Muslim99Muslim99
← Tafsir library

11. Hud

Hud · Meccan · 123 ayahs

سُورَةُ هُودٍ

Reading Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di

Ayahs 101–110 of 123

101

وَمَا ظَلَمْنَٰهُمْ وَلَٰكِن ظَلَمُوٓا۟ أَنفُسَهُمْ ۖ فَمَآ أَغْنَتْ عَنْهُمْ ءَالِهَتُهُمُ ٱلَّتِى يَدْعُونَ مِن دُونِ ٱللَّهِ مِن شَىْءٍۢ لَّمَّا جَآءَ أَمْرُ رَبِّكَ ۖ وَمَا زَادُوهُمْ غَيْرَ تَتْبِيبٍۢ

Na nuk i kemi bërë atyre zullum, por ata vetvetes i kanë bërë zullum. E, nuk u ndihmuan atyre hyjnitë, të cilëve ata iu luteshin, pos Perëndisë, asgjë – kur erdhi urdhëri (dënimi) i Zotit tënd. Dhe, nuk iu shtuan (hyjnitë) atyre kurrgjë tjetër, përpos humbjen.

Ne nuk u bëmë atyre asnjë padrejtësi; por ishin ata që i bënë padrejtësi vetes. -Ndëshkimi nuk ishte padrejtësi ndaj tyre, por ishin ata që i bënë padrejtësi vetes përmes idhujtarisë dhe mohimit të Zotit të Madhëruar, duke treguar mendjemadhësi ndaj Shpalljes së Tij.Kur erdhi urdhri i Zotit tënd, atyre nuk u erdhën aspak në ndihmë zotat e tyre, të cilëve u luteshin veç Allahut. -Kështu ndodh me të gjithë ata që i drejtohen për ndihmë dikujt tjetër, veç Allahut të Lartësuar, me adhurime dhe përunjësi. Kur zbret ndëshkimi i Allahut të Madhëruar, atyre nuk u bën asnjë lloj dobie adhurimi që iu përkushtojnë idhujve. Madje, Allahu i Lartësuar thotë:Ata nuk u shtuan asgjë tjetër, përveç shkatërrimit. -Idhujtaria veçse u shton ndëshkimin, shkatërrimin, dëshpërimin dhe vuajtjen. Kjo, sigurisht, është e kundërta e asaj që ata shpresojnë me lutjet e blatimet e shumta që u drejtojnë idhujve të tyre.

102

وَكَذَٰلِكَ أَخْذُ رَبِّكَ إِذَآ أَخَذَ ٱلْقُرَىٰ وَهِىَ ظَٰلِمَةٌ ۚ إِنَّ أَخْذَهُۥٓ أَلِيمٌۭ شَدِيدٌ

I tillë është dënimi i Zotit tënd kur ndëshkon vendbanimet, të cilat bënin zullum. Me të vërtetë, dënimi i Tij është i dhëmbshëm dhe i ashpër.

I tillë është ndëshkimi i Zotit tënd, kur bie mbi popujt që bëjnë padrejtësi. Vërtet, ndëshkimi i Tij është i dhembshëm dhe i ashpër. -Kështu i shkatërron dhe i dërrmon Allahu i Lartësuar ata përmes ndëshkimit të Tij të ashpër dhe të drejtë. Atyre nuk do t’u vlejë aspak adhurimi që u kanë bërë idhujve me përunjësi e përkushtim. Në vijim, Allahu i Lartësuar thotë:

103

إِنَّ فِى ذَٰلِكَ لَءَايَةًۭ لِّمَنْ خَافَ عَذَابَ ٱلْءَاخِرَةِ ۚ ذَٰلِكَ يَوْمٌۭ مَّجْمُوعٌۭ لَّهُ ٱلنَّاسُ وَذَٰلِكَ يَوْمٌۭ مَّشْهُودٌۭ

Me të vërtetë, në këtë ka këshillë për atë që i dron dënimit të Ditës së gjykimit. E, ajo është Dita në të cilën do të tubohen të gjithë njerëzit dhe ajo është Dita në të cilën do të jenë prezent të gjithë.

Pa dyshim, këtu ka shumë mësime për atë që i druhet Dënimit të Jetës Tjetër. -Në të gjitha këto histori të përmendura, te ndëshkimet që Allahu i Madhëruar zbriti mbi zullumqarët, ka fakte të shumta për këdo që i druhet ndëshkimit në ahiret. Këto histori ndikojnë tek ata që e besojnë ringjalljen dhe llogarinë para Zotit të Gjithëditur dhe të Drejtë. Ato na mësojnë se të gjithë ata që bëjnë padrejtësi dhe krime, kanë për të vuajtur ndëshkimin e dynjasë dhe të ahiretit. Ata do ta marrin shpagimin të plotë, ashtu sikurse e meritojnë, nga Allahu i Lartësuar, i Cili është i Drejtë dhe Ndëshkues i ashpër. Më pas, Allahu i Lartësuar vijon që të përshkruajë ahiretin:Ajo është dita e tubimit të njerëzve dhe dita që do ta dëshmojnë (të gjithë). -Atë ditë, njerëzit do të mblidhen bashkë për të marrë të plotë shpërblimin e merituar, i mirë ose i keq qoftë, sipas veprave të tyre. Pushteti dhe sundimi i Allahut të Lartësuar do t’u shfaqet hapur. Të frikësuar e kokëulur para madhështisë së Allahut dhe drejtësisë së Tij absolute, njerëzit do të shpresojnë në mëshirën e Tij të gjerë. Atë ditë, ata do ta njohin Allahun e Lartësuar plotësisht, me fuqinë dhe pushtetin e Tij gjithëpërfshirës. Allahu i Lartësuar thotë se ajo është dita e dëshmuar. Për vërtetësinë e saj ka dëshmuar Allahu, melekët e Tij dhe të gjitha krijesat. Ajo është dita që do ta dëshmojnë dhe do ta përjetojnë të gjithë, pa përjashtim.

104

وَمَا نُؤَخِّرُهُۥٓ إِلَّا لِأَجَلٍۢ مَّعْدُودٍۢ

Dhe Ne e shtyjmë atë vetëm gjer në afatin e caktuar.

Ne nuk po e vonojmë atë, përveçse deri në afatin e caktuar. -Kijameti do të ndodhë atëherë kur të përfundojë afati i kësaj dynjaje dhe Allahu i Lartësuar të këtë përfunduar gjithçka që ka lidhje me krijesat dhe krijimin e Tij. Allahu i Madhëruar do t’i tubojë të gjithë për të përjetuar atë që quhet Dita e Fundit. Atë ditë, mbi të gjitha krijesat do të zbatohet norma e shpërblimit të Zotit të Lartësuar. Ashtu sikurse në dynja zbatohen të gjitha ligjet e Zotit të Lartësuar që kanë lidhje me krijimin dhe funksionimin e kësaj bote, si edhe dispozitat e Sheriatit të Tij, po ashtu në Ditën e Kijametit do të zbatohen ligjet e Tij të shpërblimit, që bazohen te drejtësia, urtësia dhe bamirësia absolute e Zotit.

105

يَوْمَ يَأْتِ لَا تَكَلَّمُ نَفْسٌ إِلَّا بِإِذْنِهِۦ ۚ فَمِنْهُمْ شَقِىٌّۭ وَسَعِيدٌۭ

Atë ditë që do të vijë, mund të flasë njeriu vetëm me lejen e Tij. Disa prej tyre do të jenë fatkëqinj, e disa fatlumë.

Kur të vijë ajo Ditë, askush nuk do të flasë pa lejen e Tij. -Kur të vijë ajo ditë, të gjitha krijesat do të grumbullohen para Allahut dhe askush nuk do të flasë pa lejen e Tij, madje as profetët apo melekët e nderuar. Gjithashtu, askush nuk do të mund të ndërmjetësojë tek Allahu i Lartësuar në ndonjë mënyrë, përveçse me lejen e Tij. Askush nuk mund të hyjë për ndërmjetësim nëse Allahu nuk është i kënaqur me ndërmjetësuesin dhe me atë për të cilin ndërmjetësohet dhe nëse Allahu nuk jep leje për këtë ndërmjetësim. Atë ditë krijesat do të ndahen në dy grupe, prandaj Allahu i Lartësuar thotë:Prej tyre do të ketë të dëshpëruar, por do të ketë edhe të lumtur. -Të dëshpëruarit do të jenë ata që, së pari, e kanë mohuar Allahun e Lartësuar dhe që nuk e kanë besuar Atë ashtu si duhej të besohej. Së dyti, do të jenë ata që kanë mohuar të dërguarit e Tij, duke mos i besuar si profetë të Zotit. Së treti, do të jenë ata që nuk u janë bindur urdhrave dhe porosive të Allahut, që nuk kanë punuar e jetuar sipas Shpalljes së Tij. Ndërsa të lumturit, ‘es-suadâu’, janë besimtarët, ata të cilët e kanë besuar Allahun e Lartësuar me sinqeritet dhe që kanë ndjekur rrugën e Tij. Cilësia e tyre dalluese është devotshmëria. Ata e tregojnë devotshmërinë duke u ruajtur nga ndëshkimi i Allahut përmes plotësimit të urdhrave të Tij dhe largimit nga ndalesat e Tij, në emër të dashurisë për Allahun e Lartmadhëruar, shpresës për shpërblimin e Tij dhe frikës ndaj ndëshkimit të Tij. Ndërsa për sa i përket shpërblimit të secilit grup, Allahu Krenar dhe i Lartësuar thotë:

106

فَأَمَّا ٱلَّذِينَ شَقُوا۟ فَفِى ٱلنَّارِ لَهُمْ فِيهَا زَفِيرٌۭ وَشَهِيقٌ

Ata që janë fatkëqinj, do të gjenden në zjarr, në të cilin për ata ka kërrhamë (frymënxjerrje me zë), e po ashtu edhe rrënkim,

Të dëshpëruarit do të jenë në Zjarr, ku do të kenë ofshama e ngashërime. -Të dëshpëruarit, të poshtëruarit dhe të nënçmuarit do të jenë në zjarrin e Xhehenemit. Atje do të vuajnë ndëshkim pas ndëshkimi, gjithnjë e duke u rënduar më tepër. Kjo gjendje do të shoqërohet me ofshama, ngashërime e lëngata, me zërat më të tmerrshëm e më të përvuajtur, që shprehin torturën e madhe të tyre.

107

خَٰلِدِينَ فِيهَا مَا دَامَتِ ٱلسَّمَٰوَٰتُ وَٱلْأَرْضُ إِلَّا مَا شَآءَ رَبُّكَ ۚ إِنَّ رَبَّكَ فَعَّالٌۭ لِّمَا يُرِيدُ

në të cilin do të mbetën përherë, derisa të jenë qiejt dhe Toka, përveç nëse ndryshe e cakton Zoti yt. Me të vërtetë, Zoti yt punon atë që don (pa mundësi kundërshtimi).

Ata do të jenë aty të përjetshëm, sa të jenë qiejt dhe Toka,... -Tek ai zjarr që u përshkrua më sipër, ata do të jenë të përjetshëm, sikurse thotë Allahu i Lartësuar: sa të jenë qiejt dhe toka, pra, sa të ekzistojnë qiejt dhe toka.... përveç çfarë do Zoti yt. -Ata do të jenë të përjetshëm në zjarrin e Xhehenemit, përveç atij intervali kohor që do të dëshirojë Allahu i Lartësuar që të mos jenë në të. Kjo është periudha kohore e pritjes së tyre para hyrjes në Zjarr, Ditën e Gjykimit, sikurse kanë thënë shumica e komentuesve të Kur'anit. Kësisoj, pas hyrjes në zjarrin e Xhehenemit, ata do të jenë aty pafundësisht.Zoti yt vepron gjithçka që Ai dëshiron. -Allahu i Lartësuar vepron çdo gjë që Ai dëshiron. Çdo gjë që Ai vepron, ngrihet e bazohet në diturinë dhe urtësinë e Tij absolute dhe të paanë. Askush nuk mund ta pengojë Allahun nga ajo çka Ai dëshiron.

108

۞ وَأَمَّا ٱلَّذِينَ سُعِدُوا۟ فَفِى ٱلْجَنَّةِ خَٰلِدِينَ فِيهَا مَا دَامَتِ ٱلسَّمَٰوَٰتُ وَٱلْأَرْضُ إِلَّا مَا شَآءَ رَبُّكَ ۖ عَطَآءً غَيْرَ مَجْذُوذٍۢ

Kurse fatlumët, do të gjenden në Xhennet, ku do të qëndrojnë përherë në të, derisa të jenë qiejt dhe Toka, përveç nëse ndryshe e cakton Zoti yt. Kjo është dhuratë e pashkëputshme.

Ndërsa të lumturit janë në Xhenet. -Këta janë ata fatbardhë, të cilëve u takon çdo gjë që u sjell gëzim, kënaqësi dhe lumturi. Atyre u është dhuruar suksesi për të kryer çdo punë të mirë dhe për t’u larguar nga çdo e keqe. Ata janë begatuar edhe me fitoren në dynja dhe ahiret. Këtyre njerëzve u takon mirësia dhe lumturia. Për këta, Allahu i Lartësuar thotë:Aty do të jenë të përjetshëm, sa të jenë qiejt dhe toka, përveç çfarë do Zoti yt. -Ata do të jenë në Xhenet përjetësisht, sa të jenë qiejt dhe toka, përveç çfarë dëshiron Zoti. Allahu i Lartësuar e përforcon këtë gjykim më pas, kur thotë:Ata do të kenë një shpërblim të pandërprerë. -Ata do të kenë gjithçka prej mirësive dhe kënaqësive të përjetshme dhe të mrekullueshme, që Allahu i Lartësuar u ka dhuruar. Ato nuk do të ndërpriten kurrë, në asnjë çast. Ne e lusim Allahun Bujar dhe të Lartësuar që të na dhurojë nga mirësitë e Tij.

109

فَلَا تَكُ فِى مِرْيَةٍۢ مِّمَّا يَعْبُدُ هَٰٓؤُلَآءِ ۚ مَا يَعْبُدُونَ إِلَّا كَمَا يَعْبُدُ ءَابَآؤُهُم مِّن قَبْلُ ۚ وَإِنَّا لَمُوَفُّوهُمْ نَصِيبَهُمْ غَيْرَ مَنقُوصٍۢ

Prandaj, mos u bënë dyshues për atë që këta adhurojnë. Ata adhurojnë vetëm atë që kanë adhuruar më parë – të parët e tyre. Dhe Ne do t’ua plotësojmë atyre pjesën e vet (të dënimit), duke mos ua pakësuar aspak.

Allahu i Lartësuar i drejtohet profetit të Tij të dashur, Muhamedit a.s, dhe i thotë:Mos ki asnjë dyshim për atë që adhurojnë ata. -Të mos kesh anjë lloj dyshimi rreth gjendjes së tyre të mjerë dhe të kotës që ata pasojnë. Ata nuk kanë asnjë lloj argumenti të drejtë fetar, tradicional apo logjik për idhujtarinë e tyre. Argumenti i vetëm për ta, nëse do të quhej argument, është ai që Allahu i Madhëruar e përshkruan:Ata nuk adhurojnë asgjë tjetër përveçse çfarë adhuronin më parë prindërit e tyre. -Ky nuk mund të quhet argument, sepse çdo qëndrim ka nevojë për mbështetje të argumentuar, përveç profetëve, që u vjen Shpallje nga Allahu i Lartësuar. Ndërsa qëndrimet e këtyre të humburve janë plot gabime dhe të pavërteta që në thelb të tyre. Edhe pse ata mund të pretendojnë të gjithë së bashku se janë në të vërtetën, kjo nuk e ndryshon aspak realitetin e tyre të rremë.Ne do t’ua japim pjesën e vet pa ua cenuar. -Ata do ta marrin pjesën e tyre, që u ka përcaktuar Allahu i Lartësuar, që në këtë jetë. Ata do ta marrin këtë pjesë të pacenuar, edhe nëse është shumë e madhe. Por nëse Allahu i Lartësuar u jep pasuri e bollëk, kjo nuk tregon aspak se Ai i sheh si njerëz të mirë. Allahu i Lartësuar ua jep të mirat e kësaj bote atyre që i do dhe atyre që nuk i do. Ndërsa fenë dhe besimin e drejtë, Ai ua jep veçse atyre që i ka përzgjedhur dhe dalluar mbi të gjithë të tjerët. Nga këto ajete kuptojmë që asnjëherë nuk duhet të mashtrohemi nga unanimiteti i të humburve në qëndrimet e tyre të devijuara. Fakti që ata kanë rënë dakord që të pranojnë si të vërteta dhe të sakta besimet e trashëguara nga të parët e tyre, kjo nuk do të thotë se ata duhen ndjekur. Gjithashtu, njeriu nuk duhet të mashtrohet nga mirësitë e kësaj bote, që Allahu i Lartësuar mund t’ua ketë dhuruar ndonjërit prej tyre. Rreth besimit dhe fesë së vërtetë gjykohet mbi argumente të qarta, të sakta dhe të përcaktuara nga Allahu i Lartmadhëruar.

110

وَلَقَدْ ءَاتَيْنَا مُوسَى ٱلْكِتَٰبَ فَٱخْتُلِفَ فِيهِ ۚ وَلَوْلَا كَلِمَةٌۭ سَبَقَتْ مِن رَّبِّكَ لَقُضِىَ بَيْنَهُمْ ۚ وَإِنَّهُمْ لَفِى شَكٍّۢ مِّنْهُ مُرِيبٍۢ

Na, me të vërtetë, ia kemi dhënë Musait Librin, për të cilin është shkaktuar përçarje mendimesh. E, sikur të mos i kishtë paraprirë fjala e Zotit tënd, (që do të bëhet dënimi në jetën tjetër), do të gjykoheshin menjëherë. Me të vërtetë, ata për këtë janë në dilemë, e cila i shpie në dyshim të madh.

Ne i dhamë Musait Librin, rreth të cilit kanë pasur kundërshtime. -Allahu i Lartësuar tregon për librin që i dha Musait (a.s.), i cili ishte Teurati. Ai ishte libër plot me porosi dhe dispozita të mrekullueshme. Ishte e detyrueshme për popullin që, në pajtim të plotë, t’i zbatonin dhe të jetonin sipas dispozitave e ligjeve të tij. Megjithatë, ata patën kundërshtime me njëri-tjetrin pikërisht rreth themeleve të fesë dhe të besimit të përcaktuara në Teurat.Sikur të mos kishte qenë vendimi i Zotit tënd, i përcaktuar më herët, me siguri çështja do të kishte marrë fund. -Sikur të mos ishte vendimi i Zotit për të mos i ndëshkuar ata menjëherë, por për t’u lënë një afat, çështja e tyre do të kishte marrë fund, domethënë, do të ndëshkohej çdo zullumqar për padrejtësinë e bërë. Por Allahu i Lartësuar, me urtësinë e Tij, vendosi që t’u linte afat deri Ditën e Gjykimit, ditën kur do t’u jepet ndëshkimi i merituar.Por ata kanë dyshime rreth tij dhe janë në mëdyshje. -Ata mbetën të çoroditur dhe sorollaten në dyshimet e tyre. Prandaj, nëse me librin dhe me themelet e fesë të tyre çifutët sillen në këtë mënyrë, si pret të sillen ata me Kur'anin dhe fenë që Zoti ta shpalli ty?! Kështu, mos u çudit aspak kur ata të kundërshtojnë. Mos u habit që ata nuk të besojnë dhe kanë dyshime të vazhdueshme rreth Shpalljes së Allahut të Lartësuar.

Commentary: Tafsir As-Sa'di by 'Abd al-Rahman al-Sa'di. Qur'an text and translation via AlQuran Cloud.