Muslim99Muslim99
← Tafsir library

12. Yusuf

Joseph · Meccan · 111 ayahs

سُورَةُ يُوسُفَ

Reading Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di

Ayahs 71–80 of 111

71

قَالُوا۟ وَأَقْبَلُوا۟ عَلَيْهِم مَّاذَا تَفْقِدُونَ

Ata (vëllezërit e Jusufit) – u kthyen kah ata (e thanë): “Ç’ju ka humbur?”

Ata u kthyen dhe thanë: “Çfarë ju ka humbur?!” -Vëllezërit e Jusufit, për të larguar dyshimin rreth tyre, u kthyen përsëri, që t’i kontrollonin ngarkesat e tyre. Zakonisht, hajduti nuk ka synim tjetër pas vjedhjes, veçse të largohet me atë që ka vjedhur. Ndërsa, vëllezërit e Jusufit, të cilët ishin të pafajshëm, u kthyen sërish, për të vërtetuar që ata nuk kishin vjedhur, porse që kishin ardhur thjesht për të marrë atë masë ushqimi që kërkonin të gjithë njerëzit e ndershëm dhe nevojtarë. Prandaj ata thanë: “Çfarë ju ka humbur?!” dhe nuk thanë: “Çfarë kemi vjedhur?”. Këto fjalë i thanë me sinqeritet të plotë dhe natyrshëm. Ata ishin të bindur se ishin të pastër dhe të pafajshëm për atë krim.

72

قَالُوا۟ نَفْقِدُ صُوَاعَ ٱلْمَلِكِ وَلِمَن جَآءَ بِهِۦ حِمْلُ بَعِيرٍۢ وَأَنَا۠ بِهِۦ زَعِيمٌۭ

Thanë: “Po kërkojmë gotën e mbretit. Kush e sjell atë, ka shpërblim një barrë deveje ushqim. Unë për këtë garantoj”.

Ata i thanë: “Na ka humbur gota e mbretit. Kush e gjen atë, fiton një ngarkesë deveje me ushqime. Ju garantojmë për këtë.” -Kush e gjente enën e Mbretit do të kishte si shpërblim edhe një masë tjetër deveje, dhe kjo ishte e garantuar. Këto fjalë sigurisht i thoshte zëdhënësi ose lajmëtari, pra, ai që u tha për humbjen e enës.

73

قَالُوا۟ تَٱللَّهِ لَقَدْ عَلِمْتُم مَّا جِئْنَا لِنُفْسِدَ فِى ٱلْأَرْضِ وَمَا كُنَّا سَٰرِقِينَ

Thanë (vëllezërit e Jusufit): “Pasha Perëndinë, ju e dini se na nuk kemi ardhur të bëjmë turbullira në tokë, dhe na nuk jemi vjedhësa”.

Ata thanë: “Betohemi në Allahun, - dhe ju e dini mirë, - se ne nuk kemi ardhur për të bërë turbullira në tokë dhe nuk jemi vjedhës.” -Ne nuk kemi ardhur që të bëjmë poshtërsira dhe padrejtësi në këtë vend. Ne jemi të bindur se vjedhja është nga llojet më të shëmtuara të padrejtësive dhe të shkatërrimit të rendit në tokë. Ata u betuan për pafajësinë e tyre, sepse ishin të bindur se nuk e kishin bërë këtë krim. Sigurisht, ata e njihnin shumë mirë njëri-tjetrin dhe ishin të bindur që askush prej tyre nuk do ta bënte një gjë të tillë. Ata ishin njerëz të kujdesshëm dhe të ruajtur nga të tilla gjynahe. Vërej me kujdes! Ata nuk thanë: “nuk kemi vjedhur”, porse thanë: “...nuk jemi vjedhës”, që tregonte se ata nuk kishin vjedhur kurrë dhe nuk e kishin këtë cilësi. Kjo thënie ishte më e fortë për të larguar akuzën dhe dyshimin, sesa po të thoshin thjesht: “nuk kemi vjedhur.”.

74

قَالُوا۟ فَمَا جَزَٰٓؤُهُۥٓ إِن كُنتُمْ كَٰذِبِينَ

Ata pyetën: “E çfarë është dënimi, nëse ju gënjeni?”

Ata thanë: “Po nëse(provohet se) gënjeni, atëherë, cili është dënimi?” –Kuptimi: Si e mendoni dënimin për këtë vepër të shëmtuar, nëse sendi i vjedhur gjendet tek ju? Ata u përgjigjën duke thënë:

75

قَالُوا۟ جَزَٰٓؤُهُۥ مَن وُجِدَ فِى رَحْلِهِۦ فَهُوَ جَزَٰٓؤُهُۥ ۚ كَذَٰلِكَ نَجْزِى ٱلظَّٰلِمِينَ

(Bijtë e Jakubit) thanë: “Dënimi për atë, në barrën e të cilit gjendet gota është vetë ai person (bëhet skllav i të vjedhurit një vit). Kështu i dënojmë ne zullumqarët”.

Dënimi është që, ai të cilit i gjendet gota tek ngarkesa e vet, të robërohet. -Le të robërohet ai tek i cili do të gjendet sendi i vjedhur. Me sa duket, ata e kishin ligj që, nëse vërtetohej se dikush kishte vjedhur, atëherë ai kthehej në pronë të personit të vjedhur, prandaj thanë:Kështu i dënojmë ne të padrejtët! -Kështu i ndëshkojmë kriminelët e keqbërësit që cënojnë hakun e të tjerëve.

76

فَبَدَأَ بِأَوْعِيَتِهِمْ قَبْلَ وِعَآءِ أَخِيهِ ثُمَّ ٱسْتَخْرَجَهَا مِن وِعَآءِ أَخِيهِ ۚ كَذَٰلِكَ كِدْنَا لِيُوسُفَ ۖ مَا كَانَ لِيَأْخُذَ أَخَاهُ فِى دِينِ ٱلْمَلِكِ إِلَّآ أَن يَشَآءَ ٱللَّهُ ۚ نَرْفَعُ دَرَجَٰتٍۢ مَّن نَّشَآءُ ۗ وَفَوْقَ كُلِّ ذِى عِلْمٍ عَلِيمٌۭ

Dhe ai (thërritësi), nisi të kontrollojë barrët e tyre para barrës së vëllait të Jusufit, e pastaj nxori gotën nga barra e vëllait të atij. Na, e mësuam Jusufin kështu, që ta bëjë këtë mashtrim. Ai, sipas ligjit të mbretit nuk mund ta merrte (për skllav) vëllain e vet, përveç se me lejën e Perëndisë. Ne e ngrisim lart atë që duam Ne, e mbi çdo të ditur ka edhe më të ditur.

Atëherë, ai filloi të kontrollonte ngarkesat e tyre, përpara ngarkesës së vëllait të vet. -Jusufi (a.s.) e filloi kontrollin me ngarkesat e tyre, para se të kontrollonte barrën e Benjaminit, që të mos ngjallte dyshime tek ata se ndoshta e kishte bërë me qëllim.Më në fund ai e nxori atë(gotën)nga ngarkesa e të vëllait. - Pasi kontrolloi tek kafshët e tyre dhe nuk gjeti gjë, ai e nxori atë nga deveja e të vëllait.Kështu, e mësuam Ne Jusufin të bënte këtë plan. -Kështu, Jusufi (a.s) bëri të mundur që ta mbante Benjaminin, pa u kuptuar nga vëllezërit e tjerë. Allahu i Lartësuar thotë: “Kështu, e mësuam Ne Jusufin të bënte këtë plan.” Dhe ky ishte një plan shumë i mirë.Sipas ligjit të Mbretit, atij nuk i takonte ta mbante vëllanë e vet, veç nëse do të ishte dëshira e Allahut. - Sipas ligjit të Mbretit, Jusufit nuk i takonte që ta robëronte atë që akuzohej për vjedhje, sepse ata kishin tjetër ndëshkim për vjedhjen. Nëse Beniamini do të gjykohej sipas ligjit të Mbretit, Jusufi nuk do të mund ta mbante vëllain e tij pranë vetes. Për këtë arsye, ai ua la në dorë gjykimin vëllezërve të tij, në mënyrë që të realizohej plani i përgatitur. Allahu i Lartësuar thotë:Por, mbi çdo të dijtur, ka të tjerë edhe më të ditur. - Mbi çdo të ditur ka një tjetër, që është më i ditur se ai, derisa të mbërrijnë tek Allahu, që është i Gjithëdituri rreth të fshehtave dhe të dukshmes. Asnjë nuk është më i ditur se Allahu i Lartësuar dhe as që mund t’i afrohet diturisë së Tij. Madje, krijesat dinë veçse atë që Allahu u ka mësuar dhe u ka mundësuar të dinë.Ne e lartësojmë në dituri atë që duam. -Allahu i Madhëruar e dallon atë që Ai dëshiron, me dituri të dobishme dhe njohuri rreth rrugëve që të çojnë drejt suksesit. Kështu Allahu i Madhëruar e ngriti lart gradën e Jusufit (a.s).

77

۞ قَالُوٓا۟ إِن يَسْرِقْ فَقَدْ سَرَقَ أَخٌۭ لَّهُۥ مِن قَبْلُ ۚ فَأَسَرَّهَا يُوسُفُ فِى نَفْسِهِۦ وَلَمْ يُبْدِهَا لَهُمْ ۚ قَالَ أَنتُمْ شَرٌّۭ مَّكَانًۭا ۖ وَٱللَّهُ أَعْلَمُ بِمَا تَصِفُونَ

(Bijtë e Jakubit) thanë: “Nëse ka vjedhë, po edhe më parë vjedhi vëllai i tij! E, Jusufi – heshti për këtë dhe nuk shpalli gjë, por mendoi në vetvete: “Ju jeni në pozitë më të keqe (sepse e keni vjedhë vëllaun)! E, Perëndia është më i dijshëm për ato që i përshkruani ju”.

Ata(bijtë e Jakubit)thanë: “Në pastë vjedhur ky, atëherë ka vjedhur më parë edhe një vëlla i tij.” -Kur vëllezërit e Jusufit panë atë që panë, thanë: "Nëse ky ka vjedhur, atëherë kjo nuk është dhe aq çudi.” Ata kishin për qëllim Jusufin, duke dashur të pastronin figurën e tyre. Ata donin të tregonin se Benjamini dhe vëllai i tij, Jusufi, mund të vidhnin. Sipas tyre, meqë ata i kishin vëllezër vetëm nga nëna, atëherë nuk ishin njëlloj, prandaj edhe mund të bënin diçka të tillë si vjedhja. Sigurisht, këto ishin fjalë tepër të rënda, por megjithatë Jusufi e përmbajti veten. Allahu i Lartësuar thotë:Por, Jusufi i mbajti të fshehtë në vete dhe nuk ua tregoi atyre këto fjalë: “Ju jeni në pozitë shumë më të keqe”... -Jusufi - nuk iu kthye atyre me fjalë të rënda dhe ndëshkuese, por e mbajti zemërimin. Duke u treguar i përmbajtur dhe i duruar, ai vazhdoi me planin e tij të mirëmenduar. Ndërsa në vetvete tha: “Ju jeni në pozitë shumë më të keqe. Duke na akuzuar për diçka që nuk e kemi, ju tregoni se jeni në një pozitë shumë më të keqe. Ju na akuzoni për diçka të paqenë, ndërkohë që vetë keni kryer diçka që është shumë më e rëndë dhe më e dënueshme sesa kjo që po na akuzoni.”dhe Allahu e di më së miri atë që ju po thoni. - Kuptimi: Allahu është më i ditur për atë që ju shpifni rreth nesh. Allahu i Lartësuar e di shumë mirë që ne jemi të pastër nga kjo akuzë dhe cilësi e ulët. Pastaj ata filluan që t’i përgjëroheshin Jusufit që ta falte dhe ta çlironte vëllain e tyre, Benjaminin:

78

قَالُوا۟ يَٰٓأَيُّهَا ٱلْعَزِيزُ إِنَّ لَهُۥٓ أَبًۭا شَيْخًۭا كَبِيرًۭا فَخُذْ أَحَدَنَا مَكَانَهُۥٓ ۖ إِنَّا نَرَىٰكَ مِنَ ٱلْمُحْسِنِينَ

(Bijtë e Jakubit) thanë: “O ministër, ai e ka babën shumë plak, andaj merre ndonjërin prej nesh në vend të tij! Na po shohim se ti je bamirës”.

Ata(bijtë e Jakubit) thanë: “O zotëri! Ai ka një baba të shtyrë në moshë, ndaj, në vend të tij, merr njërin prej nesh!” -Do të jetë shumë e rëndë për babain tonë që të mos ia kthejmë të birin.Ne po shohim se qenke, vërtet bamirës i madh! -Tregohu bamirës me ne dhe me babain tonë, duke e pranuar këtë propozim. Jusufi tha:

79

قَالَ مَعَاذَ ٱللَّهِ أَن نَّأْخُذَ إِلَّا مَن وَجَدْنَا مَتَٰعَنَا عِندَهُۥٓ إِنَّآ إِذًۭا لَّظَٰلِمُونَ

(Ministri) tha: “Perëndia na ruajtë, - ta marrim na atë tjetrin në vend të atij te i cili e kemi gjetur sendin tonë! Atëherë, na, me të vërtetë, do të ishim të padrejtë!”

Ai(Jusufi)tha: “Allahu na ruajtë! E si të marrim dikë tjetër dhe jo atë tek i cili u gjet sendi ynë?!” -Është padrejtësi e madhe që të dënosh një të pafajshëm, në vend të fajtorit të vërtetë. Vëreni me kujdes! Ai nuk tha: “atë që vodhi sendin tonë”, porse: “jo atë tek i cili u gjet sendi ynë”. Kjo tregon kujdesin e madh të Jusufit edhe në të shprehur. Ai ishte i kujdesshëm në çdo fjalë, që të mos gënjente, porse të thoshte gjithmonë të vërtetën.Ne atëherë do të bënim padrejtësi. -Në këtë mënyrë do të ndëshkonim dikë që nuk e meriton.

80

فَلَمَّا ٱسْتَيْـَٔسُوا۟ مِنْهُ خَلَصُوا۟ نَجِيًّۭا ۖ قَالَ كَبِيرُهُمْ أَلَمْ تَعْلَمُوٓا۟ أَنَّ أَبَاكُمْ قَدْ أَخَذَ عَلَيْكُم مَّوْثِقًۭا مِّنَ ٱللَّهِ وَمِن قَبْلُ مَا فَرَّطتُمْ فِى يُوسُفَ ۖ فَلَنْ أَبْرَحَ ٱلْأَرْضَ حَتَّىٰ يَأْذَنَ لِىٓ أَبِىٓ أَوْ يَحْكُمَ ٱللَّهُ لِى ۖ وَهُوَ خَيْرُ ٱلْحَٰكِمِينَ

Meqë e humbën shpresën në të (Jusufin), u shpërndanë dhe bisedonin fshehurazi. Më i madhi nga ata, tha: “A nuk e dini që baba juaj, ka marrë prej jush betimin në Perëndinë, e madje, edhe më parë keni bërë krim ndaj Jusufit. Nuk do të ndahem prej kësaj toke, derisa të mos më lejojë babai im ose të mos më gjykojë Perëndia, e Ai është gjykatësi më i mirë.

Kur e humbën shpresën(se mund të bënin gjë), u veçuan për t’u këshilluar me njëri-tjetrin. -Kur e humbën shpresën se Jusufi do t’ua jepte me vete vëllain e tyre, u veçuan për t’u konsultuar. U mblodhën së bashku veç ata dhe askush tjetër. Kështu, ata nisën të diskutonin:Më i madhi i tyre tha: “A mos e harruat që babai ka marrë prej jush betimin në Allah?!” -Kuptimi: Babai ju mori premtimin që ta ruanit Beniaminin dhe t'ia sillnit atë shëndoshë e mirë, vetëm nëse kjo gjë do të dilte tërësisht jashtë mundësive tuaja.Ju e keni shkelur edhe një herë tjetër besën, kur ishte fjala për Jusufin.” -Tashmë mbi ju rëndojnë dy çështje: Së pari, gabimi që keni bërë ndaj Jusufit në të shkuarën dhe, së dyti, mosplotësimi i porosisë së babait në lidhje me Beniaminin. Unë - tha vëllai më i madh - tashmë nuk kam fytyrë që të dal përpara babait tim.Unë nuk largohem prej këtij vendi, derisa të më lejojë im atë ose të gjykojë Allahu për mua. -Unë do të qëndroj këtu dhe nuk kam për t’u larguar derisa të më japë leje babai dhe të gjykojë Allahu për mua, ose, me fjalë të tjera, derisa të bëhet e mundur që unë të vij vetë ose të vij së bashku me vëllain tim.Ai është Gjykatësi më i drejtë. -Allahu i Madhëruar është Gjykuesi më i mirë. Pastaj ai nisi të këshillonte vëllezërit e tij për mënyrën se si t’ia thoshin babait atë që ndodhi:

Commentary: Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di. Qur'an text and translation via AlQuran Cloud.