Muslim99Muslim99
← Tafsir library

13. Ar-Ra'd

The Thunder · Medinan · 43 ayahs

سُورَةُ الرَّعۡدِ

Reading Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di

Ayahs 11–20 of 43

11

لَهُۥ مُعَقِّبَٰتٌۭ مِّنۢ بَيْنِ يَدَيْهِ وَمِنْ خَلْفِهِۦ يَحْفَظُونَهُۥ مِنْ أَمْرِ ٱللَّهِ ۗ إِنَّ ٱللَّهَ لَا يُغَيِّرُ مَا بِقَوْمٍ حَتَّىٰ يُغَيِّرُوا۟ مَا بِأَنفُسِهِمْ ۗ وَإِذَآ أَرَادَ ٱللَّهُ بِقَوْمٍۢ سُوٓءًۭا فَلَا مَرَدَّ لَهُۥ ۚ وَمَا لَهُم مِّن دُونِهِۦ مِن وَالٍ

Njeriu ka përcjellës (engjëj), para tij dhe pas tij, - e mbikëqyrin atë me urdhërin e Perëndisë. Me të vërtetë, Perëndia nuk ua ndryshon atë që kanë nga e mira në të keqe. Kur Ai don ta ndëshkojë një popull, s’ka kurrfarë pengese për te. Dhe ata, përpos Tij (Perëndisë), s’kanë kurrfarë ndihmësi.

Për çdo njeri ka mbikëqyrës para dhe prapa tij, të cilët, me urdhrin e Allahut, e ruajnë atë. -Çdo njeriu i janë përcaktuar melekë shoqërues, që ndërrohen me njëri-tjetrin gjatë natës dhe ditës. Ata qëndrojnë para dhe pas njeriut, duke e ruajtur atë, me urdhërin e Allahut. Melekët e ruajnë trupin dhe shpirtin e njeriut nga çdokush që i dëshiron të keqen. Ata, gjithashtu, shkruajnë edhe veprat e Tij. Kështu, njeriu nuk duhet të harrojë se, përveç faktit që Allahu i Lartësuar di gjithçka për gjendjen, nevojat dhe veprat e tij, Ai ka caktuar edhe melekë si shoqërues të njeriut, të cilët mbikëqyrin çdo gjendje dhe aktivitet të tij. Njeriu duhet të jetë i bindur se asnjë veprim, fjalë apo gjendje e tij nuk humbet dhe harrohet.Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli, derisa ata të ndryshojnë në veten e tyre. -Nëse Allahu i Lartësuar i ka dhuruar një populli lumturi, mirësi dhe begati, kurrë nuk ka për t'ua larguar këto mirësi, derisa ata vetë të bëhen shkak për këtë gjë. Robi bëhet shkak për humbjen e mirësive, duke braktisur imanin, për të rënë në kufër, duke braktisur bindjen ndaj Zotit, për të rënë në poshtërsi dhe gjynahe, duke braktisur mirënjohjen ndaj mirësive të Allahut të Lartësuar, për të rënë në arrogancë dhe mosmirënjohje. Kështu, Allahu i Lartësuar ua heq mirësitë dhe begatitë, pikërisht për këtë arsye. Nga ana tjetër, nëse njerëzit e ndryshojnë gjendjen e tyre për mirë, duke u larguar nga poshtërsia dhe mosbindja ndaj Zotit dhe duke u kthyer të nënshtruar dhe të bindur ndaj Allahut të Lartësuar, Ai ka për ta transformuar gjendjen e tyre, nga fatkeqësia, dëshpërimi dhe dhimbja, në mirësi, lumturi, bollëk dhe mëshirë.Por, kur Allahu vendos ta ndëshkojë një popull, atë(ndëshkim)nuk ka kush ta sprapsë... -Nëse Allahu i Lartësuar vendos të godasë me vështirësi e fatkeqësi, gjë që njerëzit nuk e duan, nuk ka dyshim se dëshira dhe vullneti i Tij do të realizohen dhe askush nuk mund ta ndalojë Atë.... dhe ata nuk do të gjejnë mbrojtës tjetër veç Tij. -Askush nuk mund të marrë përsipër çështjet e tyre, t’i ndihmojë të arrijnë atë që duan apo t’i mbrojë nga gjërat që u druhen. Për këtë arsye, le të jenë të kujdesshëm dhe të ruhen të mos bëjnë ato gjëra që Zoti i urren, në mënyrë që të mos i godasë ndëshkimi i Zotit, i cili është i pakthyeshëm kundër një populli kriminel.

12

هُوَ ٱلَّذِى يُرِيكُمُ ٱلْبَرْقَ خَوْفًۭا وَطَمَعًۭا وَيُنشِئُ ٱلسَّحَابَ ٱلثِّقَالَ

Ai ua dëfton juve vetëtimën, duke u frikësuar dhe shpresuar ju, dhe Ai krijon re të rënda (me shi).

Është Ai që jua shfaq rrufenë, që të frikësoheni dhe të shpresoni -Rrufeja shkakton frikë dhe shpresë: frikë nga shkatërrimi që ajo mund të sjellë në jetët, të mbjellat dhe në pasurinë e njerëzve, por njëkohësisht edhe shpresë për shiun, që ajo paralajmëron.dhe është Ai që i krijon retë e dendura. -Retë që janë të rënduara dhe të mbushura me ujë, aq të dobishëm për njerëzit.

13

وَيُسَبِّحُ ٱلرَّعْدُ بِحَمْدِهِۦ وَٱلْمَلَٰٓئِكَةُ مِنْ خِيفَتِهِۦ وَيُرْسِلُ ٱلصَّوَٰعِقَ فَيُصِيبُ بِهَا مَن يَشَآءُ وَهُمْ يُجَٰدِلُونَ فِى ٱللَّهِ وَهُوَ شَدِيدُ ٱلْمِحَالِ

Edhe bubullima e falenderon Ate (Perëndinë), por edhe engjëjt, nga droja ndaj Tij; Ai dërgon rrëfetë dhe godet me ato kë të dojë; - dhe ata përsëri diskutojnë për Perëndinë, e Ai është i ashpër në ndëshkime.

Bubullima e madhëron Atë me lavdinë e Tij; e po kështu bëjnë edhe melekët, nga frika ndaj Tij. -“Er-rad” quhet zëri i fuqishëm i bubullimës, që buçet nga mesi i reve dhe që është shumë i frikshëm. Kjo bubullimë është e nënshtruar ndaj Zotit dhe ajo e madhëron Atë në këtë mënyrë kaq madhështore. Edhe melekët, - sikurse thuhet në ajet, - bëjnë tesbih, duke deklaruar pastërtinë e Zotit nga çdo mangësi. Ata bëjnë tesbihnga frika e madhe që kanë prej Zotit dhe prej ndëshkimit të Tij. Pastaj Allahu i Lartësuar, për t’i frikësuar robërit e Tij dhe për të treguar madhështinë e Tij, thotë:Është Ai që i dërgon rrufetë dhe godet me to kë të dojë dhe ata(idhujtarët)që guxojnë të polemizojnë rreth Allahut, kur Ai është një ndëshkues i ashpër. - Rrufeja është drita e fuqishme dhe përvëluese, që del nga mesi i reve. Allahu i Lartësuar na tregon se, me këtë krijim të Tij, Ai godet çfarë të dëshirojë. Për këtë arsye, le të frikësohen robërit nga i Madhërishmi, të Cilit i janë nënshtruar gjithçka në qiell dhe në tokë, se Ai është “Shedidul Mihal”, që do të thotë: i Plotfuqishëm dhe asgjë nuk mund ta ndalojë atë që Ai dëshiron. Për Allahun nuk është e vështirë asgjë dhe ndëshkimit të Tij nuk mund t’i shpëtojë a shmanget askush. Allahu i Madhëruar është i vetmi që ka fuqinë të krijojë retë dhe të dhurojë shiun, burimin e ujit, që është jetik për krijesat. Është Ai që administron dhe rregullon çështjet e krijesave. Allahut i nënshtrohen me frikë edhe krijesat më të mëdha, nga të cilat njerëzit tmerrohen. Ai është i Fuqishmi, Nënshtruesi dhe Mposhtësi i gjithçkaje. Duke qenë se këto janë cilësitë e Tij, Allahu është i vetmi që meriton të adhurohet pa shok.

14

لَهُۥ دَعْوَةُ ٱلْحَقِّ ۖ وَٱلَّذِينَ يَدْعُونَ مِن دُونِهِۦ لَا يَسْتَجِيبُونَ لَهُم بِشَىْءٍ إِلَّا كَبَٰسِطِ كَفَّيْهِ إِلَى ٱلْمَآءِ لِيَبْلُغَ فَاهُ وَمَا هُوَ بِبَٰلِغِهِۦ ۚ وَمَا دُعَآءُ ٱلْكَٰفِرِينَ إِلَّا فِى ضَلَٰلٍۢ

Vetëm për Te është lutja e vërtetë! E, ata (mohuesit) që i luten tjetërkujt – përpos Perëndisë, nuk u përgjigjet atyre me kurrgjë, ashtu sikundër ai që i zgjatë dy duart tek uji (pranë pusit), për t’i ardhur te goja; por, ai, kurrsesi nuk i vjen. Lutja e mohuesve është e kotë.

Lutje e vërtetë është vetëm ajo që i drejtohet Atij. -Vetëm Allahut i dedikohen adhurimet, si Një, i Vetëm dhe i Pashoq. Vetëm Atij duhet t’i drejtohesh sinqerisht me lutje, me të dyja format: lutjet e adhurimit dhe lutjet e e kërkesës.Vetëm Allahut duhet t’i drejtohet dhe dedikohet lutja, vetëm Atij duhet t’i frikësohesh, ta shpresosh dhe duash me gjithë zemër. Për shpërblimin e Tij duhet të sakrifikosh dhe garosh dhe prej ndëshkimit dhe zemërimit të Tij duhet të druhesh dhe të largohesh. Vetëm tek Allahu duhet të kthehesh i penduar me keqardhje dhe i nënshtruar. Të gjitha këto adhurime duhen bërë me sinqeritet vetëm për Allahun dhe sipas mënyrës që Ai ka shpallur. Ky është adhurimi i vërtetë dhe i dobishëm. Çdo adhurim që i bëhet dikujt tjetër ose jo me mënyrën e përcaktuar prej Allahut është i pavlefshëm, sikurse thotë i Madhëruari më pas:Ndërsa idhujt, të cilëve jobesimtarët u luten veç Tij, nuk kanë për t’iu përgjigjur kurrë. -Çdo gjë që ata adhurojnë, si: idhuj, puta dhe zota, e që i konsiderojnë si ortak me Allahun, të gjithë nuk kanë asnjë mundësi për t’iu përgjigjur lutjeve dhe adhurimeve të tyre. Ata nuk kanë në dorë asnjë mirësi të dynjasë dhe të ahiretit dhe nuk kanë fuqi të të mbrojnë nga fatkeqësitë dhe vuajtjet në të dyja jetët. Ata të mjerë që shpresojnë në të tillë zota dhe idhuj janë ashtu sikurse i përshkruan Allahu i Madhëruar, kur thotë:Ata i ngjajnë atij që shtrin duart drejt ujit, që ai t’i shkojë në gojë, por që kurrë nuk ka për t’i shkuar. -Ata janë si ai njeriu që zgjat duart në drejtim të ujit, që ndodhet shumë larg prej tij, me shpresën e kotë se, duke zgjatur duart, do të shkojë diçka në buzët e tij. Megjithëse është i etur, ky veprim nuk ka për t’ia larguar kurrë etjen. Të tillë janë mohuesit e Zotit dhe idhujtarët. Putat apo idhujt e tyre nuk mund t’i ndihmojnë, nuk mund t’u përgjigjen lutjeve të tyre, nuk u sjellin asnjë lloj dobie apo t’i ruajnë nga fatkeqësitë dhe dhimbjet, madje edhe në çastet më të vështira, kur nevoja është jashtëzakonisht e madhe. Si lutësit, edhe të luturit janë të varfër dhe nuk kanë në dorë asnjë mundësi dhe fuqi, as në tokë e as në qiell. Ata nuk kanë pjesë në mbretërimin dhe sundimin e qiejve dhe të tokës dhe kurrë nuk kanë për të ofruar ndonjë ndihmë dhe mbështetje për ata që i luten dhe i adhurojnë. Prandaj i Madhëruari thotë më pas:Lutja e jobesimtarëve është veçse një kotësi. -Çdo gjë që ata lusin dhe adhurojnë, veç Allahut, është e kotë, prandaj dhe adhurimet e tyre janë të kota. Nëse qëllimet janë të kota, po të tilla konsiderohen edhe rrugët ose mjetet e arritjes së tyre. Me fjalë të tjera, çdo rrugë dhe mjet që të çon në haram, në shirk, mohim ose poshtërsi, është haram, shirk, mohim ose poshtërsi në fenë e Zotit. Duke qenë se Allahu i Lartësuar është Mbretëruesi, Sunduesi i vërtetë dhe i Pashoq, atëherë adhurimi i kushtuar Atij është i drejtë dhe dobiprurës. Adhurimet e sinqerta kushtuar Allahut të Vetëm dhe të Pashoq, me mëyrën që Ai e ka përcaktuar në Shpalljen e Tij, janë të vetmet adhurime që i sjellin dobi njeriut në të dyja jetët. Shëmbëllimi i mohuesve që i luten dikujt tjetër veç Allahut me atë " ….që shtrin duart drejt ujit, që ai t’i shkojë në gojë, por që kurrë …

15

وَلِلَّهِ يَسْجُدُ مَن فِى ٱلسَّمَٰوَٰتِ وَٱلْأَرْضِ طَوْعًۭا وَكَرْهًۭا وَظِلَٰلُهُم بِٱلْغُدُوِّ وَٱلْءَاصَالِ ۩

Perëndisë i bëjnë sexhde të gjithë ata që gjenden në qiej dhe në Tokë, dashtë e padashtë, si dhe hijet e tyre (bëjnë sexhde), në mëngjes dhe në mbrëmje.

Gjithçka në qiej e në Tokë i bën sexhde vetëm Allahut, me hir a me pahir, e po kështu edhe hijet e tyre në mëngjes e mbrëmje. -Gjithçka që ndodhet në qiejt dhe në tokë i nënshtrohet dhe i bën sexhde Zotit. Kjo përulje bëhet në dy mënyra: Me dëshirë, siç ndodh me besimtarët. Me pahir, siç ndodh me mohuesit, që tregohen mendjemëdhenj dhe nuk duan të nënshtrohen dhe t’i bien në sexhde Zotit. Megjithatë, vetë qenia e tyre kërkon të kundërtën dhe i nxit për të qenë të nënshtruar ndaj Zotit. Gjithashtu, Allahut të Madhëruar i bien në sexhde të gjitha krijesat të cilat bëjnë hije mbi tokë, në fillim të ditës dhe në fund të saj. Në këtë mënyrë, çdo krijesë i bie në sexhde Zotit, me mënyrën e vet të caktuar: "Atë e madhërojnë (me tesbih) shtatë qiejt, Toka dhe gjithçka në to. Nuk ka gjë që nuk e madhëron Atë (me tesbih), duke e lavdëruar, por ju nuk e kuptoni madhërimin (tesbihun) e tyre. Ai është i Butë dhe Falës i madh." [Isra 44]. Atëherë, duke qenë se të gjithat krijesat i janë nënshtruar Allahut të Lartësuar, me hir apo me pahir, atëherë vetëm Ai e meriton që të jetë i Adhuruari i tyre i vërtetë, ndërsa adhurimi i gjithçkaje tjetër është i kotë. Për të treguar kotësinë e adhurimeve të çdo gjëje tjetër, Allahu i Madhëruar sjell fakte dhe argumente, duke thënë:

16

قُلْ مَن رَّبُّ ٱلسَّمَٰوَٰتِ وَٱلْأَرْضِ قُلِ ٱللَّهُ ۚ قُلْ أَفَٱتَّخَذْتُم مِّن دُونِهِۦٓ أَوْلِيَآءَ لَا يَمْلِكُونَ لِأَنفُسِهِمْ نَفْعًۭا وَلَا ضَرًّۭا ۚ قُلْ هَلْ يَسْتَوِى ٱلْأَعْمَىٰ وَٱلْبَصِيرُ أَمْ هَلْ تَسْتَوِى ٱلظُّلُمَٰتُ وَٱلنُّورُ ۗ أَمْ جَعَلُوا۟ لِلَّهِ شُرَكَآءَ خَلَقُوا۟ كَخَلْقِهِۦ فَتَشَٰبَهَ ٱلْخَلْقُ عَلَيْهِمْ ۚ قُلِ ٱللَّهُ خَٰلِقُ كُلِّ شَىْءٍۢ وَهُوَ ٱلْوَٰحِدُ ٱلْقَهَّٰرُ

Thuaj: “Kush është Zoti i qiellërave dhe i Tokës?” – dhe përgjigju: “Perëndia!” Thuaj: “A mos vallë, i merrni ju, përveç Tij, për miq, ata që vetes nuk mund t’i sjellin as dobi as dëm?” Thuaj: A janë të njëjtë i verbëti dhe ai që sheh, ose, a janë të njëjtë errësirat dhe drita, ose, mos vallë, ata që i kanë bërë shok Perëndisë, a kanë krijuar siç ka krijuar Ai, e që t’ju bëhen krijesat e ngjashme atyre?” Thuaj: “Perëndia, është krijues i çdo gjëje dhe Ai është i Vetmi dhe Triumfues”.

Pyeti: “Kush është Zoti i qiejve dhe i tokës!” Thuaju: “Allahu!” -Drejtoju këtyre idhujtarëve, që, veç Allahut, adhurojnë puta dhe idhuj, të cilët i duan sikurse Allahun dhe u përkushtojnë atyre lloj-lloj adhurimesh dhe kurbanesh, dhe thuaju: “Vallë, e humbët logjikën kur i lejuat vetes që të merrni si mbrojtës këta idhuj dhe t’u përkushtonit atyre adhurime, edhe pse ata nuk meritojnë aspak adhurim? A nuk ia bëtë këtë pyetje vetes tuaj?!Thuaj: “Mos, vallë, keni zgjedhur zota të tjerë veç Tij, që edhe vetes së tyre nuk mund t’i bëjnë as dobi e as dëm?” -Mendoni pak për ata që ju i adhuroni veç Allahut:Thuaj: “A është i barabartë i verbri me atë që sheh, dhe a janë të njëjta errësirat me dritën?” -Allahu i Lartësuar është Absolut dhe i Plotë me emrat dhe cilësitë e Tij. Ai është Pronari i të gjallëve dhe të vdekurve. Në dorën e Tij është krijimi, administrimi i çështjeve të krijesave dhe vetëm në dorën e Tij është dëmi dhe dobia. Atëherë, si e lini adhurimin e Allahut dhe tregoheni mosmirënjohës ndaj përkujdesit dhe mirësive të Tij? Adhurimi i Zotit si një dhe i vetëm kurrë nuk mund të jetë njëlloj si adhurimi i idhujve, ashtu sikurse nuk mund të jenë njëlloj ai që shikon me të verbërin dhe as drita me errësirat. Idhujtarët pretendojnë se Allahu ka ortakë, të cilët mund të krijojnë e bëjnë ashtu si krijimi i Tij dhe kanë pushtet si pushteti i Tij, por këto pretendime janë fryt i dyshimeve dhe paqartësive të tyre. Atëherë, ti, o i dërguar, dhe çdokush që kryen misionin tënd, largojua këto dyshime dhe paqartësira! Mësoju atyre se Allahu është i vetmi i Adhuruar, përmes argumenteve dhe fakteve!Apo, mos vallë, besojnë se Allahu ka ortakë, të cilët kanë krijuar ashtu siç krijoi Ai, dhe tashmë ky krijim iu ngjan njëlloj? -Është e pamundur që diçka të krijojë vetveten dhe po ashtu është e pamundur që të ekzistojë vetë, pa pasur një krijues. Atëherë, është e padiskutueshme që ekziston vetëm një Krijues, që nuk ka shokë në pushtetin për të krijuar dhe për rregulluar çështjet e krijesave të Tij. Vetëm Ai duhet të adhurohet, se Ai është Një dhe i Vetëm, dhe gjithashtu, Ai është El Kahar– domethënë, Nënshtruesi i gjithçkaje me pushtetin e Tij absolut.Thuaj: “Allahu është i vetmi Krijues i çdo gjëje; Ai është i Vetmi dhe Ngadhënjimtari!” -Askush tjetër veç Allahut nuk i ka këto cilësi njëkohësisht: i Vetëm dhe Unik, si edhe Ngadhënjimtar dhe Nënshtrues i gjithçkaje. Krijesat nuk mund të jenë të tilla. Mbi çdo krijesë ka një krijesë tjetër më të fortë, që e nënshtron dhe e mposht atë; por edhe mbi këtë ka një tjetër më të fortë dhe të pushtetshëm, derisa të përfundojmë te Sunduesi absolut, te Nënshtruesi i gjithçkaje, që është Allahu i Lartësuar. Askush nuk është mbi Allahun. I plotpushtetshmi duhet të jetë domosdoshmërisht i vetëm e i pashoq, dhe i tillë është veçse Allahu i Madhëruar. Ky është një argumentim logjik, që tregon për njëshmërinë e Allahut të Lartësuar. Kjo tregon gjithashtu se çdo gjë që krijesat adhurojnë, veç Allahut të Lartësuar, është e pafuqishme e nuk ka në dorë asgjë prej krijimit dhe pushtetit të vërtetë, prandaj adhurimi i tyre është i kotë e i pavlerë.

17

أَنزَلَ مِنَ ٱلسَّمَآءِ مَآءًۭ فَسَالَتْ أَوْدِيَةٌۢ بِقَدَرِهَا فَٱحْتَمَلَ ٱلسَّيْلُ زَبَدًۭا رَّابِيًۭا ۚ وَمِمَّا يُوقِدُونَ عَلَيْهِ فِى ٱلنَّارِ ٱبْتِغَآءَ حِلْيَةٍ أَوْ مَتَٰعٍۢ زَبَدٌۭ مِّثْلُهُۥ ۚ كَذَٰلِكَ يَضْرِبُ ٱللَّهُ ٱلْحَقَّ وَٱلْبَٰطِلَ ۚ فَأَمَّا ٱلزَّبَدُ فَيَذْهَبُ جُفَآءًۭ ۖ وَأَمَّا مَا يَنفَعُ ٱلنَّاسَ فَيَمْكُثُ فِى ٱلْأَرْضِ ۚ كَذَٰلِكَ يَضْرِبُ ٱللَّهُ ٱلْأَمْثَالَ

Ai lëshon shiun nga qielli, andaj rrjedhin lumenjtë me masë (të caktuar), dhe vala i bartë mbeturinat mbi sipërfaqe të ujit. Edhe atë që e shkrijnë njerëzit në zjarr, me qëllim që të përfitojnë stoli ose vegla, është mbeturinë (e pavlefshme), si ajo (në sipërfaqe të ujit). Kështu, Perëndia, jep shembullin e së vërtetës dhe të pavërtetës: Mbeturinat hudhën, e ajo që u shërben njerëzve mbetet në tokë. Kështu, Perëndia u shpjegon shembujt.

Ai zbret nga qielli ujë, që rrjedh nëpër lumenj me masë, ndërsa vala nxjerr shkumën mbi sipërfaqe. Edhe ajo që del nga shkrirja(e xeherorit)në zjarr për të bërë me të ndonjë stoli ose ndonjë mjet, është shkumë e ngjashme si ajo. Kështu e sqaron Allahu shembullin e së vërtetës dhe të së pavërtetës. Sepse zgjyra zhduket si shkuma, ndërsa ajo që u sjell dobi njerëzve, mbetet në tokë. Kështu i shpjegon Allahu shembujt. -Në këto ajete, Allahu i Lartësuar bën një krahasim të mrekullueshëm, që tregon rëndësinë e madhe të udhëzimit, që Ai solli nëpërmjet profetëve dhe shpalljeve të Tij, për t’u dhënë jetë zemrave dhe shpirtrave. Allahu i Madhëruar e krahason Shpalljen me ujin që zbret nga qielli, i cili është i domosdoshëm për jetën e krijesave. Udhëzimi i sjellë nga Zoti përmes Shpalljes përmban dobi gjithëpërfshirëse dhe të shumta, të cilat janë domosdoshmëri për krijesat, ashtu sikurse edhe uji. Pastaj Allahu i Lartësuar prezanton llojet e zemrave, në lidhje me udhëzimin dhe përfitimin prej tij. Zemrat krahasohen me shtretërit e përrenjve dhe të lumenjve. Ka shtretër të vegjël, që mbajnë pak ujë, dhe të tilla janë zemrat e vogla, që mbajnë pak dituri. Por ka edhe shtretër të mëdhenj, që mbajnë me shumë ujë, që simbolizojnë zemrat e mëdha, të cilat mbajnë shumë dituri. Në këtë ajet, Allahu i Lartësuar jep edhe një shembull tjetër, për të na bërë të kuptojmë mirë ndikimin e keq të dëshirave të pakontrolluara, kur zemrës i paraqitet e vërteta dhe udhëzimi. Këto dëshira të pakontrolluara janë si shkuma që qëndron mbi ujin e pastër dhe që mundohet ta turbullojë atë, ose si skorjet që dalin mbi floririn e pastër. Shkuma e ujit ose skorjet duhet të largohen, në mënyrë që të bëhet i dobishëm uji ose floriri i kulluar. Të tilla janë dyshimet, që ngacmojnë shpirtrat e njerëzve, si edhe dëshirat e pakontrolluara, të cilat i largojnë zemrat nga Allahu i Lartësuar dhe qëllimi përse janë krijuar. Por nëse njeriu vazhdon të luftojë kundër këtyre dy sëmundjeve, duke i urryer ato, duke kërkuar dritën e sjellë nga Zoti përmes Shpalljes dhe duke pastruar qëllimin e tij, që të jetë me sinqeritet vetëm për Zotin, atëherë zemra pastrohet dhe sëmundjet largohen. Pas përpjekjeve të shumta të sinqerta me vetveten dhe pas kërkimit të dritës së Zotit, këto zemra bëhen të pastra dhe mbushen me dituri rreth të vërtetës, me dashuri të madhe për të, duke i dhënë përparësi mbi gjithçka tjetër. Në të tilla zemra nuk mbetet më vend për të kotën, sikurse thotë Allahu i Lartësuar: "Thuaj: “Erdhi e vërteta dhe u zhduk e kota”. Vërtet, e kota gjithnjë ka qenë e zhdukur." [Isra 81]. Ndërsa në fund të këtyre ajeteve, Allahu i Lartësuar thotë: "Kështu i shpjegon Allahu shembujt." Kështu, Allahu i Lartësuar e bën këtë që të dallohet qartë e vërteta nga e kota, udhëzimi në rrugën e drejtë nga devijimi.

18

لِلَّذِينَ ٱسْتَجَابُوا۟ لِرَبِّهِمُ ٱلْحُسْنَىٰ ۚ وَٱلَّذِينَ لَمْ يَسْتَجِيبُوا۟ لَهُۥ لَوْ أَنَّ لَهُم مَّا فِى ٱلْأَرْضِ جَمِيعًۭا وَمِثْلَهُۥ مَعَهُۥ لَٱفْتَدَوْا۟ بِهِۦٓ ۚ أُو۟لَٰٓئِكَ لَهُمْ سُوٓءُ ٱلْحِسَابِ وَمَأْوَىٰهُمْ جَهَنَّمُ ۖ وَبِئْسَ ٱلْمِهَادُ

Për ata që i gjegjen Zotit të tyre, i gjen e mira e madhe, e ata që nuk i gjegjen Atij – sikur të ishte e tyre e gjithë ç’ka në Tokë, dhe edhe aq (më tepër), ata do ta sakrifikonin atë (për të shpëtuar). Të atillëve, u është përgatitur llogari e rëndë; e strehimi i tyre është xhehennemi. E, sa shtrat i shëmtuar që është ai!

Për ata që i përgjigjen Zotit të tyre janë(të gjitha)gjërat e mira. -Pasi qartësoi të vërtetën nga e kota, Allahu i Madhëruar tregon se njerëzit ndahen në dy grupe: Ata që i përgjigjen Zotit të tyre dhe të cilët meritojnë shpërblim. Për këta tregohet se çfarë shpërblimi i pret. Ata që nuk i përgjigjen Zotit të tyre dhe meritojnë ndëshkimin, i cili përmendet më pas. Për sa i përket grupit të parë, Allahu i Madhëruar thotë se ata i përgjigjen Zotit të tyre. Kjo do të thotë se zemrat e tyre hapen për t’u mbushur me dritën e Zotit dhe besimin e pastër. Trupi i tyre nënshtrohet për të zbatuar urdhëresat e Zotit dhe për t’u larguar nga ndalesat e Tij. Kështu, ata i përgjigjen Zotit të tyre në gjithçka që Ai dëshiron prej tyre. Këtyre fatlumëve Allahu i Madhëruar u ka premtuar atë që quhet “el husna”, domethënë, çdo gjë të mirë e të këndshme. Shpërblimi që ata do të marrin në këtë jetë, por edhe pas vdekjes, në përjetësi, është më i miri dhe më i mrekullueshmi. Siç e ka përshkruar Profeti (a.s): ata do të kenë atë që syri nuk e ka parë, veshi nuk e ka dëgjuar dhe asnjë zemër nuk e ka imagjinuar. Ndërsa ata të cilët nuk i përgjigjën Zotit, edhe pse Ai ua sqaron plotësisht të vërtetën përmes shumë shembujve në Shpalljen e Tij, ata nuk kanë për ta parë të mirën, dhe gjendja e tyre do të jetë shumë e keqe. Për ta, Allahu i Lartësuar thotë:Ndërsa ata që nuk i përgjigjen Atij, edhe sikur të zotërojnë gjithçka që është në qiell dhe në Tokë, madje edhe një herë sa ajo, do t'i jepnin si kompensim(për t'i shpëtuar ndëshkimit). -Ata do të jepnin si kompensim çdo pasuri të kësaj bote, ar e argjend qoftë, vetëm dhe vetëm të shpëtonin nga ndëshkimi i Ditës së Gjykimit. Por, sigurisht, kjo nuk ka për t’u pranuar prej tyre. E si mund të ndodhë diçka e tillë?! Ata të mjerë do të përballen me një llogari të vështirë, duke u marrë në përgjegjësi për çdo vepër të keqe. Ata do të përgjigjen një për një për detyrimet ndaj Allahut të Lartësuar dhe ndaj krijesave, detyrime që nuk i kanë respektuar. Allahu i Lartësuar shkruan dhe rendit gjithçka që ata bëjnë, prandaj dhe ata të mjerë do të thonë: "Të mjerët ne! Çfarë është ky libër, që nuk ka lënë asnjë vepër - të madhe apo të vogël -, pa e shënuar.?” Kështu thotë Allahu i Lartësuar në ajetin kuranor: “Kur Libri (i punëve)do t’u vihet përpara, ti do t’i shohësh gjynahqarët të frikësuar nga shënimet në të, që do të thonë: “Të mjerët ne! Çfarë është ky libër, që nuk ka lënë asnjë vepër - të madhe apo të vogël -, pa e shënuar.” Aty do të gjejnë të shënuar gjithçka që kanë bërë. Zoti yt nuk i bën padrejtësi askujt.” [Kehf 49].Ata do të kenë gjykimin më të rëndë dhe vendi i tyre është Xhehenemi. Eh, sa vendqëndrim i keq është ai! -Pas gjithë kësaj llogarie të tmerrshme dhe të frikshme, vendqëndrimi i tyre i përhershëm do të jetë Xhehenemi. Ai është vendi ku janë mbledhur të gjitha llojet e ndëshkimit, i shoqëruar me uri dhe etje të dhimbshme. Zjarri në Xhehenem është i ndezur fort. Ushqimi i banorëve të tij do të jetë zekumi. Ata do të vuajnë edhe të ftohtin e tmerrshëm, zemherir-in e Xhehenemit e shumë ndëshkime të tjera, që Zoti i ka përmendur në Kur'an. Vend më i keq është ai i tyre.

19

۞ أَفَمَن يَعْلَمُ أَنَّمَآ أُنزِلَ إِلَيْكَ مِن رَّبِّكَ ٱلْحَقُّ كَمَنْ هُوَ أَعْمَىٰٓ ۚ إِنَّمَا يَتَذَكَّرُ أُو۟لُوا۟ ٱلْأَلْبَٰبِ

A mos vallë, ai që di se e vërteta që të është shpallë ty nga Zoti yt është njësoj sikur ai që është i verbër? Vetëm të mençurit mendojnë:

Duke na dhënë një pamje të qartë, për të dalluar ata që kanë marrë dituri dhe dritë nga Shpallja e Tij dhe punojnë me sinqeritet sipas saj, nga ata që nuk janë të tillë, Allahu i Madhëruar thotë:Atëherë a është i njëjtë ai që e di se ajo që t’u shpall nga Zoti yt është e vërtetë, me atë që është i verbër? -Ata të cilët e dinë mirë dhe janë të sigurt se ajo që t’u shpall ty prej Zotit tënd është e vërteta e padiskutueshme, ata meditojnë dhe përpiqen të kuptojnë qartësisht mesazhin e Zotit të tyre. Pasi e kuptojnë mirë atë çfarë Zoti do prej tyre, ata nënshtrohen për të jetuar dhe punuar sipas saj. Kështu, këta nuk mund të jenë njëlloj me ata që Zoti i quan të verbër. Ata të mjerë nuk e njohin të vërtetën dhe, sigurisht, nuk punojnë sipas saj. Mes dy grupeve ka një largësi të madhe, sa ajo mes qiejve dhe tokës. Çdo njeri i mençur dhe i urtë duhet të meditojë dhe ta kujtojë shpesh këtë krahasim të dy grupeve që bën Allahu i Lartësuar dhe vazhdimisht duhet t’i bëjë pyetjen vetes: Cili nga dy grupet është më i mirë? Pasi mendon me kujdes, le të bëjë zgjedhjen e duhur dhe t’i japë përparësi asaj që duhet dhe të mbledhë forcat për të ndjekur karvanin e të shpëtuarve. Por, sigurisht, jo çdokush gjykon drejt se çfarë i bën dobi dhe dëm. Allahu i Madhëruar na tregon se cilët janë ata të cilëve u bën dobi kujtimi. Ai thotë:Vetëm njerëzit e mençur e kuptojnë(qortimin). -Pikërisht ata që kanë mendje të shëndoshë e kuptojnë të vërtetën. Ata janë të përzgjedhurit dhe më të mirët e botës ndër bijtë e Ademit. Nëse dëshiron të dish cilësitë e tyre, nuk ke për të gjetur përshkrim më të mirë sesa ai që vetë Krijuesi i tyre u ka bërë:

20

ٱلَّذِينَ يُوفُونَ بِعَهْدِ ٱللَّهِ وَلَا يَنقُضُونَ ٱلْمِيثَٰقَ

Ata që kryejnë obligimin ndaj Perëndisë dhe nuk e prishin premtimin;

Ata që e përmbushin besën e dhënë Allahut dhe nuk e shkelin fjalën e premtuar; -Këtu bëhet fjalë për premtimin që Allahu i Madhëruar ka marrë prej tyre. Ai u ka marrë besën, që ata do të bëjnë maksimumin për të përmbushur detyrimet që kanë ndaj Tij. Këtë kuptim ka: “jufune biahdil-lahi” - domethënë, e përmbushin premtimin e dhënë Allahut. Përmbushja e këtij premtimi duhet të bëhet në formën më të plotë dhe më të saktë. Pjesë e këtij plotësimi është dhe fakti që ata: "…nuk i shkelin marrëveshjet." Kështu, ata i plotësojnë të gjitha detyrimet që kanë marrë përsipër për t’i kryer për hir të Allahut të Lartësuar. Kjo përfshin të gjitha marrëveshjet, betimet që janë bërë në emër të Zotit ose edhe zotimet që bëhen në formë adhurimi për Zotin. Ajeti jep mesazhin që njeriu duhet të jetë i mençur dhe i urtë, sepse do të marrë shpërblimin e madh të Allahut të Lartësuar. Kjo arrihet vetëm nëse ai i përmbush të gjitha detyrimet, dhe jo duke i shkelur ato. Një përshkrim tjetër i këtyre të përzgjedhurve vjen më poshtë, ku Allahu i Lartësuar thotë:

Commentary: Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di. Qur'an text and translation via AlQuran Cloud.