Muslim99Muslim99
← Tafsir library

13. Ar-Ra'd

The Thunder · Medinan · 43 ayahs

سُورَةُ الرَّعۡدِ

Reading Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di

Ayahs 1–10 of 43

بِسْمِ ٱللَّهِ ٱلرَّحْمَٰنِ ٱلرَّحِيمِ

1

الٓمٓر ۚ تِلْكَ ءَايَٰتُ ٱلْكِتَٰبِ ۗ وَٱلَّذِىٓ أُنزِلَ إِلَيْكَ مِن رَّبِّكَ ٱلْحَقُّ وَلَٰكِنَّ أَكْثَرَ ٱلنَّاسِ لَا يُؤْمِنُونَ

Elif Lám Mim Râ. Këto janë versetet e Librit (Kur’anit)! E, ajo që të është shpallë ty prej Zotit tënd është e Vërtetë, por shumica e njerëzve nuk e besojnë.

Elif, Lam, Mim, Ra. Këto janë ajetet e Librit. -Allahu i Lartësuar na tregon se Kur'ani përmban ajete të mrekullueshme, që sqarojnë gjithçka që robërit kanë nevojë, qoftë në lidhje me çështjet themelore të fesë dhe të besimit, qoftë edhe për detajet e saj. Në këto ajete tregohet se gjithçka që Allahu i shpalli Profetit të Tij është e vërtetë e qartë dhe e padiskutueshme. Urdhëresat dhe ndalesat e Tij janë vetë drejtësia dhe mirësia. Ky libër është i mbrojtur dhe i vërtetuar me shumë argumente dhe fakte të prera, që tregojnë se është Shpallje e të Madhërishmit. Ai që i përkushtohet Kur'anit dhe e përvetëson diturinë e tij bëhet dijetar, që e njeh të drejtën dhe të vërtetën. Nëse je i sinqertë në marrjen e kësaj diturie, pa dyshim që do të nënshtrohesh që të punosh sipas saj, duke kryer çdo vepër të mirë që Zoti e do dhe pëlqen, që ndryshe përkufizohet edhe si “adhurim”.E tërë ajo që t’u shpall ty nga Zoti yt është e Vërteta, por shumica e njerëzve nuk besojnë. -Shumica nuk e besojnë këtë Kur'an. Mosbesimi i tyre vjen nga shkaqe të ndryshme. Për shembull, disa janë të paditur rreth madhështisë së këtij Kur'ani, sepse e kanë shpërfillur dhe i kanë kthyer shpinën atij, duke mos i dhënë interesin, rëndësinë dhe vlerësimin që meriton. Ndërsa të tjerë e dinë shumë mirë madhështinë dhe mrekullinë e tij, por nga arroganca, inati dhe armiqësia e tyre me të vërtetën dhe mbartësit e saj, ata e mohojnë atë. Pikërisht për këtë arsye, shumica e njerëzve nuk arrijnë të përfitojnë nga ky libër kaq i begatë dhe plot mirësi. E si të përfitojnë prej tij, kur ata vetë ia kanë mbyllur vetes çdo portë që bën të mundur udhëzimin?!

2

ٱللَّهُ ٱلَّذِى رَفَعَ ٱلسَّمَٰوَٰتِ بِغَيْرِ عَمَدٍۢ تَرَوْنَهَا ۖ ثُمَّ ٱسْتَوَىٰ عَلَى ٱلْعَرْشِ ۖ وَسَخَّرَ ٱلشَّمْسَ وَٱلْقَمَرَ ۖ كُلٌّۭ يَجْرِى لِأَجَلٍۢ مُّسَمًّۭى ۚ يُدَبِّرُ ٱلْأَمْرَ يُفَصِّلُ ٱلْءَايَٰتِ لَعَلَّكُم بِلِقَآءِ رَبِّكُمْ تُوقِنُونَ

Perëndia është ai që qiejt i ka ngritur pa shtylla, e ju i shihni, e ka mbizotëruar Arshin, dhe ka nënshtruarn Diellin dhe Hënën. Të gjitha këto rrotullohen për kohë të caktuar. Ai drejton të gjitha dhe i shpjegon argumentet, dhe për t’u bindur ju që do të takoheni me Zotin tuaj.

Allahu është Ai që i ngriti qiejt pa shtylla që mund të shihen nga ju, dhe më pas Ai qëndroi mbi Fron(Arsh). -Allahu i Lartësuar na tregon se Ai është i Vetëm, i Pashoq dhe Absolut në pushtetin e Tij për të krijuar dhe administruar çështjet e krijesave. Ai është i vetmi Sundues i gjithësisë dhe Ai është madhështor në mbretërimin e Tij. Të gjitha këto tregojnë se Allahu është i vetmi i Adhuruar me meritë. Çdo adhurim duhet t’i dedikohet vetëm Atij me sinqeritet dhe saktësi, ashtu si dëshiron Ai. I Lartësuari thotë: "Allahu është Ai që i ngriti qiejt pa shtylla që mund të shihen nga ju." Është Allahu i Madhëruar, që me fuqinë dhe madhështinë e Tij, i krijoi qiejt pa shtylla të dukshme nga ne. Më tej, pasi përfundoi krijimin e qiejve dhe të tokës, u lartësua dhe qëndroi mbi Fronin e Tij madhështor, i cili është krijesa më madhështore, që qëndron sipër të gjitha krijesave të tjera të Zotit. Lartësimi dhe qëndrimi i Tij mbi Fron është ashtu si i takon madhështisë së Tij, që është absolut në të gjitha emrat, cilësitë dhe veprat e Tij.Ai e nënshtroi Diellin e Hënën, që lëvizin sipas një afati të caktuar. -Allahu i Madhëruar nënshtroi Diellin dhe Hënën, këta trupa madhështorë, që t'u shërbejnë robërve dhe përmbushjes së çdo nevoje për ta, për kafshët e tyre dhe për bimësinë. Allahu i Lartësuar thotë për Diellin dhe Hënën se ata lëvizin sipas përcaktimit, ligjit dhe rregullit të vendosur nga Ai, që është Ngadhënjimtar, i Plotpushtetshëm dhe i Gjithëditur. Ata lëvizin në rrugë dhe kohë të përcaktuar, sipas një rregulli preciz, dhe kurrë nuk dalin nga ky rregull, derisa të vijë momenti i përcaktuar kur Allahu i Lartësuar do ta zhbëjë këtë botë, për të filluar bota e ahiretit, që do të jetë e përjetshme. Atë ditë, Allahu i Lartësuar do t’i palosë qiejt dhe do t’i shndërrojë ata në të tjerë qiej dhe do ta ndryshojë tokën në një tjetër tokë. Dielli dhe Hëna do të mbështillen dhe do të bashkohen me njëri-tjetrin dhe pastaj do të hidhen në Zjarr. Kështu, çdokush që ka adhuruar Diellin dhe Hënën do ta kuptojë qartë se ata nuk meritonin të adhuroheshin, dhe zemrat e tyre do të mbushen plot dëshpërim. Atë ditë, mohuesit do të binden se ishin gënjeshtarë dhe trillues kotësirash.Ai rregullon të gjitha çështjet dhe i sqaron argumentet me hollësi, që ju të jeni të bindur për takimin me Zotin tuaj. -Allahu i Lartësuar në këtë ajet përmend dy vepra të Tij: Ai administron dhe rregullon çështjet; Ai qartëson argumentet e ligjit të Tij dhe Shpalljen hynore. Këtu përmenden bashkë dy vepra madhështore të Allahut të Lartësuar, që janë krijimi dhe ligjvënia. Allahu i Lartësuar u ngrit dhe qëndroi mbi Fronin e mbretërimit të Tij, duke u marrë vetë me administrimin dhe rregullimin e çështjeve e botës së sipërme dhe asaj të poshtme. Ai nuk i ka lënë askujt pushtet në këtë aspekt. Është veç Allahu që krijon dhe furnizon, që pasuron dhe varfëron, që krenon popuj dhe njerëz dhe që poshtëron dhe nënshtron të tjerë. Ai dhuron fitoren dhe krenarinë dhe Ai poshtëron dhe turpëron. Me urtësinë dhe diturinë e Tij, disa i ul dhe disa i ngre. Me mëshirën dhe bujarinë e Tij, Allahu i Madhëruar largon fatkeqësitë duke sjellë çlirimin dhe shpëtimin e të përvuajturve. Është Ai që ekzekuton …

3

وَهُوَ ٱلَّذِى مَدَّ ٱلْأَرْضَ وَجَعَلَ فِيهَا رَوَٰسِىَ وَأَنْهَٰرًۭا ۖ وَمِن كُلِّ ٱلثَّمَرَٰتِ جَعَلَ فِيهَا زَوْجَيْنِ ٱثْنَيْنِ ۖ يُغْشِى ٱلَّيْلَ ٱلنَّهَارَ ۚ إِنَّ فِى ذَٰلِكَ لَءَايَٰتٍۢ لِّقَوْمٍۢ يَتَفَكَّرُونَ

Ai është, i cili e ka shtrirë Tokën, duke krijuar në të male dhe lumenj. Dhe nga çdo lloj fruti krijoi çifte nga dy; Ai bëri që nata ta mbulojë ditën. Me të vërtetë, në këto ka dokumente për njerëzit që mendojnë.

Është Ai, që e shtroi Tokën, dhe vendosi në të male e lumenj dhe të gjitha llojet e frutave i bëri çift, dy e nga dy. -Allahu i Lartësuar e krijoi tokën për robërit e Tij, e bëri atë të gjerë dhe të begatshme për ta. Me mëshirën e Tij, Ai e shtroi dhe e sheshoi tokën, duke vendosur mirësi të shumta, pa të cilat njeriu nuk mund të jetojë. I Lartësuari thotë: "vendosi male të mëdha, që toka të jetë e qëndrueshme për krijesat”. Nëse Allahu i Lartësuar nuk do të vendoste malet si shtylla, toka me shtresat e saj do të ishte e paqëndrueshme. Me gjithë atë ujë oqeanesh dhe me konstruktin e saj të luhatshëm, ajo mund të qëndrojë e palëkundur veçse nëpërmjet maleve të mëdha, që Allahu i Lartësuar i ka bërë si shtylla mbajtëse. Përveç kësaj, Allahu i Lartësuar ka krijuar në tokë lumenj për njerëzit, për kafshët dhe bimësinë e tyre. Nëpërmjet tyre ujiten dhe rriten pemët, drithërat, frutat dhe mirësi të shumta. I Madhëruari thotë: “prej secilit fryt bëri dy lloje" Pra, bëri nga dy lloje (çift), siç u nevojiten njerëzve. Në vijim, i Lartësuari thotë:Ai bën që nata ta mbulojë ditën. -Allahu i Madhëruar e mbështjell ditën me natë dhe errësira mbulon horizontin. Çdo krijesë pushon në vendin e vet dhe çlodhen nga aktiviteti dhe mundimet e ditës. Pasi krijesat plotësojnë nevojën e tyre për gjumë, Allahu i Lartësuar e mbështjell natën me ditë, kur përhapet drita e agimit dhe krijesat dalin për punët e tyre dhe për të grumbulluar të mirat që iu nevojiten. Në një ajet tjetër, Allahu i Lartësuar thotë: "Prej mëshirës së Tij, jua bëri natën dhe ditën për të pushuar dhe për të përfituar nga begatitë e Tij, prandaj jini mirënjohës!" [Kasas 73].Vërtet, në të gjitha këto ka argumente për njerëzit që mendojnë. -Në të gjitha këto ka shenja të qarta, që na udhëzojnë për të kuptuar qëllimet hyjnore. Por këto shenja u vlejnë dhe u bëjnë dobi atyre që meditojnë dhe i vështrojnë me kujdes ato, me qëllimin për të nxjerrë mësime. Vetëm duke i trajtuar në këtë formë shenjat dhe argumentet e Zotit, ata kuptojnë shumë qartë se Ai që ka krijuar, përkujdeset dhe rregullon çështjet e gjithë botës është Allahu i Lartësuar, prandaj vetëm Atij i takon adhurimi dhe nuk ka të adhuruar tjetër me meritë veç Tij. Allahu është i Gjithëdituri rreth të fshehtave dhe atyre që shfaqen. Ai është gjithashtu i Gjithëmëshirshmi e Mëshirëploti në çdo gjë që buron prej Tij, qoftë në ligjin e krijimit, qoftë në ligjin e fesë dhe besimit, sipas të cilit ka urdhëruar të jetohet, qoftë në ligjin e shpërblimit. Allahu është i lavdëruari plot begati dhe mirësi në gjithçka që ka krijuar dhe urdhëruar. Ndër shenjat madhështore që tregojnë për pushtetin e plotë dhe veprat e mrekullueshme të Allahut është edhe fakti që:

4

وَفِى ٱلْأَرْضِ قِطَعٌۭ مُّتَجَٰوِرَٰتٌۭ وَجَنَّٰتٌۭ مِّنْ أَعْنَٰبٍۢ وَزَرْعٌۭ وَنَخِيلٌۭ صِنْوَانٌۭ وَغَيْرُ صِنْوَانٍۢ يُسْقَىٰ بِمَآءٍۢ وَٰحِدٍۢ وَنُفَضِّلُ بَعْضَهَا عَلَىٰ بَعْضٍۢ فِى ٱلْأُكُلِ ۚ إِنَّ فِى ذَٰلِكَ لَءَايَٰتٍۢ لِّقَوْمٍۢ يَعْقِلُونَ

Në Tokë ka vise që janë të lidhura njëri me tjetrin dhe ka kopshtije të mbjellura me hardhi, dhe ara dhe palme me një pip ose shumë pipa; ujiten me të njëjtin ujë, e disa nga frutet i bëjnë më të shijshme nga të tjerat. Me të vërtetë, në këto ka dokumente për njerëzit që kanë mend.

Në Tokë ka hapësira që qëndrojnë pranë njëra-tjetrës, ka vreshta dhe fusha të mbjella, ka palma që janë me shumë degë, por edhe pa të tilla. -I Lartësuari ka mundësuar që në tokë të mbijnë lloje të ndryshme frutash dhe bimësie. Sa të bukura janë vreshtat dhe pemishtet, sa të domosdoshme janë drithërat dhe sa të begatshme dhe të mira janë palmat dhe frutorët e ndryshëm! Ka palma që janë të degëzuara, por ka edhe të tilla që zhvillohen të drejta e pa degëzime. Që të gjitha këto pemë e bimë ujiten nga i njëjti ujë dhe ushqehen nga e njëjta tokë, ashtu sikurse ndriçohen, ngrohen dhe rriten nga i njëjti diell dhe në të njëjtat kushte. Megjithatë, ato prodhojnë fruta të ndryshme, që dallojnë në shijet e tyre.Të gjitha ujiten me të njëjtin ujë, por Ne i kemi bërë me shije të veçanta e të dallueshme nga njëra-tjetra. -Ato ndyshojnë në ngjyrën, shijet, vlerat dhe dobitë e tyre, si edhe në kënaqësinë që të japin. I Madhërishmi edhe tokat i ka bërë të ndryshme. Ka toka të mira, të cilat rrisin larmi bimësh, pemësh dhe drithërash ushqyese. Ka edhe toka të tjera, që nuk mbijnë dhe nuk mbajnë as ujin, por ai humbet në thellësinë e tyre, pa bërë asnjë dobi për njerëzit dhe kafshët. Por ka të tjera që vërtet nuk mbijnë, por shërbejnë për të grumbulluar ujin. Ka toka ku mbin një lloj bimësie dhe jo të tjera. Sigurisht, që të gjitha këto ndryshime janë përcaktim i Ngadhënjimtarit, Mëshirëplotit. Pas kësaj, Allahu i Lartësuar thotë:Vërtet, në të gjitha këto ka argumente për njerëzit që kuptojnë. -Ka fakte për ata të cilët kanë logjikë dhe arsye, që i udhëzon në gjërat e dobishme. Një logjikë e pastër dhe arsyetim i drejtë e udhëzon robin tek e mira dhe e ndihmon atë që të kuptojë qartë porositë e Zotit. Ndërsa ata që gjithmonë u kthejnë shpinën urdhëresave të Zotit dhe mendjelehtët, që, pa u menduar fare, u përkushtohen veçse dëshirave të unit, këta enden të çoroditur në errësirat ku janë zhytur. Ashtu, të pasigurt dhe të përhumbur në vetëmashtrimin e tyre, nuk e gjejnë dot udhën drejt Zotit të tyre dhe nuk arrijnë të kuptojnë asnjë mesazh të dhënë prej Tij.

5

۞ وَإِن تَعْجَبْ فَعَجَبٌۭ قَوْلُهُمْ أَءِذَا كُنَّا تُرَٰبًا أَءِنَّا لَفِى خَلْقٍۢ جَدِيدٍ ۗ أُو۟لَٰٓئِكَ ٱلَّذِينَ كَفَرُوا۟ بِرَبِّهِمْ ۖ وَأُو۟لَٰٓئِكَ ٱلْأَغْلَٰلُ فِىٓ أَعْنَاقِهِمْ ۖ وَأُو۟لَٰٓئِكَ أَصْحَٰبُ ٱلنَّارِ ۖ هُمْ فِيهَا خَٰلِدُونَ

E, nëse çuditesh, pra – çudi janë fjalët e tyre: “A vallë, me të vërtetë pasi të bëhemi tokë, do të krijohemi përsëri?” Ata, nuk besojnë në Zotin e tyre, këta janë ata, në qafat e të cilëve do të ketë pranga; këta janë banorët e xhehennemit, në të cilin do të qëndrojnë përherë.

Nëse ti çuditesh, është edhe më e çuditshme kur ata thonë: “A do të krijohemi sërish pasi të jemi bërë dhé?” -Kuptimi i ajetit: “Nëse ti, o Muhamed, çuditesh dhe mrekullohesh nga madhështia e Allahut të Lartësuar dhe faktet e shumta që tregojnë njëshmërinë e Tij, dije se është më e çuditshme mohimi i këtyre fakteve nga ana e atyre që nuk besojnë shpalljet e Allahut dhe e quajnë gënjeshtër ringjalljen. Është shumë çudi kur ata thonë: “A do të krijohemi sërish pasi të jemi bërë dhé?” Sipas tyre, kjo është diçka e pamundur. Sipas arsyes së tyre të dobët, pasi të jenë tretur dhe bërë një me dheun, është shumë e çuditshme dhe e pamundur që Allahu t’i rikthejë në jetë. Shkaku i këtij përfundimi është se ata e krahasojnë fuqinë e Krijuesit me aftësitë e mangëta të krijesës. Duke qenë se krijesat e kanë të pamundur ringjalljen e të vdekurve, ata gjykojnë se kjo është e pamundur edhe për Krijuesin, duke harruar se ishte Allahu i Lartësuar ai që i krijoi nga hiçi, kur ata nuk ekzistonin. Ky ishte njëri nga kuptimet e ajetit. Një kuptim tjetër i ajetit është edhe ky që vijon: “Nëse çuditesh, o Muhamed, që ata mohojnë ringjalljen, ke të drejtë, sepse kjo është vërtet diçka e çuditshme. Si është e mundur që dikujt t’i qartësohen faktet rreth ringjalljes, dhe pastaj ai t’i mohojë sërish ato?! Kjo është e çuditshme dhe e papranueshme. Por, sigurisht, çdo gjë mund të pritet nga ata të cilët nuk besojnë Zotin e tyre, nuk pranojnë njëshmërinë e Tij dhe nuk besojnë edhe çështjet më të qarta.Këta janë ata që mohojnë Zotin e tyre. Ata ndëshkohen me pranga në qafë. -Prangat që kanë në qafa i pengojnë për të arritur udhëzimin. Ata ftohen për të besuar, por refuzojnë, atyre iu ofrohet udhëzimi, por nuk nënshtrohen të jetojnë sipas tij. Prandaj zemrat dhe shpirtrat e tyre vulosen dhe përmbysen, si ndëshkim për refuzimin e besimit dhe udhëzimit të Zotit, kur u ofrohet fillimisht. Për këtë, Allahu i Lartësuar thotë:Ata janë banorë të Zjarrit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë. -Ata nuk kanë për të dalë kurrë prej Zjarrit.

6

وَيَسْتَعْجِلُونَكَ بِٱلسَّيِّئَةِ قَبْلَ ٱلْحَسَنَةِ وَقَدْ خَلَتْ مِن قَبْلِهِمُ ٱلْمَثُلَٰتُ ۗ وَإِنَّ رَبَّكَ لَذُو مَغْفِرَةٍۢ لِّلنَّاسِ عَلَىٰ ظُلْمِهِمْ ۖ وَإِنَّ رَبَّكَ لَشَدِيدُ ٱلْعِقَابِ

Ata e kërkojnë me nguti prej teje të keqen para të mirës, e para tyre ka pasur shumë dënime. Zoti yt është falës për njerëzit përkundër zullumeve të tyre, por Zoti yt, me të vërtetë, është edhe dënues i ashpër.

Ata kërkojnë prej teje përshpejtimin e ndëshkimit para së mirës,... -Allahu i Lartësuar na tregon rreth injorancës së thellë që i karakterizon mohuesit e Profetit të Tij, të zhytur në idhujtari dhe padrejtësi. Ata u këshilluan dhe qortuan nëpërmjet kësaj shpalljeje madhështore, por nuk nxorën mësim. Atyre iu dhanë fakte dhe argumente të qarta, por sërish nuk u nënshtruan dhe e refuzuan Shpalljen e Zotit. Ata e shfaqën haptazi mohimin e tyre duke u argumentuar çuditërisht me butësinë e Allahut të Lartësuar, që edhe pse është i Plotpushtetshëm e Ngadhënjimtar, tregon mëshirë ndaj tyre. Duke qenë se Allahu i Lartësuar është i Gjithëmëshirshëm dhe i Butë, Ai nuk nxitohet që t’i ndëshkojë ata për gjynahet e tyre, kurse ata e lexuan këtë mosndëshkim si provë se janë me të vërtetën. Të vetëmashtruar dhe plot arrogancë, ata i kërkonin Profetit (a.s)që t'ua përshpejtonte ndëshkimin, a thua se po e sfidonin atë. Dikush prej tyre tha: “Nëse ky (Kur'an)është vërtet prej Teje, lësho mbi ne rrebesh gurësh nga qielli, ose na jep ndonjë Dënim të rëndë!”. [Enfal 32].... edhe pse para tyre ka pasur dënime të ashpra. -Të mjerët i thoshin këto fjalë kur, para tyre, Zoti kishte bërë shumë popuj shembuj për të tjerët, me mënyrën se si i kishte ndëshkuar ata. A nuk e shihnin veten se si ishin katandisur?! A nuk kishin frikë nga ndëshkimi i Zotit?! Sigurisht, kjo qe një injorancë e thellë e tyre, nga e cila duhet të largoheshin sa më parë, që të shpëtonin. Ata duhet të dinin se:Me të vërtetë, Zoti yt e ka faljen të madhe për njerëzit, me gjithë padrejtësitë e tyre,... -Mirësia, bujaria, mëshira dhe falja e Zotit zbresin vazhdimisht dhe i përfshijnë njerëzit, të cilët, fatkeqësisht, dinë të tregojnë veçse sherrin, mosbindjen, mosmirënjohjen dhe mohimin. Ata e mohojnë Zotin, tregohen mosmirënjohës e mospërfillës ndaj Tij, ndërkohë që janë aq të varfër dhe nevojtarë për mëshirën e Tij. Ndërsa i Lartësuari i fton me butësi, dashuri dhe mëshirë drejt portës së Tij, ata vazhdojnë të zhyten në krime dhe padrejtësi. Megjithatë, i Gjithëmëshirshmi nuk i privon dhe as i përjashton ata nga përkujdesja, mirësitë dhe bujaria e Tij. Nëse ata pendohen dhe kthehen tek Ai të mbushur me keqardhje dhe të nënshtruar, Ai bëhet i Dashuri i tyre dhe i ka njoftuar se Ai i do të penduarit dhe i do ata që pastrohen. Nëse nuk pendohen, Zoti përkujdeset që t’i mjekojë dhe pastrojë ata. Ai i sprovon ata me fatkeqësi, për t’i pastruar nga gjynahet, por përsëri thotë me dashuri dhe mëshirë: Thuaj: “Thuaj: “O robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar veten tuaj me shumë gabime, mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut, sepse Allahu i fal të gjitha gjynahet! Ai është Falës i Madh dhe Mëshirëplotë.” Dhe, kthehuni te Zoti juaj (me pendim dhe bindje)dhe dorëzojuni Atij para se t’ju vijë dënimi, se pastaj nuk do të ketë kush t’ju ndihmojë. Dhe përmbajuni më të mirës që ju është shpallur nga Zoti juaj, para se t’ju vijë dënimi befas e ju të mos e ndjeni.” [Zumer 53-55]. Por duke synuar t’i kthejë në rrugën e mbarë, Zoti di t’i mjekojë ata edhe duke i kërcënuar:... por të jeni të bindur se Zoti yt është edhe ndëshkues i rreptë. -Ai është Ndëshkues për këdo që vazhdon në gjynahe dhe refuzon të kthehet i …

7

وَيَقُولُ ٱلَّذِينَ كَفَرُوا۟ لَوْلَآ أُنزِلَ عَلَيْهِ ءَايَةٌۭ مِّن رَّبِّهِۦٓ ۗ إِنَّمَآ أَنتَ مُنذِرٌۭ ۖ وَلِكُلِّ قَوْمٍ هَادٍ

E, mohuesit thonë: “Sikur t’i ishte dërguar atij një mrekulli nga Zoti i tij?” ti je vetëm paralajmërues. E, për çdo popull ka udhërrëfyes (në rrugë të drejtë).

Mohuesit kërkojnë që t’u japësh disa shenja ose mrekulli, sipas dëshirave të tyre, duke thënë: “Përse nuk i zbret atij ndonjë Shenjë nga Zoti i tij?” Dhe me këtë ata nënkuptonin ato shenja dhe mrekulli që ata dëshironin dhe ia kërkonin Profetit a.s. Në fakt, ky qe thjesht pretekst për të arsyetuar mosbesimin dhe kundërshtimin e tyre, sepse ata e dinin shumë mirë që Profeti (a.s)ishte thjesht qortues, paralajmërues dhe përcjellës besnik i mesazhit të Zotit dhe, si i tillë, nuk kishte asnjë çështje në dorë. Është vetëm Allahu i Lartësuar Ai që përcakton dhe vendos për shenjat dhe mrekullitë, me të cilat Ai mbështet profetët e Tij. Ata i dinin shumë mirë këto çështje, por fjalët e tyre ishin veç justifikime, për të arsyetuar mosbesimin që kishin ndaj Profetit. Në fakt, Allahu i Lartësuar i dhuroi edhe Muhamedit (a.s)argumente të qarta, fakte të pamohueshme dhe mrekulli të shumta, të cilat i kuptonte çdokush që kishte sadopak logjikë të shëndoshë. Përmes tyre e gjen rrugën e drejtë ai që e dëshiron të vërtetën. Ndërsa mohuesit, të cilët janë të zhytur në errësirën e injorancës, të padrejtësisë dhe të shthurjes, nuk pranojnë të ndjekin rrugën e Profetit, prandaj bëjnë të tilla propozime. Kërkesat e tyre janë të kota, mashtrime, syfaqësi dhe justifikime për të mos u nënshtruar dhe për të mos besuar Profetin e Zotit. Diçka është e sigurt: edhe sikur atyre t’u jepeshin të gjitha shenjat dhe mrekullitë që ata kërkonin, ata përsëri nuk do të besonin dhe nuk do të nënshtroheshin për të jetuar dhe adhuruar Zotin sipas mësimeve të Profetit. Në të vërtetë ata nuk i pengonte fakti se nuk kishin se kush t’ua qartësonte të vërtetat e Zotit, pasi ato iu sqaruan në formë të përkryer dhe bindëse. Ata thjesht ndiqnin dëshirat e veta dhe nuk denjonin që të nënshtroheshin dhe të adhuronin Allahun e Madhëruar.Çdo popull ka pasur udhërrëfyes. -Çdo popull ka patur udhërrëfyesin e vet, që do të thotë se, në çdo popull, Allahu i Lartësuar ka zgjedhur njerëz, të cilët ftonin në udhën e drejtë dhe të pastër të Tij. Ata që Allahu i Lartësuar i ka përzgjedhur për të ftuar njerëzit në rrugën e drejtë kanë qenë profetët dhe pasuesit e profetëve. Sigurisht, që Allahu i Lartësuar këta ftues në rrugën e drejtë i ka mbështetur gjithmonë me argumente dhe fakte të qarta, që tregojnë për vërtetësinë e Shpalljes, të cilën ata e përhapin ndër njerëz, dhe vërtetësinë e atyre vetë si përçues. Allahu i Lartësuar i ka pajisur me argumente të shumta, të cilat shërbejnë si mbështetje për udhëzimin e qartë, në të cilin ata ftojnë njerëzit.

8

ٱللَّهُ يَعْلَمُ مَا تَحْمِلُ كُلُّ أُنثَىٰ وَمَا تَغِيضُ ٱلْأَرْحَامُ وَمَا تَزْدَادُ ۖ وَكُلُّ شَىْءٍ عِندَهُۥ بِمِقْدَارٍ

Perëndia di se ç’mban (në barkun e saj) çdo femër, dhe di se sa shkurtohet dhe sa zgjatet (koha e lindjes). Dhe, çdo gjë tek Ai është me masë.

Allahu e di çfarë bart çdo femër dhe çfarë pakësojnë e çfarë shtojnë barqet e tyre. -Dituria e Allahut të Lartësuar është gjithëpërfshirëse, mbikëqyrja e Tij mbi krijesat është e plotë dhe Ai e ka nënshtruar gjithçka me pushtetin e Tij. Ai thotë: “Allahu e di çfarë bart çdo femër…", domethënë, çdo femër e njerëzve apo e krijesave të tjera. Gjithashtu, Ai është i gjithëditur për “...çfarë pakësojnë e çfarë shtojnë barqet e tyre." Pra, Ai e di se cili fryt prishet dhe nuk do të dalë në dritë dhe Ai e di mirë çfarë zhvillohet brenda barkut të krijesave, çfarë shtohet e çfarë pakësohet brenda tyre.Tek Ai çdo gjë është me masë të caktuar. -Askush dhe asgjë nuk mund ta kalojë masën apo kohën që Zoti ia ka përcaktuar. Allahu i Madhëruar ka përcaktuar çdo gjë me urtësinë dhe diturinë e Tij absolute.

9

عَٰلِمُ ٱلْغَيْبِ وَٱلشَّهَٰدَةِ ٱلْكَبِيرُ ٱلْمُتَعَالِ

Ai di gjërat e dukshme dhe të padukshme. Ai është i Madhërueshëm dhe i Lartë.

Ai e di të padukshmen dhe të dukshmen. Ai është i Madhi dhe i Lartësuari. -Allahu është i Madhi në Qenien e Tij, por edhe në emrat dhe cilësitë e Tij. Gjithashtu, Ai është i Lartësuari mbi të gjitha krijesat e Tij. Allahu është i Lartësuar në Qenien e Tij, në atributet e Tij dhe në pushtetin e Tij absolut për të nënshtruar gjithçka. I Madhëruari e përshkruan Veten e Tij duke thënë:

10

سَوَآءٌۭ مِّنكُم مَّنْ أَسَرَّ ٱلْقَوْلَ وَمَن جَهَرَ بِهِۦ وَمَنْ هُوَ مُسْتَخْفٍۭ بِٱلَّيْلِ وَسَارِبٌۢ بِٱلنَّهَارِ

Tek Ai, ju jeni të barabartë: qoftë se flisni në vete apo flisni me zë të lartë, si dhe ai që fshihet natën apo ai që ecë ditën.

Për Atë është njëlloj nëse dikush e fsheh fjalën, apo e shpreh atë haptazi, nëse vepron fshehtas natën, apo vepron haptazi ditën. -Përballë diturisë, dëgjimit dhe shikimit të Zotit janë njëlloj të gjithë: si ata që e shfaqin fjalën dhe ata që e fshehin atë, si ata që veprojnë gjatë natës, edhe ata që fshihen gjatë ditës në shtëpi, shpellë e kudo qofshin.

Commentary: Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di. Qur'an text and translation via AlQuran Cloud.