Muslim99Muslim99
← Tafsir library

12. Yusuf

Joseph · Meccan · 111 ayahs

سُورَةُ يُوسُفَ

Reading Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di

Ayahs 41–50 of 111

41

يَٰصَىٰحِبَىِ ٱلسِّجْنِ أَمَّآ أَحَدُكُمَا فَيَسْقِى رَبَّهُۥ خَمْرًۭا ۖ وَأَمَّا ٱلْءَاخَرُ فَيُصْلَبُ فَتَأْكُلُ ٱلطَّيْرُ مِن رَّأْسِهِۦ ۚ قُضِىَ ٱلْأَمْرُ ٱلَّذِى فِيهِ تَسْتَفْتِيَانِ

O shokët e mi të burgut! Njëri prej ju dyve do ta qerasë me verë pronarin (zotriun) e vet, e sa i përket tjetrit, ai do të varet, e shpendët do të hanë prej kokës së tij. Kështu është caktuar kjo gjë, për të cilën pyetët ju!”

O dy shokët e mi të burgut! Njëri prej jush do t’i shërbejë verë zotërisë të vet, kurse tjetri do të kryqëzohet dhe shpendët do t’i hanë kokën. -Sipas shpjegimit, ai i cili pa në ëndërr se po shtrydhte lëng frutash, do të dilte nga burgu dhe do t’i shërbente pije zotërisë së tij sërish, ashtu si më parë. Për sa i përket tjetrit, që kishte parë në ëndërr se po mbante mbi kokë bukë, të cilën po e hanin zogjtë, ai do të ekzekutohej. Pas ekzekutimit, ai nuk do të varrosej, por do të kryqëzohej në një vend të hapur, ku zogjtë do t’i çukisnin pastaj kokën. Ky shpjegim do të bëhej realitet pikërisht ashtu siç u tha, dhe kjo nuk kishte dyshim:Kështu është përcaktuar çështja, për të cilën kërkuat shpjegim. -Ky është interpretimi i ëndrrave tuaja. Kjo është një çështje tashmë e përcaktuar dhe e pandryshueshme.

42

وَقَالَ لِلَّذِى ظَنَّ أَنَّهُۥ نَاجٍۢ مِّنْهُمَا ٱذْكُرْنِى عِندَ رَبِّكَ فَأَنسَىٰهُ ٱلشَّيْطَٰنُ ذِكْرَ رَبِّهِۦ فَلَبِثَ فِى ٱلسِّجْنِ بِضْعَ سِنِينَ

Dhe (Jusufi) i tha njërit prej këtyre dyve, për të ciln mendoi se do të jetë i shpëtuar: “Përmendëm mua te Zoti yt!” Por djalli bëri që ai (i shpëtuari) të harrojë ta përmend te Zoti i vet (Jusufin) dhe kështu Jusufi mbeti edhe disa vjet në burg.

Atij, për të cilin besonte se do të shpëtonte, i tha: “Më kujto mua te zotëria yt!”. -Jusufi iu drejtua të riut që, sipas ëndrrës, do të lirohej dhe do t’i shërbente zotërisë së tij, dhe i tha: “Më kujto mua te zotëria yt!”. Pra, hape çështjen time te zotëria yt, se mbase kështu ai vendos që të pastrojë figurën time para ligjit dhe të më lirojë nga burgu. Por Allahu i Madhëruar thotë:Por shejtani e bëri të harronte e të mos e kujtonte te zotëria i tij ... -Shejtani i mallkuar e bëri atë djalë që, kur të dilte, ta harronte Allahun dhe gjithçka që të afron tek Allahu. Ndër çështjet që harroi ishte edhe porosia e Jusufit, i cili e meritonte që të shpërblehej për bamirësinë që i kishte bërë në burg. Por, gjithsesi, çdo gjë ndodh me përcaktimin e Allahut të Lartësuar, i Cili do ta çonte deri në fund planin e Tij:Dhe kështu ai mbeti në burg edhe për disa vjet. - Shprehja: "bid'a sinin" do të thotë: nga tre deri në nëntë vjet. Për këtë arsye, thuhet se Jusufi ka qëndruar në burg shtatë vjet. Pastaj, kur Allahu i Lartësuar deshi ta nxirrte Jusufin nga burgu, caktoi një shkak për ta realizuar këtë vendim. Qëllimi ishte që ta ngrinte lart gradën dhe famën e Jusufit. Shkak u bë një ëndërr që pa Mbreti i atij vendi.

43

وَقَالَ ٱلْمَلِكُ إِنِّىٓ أَرَىٰ سَبْعَ بَقَرَٰتٍۢ سِمَانٍۢ يَأْكُلُهُنَّ سَبْعٌ عِجَافٌۭ وَسَبْعَ سُنۢبُلَٰتٍ خُضْرٍۢ وَأُخَرَ يَابِسَٰتٍۢ ۖ يَٰٓأَيُّهَا ٱلْمَلَأُ أَفْتُونِى فِى رُءْيَٰىَ إِن كُنتُمْ لِلرُّءْيَا تَعْبُرُونَ

(Dhe tha mbreti): “Kam parë (në ëndërr) se si shtatë lopë të majme i hanin ato shtatë të liga, dhe kam parë (në ëndërr) shtatë kallinj të gjelbër, shtatë të tjerë të tharë. O paria ime, më shpjegoni ëndërrën time, nëse dini komendimin e ëndërrave!”

Kur Allahu i Lartësuar deshi që ta nxirrte Jusufin nga burgu, bëri që Mbreti i atij vendi të shihte një ëndërr të çuditshme, shpjegimi i së cilës do të ishte mirësi për të gjithë popullin. I vetmi që do ta shpjegonte atë ëndërr ishte Jusufi (a.s), duke nxjerrë në pah diturinë dhe vlerën e lartë të tij. Kështu, ai do të nderohej në të dyja jetët. Që kjo gjë të realizohej plotësisht, Allahu i Lartësuar bëri që këtë ëndërr ta shikonte pikërisht Mbreti, që kontrollon të gjitha çështjet e popullit të tij. Kështu, Mbreti pa një ëndërr të çuditshme, e cila i trazoi shpirtin, prandaj ai mblodhi të gjithë dijetarët dhe njerëzit e mençur të vendit.Mbreti(i Egjiptit)tha: “Kam parë në ëndërr shtatë lopë të majme, që haheshin nga shtatë lopë të dobëta, si dhe shtatë kallinj të gjelbër e shtatë të tjerë të tharë.” -Ishte shumë e çuditshme që shtatë lopë të dobëta të hanë shtatë lopë të shëndosha dhe të forta. Gjithashtu pa dhe shtatë kallinj të gjelbër e të tjerë të tharë. Pastaj iu drejtua dijetarëve që i kishte mbledhur dhe u thotë:Ma shpjegoni, o ju pari, ëndrrën time, nëse dini t'i shpjegoni ëndrrat! -Ma shpjegoni këtë ëndërr, që duhet të ketë veç një kuptim, dhe të gjithë ju duhet ta dini këtë kuptim. Por ata thanë:

44

قَالُوٓا۟ أَضْغَٰثُ أَحْلَٰمٍۢ ۖ وَمَا نَحْنُ بِتَأْوِيلِ ٱلْأَحْلَٰمِ بِعَٰلِمِينَ

Ata thanë: “Këto janë ëndërra të ngatërruara, e nuk dimë t’i shpjegojmë ëndërrat (e tilla)”.

Ata thanë: “Janë ëndrra të përziera. Ne nuk dimë t'i shpjegojmë ëndrra të tilla”. -Domethënë: janë thjesht ëndrra pa rëndësi, që nuk kanë ndonjë shpjegim. Sigurisht, kjo erdhi nga padituria e tyre dhe ishte, në njëfarë mënyre, edhe justifikim. Pastaj thanë: “ne nuk dimë të komentojmë ëndrra të tilla”. Pra, ne mund të interpretojmë ëndrrat e vërteta, ndërsa për sa u përket “aĥlâmeve” - trazimeve të shejtanit ose ëndrrave të cilat vijnë nga vetvetja, - ne nuk i shpjegojmë dot ato. Kësisoj, ata bënë dy gjëra njëherësh: e para, treguan paditurinë e tyre dhe tjetra ishte këmbëngulja në përgjigjen e tyre të gabuar. Ata nuk gjykuan drejt kur thanë se ishin: “ëndrra të përziera” dhe nuk e pranuan sinqerisht që nuk dinin t’i shpjegonin. Ky qëndrim nuk u lejohet njerëzve fetarë, të ditur dhe të mençur. Ata thjesht duhet të thoshin: “Nuk e dimë”. E gjithë kjo parapërgatitje tregon për butësinë dhe përkujdesin e veçantë të Allahut të Lartësuar për Jusufin (a.s). Nëse që në fillim do të ishte Jusufi ai që do ta shpjegonte këtë ëndërr, ata injorantë që rrethonin Mbretin do të shtireshin si të ditur dhe do të thoshin: “Po, është e vërtetë. Ky është shpjegimi i saktë.”. Në këtë mënyrë, shpjegimi i ëndrrës nga Jusufi nuk do të kishte vlerësimin që meritonte. Prandaj, duke qenë se Mbreti fillimisht ua la atyre shpjegimin e ëndrrës dhe ata nuk patën dije dhe aftësi për ta shpjeguar, si edhe duke qenë se Mbreti ishte tepër i interesuar për të ditur të vërtetën, atëherë, në të tilla kushte Jusufi do të kishte një tjetër vlerësim dhe rëndësi. Kjo i përngjan disi mënyrës që përdori Allahu i Lartësuar për të nxjerrë në pah diturinë dhe vlerën e Ademit ndaj melekëve. Pasi i mësoi Ademit të gjitha emrat e gjërave, Allahu i Lartësuar u kërkoi melekëve që t’i tregonin ato. Por kur ata u treguan të paaftë ta bënin, atëherë doli në pah vlera e diturisë me të cilën ishte dalluar Ademi, që iu përgjigj kërkesës së shtruar nga Allahu i Lartësuar. Kjo është e ngjashme edhe me atë që do të ndodhë Ditën e Gjykimit. Atë ditë, të gjithë krijesat do të kërkojnë prej profetëve që të ndërmjetësojnë tek Allahu i Lartësuar për të nisur gjykimin. Pasi të shkojnë tek të gjithë profetët dhe ata, pa përjashtim, do të tregojnë pamundësinë e tyre për t’iu përgjigjur kësaj kërkese, përfundimisht do të shkojnë tek Muhamedi a.s. Ai do të bjerë në sexhde nën Fronin e Allahut të Lartësuar, i Cili do t’i përgjigjet kërkesës së tij. Në këtë mënyrë del në pah madhështia e këtij profeti të zgjedhur dhe të mrekullueshëm të Allahut të Lartësuar. Pasi të gjithë profetët distancohen nga kërkesa e krijesave për ndërmjetësim, Muhamedi (a.s)thotë: "Ene leha, ene leha” - “Unë jam për të, unë jam për të". Do të jetë ai që do të ndërmjetësojë për të gjitha krijesat dhe për fillimin e llogarisë atë ditë. Me këtë vepër, Profeti (a.s)do të arrijë gradën më të lartë që mund të arrijë ndonjë krijesë, gradë e cila quhet “El Meķâmu el Maĥmud”, pra, “Grada e lavdisë”. Këtë gradë Allahu i Lartësuar nuk ia ka dhënë asnjë krijese tjetër, përveç Muhamedit a.s. Për këtë gradë, atë do ta kenë zili gjithë, të parët dhe të fundmit. Subhanallah! I Lartësuar është Allahu! Sa i kujdesshëm, sa i dashur dhe i butë është me të …

45

وَقَالَ ٱلَّذِى نَجَا مِنْهُمَا وَٱدَّكَرَ بَعْدَ أُمَّةٍ أَنَا۠ أُنَبِّئُكُم بِتَأْوِيلِهِۦ فَأَرْسِلُونِ

Njeri nga ata dy që shpëtoi (nga burgu), iu kujtua pas një kohe e tha: “Unë do t’ju njoftoj për shpjegimin e kësja, vetëm më dërgoni mua!”

Por ai që ishte liruar prej atyre të dyve (që kishin qenë në burg) u kujtua pas një kohe dhe tha: “Do t’jua tregoj unë kuptimin e saj.” -Ky ishte njëri prej dy djemve të burgut, që sipas ëndrrës që kishte parë - do t’i jepte zotërisë së tij pije dhe do të lirohej. Ishte ai të cilin Jusufi e porositi që ta përkujtonte tek padroni. Kështu, atij iu kujtua Jusufi dhe porosia e tij. Ai e kuptoi se vetëm Jusufi mund ta shpjegonte këtë ëndërr, prandaj tha:Më lejoni të shkoj(te Jusufi)! - Pra, më dërgoni tek Jusufi, që t’i kërkoj ndihmë për këtë çështje. Kështu, ata e dërguan te Jusufi në burg. Kur u takuan, Jusufi nuk e qortoi për harresën e tij, por e dëgjoi kërkesën e tij me butësi dhe mirësjellje. Djali iu drejtua Jusufit me këto fjalë:

46

يُوسُفُ أَيُّهَا ٱلصِّدِّيقُ أَفْتِنَا فِى سَبْعِ بَقَرَٰتٍۢ سِمَانٍۢ يَأْكُلُهُنَّ سَبْعٌ عِجَافٌۭ وَسَبْعِ سُنۢبُلَٰتٍ خُضْرٍۢ وَأُخَرَ يَابِسَٰتٍۢ لَّعَلِّىٓ أَرْجِعُ إِلَى ٱلنَّاسِ لَعَلَّهُمْ يَعْلَمُونَ

(Kur ai shkoi te Jusufi, tha): “O Jusuf, o njeri i drejtë! Na shpjego (ëndërrën) për shtatë lopët e majme, që i hanin ato shtatë të liga dhe për shtatë kallinj të gjelbër e shtatë tjerë të tharë, - që të kthehem të njerëzit, e ta dijnë atë edhe ata”.

O Jusuf(-tha ai)! O njeri i sinqertë! – Ai e quajti “siddik”- i sinqertë dhe i vërtetë në fjalë dhe vepra.Si e shpjegon(ëndrën)që shtatë lopë të majme haheshin nga shtatë lopë të dobëta dhe shtatë kallinj të gjelbër e shtatë të tjerë të tharë? Ndoshta kur të kthehem te njerëzit, ata do të kuptojnë. -Kuptimi: Njerëzit mezi presin shpjegimin e kësaj ëndrre, sepse janë shumë të shqetësuar. Kështu, Jusufi i interpretoi shtatë lopët e shëndosha dhe shtatë kallinjtë e gjelbër si shtatë vite të mira, me prodhim të bollshëm dhe të begatshëm. Ndërsa shtatë lopët e dobëta dhe shtatë kallinjtë e thatë i interpretoi si shtatë vite thatësire dhe pa bereqet. Ata i punonin dhe i ujisnin tokat me lopë zakonisht. Ndërsa kallinjtë e drithit ishin ushqimi bazë. Kjo qe simbolika e lopëve dhe e drithërave. Duke qenë se lopët ishin të fuqishme dhe kallinjtë ishin të gjelbër, kjo tregonte se ato vite do të ishin plot begati. Ndërsa e kundërta e tyre kishte kuptim të kundërt me shpjegimin e parë. Jusufi nuk u përqendrua vetëm në shpjegimin e ëndrrës, por dha edhe këshilla se si duhet të vepronin. Ai i mësoi që gjatë shtatë viteve të para të begatshme, të përgatiteshin mirë për vitet e krizës:

47

قَالَ تَزْرَعُونَ سَبْعَ سِنِينَ دَأَبًۭا فَمَا حَصَدتُّمْ فَذَرُوهُ فِى سُنۢبُلِهِۦٓ إِلَّا قَلِيلًۭا مِّمَّا تَأْكُلُونَ

(Jusufi) tha: “Do të mbillni shtatë vjet rresht, e atë që do ta korrni, linie në kallinj, përveç një pakice që do ta hani,

Ai(Jusufi)tha: “Mbillni shtatë vjet rresht! Prodhimin e korrur lëreni në kallinj, përveç një pakice, që do ta përdorni për ushqim!” -Mbillni për shtatë vjet rresht, njëri pas tjetrit. Prodhimet magazinojini me kujdes, që të mos prishen, përveç një sasie të vogël, të cilën do të keni nevojë ta përdorni si ushqim gjatë këtyre viteve të begatshme, por pa e tepruar. Ruani sa më tepër prodhime për vitet e thatësisë.

48

ثُمَّ يَأْتِى مِنۢ بَعْدِ ذَٰلِكَ سَبْعٌۭ شِدَادٌۭ يَأْكُلْنَ مَا قَدَّمْتُمْ لَهُنَّ إِلَّا قَلِيلًۭا مِّمَّا تُحْصِنُونَ

sepse pastaj do të vijnë shtatë vjet të thata, të cilat do t’i hanë ato që i keni ruajtur ju, përveç një pakice që e keni ruajtur (për farë).

Pastaj do të vijnë shtatë vite shumë të vështira, që do t'i harxhojnë ato që i keni ruajtur, përveç një pakice nga ajo që ju do ta ruani. -Pas shtatë viteve të begatshme, do të vijnë shtatë vite krize e thatësie, të cilat do të shterojnë të gjitha rezervat që ju do të grumbulloni, sado shumë që të jenë. Ju do të harxhoni gjithçka, përveç një pjese të vogël, të cilën do ta veçoni për farë.

49

ثُمَّ يَأْتِى مِنۢ بَعْدِ ذَٰلِكَ عَامٌۭ فِيهِ يُغَاثُ ٱلنَّاسُ وَفِيهِ يَعْصِرُونَ

Pastaj, pas këtyre do të vijë një vit në të cilin njerëzit do të kenë bereqet dhe në të cilin do të shtrydhin (rrush, etj.)”.

Më pas do të vijë një vit plot begati për njerëzit dhe plot të vjela. -Pas shtatë viteve të vështira do të vijë një vit me shira të bollshëm, i cili do të shtojë prodhimin dhe të ardhurat. Prodhimi i rrushit do të jetë shumë më tepër sesa nevoja për ta ngrënë të tërë, prandaj ju do ta shtrydhni dhe do ta ktheni në pije. Përmendja e këtij viti të begatshëm pas shtatë viteve të vështira nuk ishte kuptuar nga ëndrra e Mbretit. Jusufi e nxori atë prej faktit se, pas vështirësisë, vjen gjithmonë lehtësimi. Pas shtatë viteve të krizës, pa dyshim do të vinte një vit i begatë, që do të largonte vuajtjet e njerëzve. Kështu, kur ky djalosh u kthye tek njerëzit dhe u tregoi shpjegimin e ëndrrës nga Jusufi, ata u mahnitën dhe u gëzuan pa masë.

50

وَقَالَ ٱلْمَلِكُ ٱئْتُونِى بِهِۦ ۖ فَلَمَّا جَآءَهُ ٱلرَّسُولُ قَالَ ٱرْجِعْ إِلَىٰ رَبِّكَ فَسْـَٔلْهُ مَا بَالُ ٱلنِّسْوَةِ ٱلَّٰتِى قَطَّعْنَ أَيْدِيَهُنَّ ۚ إِنَّ رَبِّى بِكَيْدِهِنَّ عَلِيمٌۭ

Dhe mbreti tha: “Sillmani atë (Jusufin)!” Kur (Jusufit) i erdh i deleguari (për ta nxjerrë prej burgut), ai i tha: “Ktheu te mbreti yt, e pyete: ‘Ç’patën ato gra që i prenë duart e veta?’ Me të vërtetë, Zoti im i di dredhitë e tyre!”

Mbreti tha: “Ma sillni këtu atë(Jusufin)!” -Mbreti urdhëroi që t’ia sillnin aty Jusufin. Por kur i dërguari i Mbretit shkoi në burg dhe i përcolli Jusufit urdhrin e Mbretit, Jusufi refuzoi që t’i përgjigjej menjëherë. Këtë e bëri për arsye që, fillimisht, të pastrohej figura e tij dhe të dilte në pah pafajësia e plotë për krimin që e kishin akuzuar dhe për të cilin e kishin burgosur. Sigurisht, kjo tregon për durimin e këtij profeti të zgjedhur dhe për logjikën e fortë dhe të hollë të tij. Jusufi i drejtohet të dërguarit të Mbretit dhe i thotë:Kur i dërguari shkoi te Jusufi, ai i tha: “Kthehu te zotëria yt dhe pyete: “Si është puna e atyre grave që prenë duart e veta?”! -Shko tek Mbreti yt dhe pyete atë rreth atyre grave që prenë duart e tyre! Kërkoju atyre shpjegim për gjithçka që ndodhi në atë kohë, sepse kjo është çështje shumë e njohur për njerëzit!Vërtet, Zoti im e di shumë mirë dredhinë e tyre. -Çojini ato gratë te Mbreti dhe kërkojuni shpjegim për gjithçka që ndodhi! Vërtet, Zoti im e di shumë mirë dredhinë e tyre dhe ka për ta nxjerrë në pah të vërtetën. Kështu, kur ato u paraqitën përpara Mbretit, ai u tha:

Commentary: Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di. Qur'an text and translation via AlQuran Cloud.