Muslim99Muslim99
← Tafsir library

11. Hud

Hud · Meccan · 123 ayahs

سُورَةُ هُودٍ

Reading Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di

Ayahs 11–20 of 123

11

إِلَّا ٱلَّذِينَ صَبَرُوا۟ وَعَمِلُوا۟ ٱلصَّٰلِحَٰتِ أُو۟لَٰٓئِكَ لَهُم مَّغْفِرَةٌۭ وَأَجْرٌۭ كَبِيرٌۭ

e vetëm për ata që durojnë dhe kanë punuar vepra të mira, për ta ka falje dhe shpërblim të madh.

Nuk bëjnë kështu ata të cilët kanë durim dhe bëjnë vepra të mira... -Këta fatlumë janë ata të cilët bëjnë durim gjatë sprovave dhe kurrë nuk e humbasin shpresën në mëshirën dhe bujarinë e të Madhëruarit. Janë ata të cilët, kur Zoti i begaton me mirësi dhe ua largon sprovat, dinë të jenë të përulur e modestë, të mos shesin mend e as të nënçmojnë të tjerët. Ata tregohen mirënjohës ndaj Dhuruesit të mirësive dhe bamirës ndaj krijesave. Ata i sheh vazhdimisht duke kryer punë të mira, ashtu sikurse i porosit Zoti i tyre. Ata përpiqen të jenë të rregullt, duke kryer çdo detyrë apo vepër të pëlqyeshme, si shprehje të adhurimit për Zotin e tyre. Për këta të zgjedhur, i Madhëruari ka rezervuar diçka të mrekullueshme:...Për ta do të ketë falje dhe shpërblim të madh. -Allahu Bujar dhe i Gjithëmëshirshëm premton falje dhe mbulim të të metave e gjynaheve të tyre. Falja e gjynaheve do të thotë garanci dhe ruajtje nga çdo gjë së cilës ata i druhen. Por ata kanë, gjithashtu, edhe premtimin për një shpërblim të madh. Ky shpërblim është përjetësia në Xhenetin e mirësisë dhe begatisë, ku do të kenë çdo gjë që ua dëshiron shpirti dhe ua kënaq sytë, trupin dhe zemrën.

12

فَلَعَلَّكَ تَارِكٌۢ بَعْضَ مَا يُوحَىٰٓ إِلَيْكَ وَضَآئِقٌۢ بِهِۦ صَدْرُكَ أَن يَقُولُوا۟ لَوْلَآ أُنزِلَ عَلَيْهِ كَنزٌ أَوْ جَآءَ مَعَهُۥ مَلَكٌ ۚ إِنَّمَآ أَنتَ نَذِيرٌۭ ۚ وَٱللَّهُ عَلَىٰ كُلِّ شَىْءٍۢ وَكِيلٌ

Mund të ndodh që ti të lësh (mos të tregosh në çdo vend) diçka nga ato që të janë shpallur ty dhe thonë: “Sikur atij t’iu kishte dërguar ndonjë thesar”, ose, “të kishte ardhur një engjëll me te?” Ti je vetëm paralajmërues, e Perëndia është mbikëqyrës për çdo gjë.

Duke dashur të qetësojë zemrën e Profetit të Tij të dashur, i cili ishte aq i dëshpëruar për kundërshtimin dhe mosbesimin e qafirëve, Allahu i Madhëruar thotë:Ndoshta ti mund(të priresh)ta lësh një pjesë nga ajo që po të shpallet dhe po të ngushtohet gjoksi se mos ata thonë: “Pse të mos i jepej atij ndonjë thesar ose pse të mos vinte bashkë me të ndonjë melek?” -Nuk është e drejtë për të zgjedhurin e Zotit, Muhamedin a.s, që të ndikohet nga fjalët e mohuesve dhe të ndalet nga rruga e drejtë. Ata nuk duhet të ndikojnë tek ti, o i Dërguar, në mënyrë të tillë që të lëshosh ose braktisësh diçka prej Shpalljes. Zemra jote nuk duhet të ngushtohet dhe trishtohet nga fjalët e tyre, kur ata thonë: “Pse të mos i jepej atij ndonjë thesar ose pse të mos vinte bashkë me të ndonjë melek?”. Këto janë thjesht fjalë që burojnë nga kokëfortësia, padrejtësia, arroganca dhe inati që ata kanë. Kjo tregon për injorancën e tyre të thellë rreth formave të argumentimit dhe vërtetësisë së fakteve. Ji i qëndrueshëm në diturinë e sigurt dhe të vërtetë që Zoti të dhuroi dhe vazhdo me këmbëngulje të zbatosh çështjen tënde. Mos u ndiko nga ato fjalë boshe, të cilat burojnë veçse nga mendjelehtët. Si të tilla, ato nuk ka përse të shkaktojnë ngushtim për zemrën dhe shpirtin tënd. A kanë sjellë ata ndonjë argument, që ti nuk mund ta kundërshtosh e zgjidhësh?! A kanë sjellë ndonjë fakt, që mund të hedhë poshtë përsosmërinë dhe madhështinë e fesë tënde, dhe kështu të ngushtohet zemra jote?! Jo, sigurisht, nuk është as njëra e as tjetra. O i Dërguar, ti nuk je përgjegjës për fjalët dhe veprat e tyre dhe as je i detyruar për t’i udhëzuar ata me pahir, kundër vullnetit të tyre.Por ti je vetëm një qortues. Është Allahu Ai që përkujdeset për çdo gjë. -Allahu është Mbikëqyrësi i veprimeve të tyre. Ai i ruan e ua regjistron punët nëpërmjet melekëve të Tij besnikë dhe në Ditën e Gjykimit do t'u japë shpërblimin që meritojnë.

13

أَمْ يَقُولُونَ ٱفْتَرَىٰهُ ۖ قُلْ فَأْتُوا۟ بِعَشْرِ سُوَرٍۢ مِّثْلِهِۦ مُفْتَرَيَٰتٍۢ وَٱدْعُوا۟ مَنِ ٱسْتَطَعْتُم مِّن دُونِ ٱللَّهِ إِن كُنتُمْ صَٰدِقِينَ

Apo do të thonë ata: “E ka trilluar atë (Kur’anin) ai!” Thuaj (o Muhammed!): “Sillni dhjetë sure të ngjashme të trilluara dhe thirrni kë të mundeni, përpos Perëndisë, nëse thuani të vërtetën!”

Mos, vallë, po thonë: “Ai e ka trilluar atë.”? -Vallë, ata po thonë se ishte Muhamedi ai që e trilloi Kur'anin, se ky libër nuk është fjala e Allahut, por thjesht një trillim njeriu?! I Madhëruari i përgjigjet:Thuaju: “Sillni dhjetë sure të ngjashme me të, të trilluara(ashtu siç thoni), dhe thirrni për ndihmë kë të mundeni, veç Allahut, nëse thoni të vërtetën!” -Nëse është e vërtetë se ishte Muhamedi ai që e trilloi këtë libër madhështor, atëherë sillni edhe ju dhjetë sure të ngjashme me të Kur’anit. Ju jeni të ngjashëm me Muhamedin në aspektin e oratorisë dhe elokuencës dhe, përveç kësaj, zemrat i keni të mbushura plot me armiqësi e urrejtje dhe jeni çmendurisht të përkushtuar për të hedhur poshtë këtë Kur’an. Të gjitha këto duhet ta bëjnë të thjeshtë për ju dhe duhet të nxisin një dëshirë të parrezistueshme për t'iu përgjigjur sfidës. Por përsëri ata nuk iu përgjigjën kësaj sfide, prandaj i Madhëruari tha:

14

فَإِلَّمْ يَسْتَجِيبُوا۟ لَكُمْ فَٱعْلَمُوٓا۟ أَنَّمَآ أُنزِلَ بِعِلْمِ ٱللَّهِ وَأَن لَّآ إِلَٰهَ إِلَّا هُوَ ۖ فَهَلْ أَنتُم مُّسْلِمُونَ

E, nëse nuk ju përgjigjën (ftesës) juve, dijeni se ai (Kur’ani) ka zbritur me dijen e Perëndisë dhe s’ka zot tjetër përveç Tij. Andaj, a jeni ju muslimanë? (meqë i patë këto argumente).

E nëse atëherë(zotat tuaj të remë)nuk ju përgjigjen, atëherë dijeni se kjo shpallje është zbritur me dijen e Allahut... -Nëse ata nuk i përgjigjen kësaj sfide, - dhe s’ka si të ndodhë ndryshe, - atëherë mësojeni dhe krijoni bindjen e plotë se ky libër është zbritur me diturinë e Zotit. Ky është një fakt i padiskutueshëm, që sfidon këdo. Mësoni, gjithashtu, dhe krijoni bindje të plotë se:...dhe se nuk ka asnjë të adhuruar me meritë veç Tij. -Vetëm Allahu është i meritueshëm për t'u adhuruar. Vetëm Atij duhet t'i përkushtohen adhurimet e krijesave.A nuk po nënshtroheni si muslimanë? -A nuk po dorëzoheni e të nënshtroheni për adhurimin e Tij? Nga këto ajete nxjerrim mësim që thirrësi në rrugën e drejtë nuk duhet të ndikohet dhe shqetësohet nga kundërshtimet, fyerjet dhe shpifjet e batakçinjve. Argumentet e tyre janë të pabaza dhe nuk mund të cenojnë aspak vërtetësinë dhe madhështinë e kësaj feje, në të cilën ai i fton njerëzit. Zemra e thirrësit kurrë të mos ngushtohet, por përkundrazi, të gjejë prehje dhe qetësi të plotë në faktin se është në rrugën e drejtë dhe të pacenueshme. Ai duhet të vazhdojë i sigurt dhe shpresëplotë për të realizuar e përkryer urdhrat e Zotit të tij. Çështja më e rëndësishme që duhet ta angazhojë të jetë përkushtimi i plotë në zbatimin e çdo porosie të Zotit. Thirrësi nuk duhet të harrojë asnjëherë se nuk e ka për detyrë që t’i përgjigjet çdo pyetjeje e të plotësojë çdo propozim të natyrëprishurve, ashtu si nuk e ka detyrë që t'u sjellë atyre çdo lloj argumenti e fakti që ata i kërkojnë për ta pasuar. Mjafton ky Kur’an madhështor, të cilin nuk mund ta kundërshtojë askush, për të argumentuar vërtetësinë e saktësinë e të gjitha urdhëresave e qëllimeve të Zotit me krijesat. Kur’ani mjafton si përgjigje për çdo kërkesë e propozim që ata sjellin. Në këto ajete kuptohet se vetë Kur’ani është mrekullia më e madhe me të cilën Zoti e pajisi një profet. Ai është sfidë e hapur, që asnjë krijesë nuk mund ta përballojë. Asnjë krijesë nuk mund të sjellë diçka të ngjashme apo të përafërt me të, madje as dhjetë sure të ngjashme me suret e tij, madje as edhe një sure të vetme që të mund t’i afrohet atij. Kjo vërtetohet nga fakti i njohur dhe i pakundërshtueshëm se arabët, bashkë me poetët e tyre më të mëdhenj, kurrë nuk mundën të sjellin diçka të ngjashme me madhështinë e këtij libri, edhe pse Zoti i sfidoi për këtë. Përkundrazi, ata gjithmonë bindeshin se ishin të pafuqishëm për diçka të tillë. Në këto ajete kuptohet se, në disa çështje të rëndësishme është e domosdoshme dituria e plotë, domethënë, nuk mjaftojnë thjesht supozimet me përafërsi apo hipotezat. Të tilla janë dituria rreth Kur’anit, rreth teuhidit e të ngjashme. Në të tilla raste kërkohet dituri e sigurt, sipas kritereve rigoroze të përcaktuara nga feja jonë madhështore. Kjo kuptohet nga urdhri i Allahut: "fea'lemu", pra, ta dini me siguri se Kur'ani u zbrit me diturinë e lejen e Zotit dhe se askush tjetër nuk e meriton të adhurohet veç Tij.

15

مَن كَانَ يُرِيدُ ٱلْحَيَوٰةَ ٱلدُّنْيَا وَزِينَتَهَا نُوَفِّ إِلَيْهِمْ أَعْمَٰلَهُمْ فِيهَا وَهُمْ فِيهَا لَا يُبْخَسُونَ

Ata që e duan (vetëm) jetën e kësaj bote dhe bukuritë e saj, Na do t’ua plotësojmë krejtësisht punët e tyre në të (botë) dhe atyre në të (këtë botë) nuk do t’u mungohet asgjë.

Atyre që duan jetën e kësaj bote dhe shkëlqimin e saj, Ne do t’ua japim të plotë shpërblimin e veprave të tyre në të, pa u lënë asgjë mangët. -Allahu i Lartësuar na tregon se ka njerëz që si synim të vetëm kanë veçse plotësimin e dëshirave të kësaj dynjaje dhe stolitë e saj. Duke përshkruar bukuritë e kësaj bote, i Lartësuari thotë: "Njerëzve u është hijeshuar dashuria për të kënaqësitë e kësaj bote, për gratë (e hijshme), për djemtë (e pasardhësit e shumtë), për pasurinë e madhe prej ari e argjendi, për kuajt e stolisur e për bagëtinë e bujqësinë. Këto janë kënaqësi të kësaj bote, por tek Allahu është e ardhmja më e mirë." [Al Imran 14]. Kështu, të tillë njerëzve u takon veçse zjarri i Xhehenemit, sepse ata nuk e kanë patur as synimin më të vogël për të fituar ahiretin. Të gjitha ambiciet e tyre ishin kufizuar në arritjen e kënaqësive dhe të stolive të kësaj bote. Nëse robi ka sadopak besim, ai nuk mund t'i përkushtohet tërësisht kësaj dynjaje, duke mos patur asnjë synim për ahiretin. Prandaj të tillë njerëz janë veçse qafirë. Atë që ka iman në zemër, ky iman do ta frenojë nga angazhimi absolut për dynjanë. Vetë imani është shenjë dhe tregues i synimit të përjetësisë në lumturinë e ahiretit. Për këta fatzinj e të mjerë, të cilët a thua se u krijuan veçse për këtë dynja, Allahu i Madhëruar thotë: “Ne do t’ua japim të plotë shpërblimin e veprave në të, pa u lënë asgjë mangët.” Ai ka për t'u dhënë në dynja atë që ua ka caktuar në Leuĥi Maĥfûđh. Atyre nuk do t'u cenohen aspak të mirat që u janë përcaktuar. Por ta dinë se kaq është kufiri i begative dhe i kënaqësive të tyre, sepse në momentin e ndarjes nga kjo dynja dhe fillimin e përjetësisë, ata do të kenë një pritje befasuese dhe tmerruese. I Lartësuari thotë:

16

أُو۟لَٰٓئِكَ ٱلَّذِينَ لَيْسَ لَهُمْ فِى ٱلْءَاخِرَةِ إِلَّا ٱلنَّارُ ۖ وَحَبِطَ مَا صَنَعُوا۟ فِيهَا وَبَٰطِلٌۭ مَّا كَانُوا۟ يَعْمَلُونَ

Këta janë ata, që në botën tjetër nuk do të kenë kurrgjë, përveç zjarrit. Do t’u shëmbet çdo gjë që kanë punuar në të (këtë botë) dhe do t’u humbet ajo që kanë punuar.

Këta janë ata për të cilët në jetën tjetër s'ka asgjë tjetër veç Zjarrit. -Ata do të jenë të përjetshëm në zjarrin e Xhehenemit. Dhimbja dhe dënimi i tyre nuk kanë për të pushuar kurrë dhe as nuk kanë për t'iu pakësuar. Ata janë të privuar nga shpërblimet dhe kënaqësitë e përjetshme pranë Zotit.Veprat e tyre në të u shkatërruan, ndërsa punët e tyre u asgjësuan. -Çdo vepër dhe përpjekje e tyre për të kundërshtuar, luftuar dhe shuar të vërtetën dhe pasuesit e saj ka dështuar. Gjithashtu, u janë asgjësuar edhe ato pak vepra të mira, të cilave u mungonte baza kryesore për t'u marrë në konsideratë nga Zoti: imani i saktë dhe dituria e vërtetë. Ky është dëshpërimi i të mjerëve.

17

أَفَمَن كَانَ عَلَىٰ بَيِّنَةٍۢ مِّن رَّبِّهِۦ وَيَتْلُوهُ شَاهِدٌۭ مِّنْهُ وَمِن قَبْلِهِۦ كِتَٰبُ مُوسَىٰٓ إِمَامًۭا وَرَحْمَةً ۚ أُو۟لَٰٓئِكَ يُؤْمِنُونَ بِهِۦ ۚ وَمَن يَكْفُرْ بِهِۦ مِنَ ٱلْأَحْزَابِ فَٱلنَّارُ مَوْعِدُهُۥ ۚ فَلَا تَكُ فِى مِرْيَةٍۢ مِّنْهُ ۚ إِنَّهُ ٱلْحَقُّ مِن رَّبِّكَ وَلَٰكِنَّ أَكْثَرَ ٱلنَّاسِ لَا يُؤْمِنُونَ

A mos vallë, ata që duan vetëm jetën e kësaj bote, janë të barabartë me ata që mbështeten në dokumentet e qarta të Zotit të tyre; këtë e pason dëshmitari nga Perëndia (Kur’ani), dhe qysh para tij (Kur’anit) Libri i Musait, i cili ka qenë udhërrëfyes dhe mëshirë nga Perëndia? Këta (që mbështetën në këto dokumente) besojnë Kur’anin. E, cilido nga grupet që e mohojnë atë, vend i premtuar i tij është zjarri. Andaj, ti kurrsesi, mos dysho në të; se, ai padyshim, është e vërteta prej Zotit tënd, por shumica e njerëzve nuk besojnë.

Allahu i Lartësuar na përshkruan në këtë ajet Profetin e Tij të dashur dhe të zgjedhur dhe ndjekësit e Profetit, domethënë ata që vazhdojnë misionin e tij me thirrjen e njerëzve në udhën e drejtë dhe diturinë e saktë prej Zotit. Këta janë të sigurt dhe tërësisht të bindur në argumentet dhe Shpalljen e Zotit. Askush nuk mund të krahasohet me ta në këtë aspekt. Prandaj i Madhëruari thotë:E kush mund të krahasohet me atë që mbështetet në argumentin e qartë nga Zoti i tij,... -Ata janë të mbështetur në argumentin e qartë nga Zoti i tyre, janë të mbështetur në Shpalljen e Tij. Kur’ani dhe Tradita e Profetit përmbajnë sqarimin e mjaftueshëm dhe të plotë për të gjitha çështjet e rëndësishme. Argumentet e sjella përmes kësaj Shpalljeje janë tejet të qarta dhe të kuptueshme për të gjithë, prandaj janë gjithmonë triumfuese. Ato japin gjithnjë siguri të plotë. Pastaj i Lartësuari thotë:...i ndjekur nga dëshmues prej tij,... -Këto fakte e argumente, që prodhojnë siguri të padiskutueshme, i mbështet dhe përforcon akoma edhe më shumë një tjetër dëshmuese. Kjo është natyra e pastër dhe e patrazuar e njeriut me logjikën e tij të shëndoshë. Ajo dëshmon për vërtetësinë e Shpalljes së Zotit dhe për ligjin e Tij. Logjika e shëndetshme e pranon të mirën si të mirë dhe të keqen si të keqe. Kjo është dritë mbi dritë. Shpallja e saktë, e ruajtur dhe e sigurt, e bashkuar me logjikën e shëndetshme dhe me natyrën e pastër, sjell besim të kthjellët dhe vepra të mrekullueshme. Përveç këtyre dy dëshmive e fakteve, i Madhëruari sjell edhe një fakt tjetër, që vërteton vërtetësinë e Islamit dhe ligjeve të tij:...me atë që i parapriu Libri i Musait si udhërrëfyes e mëshirë?! -Dëshmi për vërtetësinë e fesë dhe të ligjeve që Muhamedi (a.s)përcolli, është edhe Libri (Teurati) që iu dha Musait. Atë libër Zoti e bëri udhërrëfyes për njerëzit dhe mëshirë për ta. Vetë Teurati dëshmon për vërtetësinë e Kur'anit dhe besnikërinë e të Zgjedhurit, që e përcolli atë prej Zotit te njerëzit. Porositë dhe mësimet e të dy librave janë në sinkron të plotë me njëra-tjetrën. Vetë Teurati dëshmon për vërtetësinë e ligjeve të Kur'anit, Shpalljes së fundit të Zotit për krijesat. Atëherë, a është njëlloj një njeri që bazohet në të tilla argumente kaq të forta, me atë që sorollatet në errësirat e paditurisë dhe pasigurisë, duke mos dalë asnjëherë prej tyre?! Pa dyshim që nuk mund të jenë njëlloj tek Allahu i Madhëruar. Edhe në sytë e krijesave këta nuk mund të jenë njëlloj.Këta e besojnë vërtet atë. -Ata të cilëve iu hap drita e arsyes së shëndetshme dhe iu dha sukses që t’i shohin qartë argumentet, e besojnë të vërtetën e shpallur nga Zoti. Ata që vërtetë e dëshirojnë dhe e synojnë të vërtetën kanë për ta besuar Shpalljen që i erdhi Muhamedit a.s. Nëse ky besim është i sinqertë, ai do të prodhojë vepra të mira që Zoti i do, është i kënaqur me to dhe i shpërblen. Kjo do t'u sjellë atyre lumturinë në dynja dhe në ahiret. Ndërsa ata të cilët e mohojnë Kur'anin, qofshin nga të gjitha grupacionet që ekzistojnë në tokë, qofshin edhe të organizuar për ta kundërshtuar këtë fe dhe për të penguar krijesat nga përqafimi i saj, le ta dinë se Zjarri është premtimi për ta. I Madhëruari thotë:Ndërsa për grupimet …

18

وَمَنْ أَظْلَمُ مِمَّنِ ٱفْتَرَىٰ عَلَى ٱللَّهِ كَذِبًا ۚ أُو۟لَٰٓئِكَ يُعْرَضُونَ عَلَىٰ رَبِّهِمْ وَيَقُولُ ٱلْأَشْهَٰدُ هَٰٓؤُلَآءِ ٱلَّذِينَ كَذَبُوا۟ عَلَىٰ رَبِّهِمْ ۚ أَلَا لَعْنَةُ ٱللَّهِ عَلَى ٱلظَّٰلِمِينَ

Kush është zullumqarë më i madh se ai që trillon gënjeshtra për Perëndinë? Këta do të sillen para Zotit të tyre, e dëshmitarët do të thonë: “Këta janë ata që kanë gënjyer për Zotin e tyre. E, mallkimi i Perëndisë qoftë mbi zullumqarët,

E kush është më i padrejtë se ai që trillon gënjeshtra kundër Allahut? -Allahu i Lartësuar na tregon se nuk ka më të padrejtë se ata që thurin gënjeshtra lidhur me Zotin, si për shembull, ata që thonë se Zoti ka partner apo që e përshkruajnë Zotin jo si i takon madhështisë dhe lartësisë së Tij, ose që sjellin lajme dhe histori që Ai kurrë nuk i ka thënë. Këtu hyjnë edhe ata që pretendojnë se janë profetë të cilëve u shpallet e frymëzohen nga Zoti, por në të vërtetë janë mashtrues e trillues, etj. Këta janë njerëzit më zullumqarë. Për këta i Madhëruari thotë:Këta do të sillen para Zotit të tyre... -Ata do të dalin para Zotit të tyre për t'i “shpërblyer” për padrejtësitë e tyre. Kur Zoti të gjykojë që ata të dënohen me ndëshkimin më të rëndë, të gjithë ata që kanë dëshmuar mohimin dhe shpifjet e tyre do të thonë:...dhe dëshmitarët do të thonë: “Këta janë ata që kanë gënjyer kundër Zotit të tyre. Mallkimi i Allahut qoftë mbi të padrejtët!" -Do dëshmojnë se si ata shpifën gënjeshtra për Zotin e tyre dhe e refuzuan të vërtetën e Tij. Për këtë arsye, ata e meritojnë një mallkim, që kurrë nuk do të përfundojë apo t’u lehtësohet. Ky është ‘shpërblimi’ për ta, sepse edhe padrejtësia ishte cilësi e pandashme e tyre. Pastaj i Lartësuari e përshkruan më hollësisht padrejtësinë e tyre:

19

ٱلَّذِينَ يَصُدُّونَ عَن سَبِيلِ ٱللَّهِ وَيَبْغُونَهَا عِوَجًۭا وَهُم بِٱلْءَاخِرَةِ هُمْ كَٰفِرُونَ

të cilët pengojnë (të tjerët) nga rruga e Perëndisë dhe përpiqen ta shtrembërojnë atë, e ata nuk besojnë (as) në botën tjetër”.

Ata pengojnë nga rruga e Allahut dhe përpiqen ta shtrembërojnë atë, ndërsa Jetën tjetër nuk e besojnë. -Ata i pengojnë njerëzit nga rruga e Allahut, nga udha e drejtë e gjithë profetëve, të cilët ftuan në adhurimin e një Zoti të vetëm dhe nënshtrimin ndaj ligjit të Tij. Ata jo vetëm që ndalojnë veten e tyre, por pengojnë edhe të tjerët nga rruga e drejtë. Kështu, ata janë udhëheqësit e së keqes. Ata i tërheqin njerëzit për në Zjarr. Ata e paraqesin rrugën e vërtetë të Allahut si të gabuar dhe shtrembërojnë të vërtetën në sytë e njerëzve. Nga njëra anë, ata përpiqen shumë në rrugën e keqpërshkrimit dhe shëmtimit të së vërtetës dhe, nga ana tjetër, zbukurojnë të kotën, Allahu i shëmtoftë e i poshtëroftë! Këta të mallkuar janë në të vërtetë mosbesues të ahiretit. Ata nuk e besojnë ringjalljen dhe llogarinë me drejtësi para Zotit.

20

أُو۟لَٰٓئِكَ لَمْ يَكُونُوا۟ مُعْجِزِينَ فِى ٱلْأَرْضِ وَمَا كَانَ لَهُم مِّن دُونِ ٱللَّهِ مِنْ أَوْلِيَآءَ ۘ يُضَٰعَفُ لَهُمُ ٱلْعَذَابُ ۚ مَا كَانُوا۟ يَسْتَطِيعُونَ ٱلسَّمْعَ وَمَا كَانُوا۟ يُبْصِرُونَ

Të tillët nuk do të mund t’i ikin Perëndisë (nga dënimi) në Tokë, e këta as që kanë ndonjë mbrojtës, përveç Perëndisë. Atyre do t’u shumëfishohet dënimi, meqë nuk dëshironin as të dëgjojnë, as të shihnin,

Ata nuk mund t'i shpëtojnë(dënimit të Allahut)në tokë... -Ata nuk mund t'i shpëtojnë Allahut assesi, sepse janë brenda pushtetit dhe sundimit të Tij. E kush mund të dalë jashtë pushtetit dhe dijes së Allahut të Madhëruar?!...dhe nuk mund të gjejnë asnjë mbështetës tjetër veç Allahut. -Ata nuk mund të gjejnë ndonjë ndihmëtar për t'u larguar ndëshkimin dhe për t'u dhënë atë që e dëshirojnë. Atyre do t’u ndërpritet çdo lloj lidhjeje dhe dëshpërimi do t'i mbulojë përfundimisht.Atyre do t'u shumëfishohet dënimi,... -Atyre vetëm u shtohet ndëshkimi, sepse ata kanë devijuar vetveten dhe kanë humbur të tjerët. Cilësia e tyre dalluese është:...sepse ata nuk dëgjojnë(të vërtetën)dhe nuk shohin(argumentat). -Për shkak të urrejtjes dhe armiqësisë ndaj të vërtetës, ata nuk kanë durim të dëgjojnë ajetet e Allahut. Por, sikurse thotë i Madhëruari në një ajet tjetër: "Po çfarë kanë ata që i largohen këshillës? Ata janë si gomarë të egër të trembur, që vrapojnë prej luanit. Secili prej tyre dëshiron t’i jepet një libër i posaçëm. Jo! Ata nuk i frikësohen Botës Tjetër. Kjo është, pa dyshim, një këshillë e vyer, Nga e cila përfiton kush dëshiron. Por ata mund të mësojnë prej saj, vetëm nëse do Allahu. Vetëm Ai e meriton që t’i ruhesh dhe që të jetë Falës i gjynaheve!" [Mudethir 49 - 56]. Ata nuk mund t’i shohin faktet në mënyrë të tillë që t’i bëjnë të kuptojnë e të meditojnë. Ata janë ashtu sikurse thotë i Madhëruari: të shurdhët, memecë dhe të verbër, të cilët nuk logjikojnë. Allahu i Madhëruar thotë përsëri për ta:

Commentary: Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di. Qur'an text and translation via AlQuran Cloud.