Muslim99Muslim99
← Tafsir library

12. Yusuf

Joseph · Meccan · 111 ayahs

سُورَةُ يُوسُفَ

Reading Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di

Ayahs 91–100 of 111

91

قَالُوا۟ تَٱللَّهِ لَقَدْ ءَاثَرَكَ ٱللَّهُ عَلَيْنَا وَإِن كُنَّا لَخَٰطِـِٔينَ

Ata thanë: “Pasha Perëndinë, me të vërtetë, Perëndia të ka lartësuar ty mbi ne, e na, me të vërtetë, kemi qenë të gabueshëm.

Ata thanë: Për Allah! Vërtet, Allahu të ka dalluar ty mbi ne. -Allahu i Lartësuar të dalloi mbi ne me virtytet më të larta. Ne jemi treguar shumë të padrejtë dhe të këqij me ty. Ne deshëm të të largonim nga babai dhe të kemi sjellë shumë vuajtje. Megjithatë, Allahu i Lartësuar të zgjodhi ty mbi ne dhe të dhuroi gjithçka që ti e dëshiroje.Ne kemi qenë, vërtet gjunahqarë. -Sigurisht, ky qe një pranim i gabimit nga ana e tyre, me një ndjenjë të thellë pendese dhe keqardhjeje. Ndërsa Jusufi (a.s) iu drejtua duke u shprehur paqen, bamirësinë, bujarinë dhe faljen e Tij:

92

قَالَ لَا تَثْرِيبَ عَلَيْكُمُ ٱلْيَوْمَ ۖ يَغْفِرُ ٱللَّهُ لَكُمْ ۖ وَهُوَ أَرْحَمُ ٱلرَّٰحِمِينَ

(Jusufi) u tha: “Sot, s’ka qortim për ju; Perëndia do t’ju falë. Ai është më i mëshirshmi i mëshiruesve!

Ai tha: “Sot nuk ka qortim për ju.” -Unë nuk do t’ju qortoj dhe nuk do të hakmerrem ndaj jush.Allahu ju faltë! Ai është më Mëshiruesi i mëshiruesve. -Jusufi ua fali dhe e harroi tërësisht padrejtësinë që ata i kishin bërë, duke u premtuar që kurrë nuk do t’ua përmendte më të shkuarën e hidhur. Pastaj ai u lut për ta, që Allahu i Lartësuar t’i falte dhe mëshironte. Sigurisht, kjo është grada më e lartë e ihsan-it - ose bamirësisë, - e cila mund të realizohet veçse nga më të zgjedhurit e krijesave, madje nga më të zgjedhurit e të zgjedhurve të Allahut të Lartësuar.

93

ٱذْهَبُوا۟ بِقَمِيصِى هَٰذَا فَأَلْقُوهُ عَلَىٰ وَجْهِ أَبِى يَأْتِ بَصِيرًۭا وَأْتُونِى بِأَهْلِكُمْ أَجْمَعِينَ

Shkoni me këtë këmishë time dhe vënie në fytyrën e babës tim e ai do të shohë, dhe m’i sillni tërë familjet tuaja!

Jusufi iu tha vëllezërve të tij:Shkoni me këmishën time dhe hidhjani babait tim në fytyrë dhe atij do t’i kthehet shikimi. -Çdo sëmundje mjekohet me të kundërtën e saj. Ajo këmishë kishte aromën e Jusufit, aromë e cila i kishte munguar aq shumë zemrës së babait të përmalluar. Ky qe shkaku që do të sillte atë ndikim të mrekullueshëm në zemrën e Jakubit. Ishte vullneti i Allahut të Lartësuar që ia mundësoi Jakubit të nuhaste atë aromë të dashur për shpirtin e tij, dhe kështu t’i kthehej buzëqeshja, jeta, frymëmarrja e thellë dhe shikimi. Sigurisht që Allahu i Lartësuar kishte fshehur në këtë çështje mësime dhe urtësi të shumta, të cilat robërit shpesh nuk mund t’i shikojnë dhe zbulojnë. Por, kur dëshiron, Ai ua mëson atyre këto fshehtësi, sikurse bëri me Jusufin.Pastaj ejani(këtu)me të gjithë familjen! -Ejani tek unë të gjithë dhe të bashkohemi si familje. Në këtë mënyrë, ju nuk do të vuani më nga skamja.

94

وَلَمَّا فَصَلَتِ ٱلْعِيرُ قَالَ أَبُوهُمْ إِنِّى لَأَجِدُ رِيحَ يُوسُفَ ۖ لَوْلَآ أَن تُفَنِّدُونِ

E, kur karavani u largua nga toka (e Egjiptit), babai i tyre tha: “Unë, me të vërtetë, po ndjejë erën e Jusufit, sikur ju të mos më quanit matuf”.

Kur karvani u largua(nga Egjipti), babai i tyre tha: “Unë po ndiej erën e Jusufit, ndonëse ju mund të më quani të lënë.” - Kur karvani u largua nga Egjipti dhe po i afrohej Palestinës, që prej së largu, Jakubi (a.s) ndjeu erën e tij të dashur, e cila aq shumë i kishte munguar. Ai tha: “Unë po ndiej erën e Jusufit, ndonëse ju mund të më quani të lënë. Sikur të mos talleshit me mua, unë do të thoja se tashmë po e ndiej erën e Jusufit.” Me sa duket, Jakubi (a.s) e pa se ata po çuditeshin me fjalët që ai po thoshte. Ata thanë:

95

قَالُوا۟ تَٱللَّهِ إِنَّكَ لَفِى ضَلَٰلِكَ ٱلْقَدِيمِ

Ata thanë: “Pasha Perëndinë, me të vërtetë, ti edhe tani qëndron në gabimin e mëparshëm”.

Ata(njerëzit përreth tij)thanë: “Për Allah! Ti po vazhdon me përhumbjen tënde të hershme.” -Ti vazhdon të jesh i përhumbur nga dhimbja dhe dashuria e fortë për Jusufin dhe nuk di se çfarë flet.

96

فَلَمَّآ أَن جَآءَ ٱلْبَشِيرُ أَلْقَىٰهُ عَلَىٰ وَجْهِهِۦ فَٱرْتَدَّ بَصِيرًۭا ۖ قَالَ أَلَمْ أَقُل لَّكُمْ إِنِّىٓ أَعْلَمُ مِنَ ٱللَّهِ مَا لَا تَعْلَمُونَ

E, kur erdhi sihariquesi, ia vuri këmishën në fytyrën e tij (Jakubit), e atij iu kthye të pamurit. (Atëherë), tha (Jakubi): “A nuk ju kam thënë, se unë di nga Perëndia atë që nuk e dini ju”.

Kur erdhi lajmëtari i sihariqit, ia hodhi atë(këmishën e Jusufit)mbi fytyrë, dhe atij iu kthye shikimi. -Nuk zgjati shumë dhe erdhi përgëzuesi, i cili i tregoi se së shpejti do të takohej me Jusufin dhe vëllezërit e tij. Ai e hodhi këmishën në fytyrën e Jakubit (a.s), të cilit në atë çast iu kthye shikimi. Pasi shikimi i ishte shuar nga dhimbja dhe malli për Jusufin (a.s), tashmë babai po shihte qartë, pas takimit me të birin e dashur. Në këto momente Jakubi (a.s), i kënaqur me mirësitë e shumta të Allahut të Lartësuar mbi të, u drejtohet pjesëtarëve të tjerë të familjes, të cilët më parë e qortonin dhe çuditeshin me fjalët e tij:Ai tha: “A nuk ju thashë se unë di prej Allahut atë që ju nuk e dini?” -Kuptimi: Unë di për Allahun e Lartësuar gjëra që ju nuk i dini. Ai më ka begatuar me dituri të madhe, prandaj unë shpresoja gjithmonë për ritakimin me Jusufin dhe se dhimbja e ndarjes do të largohej një ditë.

97

قَالُوا۟ يَٰٓأَبَانَا ٱسْتَغْفِرْ لَنَا ذُنُوبَنَآ إِنَّا كُنَّا خَٰطِـِٔينَ

Ata thanë: “O babai ynë, kërko falje për ne (nga Perëndia) për gabimet tona; ne, me të vërtetë, kemi qenë të gabueshëm”.

Ata thanë: “O babai ynë! Lutu për ne, që të na falen gjynahet tona, se ne kemi qenë, vërtet fajtorë!” -Ata e pranuan gabimin e tyre kundrejt babait dhe i kërkuan atij që dhe ai të kërkonte falje për ta tek Allahu i Lartësuar. Duke nxituar t’i përgjigjej pozitivisht kërkesës së tyre dhe t’i kënaqte zemrat e tyre, Jakubi tha:

98

قَالَ سَوْفَ أَسْتَغْفِرُ لَكُمْ رَبِّىٓ ۖ إِنَّهُۥ هُوَ ٱلْغَفُورُ ٱلرَّحِيمُ

Ai u përgjegj: “Do ta lus Zotin tim që t’ju falë. Me të vërtetë, Ai është falës dhe mëshirues”.

Ai tha “Së shpejti do t’i kërkoj falje Zotit tim për ju.”. Ai është, vërtet Falës i madh dhe Mëshirëplotë.” -Unë shpresoj shumë tek Allahu i Lartësuar që Ai t’ju falë, t’jua mbulojë gabimet tuaja dhe t’ju përfshijë të gjithëve me mëshirën e Tij të paanë. Thuhet që ai e shtyu kërkimin e faljes për ta pikërisht në pjesën e tretë të natës, e cila është një kohë vërtet e mirë për pranimin e lutjes. Kështu lutja do të ishte më e plotë dhe sa më pranë përgjigjes nga Allahu i Lartësuar.

99

فَلَمَّا دَخَلُوا۟ عَلَىٰ يُوسُفَ ءَاوَىٰٓ إِلَيْهِ أَبَوَيْهِ وَقَالَ ٱدْخُلُوا۟ مِصْرَ إِن شَآءَ ٱللَّهُ ءَامِنِينَ

Dhe kur ata hyn te Jusufi, i afroi pranë vedit prindërit e vet dhe tha: “Hyni në qytetin e Egjiptit! Me lejen e Perëndisë, ju do të jeni të sigurtë prej çdo të keqe”.

Jakubi së bashku me fëmijët dhe familjet e tyre u përgatitën për t’u nisur drejt Jusufit në Egjipt dhe për t’u vendosur atje.Kur ata hynë te Jusufi, ai afroi pranë vetes të dy prindërit... -Jusufi i afroi të dy prindërit tek vetja, duke i veçuar nga të tjerët. Ky qe një respekt dhe nderim tepër i madh....dhe tha: “Me dëshirën e Allahut, hyni në Egjipt të sigurt!” -Jusufi iu drejtua të gjithë familjes së tij kur tha: “Me dëshirën e Allahut, hyni në Egjipt të sigurt”, pra, të sigurt nga çdo lloj rreziku. Dhe ata hynë në Egjipt të gëzuar, sepse shpëtuan nga varfëria dhe telashet. Tashmë ishin të gëzuar me mirësitë e Allahut të Lartësuar.

100

وَرَفَعَ أَبَوَيْهِ عَلَى ٱلْعَرْشِ وَخَرُّوا۟ لَهُۥ سُجَّدًۭا ۖ وَقَالَ يَٰٓأَبَتِ هَٰذَا تَأْوِيلُ رُءْيَٰىَ مِن قَبْلُ قَدْ جَعَلَهَا رَبِّى حَقًّۭا ۖ وَقَدْ أَحْسَنَ بِىٓ إِذْ أَخْرَجَنِى مِنَ ٱلسِّجْنِ وَجَآءَ بِكُم مِّنَ ٱلْبَدْوِ مِنۢ بَعْدِ أَن نَّزَغَ ٱلشَّيْطَٰنُ بَيْنِى وَبَيْنَ إِخْوَتِىٓ ۚ إِنَّ رَبِّى لَطِيفٌۭ لِّمَا يَشَآءُ ۚ إِنَّهُۥ هُوَ ٱلْعَلِيمُ ٱلْحَكِيمُ

Dhe ai i ngriti prindërit e vet në fron (në një vend më të lartë), dhe ata të gjithë (prindërit dhe vëllezërit) iu përulën atij. (Jusufi) tha: “O baba im, ky është komentimi i ëndrrës sime të dikurshme. Zoti im e plotësoi atë. Dhe mua më bëri mirësi, kur më nxori nga burgu, e juve u solli nga shkretëtira, pasi djalli pat futur ngatërresa në mes meje dhe vëllezërve të mi. Me të vërtetë, Zoti im u bën lehtësi kujt të dojë. Me të vërtetë, Ai është i Plotëdijshëm dhe i Gjithëdijshëm!

Dhe ai i uli të dy prindërit lart në fron... -Domethënë, te froni i Mbretit dhe tek dhoma e Ministrit....dhe ata u përulën para tij. Ai tha: “O baba! Kjo është përmbushja e ëndrrës sime të dikurshme, të cilën Zoti im tashmë e bëri realitet.” -Kur dy prindërit dhe vëllezërit e tij, të gjithë ranë të përulur, duke shfaqur vlerësimin e madh për të, Jusufi tha: “O baba! Kjo është përmbushja e ëndrrës sime të dikurshme, të cilën Zoti im tashmë e bëri realitet.” Para shumë vitesh, në vogëli, Jusufi kishte parë në ëndërr 11 yje, diellin dhe hënën t’i binin në sexhde, dhe tashmë ajo ëndërr ishte realizuar. Allahu e bëri një ëndërr të vërtetë dhe jo një ëndërr të kotë apo diçka prej shejtanit të mallkuar.Ai më dhuroi mirësi kur më nxori prej burgut... -Allahu u tregua shumë Bujar me mua. Këto fjalë dëshmojnë jo vetëm për mirënjohjen e thellë ndaj Allahut të Madhëruar, po edhe për butësinë dhe dhembshurinë e Jusufit për vëllezërit. Gjithashtu, këtu shihet edhe edukata e tij e lartë në të shprehur. Jusufi përmendi vetëm sprovën e burgut dhe nuk i kujtoi telashet që kaloi në pus. Jo vetëm që nuk ua kujtoi atyre këtë gabim, por u tha se ardhjen e tyre e shihte si një bamirësi të madhe të Allahut të Lartësuar kundrejt tij....dhe ju solli ju të gjithëve këtu nga shkretëtira... -Plot kujdes dhe butësi, nuk tha: “ju solli këtu nga uria dhe varfëria". Kështu, Jusufi nuk e rëndoi shpirtin dhe krenarinë e tyre duke u përmendur rrethanat dhe vendin ku jetonin. Përkundrazi, ai tha se kjo ishte një bamirësi personale ndaj tij. Pastaj, me kujdes tha:...edhe pasi shejtani pati futur përçarje ndërmjet meje dhe vëllezërve të mi. -Siç shihet, Jusufi nuk tha: "pasi shejtani i nxiti vëllezërit e mi”, porse tha: "... pasi shejtani pati futur përçarje ndërmjet meje dhe vëllezërve të mi.". Pra, a thua se gjynahu, padituria dhe mangësia, erdhën nga të dyja palët! Me këto fjalë të zgjedhura ai nuk e kufizoi fajin veçse te vëllezërit e tij. Ky qe vërtet tregues i një edukate të lartë për këtë profet të madh. Jusufi e kanalizoi bisedën në kuptimin që: "Falënderimi i takon Allahut të Lartësuar që e poshtëroi shejtanin e mallkuar dhe na bashkoi, pas asaj ndarjeje të dhimbshme dhe të vështirë". Është e vërtetë se Allahu e afron bamirësinë dhe bujarinë e Tij drejt robit, përmes rrugësh që robi as nuk i ndien. Kur dëshiron të ngrejë dikë në grada të larta, shpeshherë Ai e bën këtë me mënyra që njeriu s’i pëlqen dhe e ka të vështirë t’i përballojë.Zoti im është i butë dhe i mëshirshëm me atë që do. -I lartësuar dhe plot begati është Allahu i Madh. Ai është bujar me ata që i ka veçuar për t’i përfshirë me mëshirën e Tij. Allahu u kushton atyre përkujdesje, bujari e butësi të madhe.Ai është, vërtet i Gjithëdituri dhe i Urti. -Allahu është i Gjithëdituri, është Ai që i di hollësisht të gjitha çështjet, qofshin ato të hapura, qofshin ato të fshehta, që struken në zemrat e njerëzve. Allahu është i Urti, që vendos çdo gjë në vendin e vet. Allahu i realizon çështjet pikërisht në kohën kur Ai i ka përcaktuar, me urtësinë dhe diturinë e Tij të madhe.

Commentary: Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di. Qur'an text and translation via AlQuran Cloud.