Muslim99Muslim99
← Tafsir library

11. Hud

Hud · Meccan · 123 ayahs

سُورَةُ هُودٍ

Reading Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di

Ayahs 21–30 of 123

21

أُو۟لَٰٓئِكَ ٱلَّذِينَ خَسِرُوٓا۟ أَنفُسَهُمْ وَضَلَّ عَنْهُم مَّا كَانُوا۟ يَفْتَرُونَ

këta janë ata që e kanë dëmtuar vetveten, dhe u zhdukën nga këta, - ato që i trillonin, -

Këta janë ata që e kanë shkatërruar veten dhe prej tyre ka humbur çdo gjë që kanë trilluar. -Ata vërtet e kanë shkatërruar veten e tyre, sepse jo vetëm që u ka ikur shpërblimi i madh, por edhe kanë rënë në ndëshkimin më të rëndë. Feja dhe besimi që ata e pasojnë dhe ua zbukurojnë njerëzve do të zhduket dhe nuk do t’u sjellë asnjë dobi. Zotat që ata i adhurojnë veç Allahut do të treten para tyre e, bashkë me ta, edhe shpresa për shpëtim. Kështu do të ndodhë me ta kur të vijë urdhri i Zotit.

22

لَا جَرَمَ أَنَّهُمْ فِى ٱلْءَاخِرَةِ هُمُ ٱلْأَخْسَرُونَ

këta, me të vërtetë, do të jenë krejtësisht të humbur në botën tjetër.

Nuk ka dyshim se në botën tjetër ata do të jenë më të humburit. -Nuk ka dyshim se në ahiret ata kanë për të qenë më të shkatërruarit dhe më të dëshpëruarit. Allahu i Madhëruar e theksoi shkatërrimin dhe dëshpërimin e këtyre njerëzve, për shkak të dënimit të madh dhe të dhimbshëm që ata do të vuajnë në përjetësi. E lusim Allahun që të na ruajë nga kjo lloj gjendjeje. Pasi përshkroi gjendjen e të dëshpëruarve, Allahu i Lartësuar vijon me gjendjen e fatlumëve, si dhe shpërblimet dhe kënaqësitë e shumta që presin ata. I Lartësuari thotë:

23

إِنَّ ٱلَّذِينَ ءَامَنُوا۟ وَعَمِلُوا۟ ٱلصَّٰلِحَٰتِ وَأَخْبَتُوٓا۟ إِلَىٰ رَبِّهِمْ أُو۟لَٰٓئِكَ أَصْحَٰبُ ٱلْجَنَّةِ ۖ هُمْ فِيهَا خَٰلِدُونَ

Me të vërtetë, ata që besojnë dhe punojnë vepra të mira dhe përulen te Zoti i tyre, këta janë banorë të xhennetit, në të cilin do të qëndojnë përherë.

Ata të cilët besojnë, bëjnë vepra të mira dhe i përulen Zotit të tyre... -Allahu i Madhëruar i përshkruan këta fatlumë me disa cilësi. Së pari, ata besojnë me zemrat e tyre, duke pohuar e pranuar çdo gjë që Allahu i Lartësuar ka urdhëruar, qofshin parime themelore të fesë, rregulla apo ligje të saj. Së dyti, ata bëjnë punë të mira, qofshin këto me zemër, fjalë apo gjymtyrë. Së treti, i frikësohen Zotit duke iu nënshtruar me bindje e përkushtim, por edhe me pendim të sinqertë e kthim tek Ai. Ata kthehen vazhdimisht tek Allahu, plot dashuri për Të, plot shpresë për shpërblimin e Tij dhe, sigurisht, me frikë e drojë nga ndëshkimi i Tij....- ata do të jenë banorë të Xhenetit përjetë. -Ata që janë stolisur me të tilla cilësi do të jenë banorë të Xhenetit, ku do të jenë përgjithmonë. Ky është premtimi i Bujarit të Gjithëmëshirshëm, sepse ata nuk lënë asnjë të mirë pa e bërë, për ta arritur këtë shpërblim dhe nuk lënë shteg devotshmërie pa garuar në të.

24

۞ مَثَلُ ٱلْفَرِيقَيْنِ كَٱلْأَعْمَىٰ وَٱلْأَصَمِّ وَٱلْبَصِيرِ وَٱلسَّمِيعِ ۚ هَلْ يَسْتَوِيَانِ مَثَلًا ۚ أَفَلَا تَذَكَّرُونَ

Shembulli i këtyre dy grupeve është si i verbëri dhe i shurdhëri (në njërën anë) dhe ai që sheh dhe dëgjon (në anën tjetër). A janë të njëjtë këta (kur të krahasohen)? A nuk po këshilloheni?!

Këta dy grupe(njerëzish)mund të krahasohen me të verbrin dhe shurdhin përkundër atyre që shohin e dëgjojnë. -Fatlumët dhe fatzinjtë, të lumturit dhe të dëshpëruarit janë si shembulli i dhënë në ajet. Të dëshpëruarit nuk arrijnë të shohin dhe dëgjojnë udhëzimin e drejtë dhe gjithçka që u sjell dobi. Ndërsa të lumturit e fatbardhët janë ata që e dëgjojnë dhe vështrojnë mirë udhëzimin e drejtë. Ata mund ta dallojnë qartë çdo gjë që i bën dobi në dynja dhe ahiret.A janë njëlloj këta? A nuk po kujtoheni?! -A mund të jenë të njëjtë këto dy palë? Jo, kurrsesi nuk mund të jenë të njëjtë. Mes tyre ka ndryshime aq të mëdha, saqë nuk mund të përshkruhen me fjalë. O njerëz! A nuk i shihni këto shembuj dhe të reflektoni ashtu si duhet në lidhje me këtë çështje? A nuk e dëgjoni dhe shihni udhëzimin e Zotit në rrugën e drejtë? A nuk po e nënshtroni veten për të kryer ato punë të mira që të afrojnë tek Ai dhe t'u largoheni atyre punëve të këqija që ju largojnë prej Tij dhe ju zhysin në dëshpërim në të dyja jetët?!

25

وَلَقَدْ أَرْسَلْنَا نُوحًا إِلَىٰ قَوْمِهِۦٓ إِنِّى لَكُمْ نَذِيرٌۭ مُّبِينٌ

Dhe Na, me të vërtetë, ia dërguam Nuhun popullit të tij (e, u tha): “Unë jam për ju paralajmërues i hapët;

Ne e dërguam Nuhun te populli i vet... -Kuptimi: Me të vërtetë, Ne e dërguam Nuhun te populli i tij për t'i thirrur ata në adhurimin e një Zoti të vetëm dhe për t'i ndaluar nga idhujtaria. Ai u tha atyre.“Unë kam ardhur te ju me një paralajmërim të fortë,...” -Unë jua qartësoj udhëzimet e Zotit me hollësi, pa lënë asgjë të pakuptueshme. Porosia më e rëndësishme është:

26

أَن لَّا تَعْبُدُوٓا۟ إِلَّا ٱللَّهَ ۖ إِنِّىٓ أَخَافُ عَلَيْكُمْ عَذَابَ يَوْمٍ أَلِيمٍۢ

Adhuronie vetëm Perëndinë. Unë për ju i druaj dënimit të (një) Ditës së dhëmbshme”.

“...Që të mos adhuroni asnjë tjetër veç Allahut. Unë kam frikë për ju dënimin e një dite të dhembshme.” -Të gjitha adhurimet t'ia kushtoni veçse Allahut. Ta adhuroni Atë me sinqeritet dhe të motivuar vetëm nga dashuria për Të, nga shpresa për shpërblimin e Tij dhe nga frikërespekti e madhërimi i Tij. Ajo që ju kërkohet është përkushtim i plotë në adhurimin e Allahut si Një e i Vetëm dhe distancimi nga çdo gjë që adhurohet veç Tij. Nëse ju nuk i përmbaheni këtij kushti, atëherë unë kam frikë se do t'ju godasë ndëshkimi i një dite të dhembshme.

27

فَقَالَ ٱلْمَلَأُ ٱلَّذِينَ كَفَرُوا۟ مِن قَوْمِهِۦ مَا نَرَىٰكَ إِلَّا بَشَرًۭا مِّثْلَنَا وَمَا نَرَىٰكَ ٱتَّبَعَكَ إِلَّا ٱلَّذِينَ هُمْ أَرَاذِلُنَا بَادِىَ ٱلرَّأْىِ وَمَا نَرَىٰ لَكُمْ عَلَيْنَا مِن فَضْلٍۭ بَلْ نَظُنُّكُمْ كَٰذِبِينَ

E, paria e popullit të tij, ata që nuk kanë besuar, thanë: “Na shohim se ti je vetëm njeri si na, dhe shohim që ty të shkojnë pas, vetëm ata më të ulëtit, nga ne – pa menduar fare dhe se nuk shohim se ju keni diçka më të mirë se ne. Jo, (por) na ju konsiderojmë për gënjeshtar”.

Paria e jobesimtarëve nga populli i tij, tha:... -Ashtu sikurse ndodh vazhdimisht, të ashtuquajturit "paria" apo krerët e popullit e kundërshtuan ftesën e Nuhut (a.s.), duke qenë madje të parët për këtë. Ata pretenduan se shkaku ishte fakti se ai qe veçse një njeri i zakonshëm, ashtu si ata. Ata thanë:“Ne nuk shohim tek ti asgjë tjetër përveçse një njeri, siç jemi edhe ne....” -Domethënë, si të besojmë ty si i dërguari i Zotit, kur ti je thjesht një njeri?! Por ky pretendim ishte tërësisht i kotë dhe i padrejtë. Përkundrazi, asnjë zgjedhje tjetër nuk mund të ishte më e drejtë se kjo që bëri Zoti për sjelljen e mesazhit të Tij te njerëzit. I Madhërishmi e vendosi të jetë kështu, në mënyrë që njerëzit të kishin mundësinë të merrnin mesazhin e Tij lehtësisht e qartësisht nga vetë lloji i tyre. Kështu, ata do të kishin mundësinë të mësonin dhe këshilloheshin me profetët e tyre në çdo kohë e për çdo çështje, gjë kjo që nuk do të ndodhte nëse të dërguarit do të ishin melekë. Kjo është arsyeja që pretendimi i tyre qe i pabazë. Një arsye po aq qesharake, që ata e paraqisnin si justifikim për mospranimin dhe mosbesimin ndaj profetëve, ishte edhe:“...Ne po shohim se nuk po të pason askush tjetër përveç të pavlerëve, që nuk mendojnë gjatë.” -Ky ishte gjykimi i tyre për pasuesit e profetëve. Sipas tyre, vetëm njerëzit më të ulët dhe të parëndësishëm ishin bërë pasues të profetëve. Njerëzit më të përçmuar dhe të ulët ishin bërë besimtarë, prandaj dhe ata nuk mund të uleshin në atë nivel. Ndërkaq, realiteti është krejt i kundërt me këtë gjykim të poshtër dhe të padrejtë. Pasuesit e profetëve janë njerëzit më të nderuar e më të lartë. Ata janë të urtët dhe të logjikshmit, mendjet dhe arsyeja e të cilëve është ndriçuar për të pranuar të vërtetën dhe për t'iu nënshtruar asaj. Këta fatlumë qëndrojnë shumë më lart nga ata të ashtuquajtur "paria", që e poshtërojnë veten duke u bërë pasues të shejtanit, të cilët janë të shfrenuar e të papërmbajtur në përmbushjen e epsheve. Ata të mjerë janë nënshtruar për të adhuruar gurët, drurët dhe çdo gjë tjetër, veç Allahut të Madhërishëm. Atyre u përgjërohen dhe u përulen, atyre u dedikojnë përkushtime. A ka më të poshtër, të përçmuar dhe më pa mend se kjo kategori njerëzish? Këta të mjerë çuditërisht thonë se pasuesit e denjë të profetëve janë njerëz që “që nuk mendojnë gjatë” dhe e ndjekin rrugën e tyre, pa logjikuar me qetësi. Sipas tyre, ata e pranojnë ftesën thjesht që me thirrjen e parë, pa pikën e logjikës dhe të vetëdijes. Më këto fjalë, këta pretendojnë që pasuesit e Profetit nuk janë të qartë në atë që bëjnë dhe besojnë. Por harrojnë ata se besimi i vërtetë vjen krejt natyrshëm, që një logjikë e pastër dhe e çliruar e pranon menjëherë. Mjafton që t'u paraqitet e vërteta, dhe të urtët e njohin menjëherë dhe, me bindje e sinqeritet të plotë, e pranojnë atë. Besimi i saktë dhe i vërtetë nuk është një çështje e koklavitur, që nuk mund të kuptohet. Përkundrazi, ai është shumë i thjeshtë dhe lehtësisht i kuptueshëm, i tillë që nuk ka nevojë të mendohet gjatë. Një tjetër arsyetim i tyre është:“Ne nuk shohim as që të jeni më të mirë se ne. Madje, ne mendojmë se ju jeni gënjeshtarë!” -Ne nuk shohim tek ju ndonjë cilësi që …

28

قَالَ يَٰقَوْمِ أَرَءَيْتُمْ إِن كُنتُ عَلَىٰ بَيِّنَةٍۢ مِّن رَّبِّى وَءَاتَىٰنِى رَحْمَةًۭ مِّنْ عِندِهِۦ فَعُمِّيَتْ عَلَيْكُمْ أَنُلْزِمُكُمُوهَا وَأَنتُمْ لَهَا كَٰرِهُونَ

Ai (Nuhu) tha: “O populli im, ç’mendoni ju, nëse unë i përmbahem dokumentit të qartë të Zotit tim, madje Ai më ka dhënë nga Vetja mëshirë – e ju jeni të verbër për të, a mund t’jua imponojmë juve atë, kur ju nuk e dëshironi?”

“Ai tha: “O populli im! Shihni, nëse unë mbështetem në një argument të qartë nga Zoti im, e Ai më ka dhuruar mëshirë nga ana e Tij,...” -Në këto ajete, nëpërmjet fjalëve të Nuhut a.s. i madhëruari shprehet qartë se, ashtu si të gjithë Profetët e tjerë edhe Profeti i fundit, Muhammedi (a.s)është shembulli më i përkryer dhe i plotë për krijesat. Arsyet dhe logjika e të gjithë mendimtarëve të urtë, në krahasim me arsyen dhe logjikën e Muhamedit, janë të papërfillshme. A nuk është e mjaftueshme që ai dëshmon për këtë Kur’an?! A nuk mjafton dëshmia e Muhamedit (a.s)për të qenë të sigurt për vërtetësinë e tij? Përveçse Profeti ishte në nivelin më të lartë të arsyes dhe intelektit, përveçse Zoti e kishte pajisur me oratori të përsosur dhe të pakundërshtueshme, i Madhëruari na tregon se këtë njeri të zgjedhur Ai e kishte mbuluar me mëshirën e Tij të pakufishme. Allahu i Lartësuar e pajisi këtë njeri me udhëzimin më të plotë dhe e bëri Profetin më të zgjedhur. Ai e ndriçoi me dituri hyjnore dhe e forcoi që të jetonte e të punonte sipas saj, si edhe ftonte njerëzit në këtë rrugë. Më parë, Profeti (a.s)nuk dinte asgjë rreth Shpalljes dhe imanit, por i Gjithëmëshirshmi zgjedh atë që Ai dëshiron për t’i shpallur udhëzimin. Megjithatë, të verbërit nuk mund ta shohin këtë të vërtetë hyjnore, prandaj i Madhëruari thotë:“...që ju nuk arrini ta shquani....” -Ju nuk e kuptoni këtë mirësi të Profetit (a.s)dhe nuk arrini ta njihni të vërtetën që ai e solli nga Allahu i Madhëruar. Juve ju duket shumë e vështirë që ta pranoni këtë të vërtetë dhe e urreni të jetoni sipas saj. Nëse ju nuk shprehni asnjë interes për ta gjykuar drejt ftesën e Zotit, si mund t'ju detyrojmë - thuhet në ajetin më pas - që ta pranoni atë dhe të jetoni sipas saj?!“...Vallë, a mund t’ju detyrojmë që ta pranoni të vërtetën, kur ju e urreni atë?” -Si mund t'ju detyrojmë ta pranoni atë për të cilën ne jemi krejt të sigurt, ndërkohë që ju e urreni dhe keni dyshime rreth saj?! Ju e urreni aq shumë këtë ftesë, saqë shpenzoni të gjitha energjitë për të refuzuar atë Shpallje që unë solla prej Zotit tim. Por kjo nuk e cenon aspak sigurinë tonë në vërtetësinë e asaj që besojmë. Fjalët dhe shpifjet tuaja rreth nesh dhe fesë sonë kurrsesi nuk mund të na pengojnë nga adhurimet që ne ia përkushtojmë Zotit tonë. Maksimumi që mund të arrini me to është privimi i vetes suaj nga e vërteta, që në sytë tuaj është diçka e kotë. Kur gjendja juaj ka arritur në këtë nivel, atëherë ne nuk mund t’ju detyrojmë të pranoni fenë e Zotit, që ju e keni refuzuar me urrejtje. Detyra e Profetit është veçse qartësimi i të vërtetës. Kush e trajton këtë ftesë me respekt dhe drejtësi, duke kërkuar vërtet udhëzimin e drejtë të Zotit, ka për ta gjetur atë. Ndërsa kush e shpërfill ftesën dhe e lëshon veten në prehrin e pakujdesisë dhe shfrenimit, nuk ka për ta gjetur rrugën e vërtetë.

29

وَيَٰقَوْمِ لَآ أَسْـَٔلُكُمْ عَلَيْهِ مَالًا ۖ إِنْ أَجْرِىَ إِلَّا عَلَى ٱللَّهِ ۚ وَمَآ أَنَا۠ بِطَارِدِ ٱلَّذِينَ ءَامَنُوٓا۟ ۚ إِنَّهُم مُّلَٰقُوا۟ رَبِّهِمْ وَلَٰكِنِّىٓ أَرَىٰكُمْ قَوْمًۭا تَجْهَلُونَ

O populli im! Unë për këtë nuk kërkoj nga ju kurrfarë pasurie. Mua më shpërblen vetëm Perëndia. E, unë nuk mund t’i dëboj ata që besojnë. Ata do të takohen me Zotin e tyre. Mirëpo, unë shoh se ju, me të vërtetë, jeni popull që nuk di.

“O populli im! Unë nuk ju kërkoj ndonjë pasuri për këtë. Shpërblimi im është vetëm nga Allahu.” -Unë nuk ju kërkoj ndonjë pasuri në këmbim të pranimit të ftesës sime në rrugën e drejtë, që ju të pretendoni se po rëndoheni.“Unë nuk kam për t'i dëbuar kurrë besimtarët.” -Me sa duket, ata i kërkuan Profetit që t'i dëbonte besimtarët e varfër, të dobëtit dhe jo të fismit. Por ai u përgjigj: Unë nuk i përzë kurrë besimtarët. Kjo është padrejtësi, prandaj unë nuk mund ta bëj atë. Përkundrazi, unë jam urdhëruar që t’i pres e t'i trajtoj ata me dashuri, dhembshuri, bujari e mirësjellje.“Ata do të takohen me Zotin e tyre;...” -Është Allahu i Madhëruar Ai që ka të drejtën e llogarisë dhe të shpërblimit të robërve . Ai do t’i shpërblejë robërit e Tij besimtarë për imanin dhe devotshmërinë e tyre, duke i futur në Xhenetin e mirësisë.“...kurse ju, po shoh se jeni njerëz që nuk dini.” -Kërkesa juaj për të përzënë eulijatë e Allahut është injorancë e thellë. Është injorancë, gjithashtu, që ju refuzoni të vërtetën për shkak se atë e kanë pranuar këta njerëz. Padituri është edhe justifikimi juaj se unë qenkam thjesht një njeri si ju dhe nuk ka pse të kem ndonjë përparësi ndaj jush.

30

وَيَٰقَوْمِ مَن يَنصُرُنِى مِنَ ٱللَّهِ إِن طَرَدتُّهُمْ ۚ أَفَلَا تَذَكَّرُونَ

O populli im kush do të më mbroj mua nga Perëndia, nëse unë ata (besimtarët) i dëboj? A nuk doni të këshilloheni?”

“O populli im! Kush mund të më mbronte mua nga Allahu, nëse do t'i dëboja ata?” -Kush mund të më mbrojë mua nga dënimi i Allahut, nëse bëj atë vepër që ju më kërkoni? Sigurisht, dëbimi i besimtarëve të mirë e të sinqertë e bën të meritueshëm ndëshkimin prej Allahut të Madhërishëm, të cilin askush nuk mund ta ndalë.“A nuk do t'a pranoni këshillën?” -A nuk është më mirë ta mendoni se cila është gjetja më e dobishme për ju? A nuk po e mendoni më thellë çështjen?

Commentary: Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di. Qur'an text and translation via AlQuran Cloud.