Muslim99Muslim99
← Tafsir library

11. Hud

Hud · Meccan · 123 ayahs

سُورَةُ هُودٍ

Reading Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di

Ayahs 61–70 of 123

61

۞ وَإِلَىٰ ثَمُودَ أَخَاهُمْ صَٰلِحًۭا ۚ قَالَ يَٰقَوْمِ ٱعْبُدُوا۟ ٱللَّهَ مَا لَكُم مِّنْ إِلَٰهٍ غَيْرُهُۥ ۖ هُوَ أَنشَأَكُم مِّنَ ٱلْأَرْضِ وَٱسْتَعْمَرَكُمْ فِيهَا فَٱسْتَغْفِرُوهُ ثُمَّ تُوبُوٓا۟ إِلَيْهِ ۚ إِنَّ رَبِّى قَرِيبٌۭ مُّجِيبٌۭ

(Ia dërguam) Themudit, vëllaun e tyre Salihun. “O populli im”, - tha ai: “Adhuronie vetëm Perëndinë. Ju, s’keni zot tjetër përveç Atij! Ai ju krijoi nga toka (dheu) dhe ju dha të jetoni në të; andaj, kërkoni falje nga Ai dhe kthehuni tek Ai! Me të vërtetë, Zoti im është afër dhe Ai u përgjigjet (lutjeve)”.

Edhe te Themudët dërguam vëllain e tyre, Salihun. Ai u tha: “O populli im, adhurojeni Allahun! Ju nuk keni zot tjetër që meriton adhurimin veç Tij.” -Edhe në popullin e Themudit, Allahu i Madhëruar dërgoi profetin e Tij, Salihun. Ata janë quajtur Adët e dytë. Ata ishin një popull i njohur, që jetonin në zonën e quajtur El Hixhr dhe Uadil Kura. Vëllai i tyre i gjakut Salihu (a.s.), robi dhe profeti i Allahut, i ftoi ata që të adhuronin Zotin e Vetëm dhe t’i përkushtoheshin vetëm Atij. Nuk ka zot tjetër që të adhurohet me meritë veç Allahut, as nga banorët e qiellit e as banorët e Tokës. Të gjithë, pa përjashtim, janë krijesa të Tij.“Është Ai që ju krijoi nga toka dhe ju bëri banorë të saj.” -Është Allahu i Madhëruar që i krijoi njerëzit në Tokë, ku i vendosi për të jetuar sipas porosive të Tij. Ai ju mundësoi në të mirësi të shumta, të dukshme dhe të fshehta. Ai ju mundësoi që të ndërtonit, të mbillnit e kultivonit çfarë të dëshironi në tokë dhe të përfitoni nga mirësitë e saj. Ju i shfrytëzoni mirësitë e krijuara nga Zoti juaj në këtë Tokë. Ashtu sikurse Allahu nuk ka shok në krijimin dhe përkujdesjen e Tij ndaj krijesave, ashtu duhet ta besoni Atë si Një dhe të Vetmin që meriton adhurimet tuaja.“Kërkoni falje prej Tij dhe gjithmonë pendohuni tek Ai.” -Kërkojini Zotit falje për gjithçka që keni vepruar në të shkuarën, si idhujtari e gjynahe të tjera, dhe largohuni tërësisht prej tyre. Gjithmonë të jeni robër të kthyer te Zoti me pendim të sinqertë, me nënshtrim dhe bindje. Bëjeni këtë dhe plotësojini këto porosi sepse:“Me të vërtetë, Zoti im është afër dhe i'u përgjigjet(lutjeve tuaja).” -Zoti është pranë atyre që i drejtohen Atij me të dyja llojet e lutjeve: lutjet e drejtpërdrejta, me kërkesa konkrete, dhe lutjet e shprehura nëpërmjet adhurimit. Allahu i Madhëruar u përgjigjet duke ua plotësuar kërkesat, duke ua pranuar adhurimet dhe duke i bërë të qëndrueshëm në to. Ai do t'u japë atyre shpërblimin më të madh e plot mirësi. Mësoje se afërsia e Allahut me krijesat është dy llojesh: e përgjithshme dhe e posaçme. E përgjithshme është afërsia e Tij me të gjitha krijesat nëpërmjet diturisë së Tij absolute. Për këtë lloj afërsie flet ajeti i Kur'anit: "Ne e kemi krijuar njeriun dhe Ne e dimë se ç’pëshpërit ai në vetvete. Ne jemi më afër tij se damari i qafës së vet." [Kaf 16]. Ndërsa afërsia e posaçme e Zotit është me ata që e adhurojnë e i luten, që e duan dhe Ai i do. Kjo afërsi është përmendur nga i Madhëruari, kur thotë: "...por vazhdo me sexhde dhe afroju Zotit me të!" [Alak 19]. Kjo afërsi është me udhëzimin, dashurinë, mbështetjen dhe ndihmën e plotë të Tij për ta. Në një ajet tjetër, i Madhëruari thotë: "Kur adhuruesit e Mi të pyesin për Mua, (thuaju se) Unë jam afër. Unë i përgjigjem lutjes, kur lutësi më lutet. Le të më përgjigjen Mua dhe të më besojnë vetëm Mua, që të bëhen të udhëzuar drejt!" [Bekare 186]. Ndërsa në këtë ajet thotë: “S’ka dyshim, Zoti im është afër dhe i'u përgjigjet (lutjeve tuaja)” Kjo afërsi tregon butësinë dhe mëshirën e Zotit mbi ta, tregon se Ai u përgjigjet lutjeve të tyre dhe i realizon qëllimet e tyre. Po për këtë arsye, pranë emrit të Tij El Karib - ‘i Afërt’ është vendosur emri El Muxhib- Ai që u …

62

قَالُوا۟ يَٰصَٰلِحُ قَدْ كُنتَ فِينَا مَرْجُوًّۭا قَبْلَ هَٰذَآ ۖ أَتَنْهَىٰنَآ أَن نَّعْبُدَ مَا يَعْبُدُ ءَابَآؤُنَا وَإِنَّنَا لَفِى شَكٍّۢ مِّمَّا تَدْعُونَآ إِلَيْهِ مُرِيبٍۢ

Ata thanë: “O Salih! Ti ke qenë shpresa jonë, para kësaj (fjale). A mos vallë, ti don të na ndalosh ta adhurojmë atë, që e kanë adhuruar prindërit tanë? Me të vërtetë, na jemi në dilemë, që na bën të dyshojmë në thirrjen tënde”.

- “Ata thanë: “O Salih! Ti vërtet ke qenë shpresëdhënës mes nesh më përpara.”” - Kuptimi: Ne kishim shpresa të mëdha tek ti. Ne të mendonim njeri me mend dhe të dobishëm. Me këto fjalë, edhe pse me qëllim të keq, në njëfarë mënyre ata dëshmuan se e njihnin Salihun si njeri të shquar për moralin e tij të lartë. Por kur ai i urdhëroi të bënin diçka që binte ndesh me dëshirat e tyre të shfrenuara dhe të prishura, ata i thanë: "Ne të shihnim si njeri të logjikshëm, por ti na e prishe mendimin tonë për ty dhe tashmë të shohim si fatkeq, pa asnjë shpresë për ndonjë të mirë.” Faji i tij, sipas tyre, ishte ftesa për adhurimin e Zotit të Madhërishëm si Një, të Vetëm dhe të Pashoq, prandaj edhe thanë:- “Si, vallë, po na ndalon (tani) që të adhurojmë atë që adhuronin prindërit tanë?!” - Kjo qe akuza më e madhe kundër Salihut. Ai kishte cenuar dhe ofenduar logjikën e tyre dhe të të parëve të tyre. Ai i ndalonte ata nga adhurimi i çdo gjëje veç Allahut, sepse idhujt nuk sjellin as dëm, as dobi. Por, sipas tyre, adhurimi i gurëve, pemëve e idhujve ishte vepër e logjikshme, që nuk duhej fyer e kundërshtuar. Salihu i urdhëronte ata që adhurimet dhe fenë t'ia përkushtonin me sinqeritet të plotë vetëm Allahut, mirësitë e të Cilit vazhdonin të zbrisnin të shumta e të njëpasnjëshme mbi ta. Çdo mirësi që ata përjetonin ishte thjesht dhuratë nga Allahu i Lartësuar. Gjithashtu, vetëm Allahu ua largonte fatkeqësitë e belatë. Megjithatë, ata vazhdonin me dyshimet e tyre:- “Vërtet, ne jemi në mëdyshje për atë, në të cilën po na fton.” - Ne vazhdojmë të kemi dyshime rreth mesazhit tënd. Ne kemi paqartësi në zemër. Në këtë mënyrë, ata pretendonin se, nëse do të kishin siguri për saktësinë e mesazhit të Profetit, ata do ta pasonin. Por ata thjesht gënjenin, dhe kjo shihet në ajetin më pas:

63

قَالَ يَٰقَوْمِ أَرَءَيْتُمْ إِن كُنتُ عَلَىٰ بَيِّنَةٍۢ مِّن رَّبِّى وَءَاتَىٰنِى مِنْهُ رَحْمَةًۭ فَمَن يَنصُرُنِى مِنَ ٱللَّهِ إِنْ عَصَيْتُهُۥ ۖ فَمَا تَزِيدُونَنِى غَيْرَ تَخْسِيرٍۢ

Tha (Salihu): “O populli im! Ç’mendoni ju, nëse unë jam mbështetur në dokumentin e qartë të Zotit tim, e Ai më ka dhënë nga Vetja mëshirë, (profetni); kush do të më mbrojë nga dënimi i Perëndisë, nëse e kundërshtoj Ate? Ju, (me këtë) mua vetëm do të më shtonit humbjen.

“O populli im! Nuk e shihni? Nëse unë bazohem në argumente nga Zoti im, - dhe Ai më ka dhuruar mëshirë prej Tij, - kush do të më mbrojë mua nga Allahu, nëse unë nuk i bindem Atij?” -Tani që unë jam i sigurt në të vërtetën që më dhuroi Zoti, e vërtetë e mbështetur dhe përforcuar nga shumë argumente dhe fakte, a mund të bëhem pasues i trillimeve tuaja?! A mund ta këmbej Shpalljen që Zoti e solli si mëshirë, me marrëzitë tuaja?“Atëherë, ju nuk do të më shtonit gjë tjetër veç humbjes.” -Nëse unë e shpërfill të vërtetën e Zotit tim, atëherë askush nuk mund të më mbrojë nga ndëshkimi i Tij. Ndërsa ju veç mund të ma shtoni ndëshkimin.

64

وَيَٰقَوْمِ هَٰذِهِۦ نَاقَةُ ٱللَّهِ لَكُمْ ءَايَةًۭ فَذَرُوهَا تَأْكُلْ فِىٓ أَرْضِ ٱللَّهِ وَلَا تَمَسُّوهَا بِسُوٓءٍۢ فَيَأْخُذَكُمْ عَذَابٌۭ قَرِيبٌۭ

O populli im! Kjo është devja e Perëndisë – mrekulli për ju, e lënie të kullosë në tokën e Perëndisë, dhe mos i bëni ndonjë të keqe asaj, se ju godet ndëshkimi i afërt”.

“O populli im! Kjo është Deveja e Allahut dhe ajo është një shenjë e qartë për ju.” -Sipas urdhrit, kjo deve duhet të pinte e vetme në pusin e ujit një ditë, ndërsa njerëzit mund të pinin në atë pus ditën tjetër. Gjithashtu, gjatë ditës kur pinte ujë deveja, ata mund të pinin qumështin e saj. Ata duhet ta linin devenë të ushqehej vetë në tokën e Allahut. Kështu, njerëzit nuk e kishin detyrë ta ushqenin dhe të kujdeseshin për të. Thjesht, mjaftonte të mos i bënin keq e ta dëmtonin:“Lëreni atë të ushqehet në tokën e Allahut e mos i bëni ndonjë të keqe, sepse ashtu do t’ju kapë dënimi menjëherë!” -Mos e lëndoni këtë deve, se përndryshe do të meritoni ndëshkimin e përshpejtuar të Zotit. Megjithatë, ata e shpërfillën këtë kërcënim të Zotit të Madhëruar:

65

فَعَقَرُوهَا فَقَالَ تَمَتَّعُوا۟ فِى دَارِكُمْ ثَلَٰثَةَ أَيَّامٍۢ ۖ ذَٰلِكَ وَعْدٌ غَيْرُ مَكْذُوبٍۢ

Por, ata e prenë (therrën), e ai (Salihu) tha: “Jetoni ju në shtëpitë tuaja vetëm edhe tri ditë! Ky është premtimi i (dënimit të) vërtetë”.

Por ata e therën atë, prandaj ai u tha: “Kënaquni në shtëpitë tuaja për tri ditë(para dënimit tuaj)! Ky është një kërcënim i vërtetë e jo gënjeshtër.” -Duke e therur devenë, ata nënshkruan ndëshkimin e Zotit të Madhërishëm mbi ta. Zbatimi i kërcënimit u bë i padiskutueshëm.

66

فَلَمَّا جَآءَ أَمْرُنَا نَجَّيْنَا صَٰلِحًۭا وَٱلَّذِينَ ءَامَنُوا۟ مَعَهُۥ بِرَحْمَةٍۢ مِّنَّا وَمِنْ خِزْىِ يَوْمِئِذٍ ۗ إِنَّ رَبَّكَ هُوَ ٱلْقَوِىُّ ٱلْعَزِيزُ

E, kur erdhi urdhëri Ynë (dënimi), Na e shpëtuam Salihun bashkë me besimtarët e tij – me mëshirën Tonë, dhe (i shpëtuam ata) nga poshtërimi i asaj dite. Me të vërtetë, Zoti yt është i fortë dhe i Plotëfuqishëm;

Kur erdhi urdhri Ynë(për ndëshkim), me mëshirën Tonë, Ne e shpëtuam Salihun dhe ata që besuan nga poshtërimi i asaj dite. -Kur zbriti caktimi Ynë për ndëshkim, Ne shpëtuam Profetin dhe besimtarët. Me mëshirën Tonë, Ne i ruajtëm ata nga ndëshkimi, poshtërimi e turpi i asaj dite të frikshme.Zoti yt - Ai është i Fuqishmi, Ngadhënjimtari. -Tregues i fuqisë dhe krenarisë së Allahut është edhe shkatërrimi i popujve të shfrenuar, që shkelën kufijtë, por edhe shpëtimi i profetëve dhe pasuesve të tyre.

67

وَأَخَذَ ٱلَّذِينَ ظَلَمُوا۟ ٱلصَّيْحَةُ فَأَصْبَحُوا۟ فِى دِيَٰرِهِمْ جَٰثِمِينَ

e ata, që bënë zullum, i kaploi zëri i tmerrshëm, të cilët në tokën e tyre u gëdhinë të vdekur – të palëvizshëm,

Ndërsa ata që bënë padrejtësi i kapi britma(e tmershme)dhe u gdhinë në shtëpitë e tyre si kufoma,... -Ajo qe një britmë e fuqishme, që ua këputi zemrat dhe ata u gdhinë si kufoma të ngrira, që nuk lëviznin. Allahu i Madhëruar i përshkruan më tej:

68

كَأَن لَّمْ يَغْنَوْا۟ فِيهَآ ۗ أَلَآ إِنَّ ثَمُودَا۟ كَفَرُوا۟ رَبَّهُمْ ۗ أَلَا بُعْدًۭا لِّثَمُودَ

thuajse, nuk kanë ekzistuar kurrë në të. Me të vërtetë, Themudi mohuan Zotin e tyre. Qe pra, le të jetë larg (nga mëshira e Zotit) Themudi!

...Sikur të mos kishin jetuar kurrë në to. -Pas ndëshkimit, ata dukeshin sikur nuk kishin ekzistuar fare në ato fortesa që kishin ngritur. A thua se nuk kishin përjetuar në ato vendbanime asnjë kënaqësi dhe lumturi dhe kurrë nuk kishin jetuar në prehje e paqe. Mirësia i braktisi ata tërësisht, për të mbetur të harruar e të poshtëruar në ndëshkimin e përjetshëm. Në fakt, ata dukeshin sikur kishin qenë përjetësisht të ndëshkuar.Themudët e mohuan Zotin e tyre. Qofshin të larguar(nga mëshira e Allahut)Themudët! -Ata nuk pranuan të besonin dhe jetonin sipas besimit të drejtë, edhe pse u erdhën argumente të shumta, që provonin të vërtetën e Zotit. Për këtë arsye, ata e merituan mallkimin për të qenë larg mëshirës së Zotit. Sa popull i mjerë dhe i poshtëruar! Allahut i kërkojmë mbrojtje dhe strehim, që të na ruajë nga ndëshkimi dhe poshtërimi në dynja e në ahiret.

69

وَلَقَدْ جَآءَتْ رُسُلُنَآ إِبْرَٰهِيمَ بِٱلْبُشْرَىٰ قَالُوا۟ سَلَٰمًۭا ۖ قَالَ سَلَٰمٌۭ ۖ فَمَا لَبِثَ أَن جَآءَ بِعِجْلٍ حَنِيذٍۢ

Të dërguarit Tonë (engjëjt), i sollën Ibrahimit sihariq dhe i thanë: “Selam!” Ai u përgjegj: “Selam!” Dhe me të shpejtë, u solli atyre një viç të pjekur.

Edhe Ibrahimit i shkuan të dërguarit Tanë me sihariq... -Melekët u dërguan tek Ibrahimi, i dashuri i Allahut të Madhëruar, për t’i dhënë lajmin e gëzueshëm për ardhjen e një fëmije në jetë. Kjo ndodhi në të njëjtën kohë kur i Madhëruari i dërgoi melekët për të shkatërruar popullin e Lutit (a.s.). I Madhëruari i urdhëroi ata që, para kësaj detyre, të kalonin nga Ibrahimi (a.s.) dhe ta përgëzonin për lindjen e Is'hakut. Kur hynë tek ai, ata e përshëndetën:...dhe i thanë: “Selam!”. Ai u përgjigj: “Selam paçi gjithnjë!”. -Ata e përshëndetën me selam dhe ai ua ktheu gjithashtu me selam. Kjo dëshmon se përshëndetja me selam është e ligjëruar dhe pjesë e traditës së Ibrahimit (a.s.). Gjithashtu, ajeti tregon se përshëndetja me selam duhet t'i paraprijë çdo fjale tjetër. Nga ajeti mësojmë gjithashtu se kthimi i përshëndetjes duhet të jetë më i zgjeruar dhe i mirë sesa përshëndetja e parë. Kjo shihet te forma e kthimit të përshëndetjes nga ana e Ibrahimit (a.s.): “Selam paçi gjithnjë!” dhe, sigurisht, kuptohet më qartë nëse krahason shprehjet përkatëse në gjuhën arabe. Por mirësjellja dhe bujaria e këtij profeti të zgjedhur nuk përfundoi me kaq. I Lartësuari thotë:Dhe nuk vonoi t’i gostiste me një viç të pjekur. -Sapo i erdhën mysafirët, Ibrahimi (a.s.) nxitoi t’i nderonte duke u nxjerrë një viç të majmë të pjekur mirë e duke u thënë: "Urdhëroni të hani!"

70

فَلَمَّا رَءَآ أَيْدِيَهُمْ لَا تَصِلُ إِلَيْهِ نَكِرَهُمْ وَأَوْجَسَ مِنْهُمْ خِيفَةًۭ ۚ قَالُوا۟ لَا تَخَفْ إِنَّآ أُرْسِلْنَآ إِلَىٰ قَوْمِ لُوطٍۢ

Kur pa (Ibrahimi) se duart e tyre nuk po e përkasin atë (viçin), nuk u pëlqeu (ky ngurrim i tyre ndaj ushqimit) dhe ndjeu frikë nga ata. (Engjëjt) thanë: “Mos u friko, na jemi dërguar te populli i Lutit”.

Kur pa se duart e tyre nuk po e preknin mishin, iu dukën të pazakontë dhe ndjeu njëfarë frike prej tyre. -Kur pa që ata nuk po e preknin ushqimin e përgatitur në nder të tyre, Ibrahimi (a.s.) u druajt se mos ata kishin ardhur për t'i bërë keq. E gjitha kjo ndodhi para prezantimit me ta dhe misionin e tyre.Ata i thanë: “Mos ki frikë, ne jemi të dërguar për te populli i Lutit.” -Mos u shqetëso, se ne jemi dërguar nga Zoti me misionin e shkatërrimit të popullit të Lutit.

Commentary: Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di. Qur'an text and translation via AlQuran Cloud.