Muslim99Muslim99
← Tafsir library

11. Hud

Hud · Meccan · 123 ayahs

سُورَةُ هُودٍ

Reading Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di

Ayahs 81–90 of 123

81

قَالُوا۟ يَٰلُوطُ إِنَّا رُسُلُ رَبِّكَ لَن يَصِلُوٓا۟ إِلَيْكَ ۖ فَأَسْرِ بِأَهْلِكَ بِقِطْعٍۢ مِّنَ ٱلَّيْلِ وَلَا يَلْتَفِتْ مِنكُمْ أَحَدٌ إِلَّا ٱمْرَأَتَكَ ۖ إِنَّهُۥ مُصِيبُهَا مَآ أَصَابَهُمْ ۚ إِنَّ مَوْعِدَهُمُ ٱلصُّبْحُ ۚ أَلَيْسَ ٱلصُّبْحُ بِقَرِيبٍۢ

Thanë (mysafirët): “O Lut! Na jemi të dërguarit e Zotit tënd. Ata nuk mund të bëjnë ty asgjë, e pra, urdhëto ti me familjen tënde në orët e vona të natës dhe askush prej jush mos të këqyrë prapa; (familja do të shpëtojë) përpos gruas tënde. Atë, me të vërtetë, do ta godas ajo që do t’i gjejë edhe ata. Afati i tyre është agimi i ditës. E, vallë, a nuk është afër agimi i ditës?

Ata(të dërguarit)thanë: “O Lut, ne jemi të dërguarit e Zotit tënd dhe ata në asnjë mënyrë nuk kanë për t’u afruar ty.” -Ata i treguan se cilët ishin, me qëllim që Lutit t’i qetësohej zemra. Ata e siguruan se populli i tij nuk do të mund ta prekte apo ta dëmtonte. Pastaj Xhibrili (a.s.), me një lëvizje të krahut të tij, bëri që atyre t’u ziheshin sytë e të mos i shihnin. Kështu, ata u larguan duke kërcënuar Lutin se do të ktheheshin sërish në agim. Melekët e urdhëruan Lutin që të nisej për udhëtim natën, shumë kohë para agimit, së bashku me familjen e tij:“Kur të jetë fundi i natës, largohu bashkë me familjen tënde...” -Largohuni kohë para se të vijë agimi. Ky urdhër u dha në mënyrë që ata të largoheshin sa më tepër nga vendbanimi. Urdhri tjetër ishte:“...dhe askush prej jush të mos vështrojë mbrapa.” -Nxitoni të dilni nga vendbanimi, duke u frikësuar nga ndëshkimi i Zotit, që do godasë ata. Ky të jetë shqetësimi juaj i vetëm, aq sa edhe sytë të mos i ktheni pas për të parë. Më pas i Lartësuari thotë:“...Por gruaja jote do të mbetet prapa. Atë do ta godasë e njëjta gjë që do të godasë edhe ata.” -Atë do ta përfshijë i njëjti dënim që do të godasë edhe popullin tënd. Ky gjykim ishte i drejtë, sepse edhe ajo kishte pjesën e vet në gjynahun e popullit të prishur. Ishte ajo që u tregoi atyre për dy mysafirët e bukur, që vizituan shtëpinë e Lutit.“Afati i tyre është mëngjesi. A nuk është afër mëngjesi?” -Me sa duket, Lutit (as.) iu duk larg koha e ndëshkimit të tyre, prandaj deshi që ai të bëhej sa më shpejt. Për këtë arsye, atij iu tha: “A nuk është afër agimi?!

82

فَلَمَّا جَآءَ أَمْرُنَا جَعَلْنَا عَٰلِيَهَا سَافِلَهَا وَأَمْطَرْنَا عَلَيْهَا حِجَارَةًۭ مِّن سِجِّيلٍۢ مَّنضُودٍۢ

Dhe kur erdhi urdhëri Ynë, Na rrotulluam çdo gjë, - ato që ishin lart i përmbysëm poshtë, dhe në ta lëshuam tulla e gurë, që binin vazhdimisht, si shiu,

Kur erdhi caktimi Ynë, Ne e kthyem çdo gjë përmbys dhe lëshuam mbi ta një rrebesh të pandërprerë gurësh balte të forcuar,... -Kur erdhi koha e zbatimit të urdhrit për ndëshkim, Ne ua kthyem tokën përmbys, duke e hedhur mbi ta dhe, veç kësaj, u goditën furishëm me një shi gurësh të ndezur. Ky rrebesh ishte i vrullshëm e i pandërprerë. Ai ndiqte pas këdo që përpiqej të largohej nga qyteti, duke mos lënë asnjë të shpëtonte i gjallë.

83

مُّسَوَّمَةً عِندَ رَبِّكَ ۖ وَمَا هِىَ مِنَ ٱلظَّٰلِمِينَ بِبَعِيدٍۢ

e shënuar (për dënim) nga Zoti yt. Dhe ai (dënimi), nuk është larg nga zullumqarët.

...Të shenjuar nga Zoti yt. Një dënim i tillë nuk është larg për të padrejtët. -Çdo gur ishte i drejtuar nga Allahu. Çdo gur kishte misionin të ekzekutonte ndëshkimin dhe zemërimin e Allahut. Një ndëshkim i tillë është kërcënim i hapur për të gjithë ata që kryejnë të njëjtën poshtërsi si populli i Lutit. Le të frikësohen dhe të ruhen njerëzit nga të tilla gjynahe, ose përndryshe edhe ata do t’i godasë pa mëshirë i njëjti ndëshkim!

84

۞ وَإِلَىٰ مَدْيَنَ أَخَاهُمْ شُعَيْبًۭا ۚ قَالَ يَٰقَوْمِ ٱعْبُدُوا۟ ٱللَّهَ مَا لَكُم مِّنْ إِلَٰهٍ غَيْرُهُۥ ۖ وَلَا تَنقُصُوا۟ ٱلْمِكْيَالَ وَٱلْمِيزَانَ ۚ إِنِّىٓ أَرَىٰكُم بِخَيْرٍۢ وَإِنِّىٓ أَخَافُ عَلَيْكُمْ عَذَابَ يَوْمٍۢ مُّحِيطٍۢ

(Ia dërguam) Medjenit – vëllaun e tyre Shuajbin. Ai tha: “O populli im, adhuronie Perëndinë! Ju s’keni tjetër zot përveç Tij. Mos pakësoni (mungoni) as gjatë matjes me litër as me kandar. Unë po shoh se ju gjendeni në begati të mirë dhe druaj se juve, do t’ju godas dënimi, i një dite që u përfshinë të gjithëve.

Në Medjen dërguam vëllanë e tyre, Shuajbin. -Medjeni ishte një popull i njohur, që jetonte në zonën e quajtur Medjen, në Palestinën e poshtme. Allahu i Lartësuar na tregon se edhe në këtë popull dërgoi profetë, dhe pikërisht vëllain e tyre nga gjaku, Shuajbin (a.s.). Allahu i Lartësuar u dërgoi dikë të afërt dhe të njohur ndër ta, që ata t’i pranonin këshillat dhe porositë hynore të përcjella nga ai.Ai u thoshte: “O popull im, adhurojeni Allahun! Ju nuk keni zot tjetër që meriton adhurimin veç Tij.” -Edhe ai, si të gjithë profetët e tjerë, i këshilloi dhe i urdhëroi që të adhuronin veçse Allahun, si Zot i Vetëm e i Pashoq. Ai i mësoi që të gjitha adhurimet t'ia përkushtonin me sinqeritet vetëm Allahut të Madhëruar. Medjeni ishin një popull që, përveç idhujtarisë, kryenin shumë vepra të tjera të dënueshme. Kështu, ata hanin në peshë dhe masë, duke shpërfillur të drejtat e njerëzve. Për këtë arsye, menjëherë pas urdhrit më të rëndësishëm, atij për respektimin e teuhidit, dhe ndalesës më kategorike, atë të largimit nga idhujtaria, profeti Shuajb (a.s.) i këshilloi për të kryer matje dhe peshime të sakta dhe të drejta, duke thënë:“Masni e peshoni drejt!” -Mos ua hani njerëzve pasurinë padrejtësisht, duke bërë hile në matje e në peshë, por të jeni gjithmonë të ndershëm. Mos guxoni t'u pakësoni aspak nga haku i njerëzve dhe e drejta e tyre!“Unë po shoh se gjendeni në mes të mirësive të mëdha,...” -Shihni se si ju jetoni në begati. Allahu i Lartësuar ju ka dhuruar pasuri e shëndet. Ai ju ka gëzuar me prona e pasardhës të shumtë. Atëherë, a nuk e meriton Allahu që ju të tregoheni mirënjohës ndaj Tij?! Nëse jeni mirënjohës, begatia do t’ju shtohet edhe më shumë, në të kundërt të mirat do t'ju largohen. Përveç kësaj, unë i frikësohem edhe diçkaje tjetër:“...por kam frikë për ju Dënimin e një dite gjithpërfshirëse” -Askush prej jush nuk mund t'i shpëtojë ndëshkimit të asaj dite që do të jetë gjithëpërfshirës. Nëse ju godet ky ndëshkim, asnjë s’ka për të mbetur më i gjallë, ndërsa pas vdekjes do të ndëshkoheni përjetësisht.

85

وَيَٰقَوْمِ أَوْفُوا۟ ٱلْمِكْيَالَ وَٱلْمِيزَانَ بِٱلْقِسْطِ ۖ وَلَا تَبْخَسُوا۟ ٱلنَّاسَ أَشْيَآءَهُمْ وَلَا تَعْثَوْا۟ فِى ٱلْأَرْضِ مُفْسِدِينَ

O populli im, plotësoni matjen në litër dhe kandar – me të drejtë dhe mos ua cungoni njerëzve gjërat e tyre! Dhe mos bëni ngatërresa në Tokë!

“O populli im! Masni e peshoni saktë, mos ua cenoni njerëzve hakun që u takon”...” -Ashtu sikurse dëshironi që njerëzit t'ju japin hakun, ashtu edhe ju jepuni hakun të tjerëve. Mos abuzoni me të drejtat e njerëzve. Ngrënia në peshë konsiderohet vjedhje dhe është haram.“...dhe mos u bëni shkatërrimtarë të Tokës(me padrejtësitë tuaja)!” -Vazhdimësia në gjynahe dhe padrejtësi sjell shkatërrim në tokë. Mosbindja ndaj Allahut dhe porosive të profetëve të Tij është shkatërruese e fesë, besimit, adhurimeve, nga njëra anë, dhe shkatërrim i rendit, lumturisë dhe bamirësisë në dynja, nga ana tjetër. Poshtërsitë dhe mosbindja ndaj Allahut bëhen shkak për shkatërrimin e të mbjellave dhe dëmtimin e pasardhësve dhe të shoqërisë njerëzore.

86

بَقِيَّتُ ٱللَّهِ خَيْرٌۭ لَّكُمْ إِن كُنتُم مُّؤْمِنِينَ ۚ وَمَآ أَنَا۠ عَلَيْكُم بِحَفِيظٍۢ

Atë që ua ka lënë Perëndia (dhe që e keni arritur në mënyrë të lejueshme) u është më e mirë, nëse jeni besimtarë; e unë nuk jam ruajtës i juaj.

“Ato që jua ka lejuar Allahu, janë shumë më të mira për ju, nëse, vërtet jeni besimtarë.” -Asnjëherë mos harroni që, çdo gjë që Allahu jua ka bërë hallall është shumë herë më e mirë për ju. Prandaj mos lakmoni të përvetësoni diçka në rrugë haram, sepse prej saj nuk ka mirësi, por ka për t'ju sjellë veçse fatkeqësi e dëshpërim. Dëmi që do t’i shkaktoni vetes do të jetë shumë herë më i madh sesa përfitimi. Nëse jeni vërtet besimtarë, atëherë zbatoni me korrektësi atë që ju kërkon ky besim.“Por unë nuk jam rojtari juaj.” -Unë nuk jam përgjegjës për veprat tuaja – u thotë Profeti (a.s.) - dhe as nuk është detyrë e imja që t'i llogaris dhe regjistroj veprat tuaja. Kjo është në dorën e Allahut të Madhërishëm. Është Ai që i regjistron veprat tuaja dhe ju mbikëqyr në çdo çast, për t'ju shpërblyer e ndëshkuar sipas meritës. Ndërsa unë kam detyrë thjesht t'jua qartësoj plotësisht mesazhin me të cilin u dërgova nga Zoti i gjithësisë.

87

قَالُوا۟ يَٰشُعَيْبُ أَصَلَوٰتُكَ تَأْمُرُكَ أَن نَّتْرُكَ مَا يَعْبُدُ ءَابَآؤُنَآ أَوْ أَن نَّفْعَلَ فِىٓ أَمْوَٰلِنَا مَا نَشَٰٓؤُا۟ ۖ إِنَّكَ لَأَنتَ ٱلْحَلِيمُ ٱلرَّشِيدُ

Ata thanë: “O Shuajb, a mos vallë namazi yt urdhëron që na t’i lëmë ato që i kanë adhuruar të parët tanë ose që të bëjmë me pasurinë tonë çka të duam. Me të vërtetë, sa i butë dhe i drejtë që je ti! (thanë ata në formë ironike”.

Ata thoshin: “O Shuajb! Vallë, namazi yt po të thotë të na urdhërosh që ta braktisim atë që kanë adhuruar prindërit tanë dhe të mos veprojmë me pasurinë tonë si të duam vetë?”. –Kjo qe një formë përçmimi e talljeje për profetin dhe porositë e tij, si dhe për të shprehur mosbindjen e vendosur të tyre ndaj ftesës së tij. Me fjalë të tjera, ata i thoshin Profetit: Nuk kanë asnjë arsye këto ndalesa që ti po na vendos. E vetmja arsye që ne shohim është fakti që ti po i falesh Zotit. Mos vallë, meqë ti po kryen këtë punë, neve na u dashka që të lëmë zakonet tona të vjetra dhe të mos adhurojmë idhujt, që i adhuronin edhe të parët tanë?! Sipas tyre, ftesa e Profetit për adhurimin e një Zoti të vetëm, Allahut të Madhëruar, nuk na paskësh asnjë bazë, përveç faktit që ajo i shkonte për shtat adhurimit të Profetit dhe besimit të tij. Si mundet – pyesnin ata – që, për këtë shkak, ne të lëmë traditën e të parëve tanë “të ndritur” dhe “të mençur”?! Ky ishte arsyetimi i tyre për të mos pranuar ftesën e Profetit për njësimin e Allahut të Madhëruar në adhurim. Të njëjtin arsyetim bënë edhe për të mos iu bindur Profetit në këshillat e tij për të respektuar të drejtat e njerëzve. Logjika e tyre e sëmurë thoshte: Ne nuk kemi për të hequr dorë nga mënyra e përdorimit të pasurive tona. Porositë e tua për peshën dhe matjen me saktësi e ndershmëri apo për respektimin e të drejtave dhe detyrimeve ndaj njerëzve, nuk kemi pse t’i dëgjojmë vetëm sepse ti i falesh Zotit dhe sepse kështu të shkon pas oreksit tënd. Pasuria është e jona dhe ne veprojmë me të si të dëshirojmë. Ti nuk ke asnjë të drejtë për të na mësuar se si të veprojmë me gjërat që na përkasin ne. Pas këtij arsyetimi të ulët, duke e shtuar edhe më shumë masën e talljes, ata thanë:“Ti na qenke ai i buti e i mençuri?!” -Kuptimi: Ti na qenke i urti, i mençuri dhe i udhëzuari?! Ti na qenke ai që udhëzon veçse për drejtësi e bamirësi dhe ndalon nga rruga e keqe?! Ti nuk je aspak i tillë dhe ne nuk të besojmë. Kështu, ata donin të shprehin se, sipas tyre, ai kishte pikërisht të kundërtat e cilësive të përmendura. Sipas tyre, ai nuk ishte i butë, i mençur dhe i udhëzuar në rrugën e drejtë, por mendjelehtë, i çoroditur dhe i devijuar. Pra, me fjalë të tjera, kuptimi ishte: E si na qenke ti i urti e i udhëzuari, ndërsa të parët tanë mendjelehtë e të devijuar?! Pa dyshim që kjo tallje dhe shpifje e tyre ishte një krim shumë i shëmtuar. Profeti është i udhëzuar nga Allahu i Madhëruar dhe i veshur me të gjitha virtytet e larta. Është e vërtetë që namazi dhe adhurimet ndaj Allahut e udhëzojnë profetin në rrugën e drejtë. Është e vërtetë, gjithashtu, se adhurimet e shtyjnë profetin që të këshillojë popullin e tij për vepra të mira, në krye të së cilave është teuhidi, dhe t'i ndalojë ata nga veprat e këqija dhe padrejtësitë. E ku ka poshtërsi më të madhe sesa adhurimi i diçkaje tjetër veç Allahut të Madhërishëm dhe sesa përdhosja e të drejtave të krijesave?! Përvetësimet duke vjedhur në peshë e matje apo me çdo mënyrë tjetër janë padrejtësi e madhe, që Zoti e ka ndaluar dhe ka kërcënuar se do të ndëshkohet si vepër e ulët.

88

قَالَ يَٰقَوْمِ أَرَءَيْتُمْ إِن كُنتُ عَلَىٰ بَيِّنَةٍۢ مِّن رَّبِّى وَرَزَقَنِى مِنْهُ رِزْقًا حَسَنًۭا ۚ وَمَآ أُرِيدُ أَنْ أُخَالِفَكُمْ إِلَىٰ مَآ أَنْهَىٰكُمْ عَنْهُ ۚ إِنْ أُرِيدُ إِلَّا ٱلْإِصْلَٰحَ مَا ٱسْتَطَعْتُ ۚ وَمَا تَوْفِيقِىٓ إِلَّا بِٱللَّهِ ۚ عَلَيْهِ تَوَكَّلْتُ وَإِلَيْهِ أُنِيبُ

(Shuajbi) tha: “O populli im, ç’mendoni ju nëse unë jam në dokumentin e qartë të Zotit tim dhe, Ai, më ka furnizuar nga Vetja me ushqim të mirë. E, unë nuk dëshiroj të punoj atë çka ua ndaloj juve. Unë dëshiroj vetëm të përmirësojë atë çka mundem. E, suksesi im varet vetëm nga Perëndia. Tek Ai mbështetem dhe Atij i drejtohem.

“O populli im! Shihni nëse unë kam prova të sigurta nga Zoti im dhe Ai, nga ana e Tij, më furnizon mua me begati e të mira!” -Profeti i Allahut, Shuajbi (a.s.), u drejtohet atyre dhe u thotë: “O populli im, shihni dhe mendohuni pak! Unë jam tërësisht i sigurt dhe i qartë në të vërtetën që ju përcjell. Allahu më ka dhuruar mirësi e begati të shumta, që ju i dini shumë mirë. Gjithashtu:“Unë nuk dua që duke ju kundërshtuar ju, të bëj vetë atë që juve dua t’jua ndaloj.” -Unë nuk ju them, nga njëra anë, që ju t’i largoheni vjedhjes në peshë dhe në masë apo cenimit të të drejtave të njerëzve në përgjithësi dhe, nga ana tjetër, t’i veproj vetë këto që ju ndaloj. Kuptojeni se unë nuk dua t’ju mashtroj dhe manipuloj. Unë jam zbatuesi i parë i porosive që ju drejtoj. Unë jam i pari që ruhem nga këto harame. Të jeni të sigurt se unë dëshiroj vetëm të përmirësoj gjendjen sa të mundem.“Unë dëshiroj vetëm që të përmirësoj me sa kam fuqi,...” -Unë dëshiroj thjesht rregullimin e gjendjes suaj, duke gjetur udhën e drejtë, që ju mundëson çdo mirësi e begati dhe që ju afron drejt lumturisë. Unë nuk kam asnjë qëllim e interes personal, por thjesht të ndihmoj popullin tim me aq sa mundem. Duke qenë se këto fjalë mund të tingëllojnë si vetëlëvdim, Profeti menjëherë shtoi dhe tha:“...por suksesi (në misionin tim) vjen vetëm me ndihmën e Allahut. Vetëm Atij i mbështetem dhe vetëm Atij i drejtohem.” -Çdo e mirë që më ndodh mua, si mbarësia për të kryer vepra të mira, ashtu edhe forca për t’u larguar nga e keqja, është thjesht dhuratë nga Allahu dhe aspak merita ime. Për këtë arsye, unë i mbështetem vetëm Atij për të gjitha çështjet e mia dhe mjaftohem me këtë, duke patur besim të plotë tek Allahu. Unë kthehem i penduar vetëm tek Allahu dhe jam i përkushtuar të zbatoj çdo gjë që Ai më urdhëron. Kështu rregullohen çështjet e njerëzve dhe kështu udhëzohen ata në mirësitë e dynjasë e të ahiretit: me mbështetje të plotë tek Allahu dhe me kthim tek Ai për t'iu bindur e nënshtruar. Prandaj i Madhëruari gjithmonë urdhëron për përkushtim ndaj Tij në adhurim dhe mbështetje tërësisht tek Ai. Nëpërmjet sures Fatiha, e cila përsëritet në çdo namaz, Allahu i Madhëruar na mëson që të themi: "Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm tek Ti ndihmë kërkojmë."

89

وَيَٰقَوْمِ لَا يَجْرِمَنَّكُمْ شِقَاقِىٓ أَن يُصِيبَكُم مِّثْلُ مَآ أَصَابَ قَوْمَ نُوحٍ أَوْ قَوْمَ هُودٍ أَوْ قَوْمَ صَٰلِحٍۢ ۚ وَمَا قَوْمُ لُوطٍۢ مِّنكُم بِبَعِيدٍۢ

O populli im, kundërshtimi ndaj meje le të mos u shpiej kurrsesi (në mëkat), e që t’ju ndodhë ajo që i ndodhi popullit të Nuhut, ose popullit të Hudit apo popullit të Salihut; por edhe populli i Lutit nuk është larg prej jush.

“O populli im! Mos lejoni që kundërshtimi(e urrejtja)ndaj meje t’ju rrëzojë e të bëjë që t’ju godasë ajo që e goditi popullin e Nuhut, popullin e Hudit ose popullin e Salihut. As populli i Lutit nuk është shumë larg prej jush.” -Të mos ju shtyjë kundërshtimi e urrejtja ndaj meje që të mos më bindeni, dhe pastaj t'ju përfshijë ndëshkimi i ashpër, siç ka ndodhur edhe me popujt e shkuar. Vendbanimet e tyre janë pranë jush, e po kështu edhe koha e tyre nuk është shumë e largët, dhe ju e dini se çfarë ndodhi me ta.

90

وَٱسْتَغْفِرُوا۟ رَبَّكُمْ ثُمَّ تُوبُوٓا۟ إِلَيْهِ ۚ إِنَّ رَبِّى رَحِيمٌۭ وَدُودٌۭ

Dhe kërkoni falje nga Zoti juaj e kthehuni tek Ai. Me të vërtetë, Zoti im është mëshirues dhe i dashur”.

“Kërkojini falje Zotit tuaj dhe kthejuni Atij të penduar!” -Kërkojini falje Zotit tuaj për të gjitha gabimet e gjynahet që keni kryer dhe tregojani pendesën tuaj Atij. Të jeni pendestarë gjatë gjithë jetës tuaj, duke u kthyer gjithmonë tek Allahu të nënshtruar, të bindur, të duruar e këmbëngulës për t'iu larguar ndalesave të Tij.“Vërtet, Zoti im është Mëshirëplotë dhe shumë i Dashur.” -Këdo që pendohet sinqerisht dhe kthehet tek Zoti i nënshtruar dhe i bindur, i Madhëruari e fal dhe e mëshiron, ia pranon pendimin dhe e do. El Uedud (i Dashur) është një nga emrat e Allahut të Madhëruar, që do të thotë se Ai i do robërit e Tij besimtarë dhe ata e duan Atë. Sipas gjuhës arabe, El Uedud ka kuptimin ‘Dashës’, domethënë Ai që i do besimtarët, ose kuptimin “i Dashur”, domethënë Ai të cilin e duan besimtarët.

Commentary: Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di. Qur'an text and translation via AlQuran Cloud.