Muslim99Muslim99
← Tafsir library

11. Hud

Hud · Meccan · 123 ayahs

سُورَةُ هُودٍ

Reading Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di

Ayahs 111–120 of 123

111

وَإِنَّ كُلًّۭا لَّمَّا لَيُوَفِّيَنَّهُمْ رَبُّكَ أَعْمَٰلَهُمْ ۚ إِنَّهُۥ بِمَا يَعْمَلُونَ خَبِيرٌۭ

Me të vërtetë, çdonjërit prej tyre, Zoti yt do t’ia plotësojë pagimin për veprat e tyre. Se, Ai, me të vërtetë, është i njoftuar për atë që punojnë ata.

Nuk ka dyshim se, çdonjërit prej tyre, Zoti yt do t’ia japë të plotë shpërblimin për veprat e veta. -Allahu i Lartësuar ka për t’i gjykuar me drejtësi dhe urtësi Ditën e Gjykimit dhe gjithësecilin do ta shpërblejë sipas veprave që ka kryer. Më tej, i Lartësuari thotë:Ai di gjithçka që bëjnë ata. -Për gjithçka që ata kanë bërë, qoftë punë të mira apo të këqija, Allahu është Habir - i Gjithëditur. Asgjë nuk i fshihet Allahut, sado të vogla dhe të imta, të dukshme apo të padukshme qofshin punët e tyre. Në këto ajete, Allahu i Lartësuar i tregon Profetit (a.s)shkakun që i bëri bashkësitë e mëparshme të përçaheshin. Ky shkak ishte mospërqendrimi me besnikëri në rrugën e drejtë, sipas Shpalljes që u dhuroi Allahu i Madhëruar. Për këtë arsye, Ai e urdhëron më pas profetin Muhamed (a.s)dhe të gjithë besimtarët që e ndjekin, që të përqendrohen në fenë e drejtë:

112

فَٱسْتَقِمْ كَمَآ أُمِرْتَ وَمَن تَابَ مَعَكَ وَلَا تَطْغَوْا۟ ۚ إِنَّهُۥ بِمَا تَعْمَلُونَ بَصِيرٌۭ

Shko ti udhës së drejtë, ashtu siç je i urdhëruar; dhe ashtu le të veprojnë edhe besimtarët që janë me ty, e mos i kaloni kufijt, se, Ai, me të vërtetë, i sheh mirë ato që punoni ju.

Prandaj qëndroni të patundur (në rrugën e drejtë), ashtu siç jeni urdhëruar - ti dhe ata që janë penduar(e kanë besuar)së bashku me ty dhe mos i kaloni kufijtë! -Allahu i Lartësuar urdhëron për “el istikâme”, domethënë për qëndrueshmëri në rrugën e drejtë. Por kjo nuk mund të bëhet sipas orekseve dhe dëshirave të secilit, prandaj shoqërohet me një tjetër porosi të rëndësishme: “... ashtu siç je urdhëruar”. Kështu, besimtarët urdhërohen që të përqëndrohen në rrugën e Allahut të Madhëruar dhe në zbatimin e ligjit të Tij, me mënyrën që Ai e ka caktuar. Ata duhet të besojnë gjithçka që vjen e sigurt nga Allahu i Lartësuar. Ata urdhërohen që kurrsesi të mos devijojnë nga feja dhe ligji që u ka zbritur Allahu i Lartësuar. Besimtarët urdhërohen që të jenë të vazhdueshëm në këtë rrugë të drejtë dhe të mos devijojnë as majtas, as djathtas. Gjithçka është e përcaktuar, prandaj ata nuk duhet të kalojnë caqet në asnjë drejtim, qoftë në besim, qoftë në zbatimin e ligjeve. Pastaj Allahu i Madhëruar i kujton besimtarët për një fakt shumë të rëndësishëm, duke thënë:Ai sheh gjithçka që bëni ju. -Allahut nuk i fshihet asnjë vepër e tyre dhe Ai ka për t’i shpërblyer për to. Sigurisht, ky është një inkurajim i fortë për të qenë i vendosur në fenë e drejtë të Allahut të Lartësuar. Gjithashtu, ai shërben edhe si një kërcënim dhe qortim i ashpër për këdo që humbet këtë qëndrueshmëri. Allahu i Lartësuar e përforcon këtë kërcënim, duke thënë:

113

وَلَا تَرْكَنُوٓا۟ إِلَى ٱلَّذِينَ ظَلَمُوا۟ فَتَمَسَّكُمُ ٱلنَّارُ وَمَا لَكُم مِّن دُونِ ٱللَّهِ مِنْ أَوْلِيَآءَ ثُمَّ لَا تُنصَرُونَ

Dhe, mos anoni kah ata që bëjnë zullum, meqë do t’u përcëlloj zjarri. Ju nuk keni mbrojtës tjetër përveç Perëndisë, dhe nuk do të jeni të ndihmuar.

Dhe mos anoni kurrë nga ata që bëjnë padrejtësi e kështu t’ju përcëllojë Zjarri! -Mos anoni nga ata të cilët bëjnë padrejtësi, sepse nëse anoni nga ata, sigurisht që keni për t’i miratuar dhe pasuar në padrejtësitë e tyre, ose të paktën do të jeni të kënaqur me ta, dhe në këtë mënyrë dhe do të bini në zjarrin e Xhehenemit. Ky lloj animi është, sigurisht, pasojë e humbjes së qëndrueshmërisë në rrugën e Allahut të Lartësuar ashtu sikurse Ai ka urdhëruar.Atëherë, ju nuk do të keni asnjë mbrojtës përveç Allahut dhe askush nuk do t’ju ndihmojë. -Ju nuk keni për të gjetur mbështetës, që t'ju mbrojnë nga ndëshkimi i Allahut apo që t’ju ndihmojnë për të fituar sadopak prej shpërblimit të Tij. Kështu, ata nuk do të mund të largojnë prej jush ndëshkimin që do t’ju japë Allahu i Lartësuar, kur ai të godasë mbi ju. Në këtë ajet gjejmë një kërcënim të ashpër për këdo që anon tek çdo lloj padrejtësie me të cilën përballet. Por çfarë nënkupton fjala “anim”, që përmendet në ajet? Kuptimi i saj është pohimi, miratimi, solidariteti ose mbështetja me kënaqësi që tregon dikush për padrejtësinë dhe të padrejtët. Atëherë, nëse vetëm animi te padrejtësia ka këtë lloj ndëshkimi nga Allahu i Lartësuar, si është halli i atyre që e kryejnë vetë padrejtësinë?! E lusim Allahun e Madhëruar të na ruajë nga çdo lloj padrejtësie dhe të mos anojmë tek ato në asnjë formë e çast!

114

وَأَقِمِ ٱلصَّلَوٰةَ طَرَفَىِ ٱلنَّهَارِ وَزُلَفًۭا مِّنَ ٱلَّيْلِ ۚ إِنَّ ٱلْحَسَنَٰتِ يُذْهِبْنَ ٱلسَّيِّـَٔاتِ ۚ ذَٰلِكَ ذِكْرَىٰ لِلذَّٰكِرِينَ

Dhe kryeje namazin në mëngjes dhe mbrëmje dhe me një kohë të natës. Me të vërtetë, veprat e mira i shlyejnë veprat e këqija. Kjo këshillë vlenë për ata që i pranojnë këshillat.

Dhe fale namazin në dy skajet e ditës, edhe në orët e afërta të natës! -Allahu i Lartësuar urdhëron për faljen e namazit në dy skajet e ditës, domethënë, në fillim dhe në fund të saj. Këtu përfshihen tre namazet: i sabahut, i drekës dhe ai i ikindisë. Më pas, i Lartësuari thotë: “edhe në orët e afërta të natës”. Këtu bëhet fjalë për namazin e akshamit dhe të jacisë, sepse akshami është menjëherë pas perëndimit të diellit, ndërsa jacia është pranë me sabahun. Sigurisht, përfshihet edhe namazi i natës, sepse edhe ai është afër sabahut. Janë quajtur ‘zulefen’– ‘të afërta ose afruese’ edhe për një qëllim tjetër: sepse e afrojnë robin tek Allahu i Lartësuar.Sigurisht që veprat e mira i shlyejnë ato të këqijat. -Pesë namazet e detyrueshme si dhe ato vullnetare, që u bashkëngjiten, konsiderohen si veprat më të mira dhe më të shpërblyeshme. Ato kanë një shpërblim shumë të madh prej Allahut të Lartësuar dhe Bujar. Përveçse sjellin mirësi të shumta në dynja dhe ahiret, namazet, - sikurse thotë Allahu i Lartësuar, - i fshijnë dhe i largojnë të këqijat. Sigurisht, këtu bëhet fjalë për gjynahet e vogla, sikurse përcaktohet edhe në hadithe të sakta nga Profeti (a.s.). Nga këto hadithe mund të përmendim: “Pesë namazet, nga xhumaja deri në xhuma, nga Ramazani deri në Ramazan, janë falëse dhe shuajtëse të atyre gjynaheve që veprohen mes tyre, nëse robi u largohet gjynaheve të mëdha”. Kështu që bëhet fjalë për gjynahet e vogla. Një argument tjetër që tregon për këtë është edhe ajeti në suren Nisa, ku thotë Allahu i Lartësuar: “Nëse largoheni prej gjynaheve të mëdha, që ju janë ndaluar, Ne do t’jua falim gjynahet e vogla dhe do t’ju shpiem në një vend të nderuar.” [Nisa 31]. Pastaj Allahu i Madhëruar thotë:Ky është kujtim për ata që kujtojnë(Zotin e tyre). -Ky është një kujtim i mrekullueshëm për ata që kujtojnë mësimet e Zotit. Përemri "ky" ndoshta ka për qëllim gjithçka që u përmend pak më sipër, si:- qëndrueshmëria në rrugën e drejtë dhe përkushtimi për të mos dalë nga kufijtë që ka vendosur Allahu i Lartësuar;- mosanimi nga ata që bëjnë padrejtësi dhe mosmiratimi i tyre;- urdhri për faljen e namazit dhe qartësimi se të gjitha veprat e mira i fshijnë të këqijat.Të gjitha këto vlejnë për ata që duan të dinë se çfarë u ka urdhëruar dhe çfarë u ka ndaluar Allahu i Lartësuar. Për këtë arsye, ata përkushtohen me sinqeritet për t’i zbatuar ato, se kështu fitojnë mirësi dhe begati dhe u largohen fatkeqësitë e sprovat në dynja dhe ahiret. Sigurisht, urdhrat e Allahut të Lartësuar kanë nevojë për përpjekje dhe durim të madh, që të vihen në jetë, prandaj i Lartësuari thotë më pas:

115

وَٱصْبِرْ فَإِنَّ ٱللَّهَ لَا يُضِيعُ أَجْرَ ٱلْمُحْسِنِينَ

Dhe duro! Se, Perëndia, me të vërtetë, nuk e humbë shpërblimin e bamirësve.

Bëj durim,... -Bëj durim, detyroje, përqëndroje veten tënde në bindje ndaj Allahut të Lartësuar. Bëhu i duruar dhe këmbëngulës për t’u larguar nga poshtërsitë dhe mosbindja ndaj Tij, për t’u larguar nga gjithçka që Allahu e ka ndaluar. Ji i vazhdueshëm dhe i qëndrueshëm në këtë rrugë dhe kurrë mos devijo prej saj! Kurrë mos u qaj dhe mos u trego i dobët dhe i pafuqishëm! Përkundrazi, ji i gjallë dhe sistematik në rrugën e Allahut! Asnjëherë mos harro një fakt, i cili do të të ndihmojë në këtë rrugë:...se, me të vërtetë, Allahu nuk ua humb shpërblimin vepërmirëve! -Allahu i Lartësuar nuk e humbet kurrë punën dhe shpërblimin e bamirësve. Përkundrazi, Ai ka për t’ua pranuar veprat dhe do t’i shpërblejë sipas tyre. Allahu i Lartësuar, me bujarinë e Tij, do të marrë si shembull punën më të mirë dhe më të plotë që ata kanë bërë. Sigurisht, këto ajete janë nxitje e fortë për besimtarin për të kultivuar dhe forcuar durimin e tij. Duke përmendur shpërblimin, Allahu i Madhëruar i bën shpirtrat më të gjallë dhe ambiciozë dhe u jep një vullnet të fortë për të vazhduar në rrugën e bindjes ndaj Tij. Sa herë që shpirtrat lodhen dhe dobësohen, kujtimi i shpërblimit të Allahut të Lartësuar u jep fuqi për të vazhduar më tej, derisa ta takojnë Atë e ta marrin shpërblimin të plotë nga bujaria e Tij.

116

فَلَوْلَا كَانَ مِنَ ٱلْقُرُونِ مِن قَبْلِكُمْ أُو۟لُوا۟ بَقِيَّةٍۢ يَنْهَوْنَ عَنِ ٱلْفَسَادِ فِى ٱلْأَرْضِ إِلَّا قَلِيلًۭا مِّمَّنْ أَنجَيْنَا مِنْهُمْ ۗ وَٱتَّبَعَ ٱلَّذِينَ ظَلَمُوا۟ مَآ أُتْرِفُوا۟ فِيهِ وَكَانُوا۟ مُجْرِمِينَ

Vallë! A nuk ka pasur njerëz të mençur te popujt para jush – të cilët pengonin ngatërresat në Tokë? Ka pasur vetëm disa prej tyre – që i shpëtuam Ne! e, ata që bënin zullum, ipeshin pas kënaqësive dhe ishin mëkatarë.

Përse të mos kishte nga brezat para jush, të mençur e të nderuar që ta ndalonin shkatërrimin në Tokë?! Përveç një pakice, të cilët i shpëtuam(nga e keqja), të gjithë të tjerët ishin keqbërës. Ata u dhanë pas kënaqësive si të shfrenuar e ngulmuan në gjynahe. -Allahu i Lartësuar përmendi më lart shkatërrimin e popujve që kundërshtuan profetët e tyre dhe u larguan nga rruga e drejtë. Ata nuk pranuan që t’u nënshtroheshin porosive të Allahut të Lartësuar në Shpalljet e Tij. Edhe popujt të cilëve iu dhuruan libra hyjnorë devijuan nga rruga e drejtë, përveç një pakice, të cilët i ruajti Zoti i Madhëruar. Nëse devijimi do të vazhdonte, ata do të ishin larguar tërësisht nga e vërteta, aq sa nuk do të mbetej më asnjë gjurmë prej tyre. Megjithatë, Allahu i Lartësuar na tregon se ka pasur një grup besimtarësh, edhe pse të pakët, të cilët i qëndruan besnikë besimit të drejtë, të mësuar nga profetët e tyre. Ata pasuan profetët, prandaj e merituan që Allahu i Lartësuar t’i shpërblente. Gjithashtu, ndër mirësitë e tyre ishte edhe vijimësia e fesë së drejtë, që kishte mbetur prej profetëve. Megjithatë, ata ishin shumë të pakët, sikurse thotë Allahu i Lartësuar në këtë ajet. Nëpërmjet kësaj pakice, shkoi në vend rregulli i pandryshueshëm i Allahut të Lartësuar, që: “çdo njeri, ose të jetojë si besimtar me argument të qartë nga Zoti i Lartësuar, ose të jetojë në mosbesim, duke mohuar argumentet e Allahut të Madhëruar.” Domethënë, si ata që besojnë, edhe ata që nuk besojnë të jenë të qartë për lirinë e zgjedhjes së tyre. Ndjekësit e rrugës së drejtë jetojnë të qartë në besimin e tyre, prandaj meritojnë shpërblimin e Allahut të Lartësuar. Kurse për ata që tregohen të padrejtë, Allahu thotë: “Ata u dhanë pas kënaqësive si të shfrenuar e ngulmuan në gjynahe.” Pra, ata që bëjnë padrejtësi dhe nuk pasojnë rrugën e besimit, thjesht argëtohen me mirësitë e shumta që u dhuron Allahu i Lartësuar në këtë botë, duke braktisur tërësisht jetën e ahiretit, prandaj meritojnë të quhen ‘muxhrimin’ - kriminelë. Ata përkushtohen plotësisht pas kësaj dynjaje të shkurtër dhe mashtruese, duke shpërfillur besimin e vërtetë në Allahun e Lartësuar dhe të jetuarit sipas tij. Shumë prej tyre Allahu i Lartësuar i ka shfarosur që në këtë botë. Ky ajet është nxitje për muslimanët, që mes tyre të kenë vazhdimisht një grup njerëzish bamirës, të cilët rregullojnë veten e tyre dhe ato që prishin të padrejtët. Le të jetë gjithmonë një grup që e praktikon me korrektësi fenë e Allahut të Lartësuar dhe që fton të devijuarit e të humburit në rrugën e drejtë, duke bërë durim përballë çdo mundimi që ata u sjellin. Ata duhet të jenë të qëndrueshëm e të durueshëm në përhapjen e së mirës, duke u hapur sytë e shpirtit atyre që u janë verbuar nga dashuria për këtë botë. Pa dyshim që kjo është grada më e lartë, të cilën e synon çdokush që dëshiron mirësinë e Allahut të Lartësuar. Të tillët janë udhëheqësit e kësaj feje, sepse ata ia përkushtojnë çdo vepër me sinqeritet vetëm Allahut të Lartësuar dhe vetëm për kënaqësinë e Tij.

117

وَمَا كَانَ رَبُّكَ لِيُهْلِكَ ٱلْقُرَىٰ بِظُلْمٍۢ وَأَهْلُهَا مُصْلِحُونَ

Dhe, Zoti yt, kurrë nuk i ka shkatërruar vendbanimet padrejtësisht, nëse banorët e tyre kanë jetuar në harmoni dhe drejtësi në mes vete.

Zoti yt kurrë nuk do t’i shkatërronte ato vende, nëse banorët e tyre do të ishin vepërmirë. -Allahu i Lartësuar nuk do t’i shkatërronte popujt, po të ishin vepërmirë, domethënë të vazhdueshëm në punë të mira dhe të përqendruar në rrugën e drejtë. Allahu i ka ndëshkuar vetëm sepse ata dilnin jashtë kufijve të Tij, pa pasur asnjë justifikim. Kështu ndëshkohen ata që e dinë të vërtetën dhe nuk e zbatojnë atë. Kurse kuptimi tjetër është: Allahu i Lartësuar kurrsesi nuk do të shkatërronte njerëzit për padrejtësitë që kanë bërë në të shkuarën, nëse ata i kthehen të penduar, duke ndrequr besimin dhe veprat e tyre. Pendimi i sinqertë i fshin dhe i mbulon gjynahet. Punët e mira që pasojnë të këqijat të shpëtojnë nga ndëshkimi i ashpër.

118

وَلَوْ شَآءَ رَبُّكَ لَجَعَلَ ٱلنَّاسَ أُمَّةًۭ وَٰحِدَةًۭ ۖ وَلَا يَزَالُونَ مُخْتَلِفِينَ

E, sikur të kishte dashur Zoti yt, të gjithë njerëzit do t’i bënte njerëz të një feje. Por, ata edhe më tej janë në kundërshtim mendimesh.

Sikur të dëshironte Zoti yt, do ta bënte njerëzinë të një feje, por ata do të jenë vazhdimisht duke kundërshtuar,... -Allahu i Lartësuar na tregon se, po të dëshironte, do t’i bënte njerëzit të gjithë të një feje, pra, të fesë Islame. Askush nuk do të mund ta ndryshonte dëshirën e Tij dhe nuk do të mund t’i dilte Atij përpara, nëse Ai do ta dëshironte një gjë të tillë. Por urtësia e Tij e deshi që njerëzit të jenë vazhdimisht në kundërshtim me njëri-tjetrin dhe me rrugën e drejtë, të cilën Ai e përcaktoi. Njerëzit do të ndjekin vazhdimisht dëshirat e tyre dhe rrugët që të çojnë në Zjarr. Secili grup do të pretendojë se e vërteta është me të, ndërsa e pavërteta është ajo që thonë të tjerët, sepse ata ndjekin dëshirat e tyre dhe nuk ndjekin udhëzimin e Allahut. Këtu përjashtohen vetëm ata që Zoti ka thënë:

119

إِلَّا مَن رَّحِمَ رَبُّكَ ۚ وَلِذَٰلِكَ خَلَقَهُمْ ۗ وَتَمَّتْ كَلِمَةُ رَبِّكَ لَأَمْلَأَنَّ جَهَنَّمَ مِنَ ٱلْجِنَّةِ وَٱلنَّاسِ أَجْمَعِينَ

Përveç atyre që i ka mëshiruar Zoti yt. E, për ata edhe i ka krijuar Ai. Dhe, u plotësua fjala e Zotit tënd: “Do ta mbushë, me të vërtetë, xhehennemin me xhind dhe njerëz bashkarisht!”

...Përveç atyre të cilët i ka mëshiruar Zoti yt. -Këta janë ata të cilët i udhëzon Allahu te njohja e të vërtetës dhe në veprat e sinqerta sipas kësaj të vërtete. Këtyre u paraprin mirësia dhe përkujdesi nga Allahu i Gjithëmëshirshëm, i Cili u ka dhënë sukses të plotë. Ai u mundëson sukses qoftë në mësimin e të vërtetës, qoftë në punën e sinqertë sipas kësaj të vërtete, të sjellë me Shpallje dhe profetë. Ndërsa të tjerët janë ata që mbështeten tërësisht në forcat e veta dhe aspak tek Allahu, duke mos kërkuar udhëzimin prej Tij, prandaj e meritojnë devijimin dhe largimin nga rruga e drejtë. Pastaj Allahu i Lartësuar thotë:Për këtë edhe i krijoi ata. -Me urtësinë e Tij, Allahu i Lartësuar i krijoi njerëzit në atë mënyrë që prej tyre të ketë fatbardhë dhe të tjerë që meritojnë të jenë fatzinj, që disa të ndjekin rrugën e drejtë dhe disa të kundërshtojnë të ndjekin rrugën e drejtë. Allahu i Lartësuar e udhëzon grupin e parë, sepse ata i mbështeten Atij dhe e kërkojnë udhëzimin e Tij. Ndërsa të tjerët e meritojnë devijimin nga e vërteta, sepse ata vetë e shpërfillin udhëzimin e sjellë prej Tij përmes profetëve dhe shpalljeve. Kështu do t’u bëhet e qartë robërve drejtësia dhe urtësia e Allahut të Lartësuar. Kështu do të dalë haptaz gjithçka që është mbajtur e fshehtë në zemër, e mirë apo e ligë qoftë. Të gjithë do të paraqesin atë çka fshehin përbrenda vetes në tregun e xhihadit dhe të ibadeteve, në tregun e përpjekjes për ta adhuruar Allahun dhe për të jetuar me devotshmëri. Këto nuk mund të zbuloheshin, nëse ata nuk do të sprovoheshin. Allahu i Lartësuar i krijoi për t’i sprovuar, në mënyrë që të dalë qartë ajo çfarë fshehin brenda vetes dhe ajo çfarë shfaqin.Vendimi i Zotit tënd do të përmbushet: “Unë do ta mbush Xhehenemin me xhinde dhe njerëz bashkë.” -Zjarri do të mbushet me ata që e meritojnë të hyjnë në të. Po ashtu, edhe Xheneti do të mbushet me ata që e meritojnë të hyjnë në të. Secili grup do të bëjë në këtë botë ato vepra që i përputhen atij vendi ku ata do të përfundojnë. Xhenetlinjtë bëjnë punë të banorëve të Xhenetit. Ata janë të bindur, të nënshtruar dhe të përkushtuar në adhurimin e Allahut. Ndërsa të tjerët bëjnë punët e banorëve të Zjarrit dhe do ta meritojnë ndëshkimin e atjeshëm.

120

وَكُلًّۭا نَّقُصُّ عَلَيْكَ مِنْ أَنۢبَآءِ ٱلرُّسُلِ مَا نُثَبِّتُ بِهِۦ فُؤَادَكَ ۚ وَجَآءَكَ فِى هَٰذِهِ ٱلْحَقُّ وَمَوْعِظَةٌۭ وَذِكْرَىٰ لِلْمُؤْمِنِينَ

Na po t’i tregojmë ty të gjitha lajmet e pejgamberëve, për me ta forcua zemrën. Dhe në këtë sure të ka ardhur ty e vërteta; këshilla dhe të përkujtuarit për besimtarët.

Pasi përmendi disa nga historitë e profetëve, Allahu i Lartësuar tregon qëllimin dhe urtësinë e tyre:Gjithçka që po ta rrëfejmë nga historitë e profetëve – me të forcojmë zemrën tënde. -Allahu i Lartësuar i tregoi të gjitha këto histori që zemra jote të forcohet, të qetësohet dhe të jetë e qëndrueshme në rrugën e drejtë, ashtu sikurse ndodhi me më të përzgjedhurit e profetëve të Zotit. Nuk ka dyshim se shpirti qetësohet duke marrë si shembull të ngjashmin e tij dhe bëhet më optimist për të kryer punë të mira, që të garojë dhe të afrohet tek Allahu. Duke përmendur gjithë këto histori, e vërteta qartësohet dhe pasuesit e saj shtohen.Në këtë Shpallje të ka ardhur e vërteta, këshilla dhe kujtimi për ata që besojnë. -Në këto ajete të ka ardhur e vërteta e sigurt. Ngjarjet e përmendura këtu nuk kanë asnjë lloj dyshimi. E vërteta e sigurt është ndër mirësitë më të mëdha që mund t’i dhurohet njeriut. Nga ana tjetër, këto ajete janë këshilla dhe kujtim për besimtarët, sepse ata qortohen dhe këshillohen, nxjerrin mësime dhe përvojë. Në këtë mënyrë, ata largohen nga punët e ndaluara dhe nxiten për të kryer punë të mira, në bindje ndaj Allahut të Lartësuar. Nëpërmjet këtyre historive ata mësojnë se cilat janë punët e dashura për Allahun e Lartësuar dhe cilat janë ato që Ai i ka ndaluar. Edhe ata mund të sprovohen, prandaj vazhdimisht kanë nevojë t’i kujtojnë këto vepra të mira, të cilat Zoti i do dhe ato vepra të këqija që Zoti nuk i do. Kjo është një ndihmë e madhe për të jetuar sipas porosive të Allahut të Lartësuar. Por nga këto ajete mund të përfitojnë veçse ata që e besojnë Allahun e Lartësuar dhe Shpalljen e Tij. Ndërsa jobesimtarët nuk mund të përfitojnë kurrsesi nga këshillat dhe paralajmërimet e Kur'anit madhështor, prandaj Allahu i Lartësuar thotë më pas:

Commentary: Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di. Qur'an text and translation via AlQuran Cloud.