonin, nëse Allahu nuk do të donte. Por shumica e tyre nuk e dinë (të vërtetën)." [Enam 111]. Nuk ishte e domosdoshme që Profeti të sillte pikërisht ato mrekulli që ata i kërkonin, sepse mjaftonte çfarëdo mrekullie tjetër që ai paraqiste e që dëshmonte qartë se Shpallja nga Zoti ishte e vërtetë. Kjo ishte më e dobishme edhe për ata vetë, sepse nëse Allahu i Lartësuar do t'u sillte mrekullitë që ata kërkonin dhe ata sërish nuk do të besonin, atëherë Ai do t'ua përshpejtonte ndëshkimin. Pastaj Allahu i Lartësuar tregon cilësitë e besimtarëve:

28

ٱلَّذِينَ ءَامَنُوا۟ وَتَطْمَئِنُّ قُلُوبُهُم بِذِكْرِ ٱللَّهِ ۗ أَلَا بِذِكْرِ ٱللَّهِ تَطْمَئِنُّ ٱلْقُلُوبُ

ata që besojnë dhe zemrat e të cilëve, kur përmendet Perëndia, qetësohen – e, me të vërtetë, kur të përmendet Perëndia, zemrat qetësohen!

Ata që besojnë dhe zemrat e të cilëve qetësohen kur kujtojnë Allahun. -Me kujtimin e Zotit largohet frika, trishtimi dhe ankthi nga zemra, dhe vendin e tyre e zenë gëzimi, kënaqësia dhe qetësia.Dijeni, se me kujtimin e Allahut, zemra gjen qetësi. - Është e natyrshme që zemra të gjejë prehje dhe qetësi me kujtimin e Allahut. Nuk ka ndonjë gjë më të dashur, më të ëmbël dhe më qetësuese për zemrën sesa dashuria për Krijuesin, prehja në praninë e Tij dhe lumturia që përjeton me njohjen e Tij. Në varësi të njohjes dhe dashurisë që robi ka për Zotin është edhe kujtimi. Sigurisht, këtu bëhet fjalë për format e kujtimit (dhikr), siç janë tesbih-u, tekbir-i, tehlil-i etj. Ky është njëri nga kuptimet e ajetit, pra, fjala “dhikru-llah” nënkupton kujtimin që njeriu i bën Zotit. Një mendim tjetër është se “dhikru-llah” është Kur'ani, të cilin Allahu e shpalli për të qenë këshillë dhe kujtim për besimtarët. Sipas këtij kuptimi, zemrat gjejnë prehje me Librin e Zotit. Kur njeriu dëgjon dhe mëson Kur'anin, zemra qetësohet. Kjo ndodh sepse ajetet e Kur'anit janë të mbushura me të vërteta të qarta dhe mbështeten në argumente të padiskutueshme. Kur'ani ofron dije të sigurt, sepse ajetet e tij janë të mbrojtura nga ndryshimi dhe tjetërsimi. Librat e tjerë të shkruara nga njerëzit nuk i japin zemrës qetësi, por paqëndrueshmëri, për shkak të kundërthënieve dhe pasigurisë. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar thotë: "A nuk meditojnë ata rreth Kur'anit? Sikur të ishte prej dikujt tjetër, e jo prej Allahut, do të kishin gjetur në të shumë kundërthënie." [Nisa 82]. Kjo kuptohet qartë me leximin dhe meditimin në Librin e Allahut të Lartësuar dhe krahasimin me librat e tjerë. Çdokush që e bën këtë, gjen një ndryshim shumë të madh mes tyre. Pastaj Allahu i Lartësuar thotë:

29

ٱلَّذِينَ ءَامَنُوا۟ وَعَمِلُوا۟ ٱلصَّٰلِحَٰتِ طُوبَىٰ لَهُمْ وَحُسْنُ مَـَٔابٍۢ

Ata që besojnë dhe punojnë vepra të mira, të lumtë ata; për ta ka vendbanim të mrekullueshëm!

Ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, do të kenë çdo mirësi dhe vendqëndrime të mrekullueshme. -Janë ata që e besojnë me zemër Allahun, melekët e Tij, profetët dhe Ditën e Gjykimit, dhe e vërtetojnë këtë besim me vepra të mira. Ata bëjnë punë të mira sipas këtij besimi, qoftë punë zemre, siç është dashuria për Allahun apo shpresa dhe frikërespekti ndaj Tij, qoftë punë të dukshme, siç është namazi, agjërimi etj. Për këta fatlumë, Allahu i Lartësuar thotë që: "…do të kenë çdo mirësi dhe vendqëndrime të mrekullueshme." Ata do të jenë të lumtur tek Zoti i tyre. Ata do t’i përfshijë kënaqësia dhe bujaria e Allahut në këtë jetë dhe në ahiret. Ata do të jenë në kënaqësi dhe prehje të plotë. Mes këtyre kënaqësive, Allahu i Lartësuar veçon pemën Tuba, e cila ndodhet në Xhenet. Profeti (a.s)na tregon në hadithe të sakta se, nën hijen e kësaj peme mund të udhëtojë një kalorës njëqind vjet, dhe përsëri nuk arrin ta kalojë atë.

30

كَذَٰلِكَ أَرْسَلْنَٰكَ فِىٓ أُمَّةٍۢ قَدْ خَلَتْ مِن قَبْلِهَآ أُمَمٌۭ لِّتَتْلُوَا۟ عَلَيْهِمُ ٱلَّذِىٓ أَوْحَيْنَآ إِلَيْكَ وَهُمْ يَكْفُرُونَ بِٱلرَّحْمَٰنِ ۚ قُلْ هُوَ رَبِّى لَآ إِلَٰهَ إِلَّا هُوَ عَلَيْهِ تَوَكَّلْتُ وَإِلَيْهِ مَتَابِ

Dhe, kështu të dërguam Ne ty te një popull, para të cilit kanë kaluar shumë popuj, që t’jua lexosh ti atyre, atë që ta kemi shpallur Na ty, sepse ata nuk besojën në Mëshiruesin (Perëndinë). Thuaj: “Ai (Mëshiruesi) është Zoti im, s’ka zot tjetër përveç Tij, tek Ai mbështetem dhe tek Ai kthehem!”

Kështu, Ne të dërguam ty te një popull, para të cilit kanë kaluar shumë popuj tjerë, që t’u lexosh atë që Ne ta shpallëm, sepse ata janë duke e mohuar të Gjithëmëshirshmin. -Allahu i Lartësuar i drejtohet Profetit të Tij të dashur, Muhamedit, dhe i thotë: “Ne të dërguam në popullin tënd, për t’i ftuar ata në udhën e qartë dhe të drejtë. Edhe më parë kanë kaluar popuj, ndër të cilët kemi çuar të dërguarit Tanë. Kështu, ti nuk je diçka e pazakontë, që ata ta mohojnë dhe të çuditen nga fakti se Zoti të dërgoi ty me Shpalljen e Tij. Ti nuk u flet atyre nga vetja jote, por u lexon ajetet e Allahut të Lartësuar, të cilat Ai t’i shpalli ty. Kjo shpallje e mrekullueshme i pastron zemrat dhe i ndriçon shpirtrat. Megjithatë, populli yt nuk beson dhe nuk dëshiron t’i jetë mirënjohës të Gjithëmëshirshmit. Mëshira e Allahut është gjithëpërfshirëse dhe ata e përjetojnë atë në çdo çast. Ndër mirësitë më të mëdha që tregojnë mëshirën e Tij mbi ta është pikërisht edhe dërgimi yt si profet dhe Shpallja e mrekullueshme, që Zoti të dhuroi. Por ata të mjerë nuk e shohin këtë mirësi, mëshirë dhe bujari të dhuruar nga Zoti dhe as tregohen mirënjohës për të, por e shpërfillin dhe e refuzojnë. Po a nuk nxjerrin mësim këta të mjerë nga sa e sa popuj të tjerë mohues, që kaluan para tyre? Allahu i Madhëruar i ndëshkoi ata për gjynahet e tyre.Thuaj: “Ai është Zoti im. Nuk ka të adhuruar tjetër me meritë veç Tij. Vetëm Atij i jam mbështetur dhe vetëm tek Ai kthehem.”. -Ky ajet është dëshmi për teuhidin në dy aspekte: uluhije dhe rububije. Kështu, Allahu është Rabi (Zoti im), i Cili përkujdeset për mua me mirësinë dhe bujarinë e Tij që në momentin që më ka sjellë në ekzistencë. Gjithashtu, Allahu është Ilahi(i Adhuruari im) i Vetëm dhe i Pashoq. Vetëm Atij i mbështetem dhe vetëm tek Ai shpresoj në të gjitha çështjet e mia. Vetëm tek Ai kthehet zemra ime për t'ia përkushtuar të gjitha adhurimet dhe për t'iu lutur për të gjitha nevojat.Përkufizimi i teuhidit uluhije: Hueifrâdull-llâhi bil ibâdeti / Ky ështënjëhsimi i Allahut të lartësuar nëmeritueshmërinë e adhurimit të Tij. PraAi që meriton të adhurohet është vetëmAllahu i lartësuar. Përkufizimi i teuhidit rububije: Hueifrâdull-llâhi bil ħalķi uel mulki uet-tedbîri. / Njësimi i Allahut në aspektin ekrijimit, sundimit e mbretërimit dhe tëadministrimit dhe pushtetit për tëvepruar në gjithësi.

Commentary: Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di. Qur'an text and translation via AlQuran Cloud.