Muslim99Muslim99
← Tafsir library

11. Hud

Hud · Meccan · 123 ayahs

سُورَةُ هُودٍ

Reading Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di

Ayahs 51–60 of 123

51

يَٰقَوْمِ لَآ أَسْـَٔلُكُمْ عَلَيْهِ أَجْرًا ۖ إِنْ أَجْرِىَ إِلَّا عَلَى ٱلَّذِى فَطَرَنِىٓ ۚ أَفَلَا تَعْقِلُونَ

O populli im! Unë nuk kërkoj nga ju shpërblim për këtë. Mua më shpërblen vetëm Ai që më ka krijuar! A nuk po mendoni?!

O populli im! Unë nuk po kërkoj prej jush ndonjë shpërblim për këtë(mesazh). Shpërblimi im vjen vetëm prej Atij që më krijoi. -Unë nuk po ju kërkoj të më jepni pasurinë pasi t’i bindeni thirrjes sime. Kështu, ju nuk mund të thoni: Ti po na fton në këtë fe, me qëllim që të përfitosh nga pasuria jonë. Unë po ju mësoj pa pasur asnjë lloj interesi vetjak. Unë nuk kërkoj shpërblim prej jush, sepse: “Shpërblimi im vjen vetëm prej Atij që më krijoi.”A nuk e kuptoni këtë?! -A nuk logjikoni dhe ta analizoni me kujdes se për çfarë ju ftoj? Nëse vërtet mendoni thellë, patjetër do ta pranoni ftesën. Kështu do të ndodhë, sepse nuk ka asnjë pengesë logjike për ta pranuar.

52

وَيَٰقَوْمِ ٱسْتَغْفِرُوا۟ رَبَّكُمْ ثُمَّ تُوبُوٓا۟ إِلَيْهِ يُرْسِلِ ٱلسَّمَآءَ عَلَيْكُم مِّدْرَارًۭا وَيَزِدْكُمْ قُوَّةً إِلَىٰ قُوَّتِكُمْ وَلَا تَتَوَلَّوْا۟ مُجْرِمِينَ

O populli im! Kërkoni falje nga Zoti juaj dhe kthehuni tek Ai, e Ai do t’ju sjellë shi të begatshëm dhe do t’ju shtojë fuqinë mbi fuqinë tuaj, dhe mos u shmangëni si mëkatarë!

“O populli im! Kërkoni falje prej Zotit tuaj dhe kthejuni Atij të penduar!” -Kërkoni falje për idhujtarinë e gjynahet e kaluara, dhe pastaj pendohuni vazhdimisht për çdo gjynah e mangësi në të ardhmen. Gjithmonë të jeni të kthyer te Zoti juaj, me pendim të sinqertë dhe me bindje. Nëse ju e bëni këtë, atëherë Allahu i Madhëruar thotë:“Ai do t’ju lëshojë shi me bollëk...” -Nëpërmjet shirave të bollshëm, toka do të lulëzohet dhe begatohet. Kështu, ju do të lumturoheni me mirësitë e shumta të dhuruara nga Ai. Veç kësaj:“...do t’ju shtojë fuqi mbi fuqinë tuaj...” -Adët ishin nga popujt më të fuqishëm që Zoti ka krijuar ndonjëherë, aq sa thoshin: "E kush është më i fuqishëm se ne?!" Prandaj Allahu i Madhëruar u premtoi që, nëse besonin dhe ktheheshin të penduar e të bindur, Ai do t’ua shtonte edhe më shumë forcën e tyre.“...ndaj mos refuzoni e mos u bëni zullumqarë!” -Mos i ktheni shpinën kësaj ftese bujare të Zotit, Krijuesit tuaj! Mos u bëni bisht porosive të Tij! Mos tregoni kryeneçësi ndaj adhurimit të Allahut! Mos tregoni guxim të paturpshëm që të shkelni kufijtë e Tij! Duke refuzuar ftesën e Profetit të tyre, ata thanë:

53

قَالُوا۟ يَٰهُودُ مَا جِئْتَنَا بِبَيِّنَةٍۢ وَمَا نَحْنُ بِتَارِكِىٓ ءَالِهَتِنَا عَن قَوْلِكَ وَمَا نَحْنُ لَكَ بِمُؤْمِنِينَ

Ata thanë: “O Hud! Ti nuk na ke sjellë kurrfarë argumenti dhe për fjalë tuaja – ne nuk do t’i braktisim zotrat tonë, as nuk të besojmë na ty!

Ata thanë: “O Hud, ti nuk na solle ndonjë argument...” -Nuk na solle ndonjë argument a provë të qartë, që ne të besojmë. Nëse me fjalën ‘argument’ kishin për qëllim argumentet që ata propozonin vetë, le ta dinin se e vërteta e Zotit nuk ka nevojë për të tilla fakte. E vërteta nuk varet nga argumentet që ata propozojnë me mendjen e tyre. E nevojshme është vetëm që profeti të sjellë një shenjë nga Zoti i tij, e cila të mbështesë e të vërtetojë saktësinë e mesazhit që ai sjell. Nga ana tjetër, nëse kishin për qëllim të thoshin se Profeti nuk u solli asnjë shenjë e argument që të faktonte se mesazhi prej Zotit ishte i vërtetë, atëherë kjo qe një gënjeshtër, sepse nuk ka pasur asnjë profet që Zoti të mos e ketë pajisur me shenja e argumente të mjaftueshme që njerëzit ta besonin. Por edhe sikur ai të mos u sillte asnjë shenjë të dukshme nga shqisat, do t'u mjaftonte vetëm kumtimi i qartë i mesazhit, që ai i porositi për ta besuar e për t’iu nënshtruar. Profeti i ftoi të ishin tërësisht të sinqertë me Allahun, Krijuesin e tyre. Ai i këshilloi t’i përkushtoheshin tërësisht adhurimit të Zotit si Një, të Vetëm dhe të Pashoq. Ai i urdhëroi për vepra të mira e të dobishme dhe për virtyte të larta. I Dërguari i ndaloi nga idhujtaria, nga kjo vepër kaq e shëmtuar dhe poshtëruese. I ndaloi nga poshtërsitë e padrejtësitë, si dhe nga fjalët e veprat e ulta, të shëmtuara dhe të dëmshme. Të gjitha këto porosi dhe këshilla të mrekullueshme ua solli Hudi (a.s.), njeriu me cilësitë dhe virtytet më të mira që mund të ketë një njeri fisnik. Ai i kumtoi ato me çiltërsinë dhe besnikërinë më të madhe. A nuk mjaftojnë të gjitha këto si argumente për vërtetësinë e mesazhit që ai përcolli nga Zoti i tij?! Madje, mund të themi me bindje se të urtët dhe të mençurit i shohin këto lloj argumentesh si më të rëndësishme dhe më të forta sesa thjesht disa ngjarje të jashtëzakonshme, të cilat, nga një grup njerëzish, shihen si të vetmet mrekulli dhe fakte bindëse. Ndër shenjat dhe argumentet treguese të vërtetësisë së tij ishte edhe fakti se ky profet qe i vetëm, pa ndihmës e mbështetës. Por edhe pse i vetëm dhe pa mbështetje, Ai e thirri popullin me zë të lartë, duke i sfiduar e duke iu thënë: "Mblidhuni të gjithë me komplote kundër meje e mos më jepni asnjë afat!" Unë i jam mbështetur Allahut, Zotit tim dhe Zotit tuaj. Nuk ka asnjë nga gjallesat, që Ai të mos e ketë nën sundim. Vërtet, Zoti im është i Drejtë." Ata ishin armiq të betuar të Profetit. Ata kishin fuqi ushtarake të jashtëzakonshme. Dëshira e tyre më e flaktë ishte që të shuanin dritën që Hudi (a.s.) përhapte. Atëherë, me çfarë sigurie fliste ky profet dhe ata që ishin me të, ndërkohë që ata mund t’i shfarosnin me fuqinë e tyre?! Si është e mundur që ata tiranë të mos i bënin dot asnjë gjë profetit dhe atyre që i besuan atij?! Vërtet, kjo qe një sfidë dhe një argument shumë i qartë për ata që logjikojnë.“...ndaj ne nuk i braktisim zotat tanë për fjalën tënde...” -Ne nuk e lëmë adhurimin e idhujve tanë thjesht prej fjalëve të tua, të pambështetur në argumentet që duam ne.“...dhe nuk të besojmë ty.” -Kështu ata donin të këpusnin çdo shpresë se mund të besonin. Kurrë nuk kemi për të besuar - thanë ata - dhe do të …

54

إِن نَّقُولُ إِلَّا ٱعْتَرَىٰكَ بَعْضُ ءَالِهَتِنَا بِسُوٓءٍۢ ۗ قَالَ إِنِّىٓ أُشْهِدُ ٱللَّهَ وَٱشْهَدُوٓا۟ أَنِّى بَرِىٓءٌۭ مِّمَّا تُشْرِكُونَ

Na pohojmë se vetëm ty të ka qëlluar ndonjë e keqe nga zotrat tonë” Ai tha: “Unë e dëshmoj Perëndinë, e dëshmonie edhe ju, se unë jam larg nga ato që ju i bëni shok Perëndisë,

“Ne themi se ndonjë prej idhujve tanë të ka goditur me ndonjë të keqe!” Ai tha: “Unë kam dëshmitar Allahun, por dëshmoni edhe ju që unë distancohem nga idhujt që ju adhuroni veç Tij.” -Ne besojmë se zotat tanë duhet të të kenë ndëshkuar me çmenduri, prandaj dhe ti na thua gjëra të palogjikshme e të papranueshme. Subhanallah! I Lartësuar dhe larg çdo të mete është Allahu! Vërtet, ato ishin zemra të vulosura. I Madhëruari i vulosi ato për shkak se ishin të mbushura me padrejtësi e ligësi. Si mund të flitet kështu për njeriun më të sinqertë dhe më të plotë, i cili sjell mesazhin e Zotit?! Çdo njeri me logjikë të shëndoshë do të kishte turp madje edhe t’i përcillte këto fjalë nga ata, sikur të mos i kishte cituar vetë Zoti i Madh për të treguar padrejtësinë e tyre. Profeti Hud (a.s.) ua bëri të qartë se ishte tepër i sigurt dhe i qetë se kurrsesi nuk mund të cenohej nga idhujt e tyre apo nga intrigat e vetë atyre arrogantëve, duke u thënë:

55

مِن دُونِهِۦ ۖ فَكِيدُونِى جَمِيعًۭا ثُمَّ لَا تُنظِرُونِ

(heqi dorë nga të bëmit shok) përpos Tij. Të gjithë ju bëni dredhi kundër meje, dhe mos më jepni afat aspak!

“Mblidhuni të gjithë me komplote kundër meje e mos më jepni asnjë afat.” -Planifikoni dhe ndërmerrni çdo masë për të më dëmtuar mua, të gjithë ju, me çdo rrugë e mjet që mundeni. Mos më afatizoni aspak, por veproni si t'ju vijë për mbarë. Mua më mjafton Allahu, Zoti im.

56

إِنِّى تَوَكَّلْتُ عَلَى ٱللَّهِ رَبِّى وَرَبِّكُم ۚ مَّا مِن دَآبَّةٍ إِلَّا هُوَ ءَاخِذٌۢ بِنَاصِيَتِهَآ ۚ إِنَّ رَبِّى عَلَىٰ صِرَٰطٍۢ مُّسْتَقِيمٍۢ

Unë mbështetem te Perëndia, Zoti im dhe Zoti juaj. S’ka asnjë gjallesë që të mos jetë nën pushtetin e Tij. Me të vërtetë, Zoti im është në rrugë të drejtë.

“Unë i jam mbështetur Allahut, Zotit tim dhe Zotit tuaj.” -Në të gjitha çështjet e mia unë i jam mbështetur Allahut, sepse Ai është Krijuesi i të gjithëve dhe Sunduesi i çdo gjëje. Është Allahu që përkujdeset dhe rregullon çështjet e të gjitha krijesave. Edhe ju nuk dilni jashtë sundimit dhe mbretërimit të Tij.“Nuk ka asnjë nga gjallesat, që Ai të mos e ketë nën sundim.” -Asgjë nuk mund të lëvizë apo të qëndrojë në prehje pa lejen e Tij. Mësojeni, o të mjerë, se nëse mblidheni e organizoheni të gjithë, pa përjashtim, për të më dëmtuar me diçka që Zoti nuk e lejon të ndodhë, kurrë nuk keni për ta realizuar. Por edhe nëse Ai ju lejon ta bëni diçka të tillë, dijeni se do të ndodhë me urtësinë e Tij absolute, nga e cila ju kurrë nuk mund të dilni.“Vërtet Zoti im është i Drejtë.” -Zoti im është i Drejtë, i Mirë dhe i Urtë. Ai është i Lavdëruar për çdo përcaktim në ekzistencë. I drejtë e i urtë është ligji i krijimit dhe i funksionimit të ekzistencës, ashtu siç është edhe ligji që Ai e dëshiron që ne ta zbatojmë e jetojmë sipas tij. I drejtë e me urtësi është edhe ligji i Tij i shpërblimit e i ndëshkimit. Veprat e Zotit janë të mrekullueshme dhe kurrë nuk dalin nga drejtësia dhe urtësia, prandaj Ai është i lavdëruar për të gjitha këto. Ai meriton të madhërohet e t'i shprehet mirënjohja duke e adhuruar si Një të vetëm.

57

فَإِن تَوَلَّوْا۟ فَقَدْ أَبْلَغْتُكُم مَّآ أُرْسِلْتُ بِهِۦٓ إِلَيْكُمْ ۚ وَيَسْتَخْلِفُ رَبِّى قَوْمًا غَيْرَكُمْ وَلَا تَضُرُّونَهُۥ شَيْـًٔا ۚ إِنَّ رَبِّى عَلَىٰ كُلِّ شَىْءٍ حَفِيظٌۭ

E, nëse ju shmangeni, thuaj: “Unë ju kam treguar për atë që jam dërguar te ju. E Zoti im në vend tuaj do të sjellë një popull tjetër, kurse ju, - nuk mund t’i bëni kurrfarë dëmi Atij. Me të vërtetë, Zoti im është ruajtës mbi çdo gjë”.

Nëse ata kthejnë shpinën(thuaju): “Unë tashmë jua kam përcjellë qartë atë me të cilin jam dërguar te ju.” -Edhe nëse i ktheni shpinën ftesës sime, unë e kam kryer detyrën ndaj jush. Unë jua përçova qartë dhe saktësisht mesazhin, prandaj nuk kam asnjë përgjegjësi për ju. Dijeni, gjithashtu:“Zoti im mund t’ju zëvendësojë me një popull tjetër, ndërsa ju nuk mund t’i bëni Atij kurrfarë dëmi.” -Zoti im është i fuqishëm që të sjellë pas jush një popull tjetër, që të përkushtohen në përkryerjen e adhurimeve ndaj Tij dhe ta adhurojnë si Një, të Vetëm dhe të Pashoq. Dëmi i shpërfilljes dhe i mosbesimit tuaj rëndon thjesht mbi ju. Allahun e Madhërishëm nuk e dëmton mosbindja e të pabindurve, ashtu sikurse nuk i sjell dobi apo rritje të pushtetit bindja e të bindurve. I Madhëruari thotë: "Kush bën mirë, bën mirë për veten e vet e kush bën keq, ai vepron kundër vetes së vet. Zoti yt nuk u bën padrejtësi robërve ." [Fussilet 46] Ose: "Kush bën vepra të mira, bën për vete e kush bën vepra të këqia, bën kundër vetes. Në fund, te Zoti juaj do të ktheheni." [Xhathije 15]. Më pas, i Madhëruari i kërcënon me llogarinë e Tij të drejtë dhe thotë:“Vërtet, Zoti im është Mbikëqyrës i çdo gjëje”. -Allahu i ka ruajtur të gjitha veprat e tyre, në bazë të të cilave edhe do t’i shpërblejë. Në fakt, ndëshkimi i tyre filloi që në këtë botë, kur i përfshiu një furtunë e fuqishme, sikurse thotë i Madhëruari në ajet tjetër: "(Kujto) Edhe Adin, kur Ne lëshuam kundër tyre furtunën shkatërrimtare, që nuk la gjë pa e shndërruar në mbeturinë." [Dharijat 41, 42]. Allahu i Madhëruar na tregon se Ai e shpëtoi Hudin nga ky ndëshkim, bashkë me besimtarët e tjerë:

58

وَلَمَّا جَآءَ أَمْرُنَا نَجَّيْنَا هُودًۭا وَٱلَّذِينَ ءَامَنُوا۟ مَعَهُۥ بِرَحْمَةٍۢ مِّنَّا وَنَجَّيْنَٰهُم مِّنْ عَذَابٍ غَلِيظٍۢ

Kur erdhi urdhëri Ynë (dënimi), Na, me mëshirën Tonë e shpëtuam Hudin bashkë me besimtarët e tij. I shpëtuam ata nga dënimi i rëndë.

Kur erdhi caktimi Ynë, atëherë, me mëshirën Tonë, Ne shpëtuam Hudin, e së bashku me të, edhe ata që kishin besuar. Ne i shpëtuam ata prej një ndëshkimi të ashpër. -Ata shpëtuan nga ndëshkimi i rëndë që goditi popullin e tyre. Aq i rëndë ishte ai ndëshkim, saqë pas tij dukeshin vetëm gërmadhat e vendbanimeve të tyre.

59

وَتِلْكَ عَادٌۭ ۖ جَحَدُوا۟ بِـَٔايَٰتِ رَبِّهِمْ وَعَصَوْا۟ رُسُلَهُۥ وَٱتَّبَعُوٓا۟ أَمْرَ كُلِّ جَبَّارٍ عَنِيدٍۢ

Qe, ky ishte populli i Adit. I mohuan rgumentet e Zotit të tyre dhe ishin të padëgjueshëm ndaj pejgamberëve të Tij dhe shkonin pas urdhërit të çdo zullumqari, kokëfortë.

Ja, ky ishte populli i Adit. Ata mohuan me forcë argumentet e Zotit të tyre... -Me padrejtësitë e tyre, ata e merituan ndëshkimin e të Madhëruarit. Ata mohuan Shpalljen e Allahut dhe, me arrogancë e paturpësinë më të madhe, i thanë profetit Hud: "Nuk na solle ndonjë argument.". Ata ishin tërësisht të sigurt për vërtetësinë e Shpalljes së Hudit dhe për sinqeritetin e tij, por e mohuan atë me kryeneçësi. Allahu i Madhëruar thotë:...kundërshtuan të dërguarit e Tij... -Ai që nuk i bindet e nuk e beson një profet konsiderohet si mohuesi i të gjithë profetëve të Zotit, sepse ftesa e të gjithë profetëve është e njëjtë....dhe shkuan pas urdhrit të çdo tirani kokëfortë. -Ata ishin ndjekës të atyre që Allahu i Madhëruar i përshkruan me dy cilësi: tiranë e të dhunshëm ndaj njerëzve dhe kokëfortë ndaj Shpalljes së Zotit. Kështu, ata refuzuan t’i bindeshin atij që i këshillonte me dhembshuri, dashamirësi e dashuri dhe iu bindën atyre që i dhunonin dhe i mashtronin. Për këtë arsye, ata e merituan ndëshkimin e Zotit të tyre.

60

وَأُتْبِعُوا۟ فِى هَٰذِهِ ٱلدُّنْيَا لَعْنَةًۭ وَيَوْمَ ٱلْقِيَٰمَةِ ۗ أَلَآ إِنَّ عَادًۭا كَفَرُوا۟ رَبَّهُمْ ۗ أَلَا بُعْدًۭا لِّعَادٍۢ قَوْمِ هُودٍۢ

Ata i ndoqi mallkimi në këtë jetë dhe do t’i ndjekë edhe në Ditën e Kijametit. Ah! Me të vërtetë, Adi mohuan Zotin e tyre. Qe pra, le të jetë larg (nga shpëtimi) Adi – populli i Hudit!

Ata u përcollën me mallkim si në këtë botë, ashtu edhe në Ditën e Gjykimit. -Ata do t'i ndjekë nga pas mallkimi dhe nami i keq në çdo kohë, deri edhe në Ditën e Gjykimit.Le të dihet, Adët mohuan Zotin e tyre. Qofshin të shkatërruar Adët, populli i Hudit! -Ata kundërshtuan me forcë që të besonin Allahun e Madhëruar, i Cili është Krijuesi e Furnizuesi, Ai i Cili përkujdeset për krijesat e Tij. Prandaj i Madhëruari i dëboi nga çdo e mirë, duke i lënë në mes të të këqijave. Ky ishte shpërblimi i merituar për veprat e tyre të shëmtuara.

Commentary: Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di. Qur'an text and translation via AlQuran Cloud.